Pak historik për K.R.A.F.-in dhe grupin e riparimit të nëndetëseve

1136
Sigal

Fatosh VOSHTINAKolonel

Në fund të shtatorit të vitit 1963 nga Shqipëria për në Republikën Popullore të Kinës u nis për në Pekin një delegacion solid i MMP, i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes, gjeneral kolonel Beqir Balluku. Në këtë delegacion bënin pjesë shefi i drejtorisë operative të ushtrisë, gjeneral leitnant Vaskë Gjini; komandanti i Artilerisë së Ushtrisë Shqiptare, gjeneral leitnant Todi Naço; komisari i mbrojtjes kundër ajrore, gjeneral Halim Ramohito; komandant i aviacionit, kolonel Edip Ohri; shefi i Drejtorisë së Ndërlidhjes, kolonel Perikli Pani; zv. shefi i xhenios, kolonel Pandi Dushku; zv. shefi i Prapavijës së ushtrisë, kolonel Nuçi Çobani; zv. drejtor i kimisë, nënkolonel Dhori Gjoni; zv. drejtor i tankeve, nënkolonel Asti Gajga; dhe shefi i drejtorisë së riparimit të armatimit të Flotës Luftarake Detare, inxhinier kapiten i rangut III Fatosh Voshtina; si dhe grupi shoqërues.

Në kërkesat tona përfshiheshin të gjitha nevojat për plotësimin me gjithçka i nevojitej ushtrisë sonë në atë periudhë. Në kërkesat e Flotës që unë përfaqësoja ishin listat me pjesë ndërrimi për të gjitha llojet e shërbimeve, të navigimit, radiolokatorit, silurës, ndërlidhjes dhe të shërbimit motorik, hidraulik, pajisjeve të sistemit të ajrit dhe pajisje të tjera ndihmëse; si dhe një listë me 21 makineri të ndryshme që ne na mungonin. Përfshi këtu një torno 12 metra për ratifikimin e aksit të elikave të nëndetëseve, që do të plotësonin parkun e makinerive të O.R.A. Delegacioni ynë u vendos në vilat qeveritare të destinuara për delegacionet e niveleve të larta të demokracive popullore, ose si quheshin atëherë vendet që ndërtonin socializmin. Çdo ditë bëheshin takimet në ambientet e vilave ku nuk mungonte asgjë. Me shokët kinezë, sipas sektorëve, bisedimet zhvilloheshin në gjuhën ruse. Pas 15 ditëve të mbërritjes sonë, njoftohemi se jemi ftuar në takim me kryetarin Mao. Ky ishte një sihariq i gëzueshëm, që u vlerësua si shumë pozitiv nga delegacioni ynë, i cili kryesohej nga gjeneral kolonel Beqir Balluku, që mbante jo vetëm postin e ministrit të Mbrojtjes, por ishte edhe zëvendësi i parë i Kryeministrit dhe anëtar i Byrosë Politike, pra ishte personi i tretë pas Enver Hoxhës në hierarkinë shtetërore dhe politike të shtetit shqiptar. Në orën 10 hyjmë në selinë e kryetarit Mao Ce Dun. Ishte një dhomë e madhe e thjeshtë me mobilim modest dhe në krahun e majtë të Mao Ce Dunit, me karrige të vendosura në formë harku, ishin ulur Lju Shao Ci, kryetari i Asamblesë Popullore Kineze; Çu En Lai, kryetari i shtetit kinez; Ten Ciao Pin, sekretari i Partisë Komuniste Kineze; E Llun, mareshali i Kinës, “Dragoi me dy koka”; dhe Lju Zhi Ci, gjeneral armate, shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë. Ky ishte prezantimi i bërë nga Mao Ce Duni, por kur mbërriti te Ten Ciao Pini, tha që ky është i vogël në trup, po kështu është edhe floriri, por vlerën e ka të madhe. Dhe kur prezantoi shefin e Shtabit bëri një parantezë për Lin Biaon, që në atë kohë ishte ministër i Mbrojtjes. “Lin Biao -tha ai- është i sëmurë”, duke justifikuar mungesën e tij. Në anën tjetër të tavolinës pranë kryetarit Mao vinin karriget në formë harku, të vendosura për delegacionin tonë, ku vinin me radhë Beqir Balluku, Vaskë Gjino, Todi Naço, Halim Ramohito, Edip Ohri, Perikli Pani, Pandi Dushku, Nuçi Cobani, Dhori Gjoni, Asti Gajda, Fatosh Voshtina dhe Qemal Caka, punonjës në Kryeministri, që kishte ardhur për të mbajtur protokollin e bisedimeve, si sekretar i delegacionit. Biseda zhvillohej midis kryetarit Mao dhe ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku, gjithë të tjerët ishin dëgjues dhe asgjë më shumë. Kryetari Mao u drejtua: “Mirë se vini shokë shqiptarë, keni bërë një rrugë të gjatë dhe ndoshta jeni lodhur!”. Ndërsa ne: “Kina, i ngjan një gamileje, që duhet të hedhë hapa të matur dhe të sigurt. Ju i ngjani një tigri që duhet të përballojë vështirësi dhe përpjekjet e armiqve që u rrethojnë për t’iu mposhtur”. Ai iu drejtua Beqir Ballukut që ta njihte pak me situatën e lëvizjes komuniste në Evropë, i cili i dha sqarime për këtë. Pyetja e dytë ishte si po shkojnë bisedimet e delegacionit me shokët kinezë dhe Beqiri u përgjigj pozitivisht. Kryetari Mao iu drejtua Ten Ciao Pin-it, se si po zbatohen kërkesat e shokëve shqiptarë dhe… a ua kishte bërë të njohur porosinë time shokëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Tjeni, ashtu në këmbë si ishte iu përgjigj: “Po”. Mao Ce Duni vazhdoi, se porosia është që kërkesat tuaja, jo vetëm të plotësohen të tëra, por edhe disa prej tyre të shtohen aty ku mendohen për t’u thelluar. Pas takimit ne mbetëm shumë të kënaqur, jo vetëm se u takuam me kryetarin Mao Ce Dun, por edhe se fjalët dhe porositë e tij ishin një inkurajim për ne, që detyra jonë do të kurorëzohej me sukses. Kjo dhe për faktin se, kohë pas kohe gjatë bisedave që çdo grup vazhdonte në takimet e bëra, ne merrnim porosi nga ministri që të mos të ngulnim shumë këmbë në kërkesa të fryra. Pas takimit me Mao Ce Dunin, ministri organizoi një konsultë me ne, ku u vendos që për aviacionin, flotën dhe tanket të kërkojmë ngritjen (ndërtimin) e bazave riparuese (uzinave), për këto lloje mjetesh luftarake. Për këtë ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, kërkoi një takim me Ten Ciao Pinin, ku i parashtroi kërkesën tonë. Në protokollin e marrëveshjes përfundimtare shokët kinezë kishin shtuar përveç kërkesave tona për ushtrinë, ngritjen e tri uzinave për riparimet e mesme dhe kapitale për Flotën, Aviacionin dhe për teknikën me zinxhir, tanket, AVL. Në pranverën e vitit 1964 në Shqipëri erdhën tre grupe të specialistëve kinezë për të parë dhe vendosur bashkërisht vend-ndërtimet e uzinave të ardhshme të riparimit për tanket, aviacionin dhe flotën, si dhe për të mbledhur të dhëna të nevojshme për projektet e ardhshme. Grupet u pritën nga kolonel Adnan Qatipi për tanket, kolonel Edip Ohri për aviacionin dhe nga inxhinier kapiten i rangut III Fatosh Voshtina për flotën. Ndërtimi i kantierit të riparimit të anijeve ishte vendosur nga lart që të ndërtohej në bazën detare të Pashalimanit; ai i Tankeve në Tiranë, në rajonin e Babrusë; dhe ai i Aviacionit pranë fushës së aviacionit në Kuçovë.

Grupi i flotës prej katër specialistësh u vendos në bazën lundruese të nëndetëseve në Pashaliman dhe gjatë gjithë periudhës tremujore që qëndruan në Shqipëri u shoqëruan nga unë. Problemi kryesor ishin punimet gjeologjike për të përcaktuar tabanin e tokës dhe sigmën e saj. Për këtë, meqenëse shkëmbi i shpatit të Karaburunit zbriste deri në vijën e ujit dhe hynte në det, nuk u pa e arsyeshme të kërkoheshin shpime me sonda, por u hapën disa gropa ku pas 0.5 – 1 metër binin në shkëmb. Pra, kjo detyrë u zgjidh shumë shpejt. Me shokët kinezë lëvizëm në Ministrinë e Ndërtimit, në Institutin Hidrometeorologjik dhe gjetkë, për të mbledhur për zonën e Pashalimanit dhe Vlorës sasinë e reshjeve, të ndara për tremujor e vjetor, për një periudhës 10-vjeçare; drejtimin dhe forcën e erës dhe shumë tregues të tjerë, si për rrjetin elektrik, të ujit e ndonjë tjetër. Këto punë ne për grupin tonë i përfunduam shpejt, kështu për kohën e mbetur u organizuam shokëve kinezë ekskursione nëpër Shqipëri. Ata mbetën shumë të kënaqur dhe të mahnitur nga Riviera Shqiptare dhe zona jonë Verilindore e sidomos nga pyjet e bukura të zonës së Kolonjës deri në Leskovik. Grupi i specialistëve kinezë ishte i përbërë nga ekspertë të fushave të ndryshme, të përgjegjshëm, të qetë, autoritarë e shumë kërkues për mbledhjen e të dhënave. Inxhinieri Da Lri, nëse nuk gabohem për emrin, ishte përgjegjës i grupit. Pas mbarimit edhe të dy grupeve të tjera, të tankeve e të aviacionit, Ministria e Mbrojtjes organizoi një ekskursion me të tre grupet, që shoqëroheshin nga kolonel Adnan Qatipi, kolonel Edip Ohri dhe nga inxhinier kapiten i rangut III Fatosh Voshtina. Gjatë këtij ekskursioni të bukur shokët kinezë mbetën shumë të kënaqur. Pas dy ditëve i përcollëm deri në aeroport. Në fund të vitit 1964 vijnë projektet e plota të ndërtimit të objekteve tona, përfshi projektet e ndërtimit dhe zbatimit të vendosjes së pajisjeve teknologjike, elektrike, të ngrohjes, ajrimit, ujit etj.; si dhe ndriçimi i territorit, fuqia punëtore, kualifikimi etj. etj.; gjithçka që nevojitej për funksionimin e plotë dhe të suksesshëm, të përfunduara nga Instituti i Projektimeve në Shangai.

Komanda e Flotës dhe personalisht kundëradmiral Abdi Mati u mor me plotësimin e grupit të riparimit të nëndetëseve, duke bërë lëvizjet përkatëse të kuadrove nga njësitë e repartet detare. Përgjegjës për grupin e riparimit dhe ndërtimin e kantierit emërohet inxhinier kapiten i rangut III Fatosh Voshtina, që vinte nga dega e Flotës në K.F.U.D. në Tiranë. Komisar emërohet ing. kapiten i rangut III Tahir Hoxha, që kishte mbaruar shkollën e lartë të inxhinierisë navale dhe Akademinë e Armatimit dhe Ndërtimit të Anijeve në Shën Peterburg, ku studionte me shokët e tjerë. Këta ishin të grupit të parë që shkonte jashtë nga shkolla “Skënderbej”, në mars 1948. Tahiri vinte nga komanda e FLD në Vlorë. Ai ka qenë një student shumë i mirë në të gjitha shkollat që kaloi dhe studimet në Shën Peterbug i përfundoi me diplomë shkëlqyeshëm. I qetë në punë, pak i avashëm, por serioz e kërkues, ka dhënë një kontribut shumë të madh në forcimin e disiplinës teknike dhe në forcimin e gatishmërisë së flotës. Puna e desh të ndërronte profil për disa vite, duke u bërë komisar. Detyrën e kreu shumë mirë dhe lehtë, se kishte vetëm punën ideopolitike dhe, kur e pyesnin për punën, thoshte “Luks”. Kryeinxhinier emërohet inxhinier kapiten i rangut III Ylber Sevrani, që vinte nga O.R.A., për të cilin kam folur më lart. Kryeteknolog emërohet inxhinier kapiten i rangut III Skënder Spahivogli, që vinte nga brigada e nëndetëseve. Skënderi ka mbaruar shkollën e lartë të inxhinierisë navale në Shën Peterburg, vinte nga brigada e nëndetëseve ku ishte kryeinxhinier. Skënderi kishte një eksperiencë shumëvjeçare në shfrytëzimin dhe riparimin e anijeve mbiujëse, katërave siluruese dhe në brigadën e nëndetëseve. Skënderi nga grupi ynë ishte inxhinieri i parë që përvetësoi deri në imtësi teknikën, pajisjet, sistemet e vendosura në nëndetëse. Sasha, kështu e thërrisnim ne Skënderin, njeri i qetë, pak i ngadalshëm, por i saktë në punë dhe në zgjidhjen e problemeve teknike, i dashur me të gjithë, një muzikant i mirë, i binte fizarmonikës që unë e shoqëroja duke kënduar në duet jashtë. Teknolog emërohet inxhinier kapiten Sefedin Fuga, për të cilin kam folur më lart. Po kështu për forcimin e reparteve me kuadro të përgatitur dhe specialistë të zotë u morën nga repartet e flotës në grupin e riparimit, që u vunë në drejtim të reparteve dhe sektorëve si: inxhinier Leka Shllaku, inxhinier Ferdi Skenduli, inxhinier Spiro Cina, inxhinier Xhemal Nurja, inxhinier Ilmi Bregasi nga baza lundruese, inxhinier elektrik Ilmi Shtylla dhe inxhinier radioteknik Raif Mane; nga flota, Rafet Hysi; nga ofiçina e silurave nga Sazani, navigator Stiliano Haxhimihali; nga shkolla e marinës, inxhinier elektrik Bedri Hakollari. Nënoficerë në specialitete të ndryshme, si në akustikë Fahri Perona; në lokacion Ferhat Dango; në navigacion Lili Bitri; elektricistë Ismail Memeli, Sako Resuli, Sadush Resuli; nga brigada e nëndetëseve Bilbil Lika, Myqerrem Çela; kaldajist Idajet Goxha; turbomekanik Viktor Veliko. Bojaxhi nga baza lundruese Avdulla Ahmeti; mekanik nga shkolla e Instruksionit, Dino Nano dhe Luan Bylyku nga ofiçina e silurave në Sazan.

Të gjithë këta oficerë dhe nënoficerë ishin kuadro që përdornin dhe shfrytëzonin teknikën. Siç shihet ekipi ishte solid dhe shumë mirë i kompletuar, pasi dhe detyrat ishin të vështira, të shumta dhe me përgjegjësi. Puna kryesore që dilte ishte organizimi i punës dhe krijimi i strukturës organizative të riparimit të nëndetëses. U shkëmbyen dhe u dhanë shumë mendime. Më në fund u vendos që organizimi i riparimit do të bëhej mbi bazën e strukturës organizative të nëndetëses, sipas organeve luftarake navigim, silura, elektrik; ku do të përfshiheshin aparaturat e akustikës, radiolokacionit, mekaniku me motorët, mekanizmat ndihmës, pompat, kompresorët, sistemet e ndryshme të karburantit, ujit, vajit, ajrit etj. Reparti i riparimit të trupit të lehtë, trupit kryesor dhe mbistrukturës, dokut dhe shkallës, si dhe sektorët e tjerë të uzinës, transportin, furnizimin me brigadën e takelazhit, repartin e mirëmbajtjes, laboratorin etj. etj. Kjo bërthamë u bë zemra e grupit, që jo vetëm do të merrte pjesë drejtpërdrejt në riparim, por edhe kishte detyrën kryesore të përvetësimit të proceseve teknologjike në postet e punës ku punonin, dhe të mbanin pranë, gjithashtu, dhe specialistë të tjerë punëtorë që vinin nga Vlora apo në shërbim të detyrueshëm, si dhe të mbanin përsëri pranë nxënësit e rinj në ekonomi, të cilët nuk ishin pak por mbi 150, që erdhën nga qyteti i Vlorës, nga kooperativa bujqësore Tragjas, Dukat dhe Radhimë , po ashtu dhe nga Orikumi, fëmijë e gra të shokëve oficerë që banonin në Orikum. Grupit të riparimit iu bashkua O.R.A., e cila në këtë periudhë bënte riparimet sipas planeve të miratuara, që punonjësit e saj kishin një eksperiencë të mirë në riparimet e anijeve dhe nëndetëseve. KRAF-i për ndërtim iu ngarkua ndërmarrjes së ndërtimit “Perlat Rexhepi” në Vlorë, ku drejtor ishte shoku dhe miku im Ethem Shehu. Menjëherë u morën masa dhe filloi ngritja e kantierit për ndërtimin e objekteve tokësore dhe ato ujore për molin e dokut lundrues dhe shkallën për nxjerrjen e anijeve në tokë. Viti 1965 ishte viti i fillimit të punimeve për këtë objekt të rëndësishëm, si dhe organizimi i punës për ngritjen e grupit të punës për riparimet e mesme të nëndetëseve. Për grupin kinez i cili përbëhej prej 127 vetësh, me specialistë shumë të kualifikuar, ishin marrë të gjitha masat për pritjen, strehimin, ushqimin dhe caktimin e vendeve për punë. Shokët kinezë sollën me vete nëpërmjet detit pajisjet, pjesët e ndërrimit, disa makineri dhe agregate, midis tyre dhe një vinç 16 tonësh me goma. Për strehimin e shokëve kinezë, për fjetje, argëtim, gatim, dhe mensë u përdorën ndërtesat dykatëshe të ngritura për ekuipazhet e nëndetëseve që kaluan në ndërtesën e re të ngritur pranë bankinës. Për përballimin e riparimit të nëndetëseve, ndjekjen e punimeve të ndërtimit të objekteve dhe montimin e pajisjeve e makinerive, si dhe për vënien e tyre në punë për shfrytëzimin sipas etapave të përfundimit të tyre, u miratua kjo strukturë organizative e K.R.A.F.-it dhe grupit të riparimit si dhe iu dha numri 9093.