Operatori i mirënjohur, Bujar Kore: Si u xhirua ceremonia e varrimit të Enver Hoxhës dhe rënia e bustit të diktatorit

1400
  • Në ceremoninë e varrimit të Enver Hoxhës, në prill të1985-s mund të them se për herë të parë TVSH bëri një transmetim perfekt
  • Dita më e vështirë ka qenë dita kur u rrëzua përmendorja e Enver Hoxhës nuk dinim si të vepronim mes turmave
  • Engjëll Strazimiri, Besnik Shima, Gaspër Shllaku dhe unë, kur u hodh përmendorja ishim në tension
  • Kryeministri Adil Çarçani ditët e para të grevës së studentëve deklaroi se greva ishte e paligjshme.
Sigal

Albert Z. Zholi

-Ju keni qenë gjithmonë në lëvizje, po me Enver Hoxhën a ke pasur takime dhe a e ke takuar apo xhiruar?

Edhe pse kam qenë një jetë në TVSH unë nuk e kam xhiruar kurrë drejtpërdrejt Enverin. Secili kishte rubrikën dhe sektorin e tij. Nuk e mbuloja unë politikën. Pra, nuk kam mbuluar Komitetin Qendror, por mbuloja Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe më pas Presidencën.

Me sa kam intervistuar në TVSH jam njohur me një pjesë të historisë së xhirimeve kur do varrosej Enver Hoxha, u mobilizua gjithë stafi i TVSH, ku ishit dhe çfarë bëtë ju atë ditë?

Kjo është e vërtetë. Në këtë ceremoni ne ishim të gjithë në këmbë. E mbaj mend si sot atë ditë. Mund të them se dy kanë qenë momentet kur TVSH ka qenë e gjitha në xhirim, ditën kur u varros Enveri dhe ditën kur u hodh përmendorja e tij në sheshin “Skënderbej”. Në ceremoninë e varrimit të Enver Hoxhës, në prill të1985-s mund të them se për herë të parë TVSH bëri një transmetim perfekt të ceremonisë, nga ana profesionale, pasi atje ishte angazhuar i gjithë stafi me të gjitha mjetet e mundshme, nën drejtimin e regjisorit Albert Minga. Të gjithë ishim shpërndarë në pika të ndryshme. Ishte një ditë shumë e ngjeshur. Ishte një ditë e veçantë. Të gjithë kanë punuar me orë të tëra pa pushim. Ishte përgjegjësi e madhe. Një gabim ato moment të kushtonte. Por mund të them se ne kemi pasur njerëz shumë të përgatitur ku dhe pse me një teknikë të vjetruar kemi realizuar gjëra të mëdha. Dhe kjo ceremoni përfundoi me sukses. Por dita më e vështirë ka qenë dita kur u rrëzua përmendorja e Enver Hoxhës. Ajo ditë dhe e nesërmja kanë qenë ditët më të ngarkuara në TVSH. Ditë që kur i kujtojmë na rrëqethet mishi!

-Si e kujton ditën e rrëzimit të përmendores?

Data 20 shkurt 1991 më sjell në kujtesë ditën kur në Tiranë, mijëra qytetarë të revoltuar dhe të indinjuar nga sistemi diktatorial, përmbysën monumentin e Enver Hoxhës. Atë ditë që në mëngjes na thirri në drejtori Virgjil Kule dha na tha se ne, katër operatorë, Engjëll Strazimiri, Besnik Shima Gaspër Shllaku dhe unë, do të vendoseshim në katër pika të ndryshme të sheshit, të cilat ishin të përcaktuara, ku do të regjistronim atë që do të ndodhte, sepse atë ditë mendohej se do të rrëzohej monumenti i Enver Hoxhës. Si duket drejtoria kishte informata të sakta. Ata dinin afërsisht dhe orën. Me sa duket një gjë e tillë ishte e parapërgatitur. Shefat tanë mund të dinin më shumë, por ne na u tha kaq.

-Ju nuk pyetët për më shumë?

Aspak. Atëherë ishte rregull merrje detyrën dhe shkoje. Nuk bëheshin komente të tepërta. Pasi morëm detyrën dhe urdhrat ne u nisëm dhe zbatuam me përpikëri atë çka na u tha.

-Ju ku ju caktuan?

Mua më kishin caktuar poshtë monumentit të Skënderbeut. Aty do të rrinim për orë të tëra dhe të transmetonim zhvillimet që do bëheshin në sheshin “Skënderbej”. Pasi kishim zënë vendet na erdhën përforcime pasi grupit tonë iu shtua dhe një tjetër operator Fatmir Çepani, i cili ishte në katin e tretë të Pallatit të Kulturës ku kishte shkuar së bashku me gazetaren Amalia Dhamo për të regjistruar një intervistë. Pallati i Kulturës ishte pika më nevralgjike. Aty sheshi dukej si në pëllëmbë të dorës. Pra nëse ka regjistrime të sakta dhe sot për rrëzimin e monumentit ka nga ajo pikë.

-Po ju tek monumenti “Skënderbeut” çfarë detyre kishit?

Ne filmonim apo xhironim të gjitha lëvizjet e masës së njerëzve por nuk filmonim dot rrëzimin e monumentit, pasi nuk kishim pozicion të favorshëm. Mbaj mend se ne filmuam lëkundjet e monumentit, por në vendin ku isha më fluturonin gurë nga të gjitha anë, plus dhe të shtënat me armë nga ana e policisë dhe nuk arrija ta stabilizoja dot kamerën. Përveç këtyre edhe presioni i njerëzve që më shtynin ngado nuk më lejonin të kryeja detyrën. Kishte shumë njerëz. Turma ishte e papërmbajtshme dhe nuk pyeste për ne se ishim në detyrë. Shumë na shikonin dhe me dyshim. Ashtu ishte situata. Tepër e ndezur, e tensionuar. Pasi u rrëzua monumenti turma filloi të zhvendosej me kamionin që tërhiqte monumentin. Pas këtij momenti qëndrimi në shesh ishte I vështirë dhe pa asnjë interes. Disa minuta pasi u rrëzua monumenti me kamerën u ktheva më shpejtësi në TVSH. Në korridor u mblodhën 7-8 veta, Virgjil Kule që ishte dhe drejtori i televizionit, Alfons Gurashi, Amalia Dhamo, Timo Luto, Fiqiri Sejdia dhe po diskutonim, nëse duheshin transmetuar pamjet, apo s’duhej bërë një gjë e tillë. Atëherë Virgjil Kule na tha: “Po shkoj të bisedoj me Ramiz Alinë”. Pasi nuk u lidh dot me telefon me Ramizin, ai erdhi të merrte edhe një herë mendimin tonë në duhej transmetuar pamjet në ato kushte. Ne të gjithë ishim dakord që pamje të bëheshin të njohura për popullin. Atëherë ai vendosi për transmetimin e pamjeve ku shihej monumenti i Enver Hoxhës që rrëzohej dhe urdhëroi Alfons Gurashin që të përgatiste kronikën. Kjo kronikë pati shumë jehonë, sepse për herë të parë edhe TVSH transmetonte një kronikë që cilësohej kundër regjimit, ku binte kulti i drejtuesit komunist. Vërtet ishte një situatë e vështirë. Edhe transmetimi ishte një ndërmarrje shumë e vështirë. Atë kohë ikje në dreq për asgjë. Sistemi ishte ende i fortë. Ishin muajt e parë 1991 dhe ende nuk besoj se sistemi do të binte. Mendohej se ishte një acarim i çastit dhe aq. Por pas këtij momenti situate do të tensionohej më keq. Pasi erdhën ngjarjet e Qytetit Studenti. Këto ngjarje zgjatën shumë dhe sollën kaos në Tiranë.

Ju çfarë bëtë në këtë kohë, a shkuat në Qytetin Studenti?

Po! Më duket e pabesueshme. Atë kohë ishte shumë shumë e vështirë të hyje aty. Nuk mendohej se mund të hyhej. Nuk na besonin. Na quanin dhe provokatorë por këmbëngulja e gazetarit Fiqiri Sejdia dhe imja bënë të mundur që ne të futeshim. Konkretisht në këtë situatë kam regjistruar grevën e studentëve me shumë detaje dhe kemi marrë shumë intervista që gazetari Fiqiri Sejdia u mori studentëve të ngujuar. Por të jem korrekt jo të gjitha u dhanë, sepse censura bënte të vetën dhe studentët u zemëruan me ne në disa momente. Ky acarim erdhi pasi kryeministri Adil Çarçani ditët e para të grevës deklaroi se greva ishte e paligjshme. Por ne nuk u tërhoqëm. Këmbëngulëm! Si ekip sërish u futëm, sepse dhe unë kisha disa miq brenda në greve, me të cilën e gjeta shpejt gjuhën e përbashkët dhe sërish arritëm të merrnin intervista të reja, pasi dhe situata ndryshonte me orë. Duke dëgjuar kryeministrin shumë njerëz ende s’kishin besim që atë që thoshin do t’u transmetohej. Kështu na ndodhi dhe me grevistët e minierës së Valiasit.

-Po aty çfarë ndodhi?

Aty na gjeti belaja. Situata erdhi dhe më e tensionuar. Kur ne u futëm në galeri, nëntokë, për të regjistruar grevën e tyre. ata na mbajtën peng, sepse nuk kishin besim qe ne do t’i transmetonim intervistat e tyre. Një grupi xhirimi që kish qenë para nesh u ishin censuruar shumë materiale. Përpara nesh atje kishte shkuar dhe Besnik Bekteshi, por që s’kishte arritur asnjë marrëveshje, dhe ata ishin shumë të acaruar. Atëherë i thashë Gëzim Kalasë që ishte organizatori i grevës: Se TVSH vërtet mund të transmetojë pak nga greva, por në fund të fundit do ta japë atë, ndërsa po na mbajtët peng, nuk do ta keni as këtë mundësi. Pra nuk do merret vesh asgjë se çfarë do bëni. Më mirë pak se asgjë. Kështu do ngeleni të izoluar. Atëherë minatorët na lanë të lirë të ktheheshim në Tiranë.

-Le të kthehemi prapë tek studentët…. Si rrodhën ngjarjet deri në takimin e tyre me Ramiz Alinë?

Gjithë kohën që ishin në grevë studentët kërkonin me ccdo kusht takim me ramiz Alinë. Pas shumë tratativave ky moment erdhi. Më kujtohet si sot takimi i Ramiz Alisë me përfaqësuesit e studentëve. Ndryshe nga herët e tjera ne shkuam në këtë takim dy grupe xhirimi ku gazetarë ishin Engjëll Ndocaj dhe Gëzim Gjyrezi ndërsa operatorë Gaspër Shllaku dhe unë. Gaspri ishte fokusuar tek Ramiz Alia, ndërsa unë merrja përfaqësinë e studentëve. Meqenëse gazetarët tanë mbetën në fund dhe e kishin vështirë të lëviznin, unë dhashë mikrofonin tonë Azem Hajdarit, i cili filloi të bënte rolin e gazetarit e të lëvizte mikrofonin atje u e kërkonin studentët. Përveç Azem Hajdarit aty ishin dhe Arben Imami, Arben Demeti, Blendi Gonxhe, Pandeli Majko, Ilir Meta etj. Studentë që më parë nuk njiheshin, pasi askush nuk ju jepte aq interes studentëve më parë. Por pashë një grup studentësh trima dhe me kulturë. Paraqisnin kërkesat dhe mendimet me shumë kompetencë. Kam xhiruar orë të tëra në këtë takim. Mbeten xhirimet më të vështira. Të gjitha xhirimet e asaj dite që jepen në televizionet private janë xhirimet e mia. Mund të them se ndihem i gëzuar Unë jam i gëzuar që këto pamje shërbejnë për diçka, por njëkohësisht jam i trishtuar, sepse asnjëherë nuk përmendet se cilët janë realizuesit e tyre. Kjo ka të bëjë me të drejtën e autorit, që, për të thënë të vërtetën, nuk respektohet në Shqipëri.

Po nga krijimi i partisë së parë opozitare në vend, keni ndonjë kujtim që ka mbetur tashmë si pamje?

Natyrisht. Unë isha operatori i parë që së bashku me gazetarin Engjëll Ndocaj kemi marrë një intervistë me Sali Berishën, ku ai foli hapur kundër regjimit dhe foli gjithashtu për lejimin e pluralizmit në vend. Më pas me gazetaren Amalia Dhamo shkuam në shtëpinë e Gramoz Pashkos ku mblidheshin ata që themeluan PD-në. Mbaj mend që Gramozi na priti ashpër duke na cilësuar si vegla të regjimit. Por më pas u morëm vesh dhe ai na lejoi të hynim në shtëpi, ku ishin dhe Sali Berisha, Aleksandër Meksi, Eduard Selami. Në atë kohë ata po punonin për krijimin e statusit të partisë.