Operacioni i qershorit 1944

1437
Sigal

Anastas Gurma/ LANÇ mbetet krenaria e kombit shqiptar. Në operacion morën pjesë 4000 forca gjermane dhe 1000 mercenarë ballistë. Ja heronjtë  e bregdetasve

Merrnin pjesë 4000 forca gjermane dhe rreth 1000 mercenarë ballistë

Operacioni i Qershorit 1944 – Për të mos harruar çfarë ka ndodhur

Anastas GURMA

Për bregdetasit Operacioni i Qershorit 1944 si ofensiva e fundit që bënë pushtuesit gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre ballistë, për shkatërrimin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, do të mbetet një ngjarje e paharrueshme. Operacioni do të zhvillohej në Shqipërinë e Jugut. Qëllimi ishte; asgjësimi i forcave partizane. Metoda ajo e “fshirjes”. Merrnin pjesë 4000 forca gjermane dhe rreth 1000 mercenarë ballistë. Ballistët do te kryenin veprime luftarake ndihmëse sipas planit dhe urdhrave të komandës gjermane. Operacioni u emërtua “Einhorn”, me objektiv: Spastrimin e Shqipërisë së Jugut nga çetat komuniste”. Operacioni do të zhvillohej në dy faza. Bregdeti do të përfshihej në fazën e dytë të operacionit, e cila do të fillonte nga bregu perëndimor i lumit Vjosa, për të dalë në bregdet në vijën Himarë –Kepi i Qefalit, me qëllim asgjësimin e forcave partizane në zonën Mesaplik-Kurvelesh-Bregdet. Plani i mësymjes parashikonte kryerjen e veprimeve terroriste ndaj popullsisë në zonën e operacionit. “Trupat operuese të pushtimit (theksohej në urdhrin e operacionit) do të pushkatojnë në vend të gjithë partizanët e të dy sekseve. Popullsia që do të kapet të arrestohet dhe të gjithë meshkujt nga 16 deri në 60 vjeç, të grumbullohen në pika të caktuara .Të digjen dhe shkatërrohen të gjitha shtëpitë e fshatarëve brenda zonës së operacionit. Të grumbullohen të gjitha bagëtitë e të çohen në pikat e furnizimit të trupave”. Në fazën e dytë të operacionit, në drejtimin Sarandë -Nivicë-Borsh vepronin forcat e grupit “Shtajzer”, forca të Korpusit XXll të ushtrisë gjermane. Më një qershor, nga Saranda në drejtim të fshatit Nivicë, sulmoi një kolonë prej 1000 ushtarë të grupimit “Shtajzer” dhe një kompani ballistësh, e komanduar nga Rakip Shaqiri dhe Ismail Golemi. Në mbështetje të tyre, zjarri i artilerisë me pozicione në Shijan, goditi Nivicën dhe Shënvasilin. Nga bombardimet e para vriten në Nivicë, Arsen Munguli dhe Vite Baxheri, Leta Baxheri, Lena Pikuli, Kate Shkurti dhe Kalo Stefani nga fshati Shënvasil. Forcat e Grupimit “Shtajzer” pasi u thyen disa herë nga zjarri i fuqishëm i forcave të Batalionit të 2-të të Brigadës së 6-të Sulmuese, në bashkëpunim me forcat territoriale të fshatit Nivicë dhe Shënvasil. Në të gdhirë të datës 15 Qershor, gjermano ballistët pas shumë përpjekjesh, të përforcuar me mjete të blinduara, pushtojnë Nivicën dhe Shënvasilin, ku vrasin, djegin, shkatërrojnë çdo gjë Në rrugët e fshatit Nivicë u pushkatuan Vaso Gjika, Andrea Munguli, Qëndro Shkurti dhe këpucari i fshatit Vangjel Duro nga fshati Lefterohor i Delvinës. Në 15 qershor në Nivicë dhe Shënvasil, gra, pleq fëmijë e burra, çfarë u gjetën në fshatra, u grumbulluan në Nivicë, në varrezat e fshatit në Shënvasil, në kishën e fshatit. Këto veprime u kryen edhe në fshatrat e tjera të bregdetit. Në 16 qershor, në malin Shëndëlli mbi Nivicë, nga forca të Brigadës së 6-të Sulmuese dhe njësitet territoriale, goditet një skuadër gjermane. Nga goditja vriten 4 ushtarë gjermanë dhe një oficer me gradën Major, disa ushtarë të tjerë mbetën të plagosur. Pasi u njoftua komanda gjermane për të vrarët, nga fshatarët që ishin grumbulluar çuan në majë të Shëndëlliut 6 djem të rinj për të marrë trupat e të vrarëve. Njeri nga të zgjedhurit për të marrë trupat, Spiro Kumiu iu shmang skuadrës shoqëruese gjermane. Në mesditën e datës 16 maj, trupat u zbritën në hyrje të Nivicës, në vendin e quajtur Vilëz. Transportusit e trupave Andon Munguli,Arsen Gjika, Ilo Thomari, Ilo Papadhima dhe Filip Stavri u vendosën në një vijë para mitralozit. Filip Stavri me iniciativë u iku nga gryka e mitralozit. U hap zjarr mbi të, por ai shpëtoi. Katër të tjerët u pushkatuan e u hodhën në përroin e Vilzës, ku për një javë nuk u lejuan familjarët të merrnin trupat e tyre. Bashkë me katër djemtë, Andonin, Arsenin dhe dy Yllot u pushkatua edhe nëna Shana Pali, sepse qau sipas zakonit të vendit të pushkatuarit. Në 17 qershor të arrestuarit nëpërmjet rrugës automobilistike, i nisën në drejtim të Borshit për riparimin e rrugës dhe urave. Kolona me rreth 100 burra niviciotë e nga Shënvasili, u bashkuan me të arrestuarit lukovas e piqeras, gjithsej 200 burra. Në Lukovë nga kolona e të arrestuarve, u veçuan dy burra; niviciotët Kiço Qirka e Cico Laluci dhe u pushkatuan. Në Lukovë u pushkatuan Arqile Kosta, Kiço Shameti, Koço Mëhilli, Filip Hajdhi dhe Kiço Naçi, të pestë lukovas. Në Sasaj u pushkatuan, Kasëm Bashari, Namik Ahmeti dhe Gani Qejvani. Në Piqeras gjatë operacionit, u pushkatuan Gligor Kaçi, Ksenofon Stefani, Josif Qëndri, Sokrat Zaho dhe Grigor Konomi. Ndërsa në Borsh, u pushkatuan Braho Mici, Sadik Cane, Hismet Vasili, Xheladin Hoxha, Metali Shehu, Qazim Duma, Hame Beqiri, Mahmut Duma, Kadri Duma e Jaho Nani. Në 19 qershor, veçohen nga të arrestuarit 13 niviciotë dhe çohen në fshatin Çorraj. Në periferi të fshatit, u vendosën në një vijë para skuadrës së pushkatimit. Mitraljerit të parapërgatitur, iu dha komanda të hapte zjarr. Grupi i rreshtuar para mitralozit, në bashkëveprim me njeri-tjetrin, u larguan me shpejtësi dhe u shpërndanë duke shfrytëzuar terrenin. Mitraljeri hapi zjarr. U vranë, Lekë Dami, Panajot Baxherri, Stefan Boci, Stamat Qirka dhe Sotir Bahçevani. U plagosën Kozma Dhimërtika, Stefan Baxherri dhe Jaho Xhaferi. Të tjerët gjithsej 8 vetë, i shpëtuan pushkatimit, falë guximit, iniciativës dhe shpejtësisë personale. Të shpëtuarit, të traumatizuar u fshehën në pyllin e fshatit Çorraj. Veterani i LANÇ-it Isan Budo, në kujtimet e tij e përshkruan kështu këtë ngjarje, “Ishim të strehuar në pyllin e fshatit Çorraj, Gjermanët pushkatuan një numër fshatarësh nga katundi Nivicë-Bubar dhe Shënvasil, që kishin marrë me vete si robër. Ne nuk dinim gjë, veçse shikonim plumbat që na vinin mbi kokë. Pasi u qetësua situata shkuam në mes të pyllit. Duke ecur shikonim njerëz të plagosur dhe të traumatizuar, për faktin se panë vdekjen me sy. Ju erdhëm në ndihmë. Masakrës së nazistëve dhe ballistëve, nuk i dihej fundi. Më 23 qershor ajo arrin kulmin. Në Shënvasil, nga të arrestuarit veçohen një pjesë burrash, gjithsej 48 vetë, 19 Niviciotë (Qëndo Kola, Kiço Kola, Kozma Baxherri, Nino Baxherri, Gol Bituni, Kolaq Duklaska, Spiro Thoma, Perikli Cici, Nin Kapetani, Spiro Dami, Illo Duka,Vangjel Munguli, Llambi Kuçi, Cane Mëhilli, Lon Dhimëspira, Koço Leka, Riza Mertenika dhe Cac Shkurti) dhe 10 Shënvasiot (Leo Martiko, Gaqe Martiko, Illo Lepuri, Pilo Jovani, Qirjako Vjeri, Foto Gjoni, Theodhori Vogli, Miho Vjeri, Pipo Vjeri, Anastas Martiko,) Të tjerët gjithsej 19 vetë, janë të pa identifikuar. Nga të arrestuarit është thënë se kishte grekë, italianë, por edhe nga fshatrat fqinjë rreth Bregdetit. Të gjithë të veçuarve u japin nga një kazmë e lopatë dhe i çojnë 2 kilometër në veri- perëndim të fshatit Shënvasil, në vendin e quajtur Hondrovun. I vunë të hapnin një gropë të përbashkët,i vendosin në anë të gropës dhe i pushkatojnë. Të gjithë ranë në gropën e përbashkët. Ajo u mbush me trupa njerëzish, u mbush me gjak. Ishin 48 shpirtra njerëzorë nga të gjitha moshat, 17 deri në 60 vjeç, që aspironin për liri dhe gjetën barbarisht vdekjen. Ishin të rinj dhe burra që kishin detyra familjare. Kishin lënë punët e stinës në mes. Ishin prindër që i prisnin familjet dhe fëmijët. Ishin të rinj që kishin ëndrra. Të gjithë së bashku, ikën nga kjo jetë me dhimbje dhe merak,për fëmijët dhe familjet që lanë pas. Të gjithë i lanë gratë të veja dhe fëmijët jetimë. Për dy ditë nuk u lejuan nga gjermanët dhe ballistët, të merreshin trupat e të pushkatuarve nga të afërmit e tyre. Të gjithë të pushkatuarit ishin aktivistë dhe mbështetës të LANÇ. Një nga të rënët në gropë, nuk e zunë plumbat, u plagos por nuk lëvizi. Kur u errësua doli nga gropa, u mjekua dhe u strehua në një nga shtëpitë periferike të fshatit Shënvasil. Ishte grek, i ndihmuar nga familja që e mjekoi, iku për në vendin e tij. Masakra dhe tmerri do të vazhdonte, gjithsej 188 burra nga bregdeti (42 nga Nivica, 36 nga Shënvasili, 58 Lukova dhe 52 Piqerrasi) i nisin për internim në kampet e përqendrimit në Gjermani. Në 24 qershor kolona me 188 burra, nisen nëpërmjet rrugës automobilistike për në Delvinë ku mbahen 6-7 ditë. Në Delvinë, si burg ishte improvizuar Hani i Stavros. Kushtet ishin shumë të vështira, pa ushqim, pa ujë, morra me shumicë. Nga Delvina, me mjete, të burgosurit çohen në Janinë, ku burg ishte kthyer gjimnazi i njohur “Zosimea”. Nga Janina në Selanik ku u vendosën në burgun “Pavllo Mella”. Pas 2-3 ditësh, grupi të burgosurve bregdetas i hipin në vagonë metalikë të mbyllura hermetike. Në çdo vagon u vendosën nga 20-30 të burgosur dhe në mes një gjysmë fuçi metalike, për të kryer nevojat personale. Nëntë net e nëntë ditë udhëtim, pa ngrënë, pa ujë,pa mjekime, pa ndihmë. Udhëtimi u krye në ditët e nxehta të Korrikut. Në mesin e korrikut, të burgosurit mbërrijnë në rrethinat e qytetit Mosburg, Gjermani. I vendosën në kampin “Salaga-Vll-A”. Në këtë kamp kishte mijëra të burgosur nga gjithë Evropa, Bullgaria, Rusia, Italia, Greqia, Serbia etj. Në kamp për shtresë kishin kashtë. Për mbulesë, një batanije të vjetër. Ushqimi për 24-orë ishte, një lugë lëng karrote dhe 100gr bukë. Në kamp kishte vetëm vuajtje. Të internuarit u bënë skelet. Çdo ditë kishte vdekje. Nga keqtrajtimi dhe keq ushqyerja, nga bregdetasit vdesin në kamp niviciotët, Nako Spiri dhe Arsen Papadhima. Në kamp, pasi u identifikuan të dhënat personale për çdo të internuar, u qethën zero dhe u veshën me uniformën e kampit. Në uniformën e kampit në shpinë ishte shkruar gjermanisht “KRISK GEFANGO”,që do të thotë “Rob lufte”. Në kampin “Stalaga Vll-A” ishin 700 shqiptarë, nga Bregdeti ishin 188 prej tyre. Në kamp, midis bregdetarëve dhe shqiptarëve, kishte respekt dhe solidaritet për njeri tjetrin. Në momente të caktuara, për të qetësuar shpirtrat, këndonin dhe qanin në variantin vençe, me vargjet e krijuara në kamp.

Që kur kam ikur nga fshati, gjer më sot,

Na ka marrë malli shumë,s’durojmë dot, 

Gjermanët që na bëjnë roje,si shoh dot,

 Për vrasjet që ata bënë, lanë britma edhe lot, 

Mbi tridhjet e ca të vrarë,i varrosën në një gropë,

Në brinjë në Hondrovun,Niviciot e Shënvasiot, 

 Shumë të tjerë i internuan,grupe grupe nëpër botë,…

Kampi “Stalaga-Vll-A”, ishte nga kampet më të rëndësishme. Në këto kampe burgoseshin ushtarakë dhe partizanë. Nga vështirësitë dhe keqtrajtimi, kampet “Stalaga-Vll-A” vinin pas kampeve të shfarosjes. Të internuarit bregdetas, vlerësojnë shumë ndihmën e dhënë nga kryqi i kuq ndërkombëtar. Pa ndihmën e tyre, nuk do ti përballonim dot vështirësitë. Një herë në dy javë, kryqi i kuq ndërkombëtar, u jepte çdo individi një pako ushqime deri 2 kg, ku kishte biskota, galeta, çokollata, brisqe rroje etj. Të internuarit periodikisht kryenin edhe punë të ndryshme. Pastronin qytetin nga bombardimet, hapnin kanale të mëdhenj për shtratifikim patatesh. Shpesh çoheshin dhe në familjet gjermane, për të kryer punë bujqësie. Më 9 Maj, qielli i Mosburgut u nxi nga aeroplanët aleatë,në mesditë kampi “Stalaga-Vll-A” u rrethua nga tanket Amerikane. U shpërthyen telat dhe hyrja, të gjithë të internuarit u grumbulluan tek hyrja, gëzim, përqafime dhe brohoritje. Pas kapitullimit mendohej për riatdhesimin. Përfaqësi diplomatike Shqiptare, nuk kishte në Gjermani. Të internuarit shqiptarë, u bënë bashkë dhe u ndanë në tre grupe. Një pjesë u bashkuan me Jugosllavët,një pjesë me grekët dhe një pjesë me italianët. Kështu bregdetasit grupe, grupe u nisën për riatdhesim nga drejtime të ndryshme. Deri në fund të Shtatorit 1944 u bë e mundur të gjithë të ktheheshin në Atdhe. Bilanci masakrës të kryer nga nazistët dhe ballistët, gjatë operacionit të Qershorit 1944 në bregdet, ishte sa terrorist edhe tragjik. Në harkun kohor të nëntë ditëve, 15 deri 23 qershor:

– U pushkatuan 87 vetë;

– U ikën gjermanëve nga pushkatimi, në sajë të iniciativës personale 19 vetë, të terrorizuar maksimalisht;

– U vranë nga bombardimet 7 vet, u plagosën 6 vetë;

– U internuan 188 vetë;

– U rrëmbyen mbi 3000 kokë të imta, mbi 300 krerë lopë;

– U dogjën 12 shtëpi;

– U rrëmbyen në çdo shtëpi vaj, grurë, misër e shumë sende me vlerë;

– U dogjën 100 dynym grurë.

Në këtë 23 Qershor, mbushen plot 75-vjet nga kjo ngjarje makabre. Është ngjarje që nuk duhet harruar. Është e rëndësishme që njerëzit, Bregdetasit dhe më gjerë:

  • Të dinë, çfarë dhe si ka ndodhur.
  • Ta dinë si janë trajtuar e kanë vuajtur gjyshërit e prindërit e tyre.
  • Të dinë se si janë ndarë nga kjo botë në moshë shumë të re, njerëzit e tyre të pafajshëm.
  • Ta dinë, për të mos harruar kurrë çfarë ka ndodhur.

Liria ka çmim të lartë dhe ka kërkuar sakrifica të jashtëzakonshme. Për bregdetasit, bilanci i kësaj ngjarje e vërteton, çmimin dhe sakrificën që është bërë.

 

Sarandë, Qershor 2019.