Organizimi i kryengritjes së armatosur

1215
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

(Në kuadrin e 98-vjetorit të Luftës së Vlorës 1920)

Çështja e Vlorës të zgjidhej me armë

Periudha përgatitore e kryengritjes së armatosur të popullit shqiptar kundër pushtuesve italianë në krahinën e Vlorës, filloi që nga janari i vitit 1920 dhe zgjati deri në fillimin e veprimeve luftarake, më 5 qershor 1920. Përgatitja e popullit për kryengritje të armatosur u bë në mënyrë graduale, ajo erdhi duke u rritur dhe arriti kulmin e vet në muajt prill-maj. Gjatë kësaj periudhe u zgjidhën shumë probleme të ndërlikuara, të cilat në të vërtetë përcaktuan suksesin e kryengritjes, si krijimi i organeve drejtuese, përgatitja politike-ideologjike e masave popullore, problemet e organizimit ushtarak, të përqendrimit të forcave dhe krijimit të një baze të përshtatshme për fillimin e kryengritjes, etj. Një hap me rëndësi vendimtare në krijimin e organeve drejtuese ishte Kongresi i Lushnjës dhe krijimi i Qeverisë së Tiranës, që doli prej këtij Kongresi. Qeveria e Tiranës duke vënë në zbatim direktivat e Kongresit të Lushnjës mori pjesë aktive në organizimin e Luftës së Vlorës. Qeveria e Tiranës, për arsye diplomatike e strategjike, nuk u angazhua zyrtarisht në këtë luftë dhe e konsideronte atë ai “një kryengritje të popullsisë të krahinës së Vlorës”. Përgatitjen dhe udhëheqjen direkt të Luftës së Vlorës e bënë organet e krijuara për këtë qëllim në krahinën e Vlorës. Qysh nga fundi i vitit 1919 u krijua në Vlorë një komision i fshehtë i cili propagandonte përgatitjen e popullit për luftë. Në mars të vitit 1920, kur për të gjithë ishte bërë e qartë se imperialistët italianë nuk e lëshonin Vlorën pa luftë, komisioni organizoi në Vlorë një mbledhje ku zgjodhi Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare të përbërë nga përfaqësues të fshatrave dhe të qytetit me kryetar Osman Haxhiun. Mbledhja vendosi që “çështja e Vlorës të zgjidhej me armë”. Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare i Vlorës organizoi më 29 maj në Barçalla, kuvendin e përfaqësuesve të krahinës së Vlorës, ku morën pjesë rreth 200 veta. Kuvendi vendosi të filloj kryengritja e armatosur, drejtimi i së cilës iu ngarkua Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të zgjedhur rishtas e të përbërë nga 12 anëtarë. Pranë Komitetit u krijuan edhe organet e posaçme si Komisioni Ushtarak me funksionet e një shtabi për planëzimin dhe drejtimin praktik të kryengritjes, vendimet e të cilit kishin fuqi pasi të miratoheshin nga Komiteti, Komisioni Gjyqësor Ushtarak, si dhe një aparat që do të merresh me punët administrative. Në krye të Komisionit Ushtarak në fillim u caktua Ahmet Lepenica e më vonë Qazim Koculi. Kuvendi vendosi gjithashtu të dërgonte delegatë në krahina të tjera të Shqipërisë për t’i njohur ato me vendimin e Baçallasë dhe të kërkonin marrjen e masave të shpejta në ndihmë të Luftës së Vlorës. Organet drejtuese të Luftës së Vlorës realizuan udhëheqjen operative dhe strategjike të saj, ditën të bashkërendojnë mirë veprimet e tyre dhe në rrethanat e vështira, kur Qeveria e Tiranës zyrtarisht mbante qëndrim asnjanës ndaj saj. Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare të Vlorës, me qëllim që të sigurojë bashkëveprimin strategjik me Qeverinë e Tiranës, mbajti pranë saj një komision të vetin. Bashkëveprimi me krahinat e tjera të vendit u realizua me anën e të deleguarve të Komitetit në këto krahina.

Përgatitja e masave popullore për luftë

Një punë e gjerë dhe e thellë u bë gjatë periudhës përgatitore në drejtim të përgatitjes politike të masave popullore për luftë. Kjo veprimtari, të cilës i dhanë një nxitje të fuqishme vendimet e Kongresit të Lushnjës, zhvillohej në të katër anët e atdheut. Por përpjestime më të gjëra mori përgatitja politike në krahinën e Vlorës, popullsia e së cilës nuk e duronte dot gjendjen e pushtimit dhe ishte e gatshme të çlironte vendin me çdo sakrificë. Përveç anëtarëve të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, një kontribut të shquar për përgatitjen morale të popullit për luftë dhanë dhe shoqëritë atdhetare “Mbrojtja shkollore” dhe shoqëria punëtore “Gorishti”. Një ndihmesë të veçantë dha edhe organizata e të rinjve vlonjatë që drejtohej nga Halim Xhelo. Si rezultat i kësaj pune të gjerë moralo-politike, u sigurua ai bashkim i domosdoshëm politik dhe ushtarak i popullit që u bë kusht vendimtar për arritjen e fitores. Një ndër problemet më të rëndësishme që u zgjidh me sukses dhe në mënyrë origjinale ishte krijimi dhe organizimi i Forcave të Armatosura të kryengritjes. Parimi bazë i krijimit të kësaj ushtrie ishte parimi i vullnetarizmit, ndërsa format e organizimit të saj ishin çetat e fshatrave dhe ato të krahinave. Mbështetur në këto parime brenda pak ditëve u krijua një ushtri prej 3.000 vetësh e përbërë kryesisht prej fshatarësh me pjesëmarrje edhe të grave. Çdo fshat krijoi çetën e tij, ku mbi baza vullnetare merrnin pjesë gjithë burrat prej moshës 18 deri 65 vjeç. Luftëtarët e fshatrave të vegjël, që kishin nxjerrë më pak se 20 vetë, u bashkuan me çetat e fshatrave të afërta.

Çetat e fshatrave dhe të krahinës

Për të lehtësuar drejtimin dhe organizimin e veprimeve luftarake, Komisioni Ushtarak vendosi që çetat e fshatrave të një krahine të formojnë çetën e krahinës, që mund të krahasohej me forcat e një batalioni. Në Fazën e Parë të luftës, për krahinën e Vlorës u krijuan 7 çeta krahinash, çeta e Dukatit, e Rrëzës, e Shullërit, e Kudhësit, e Mavrovës, e Treblovës dhe e Gorishtit. Çeta e Kudhësit për shembull, përbëhej nga çetat e fshatrave të Mazharit, Shkozës, Golimbasit, Sevasterit dhe Plloçës; Çeta e Shullërit përbëhej nga çetat e fshatrave të Smokthinës, si dhe të fshatrave Vajzë e Velçë. Çeta e Rrëzës përbëhej nga çetat e fshatrave të Vranishtit, Tërbaçit, Bratajt, Lepenicës, Gumenicës dhe Gjormit. Gjatë fazës së parë morën pjesë në luftime dhe forca të krahinave të Kurveleshit, Tepelenës dhe pak forca të Këlcyrës e Skraparit. Nga Kurveleshi morën pjesë çetat e Kurveleshit të Sipërm dhe të Kurveleshit të Poshtëm, ndërsa Tepelena krijoi tri çeta, të Salarisë, të Lopësit dhe të Dervenit. Me qëllim që të sigurohej një forcë rezervë, komisioni vendosi që çetat e fshatrave më të largëta të ndaheshin në dy njësite (toga), njëra prej të cilave të merrte pjesë në luftime qysh në etapën e parë, tjetra të qëndronte në fshat e gatshme për t’u nisur në front me të marrë urdhrin. Komandantët e çetave të fshatrave zgjidheshin në mënyrë demokratike nga i gjithë efektivi i çetës. Në këto detyra u zgjodhën fshatarë nga më trimat që ishin shquar në luftimet e mëparshme për vendosmëri, guxim e aftësi drejtuese dhe që gëzonin besimin e gjithë çetës. Komandantët e çetave të krahinave, i caktoi Komisioni Ushtarak, duke zgjedhur nga komandantët e çetave të fshatrave ata që shquheshin për aftësi drejtuese e organizuese, që njihnin mirë taktikën e luftimit dhe që kishin fituar besimin e respektin e gjithë krahinës. Të tillë ishin Selam Musa Salaria, Sali Vranishti, Hodo Zeqiri, Selam Hyseni, Memo Mete, Isuf Rustemi, Rrapo Çelua, Dule Dalani, Bajram Qamili etj. Komandantët e çetave të fshatrave ishin të detyruar të zbatonin të gjitha urdhrat e komandantëve të çetave krahinore. Në rast konflikti problemi shtrohej për zgjidhje në Komisionin Ushtarak. Çetat e krahinave vareshin drejtpërdrejtë nga Komisioni Ushtarak, veprimtarinë e të cilit e drejtonte komandanti i Përgjithshëm i Forcave Kryengritëse. Më 2 Qershor 1920, sipas vendimit të marrë në mbledhjen e Barçallasë, u mblodhën në rajonin e Beunit të gjitha ato çeta, që sipas planit të Komisionit Ushtarak, ishin caktuar të vepronin në drejtim të Vlorës. Këtu vendosi vendqëndrimin e vet për fazën e parë të luftimeve Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare. Në Beun u ngrit flamuri shqiptar në shenjë të shpalljes së kryengritjes. Gjatë 2-3 ditëve, Komisioni Ushtarak zhvilloi në Beun, një punë të gjerë organizative dhe përpiloi përfundimisht planin e luftës për fazën e parë të luftimeve dhe për rrethimin e Vlorës.