Organizatat e fshehta të Vlorës të shekullit të XX

1716
Dosier / Cilat ishin organizatat apo “komisionet e fshehta” të Vlorës? Cili është qëllimi I ngritjes së tyre? Kush ishin anëtarët? Cfarë veprimtarie zhvilluan? Klubi Labëria ,roli I Ismail Qemalit dhe komploti kundër Zogut
Nga Ergys Alushi 
Shoqëria ”Dora e Zezë”, ku veproi dhe Anëtarët e Shoqërisë
Cili ishte programi i Shoqërisë sekrete?.
Klubi “Labëria” dhe roli i Ismail Bej Vlora.
Atentati i bujshëm për vrasja e Xhebariut
“Dora e Zezë” organizoi kryengritjen që solli Pavarësinë !
“Komiteti i fshehtë i Vlorës -1919
Lëvizja e fshehtë e Vlorës e vitit 1932, 
Komploti kundër Ahmet Zogut
Në historinë e Vlorës në shekullin e 20 janë të njohura tre organizatat e fshehta që kanë vepruar në mbrotje të Vlorës dhe kundër pushtetit. Gjithsesi për një pjesë të madhe të opinionit këto ngjarje janë fare pak të njohura, për të mos thënë që nuk janë të njohura fare. Ato u përkasin viteve 1911, 1919 dhe 1932. Por, ka ekzistuar dhe një organizatë e fshehtë pas Luftës së Dytë Botërore, emrat e anëtarëve të së cilës u zbuluan brenda një arke, të fshehur në murin e një banese që u prish, pranë hotel “Sazanit”, në qendër të qytetit të Vlorës.
Shoqëria ”Dora e Zezë”
Një shoqëri e hershme ka ekzistuar në Vlorë, me emrin Shoqëria sekrete“Dora e Zezë”. Viti i themelimit të saj është 1906, ndërkohë që duhet të ketë qenë e krijuar që në vitin 1878. Dokumentat që provojnë ekzistencën e saj janë gjetur vite më parë në shtëpinë e Hamza Isait.
Ndërmjet shumë dokumenteve të shkruara në turqisht, janë gjetur edhe kanonizmat (rregullat) dhe formula e betimit, për t’u pranuar në këtë shoqëri. Vula e Shoqërisë kishte në mes të saj, një kobure dhe një thikë të kryqëzuar. Në vulë shkruheshin edhe fjalët: “Shoqëria e Zezë filluar më 1878”, gjë që e gjejmë edhe në “Shoqërinë e Zezë” të Gjirokastrës. Shoqëria ”Dora e zezë”, drejtohej nga një Komitet që mori emrin “Komiteti kryengritës, liri o vdekje”
Cili ishte programi i Shoqërisë sekrete?.
Shoqëria “Dora e zezë” kishte programin e saj:
1.Qeveri autonome, nën të lartën urdhëratë të Mbretërisë Otomane.
2.Bashkimi i të katër Vilajeteve, në një Pashallëk të qeverisur nga kryetar shqiptarë.
3.Parlament i veçantë si dhe shërbim ushtarak.
4.Nëpunësit e qeverisë të jenë shqiptarë.
Programi plotësohej edhe me thirrjen e Shoqërisë “Dora e Zezë”, ku shkruhej: “Nëqoftëse Turqia, nuk plotëson kërkesat e shqiptarëve, ato ne do t’i rrëmbjmë me forcën e armëve”. Ajo u bën thirrje shqiptarëve, brenda dhe jashtë Atdheut për t’u hedhur në kryengritje, i ftonte shqiptarët që janë në ushtrinë turke të bashkohen me kryengritësit shqiptarë, u bënë thirrje infermierëve e mjekëve t’u shërbejnë kryengritësve në fushën e luftës, më në fund u bënte thirrje edhe tërë gazetarëve shqiptarë të botojnë menjeherë këtë thirrje në gazetat.
“Shoqëria e Zezë” formoi në Vlorë edhe një çetë me emrin “Ja vdekje, ja liri”, me komandat Beqir Velo Kanina.
Ku veproi “Dora e Zezë” dhe anëtarët e Shoqërisë
Ajo e shtriu aktivitetin e saj edhe jashtë trevës së Vlorës si në Gjirokastër, Tepelenë, Delvinë, Konispol, Prevezë, Janinë, Përmet, Berat, Elbasan, Korçë, Kolonjë, Lushnjë, Durrës, Tiranë, etj.
“Shoqëria e Zezë” formoi në Korfuz edhe një Komitet Kosultativ me kryetar Hamza Isain, komiteti u lidh edhe me kolonitë shqiptare jashtë Atdheut si të Egjiptit, Rumanisë, Bullgarisë, SHBA, etj.
Në shoqërinë “Dora e Zezë”, militonin kryesisht Hamza Isai, Elmaz Xhafer Kanina, Mahmut Myftiu, Mustafa Tragjasi, Dr.Epaminonda Koleka, Ibrahim Avdullai, Kristo Karbunara, Jani Minga, Hamit Lumi, Abaz Hamzaraj, Hamdi Dervishi, Beqir Velo, Rustem Mehmeti që mbante pseudonimin “Rusto Mato Labi”
Betimi i shoqërisë “Dora e Zezë”
“Betohem që do t’i shërbejë Shoqërisë, betohem për mëmëdhenë e kombin shqiptarë, po t’i dal tradhëtor i Shoqërisë, kjo kamë e ky revolver zemrën le të ma marrë. Mëmëdhenë po ta tradhëtojë, gjë ç’kam e ç’dëshiroj, kurrë mos t’i trashëgojë, të dashur njeri mos gjeça, kudo qofsha, kudo vafsha pa miq e i shkretë mbefsha. Malli për mëmëdhenë më ardhtë edhe beja më mundoftë, flet e zemrës m’u dridhshin edhe drita m’u shoftë, për një pikë uji u thafsha, asnjeriut keq mos t’i vijë, në furrë i gjallë u pjeksha, asnjeri të mos më ndihmojë, po edhe vdekja kur të më vijë afër meje njeri mos qoftë, zëri i zemrës të bërtas, tradhëtori më keq vaftë”.
Klubi “Labëria” dhe vrasja e Xhebariut
Vlora nuk ishte e qetë, në fillimin e shekullit të XX-të. Ardhja e Ismail Bej Vlorës, në shtatorin e vitit 1908, e kishte trazuar qytetin. Lëvizjet patriotike kishin nisur të ishin më të organizuara. Materialet burimore të kohës na informojnë se pas shpalljes së Kushtetutës Xhonturke, në korrik 1908, në Vlorë nisi veprimtarinë shoqëria e fshehtë e quajtur “Lidhja për përhapjen e gjuhës dhe shkollave shqipe”, por që shumë shpejt ra në sy të autoriteteve turke. Vendin e saj, më 20 tetor 1908, e zuri klubi “Labëria”, institucioni që do të bëhej qendra e lëvizjes atdhetare në Vlorë.
Përfaqësuesi konsullor austriak në këtë qytet, i raportonte ndër të tjera baronit Fon Erental në Vjenë, edhe për kuptimin e emrit të këtij klubi, që simbolizonte krenarinë shqiptare të krahinës së Labërisë.
Por ajo që e ngrinte më lart prestigjin kombëtar të Klubit, ishte se në kryesi, bënte pjesë si kryetar nderi, Ismail Bej Vlora. Kjo tregon për respektin dhe popullaritetin që kishte ky burrë i shquar, që pak vjet më vonë do të vinte përsëri në Vlorë, këtë radhë për të shpallur Pavarësinë Kombëtare. Këshilli i Klubit përbëhej prej 12 vetash. Në përbërje të tij bënin pjesë 45 anëtarë, ky numër vinte duke u shtuar. Klubi doli me programin për përhapjen e diturisë dhe mbrojtjen e interesave ekonomike të vendit, por në të vërtetë ai kishte për qëllim të përhapte në popull ndjenjën e luftës për fitoren e Pavarësisë Kombëtare. 
Atentati i bujshëm
Por, Klubi “Labëria” në Vlorë, kishte dhe kundërshtarë të ashpër, të cilët përpiqeshin me të gjitha mënyrat për të zbehur aktivitetin e tij dhe për ta armiqësuar Klubin me popullin.
Në këtë veprimtari antishqiptare dalluan një grup oficerësh xhonturq me në krye Xhebarin , komandant garnizoni, dhe kryetar të Klubit Xhonturk të ashtuquajtur “Bashkim e Përparim” në Vlorë . Urrejtja e tyre, ndaj popullit tonë, shkaktoi zemërim. Si kundërpërgjigje ndaj këtyre masave ,Klubi “Labëria” sugjeroi vrasjen e oficerëve të lartëpërmendur. Të dy shqiptarët ,që vranë oficerët xhonturq (midis tyre vetë Xhebariun), u arratisën me ndihmën e Klubit pa lënë gjurmë. 
Menjëherë pas ngjarjes, ushtarët turq dolën grupe-grupe në formë patrulle nëpër qytet, dhe sidomos para ndërtesës së Klubit, duke shtirë me armë kundër tabelës së tij. Pas kësaj ngjarjeje, repartet ushtarake në Vlorë u përforcuan me një batalion të ri të ardhur nga Janina. Atëherë terrori i armiqve shpërtheu me tërbim, 5 nga anëtarët e Klubit “Labëria” u arrestuan dhe u dërguan për gjykim ushtarak në Turqi. Të tjerët u hodhën në Korfuz si edhe në Itali. Në Vlorë gjyqi ushtarak dha dënime të ndryshme .Pas këtyre ngjarjeve represive, terrori xhonturk u ashpërsua dhe një gazetë e kohës me keqardhje të thellë shkruante në ato ditë shtatori të 1909: “Më parë gjëmonin rrugët dhe sheshet. Që kur erdhi Valiu i Janinës ngazëllimet u prenë si me thikë, se ky e ndaloi popullin të këndojë këngë kombëtare. Populli patriot vlonjat po e kuptonte çdo ditë dhe më mirë se rruga e vetme për çlirim nga zgjedha e huaj ishte ajo e luftës së armatosur. Prandaj këtë ide e propagandonte në tërë kazanë e Vlorës duke organizuar një mbledhje të fshehtë në të cilën u peshuan mundësitë dhe zhanret e një kryengritjeje.”
“Dora e Zezë” organizoi kryengritjen që solli Pavarësinë!
Në fundin e vitit 1910 dhe fillimin e vitit 1911, situata në Vlorë ishte shumë e vështirë. Xhonturqit kishin ushtruar një terror të madh në qytet, dhe kryesisht në ndëshkimet ndaj njerëzve të evidentuar si patriot për çeshtjen Kombëtare. Në dhjetor të vitit 1910, Ismail Bej Vlora do të vinte në Vlorë. Drejtuesit e kryengritjes do të ishin Hamza Isai, Alem Mehmeti nga Tragjasi, Ibrahim Abdullahi, Osman Haxhiu etj. Në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, kishte filluar kryengritja kundër pushtuesit turk. Në takimet me disa nga patriotet e Vlores, u vendos kerkesa drejtuar portës së lartë për autonominë e Shqipërisë. Shoqëria “Dora e Zezë”, në prill të vitit 1911, do të lëshonte thirrjen për kryengritje të armatosur kundër xhonturqve. Edhe në Vlorë, do të organizoheshin çetat e para kryengritëse si në Tragjas, Shashicë, Kocul, Kuç etj. Fillimisht në Mavrovë e më pas në Drashovicë, u zhvilluan takimet e kryengritësve, jo vetëm nga krahina e Vlorës, por edhe nga krahina të tjera, nga Mallkastra e Gjirokastra. Luftimet kunder ushtrisë turke u zhvilluan në disa zona te jugut, ku xhonturqit u detyruan të tërhiqen. Kryengritja e detyroi Portën e Lartë, që të shpallte amnistinë për kryengritësit dhe hapjen e shkollave shqipe me simbolet Kombëtare. Vlora ishte e lirë, por Shqipëria ende jo. Në shtëpinë e Abas Mezinit, Kryetar i Bashkisë për kohën, do të zhvilloheshin tre mbledhje të fshehta, ku do të diskutohej për kryengritjen dhe autonominë e Shqipërisë.
“Komiteti i fshehtë i Vlorës -1919
18 tetori i vitit 1919, ku disa burra jo vetëm nga vlora, u takuan në mënyrë të fshehtë në shtëpinë e Abaz Mezinit, në lagjen “Topana”, njihet nga shumë historianë si data e krijimit të “Jomitetit të fshehtë të Vlorës” që në zhvillimet e mëvonshme, të vitit 1920, do të njihej dhe si “komiteti i Mbrojtjes Kombëtare” takimi do të thirrje me inciativë të Osman Haxhiut, Jani mingës ( firmëtar i pavarësisë në 1912 ), Abaz Mezinit, Hamza Isait e disa burrave të tjerë nga paria e Vlorës, por edhe nga të disa fshatrave të Vlorës. Në mbkedhje ishin të pranishëm rreth 40 vtë, ajo u zhvillua në konspiracion të plotë dhe morrën pjesë njerëz me influencë në zonat e tyre. Nga mbledhja u dol me përgatiejen e një memorandumi që do të kërkonte lirimin e vlorës nga ushtria italiane e cila do t’i dorëzohej gjeneral Piacentinit. Një nga veprimtaritë e para të këtij komiteti, ishte organizimi i demostratës së madhe që u zhvillua në vlorë më 28 nëntor 1919, ku pati përledhje fizike midis popullit dhe ushtrisë italiane, pati të arrestuar e të plagosur nga të dy palët. Pas një sërë aktivitetesh patriotike në shërbim të clirimit të vlorës nga Italia dhe bashkimin e qytetit me pjesën tjetër të vendit, më 10 mars të vitit 1920, “Komiteti i fshehtë i vlorës” do të riorganizohet me emrin e ri “komiteti i Mbrojtjes Kombëtare”, që synonte që cështjen e vlorës ta zgjidhte vetëm me armë. Drejtuesit e këtij komiteti të fshehtë që përgatiste në heshtje kryengritjen e armatosur u takuan në vlorë edhe me të dërguarin e Presidentit amerikan Ëilson, i cili kishte ardhur në vlorë për të njohur nga afër realitetin e Vlorës me porosi direkte të Presidentit Ëilson. Kuvendi i Barcallasë në 29 maj 1920, do të ishte prologu, thirrja përfundimta epër luftë kundër Italisë e cila do të fillonte më 3 qershor 1920 dhe luftëtarët e luftës së vlorës të drejtuar nga drejtuesit e komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, do të hynin si clirues në Vlorë më 3 shtator 1920.
Lëvizja e fshehtë e Vlorës e vitit 1932 dhe komploti anti – Zog
Situata politike në Shqipëri ishte shumë e rënduar. Në këtë situatë, në vitin 1931, Mbretit Zog i bëjnë një atentat në Vjenë dhe ai shpëton për mrekulli. Në këtë atentat mbetet i vrarë adjutanti i tij, major Llesh Topalli. Por Zogu në këtë kohë vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe kishte një shëndet të ligësht.
( Nesër do të lexoni )
– Komploti kundër Ahmet Zogut
– Si u zbulua komploti dhe reagimi i Zogut 
– 11 arrestimet e bujshme të Vlorës nga djali i 
kryeministrit të turqisë tek ai i Ismail Qemalit
– Gjyqi i Tiranës për “komplotistët e Vlorës
– Falja e komplotistëve
– Arratisja e djalit të vogël të Ismail Bej vlorës
– Organizata e fshehtë e viteve ‘50
Sigal