Operacioni i parë nazi-ballist i dhjetorit 1943 kundër Zonave të çliruara në qarkun e Vlorës

1553
Fuat Kokallaj
Në prag dimri të vitit 1943, komanda e forcave gjermane në Vlorë, në bashkëpunim me krerët e Ballit Kombëtar,organizuan një operacion të gjerë kundër zonave të çliruara. Ky operacion kishte për qëllim të asgjësonte forcat partizane dhe LANÇ, në qarkun e Vlorës. Edhe komandat partizane ishin të informuara për përgatitjen e këtij operacioni dhe morën masa për të kundërvepruar. Më 25 nëntor të vitit 1943 një kolonë gjermane e balliste u nisën nga Vlora për në Vajzë. Pa hyrë në fshat, forcat armike u goditën me furi nga një pjesë e forcave partizane te Grupit II. Lufta qe e ashpër. Forcat armike u detyruan të tërhiqen për në Vlorë. Ato pësuan dëme njerëzore dhe materiale. Gjermanët e ballistët, pasi grumbulluan më shumë forca të armatosura, në mëngjesin e 2 dhjetorit 1943 sulmuan në drejtim të Gjormit. Ata mundën të kalojnë urën e Gjormit, por forcat partizane (dy batalione e Brigadës V Sulmuese qe ishin formuar disa ditë më parë në Gumenicë) dhe forcat e batalionit territorial të Rrëzës, që ishin vendosur në pozicione dominuese, kundërsulmuan. Lufta u ndez e ashpër,forcat gjermane goditën me artileri pozicionet e partizanëve. Në këto luftime ra heroikisht Komandanti i sapo emëruar i Brigadës V Sulmuese, Abaz Shehu dhe partizani Xhuvel Xhemali nga Dukati. Nazistët dhe ballistët nuk hoqën dorë nga synimet e tyre. Më 9 dhjetor 1943 një autokolonë gjermane e balliste u ndesh me një repart të Brigadës XV të Batalionit të Shullerit dhe çetën e fshatit Vajzë,në fshatin Vajzë. Luftimet vazhduan rreth dy orë. Armiku u tërhoq e u largua nga erdhi. Luftimet e mësipërme,në Gjorm e Vajzë ishin luftime të pjesshme me karakter zbulimi. Operacioni filloi më 15 dhjetor 1943 dhe vazhdoi 8 ditë. Më 15 dhjetor 1943 nazistët në bashkëpunim me forcat e Ballit Kombëtar filluan operacionin e gjerë kundër krahinave të çliruara të Vlorës. Në operacion morën pjesë më shumë se 2000 forca gjermane e balliste, të cilat goditën në tre drejtime. 

Drejtimi i parë: Filloi nga krahina e Treblovës në krahinën e Sevasterit me synim Grykën e Mesaplikut. Armiku u prit me luftë nga forcat partizane te Brigadës I S. e V S. dhe batalionet territoriale të zonës. Në këto luftime nga çeta territoriale e fshatit Vajzë bien duke luftuar komandanti i çetës Refat Hyso Kasaj dhe Zini Rexhepi.

Drejtimi i dytë: Po më 15 dhjetor 1943 një autokolonë e përbërë nga 17 makina dhe me artileri të çdo kalibri u drejtua përsëri për në fshatin Vajzë dhe tentoi të kalojë qafën e Ploçës, por u pritën me zjarrin e armëve të partizanëve të një kompanie të Brigadës I S. dhe çetave të Vajzës e të Ploçës. Luftimet qenë të ashpra. Pozicionet e partizanëve qenë dominuese dhe i shkaktuan dëme armikut që u detyrua të kthehen në fshatin Vajzë.

Në kodrat e Beunit, mbi fshatin Vajzë ishin pozicionuar partizanë të Brigadës V dhe çetat partizane territoriale të fshatrave Ramicë, Matogjinë e Bashaj, ndërsa në Karter të Velçës, forcat partizane dhe çetat e fshatit Mesaplik e Velçë. Forcat partizane e territoriale gjatë natës së 15 dhjetorit me grupe të vogla zbulimi sulmuan disa herë forcat armike. Ato sulme shkaktuan panik te forcat e Ballit. Partizanët bënë thirrje të bashkoheshin me ta dhe nuk hapën zjarr kundër tyre. Më 16 dhjetor në mëngjes, armikut i erdhën përforcime dhe e shtoi zjarrin, goditën me artileri, murtaja. Beuni u ndez tym e flakë. Filloi sulmi i tyre me forca të shumta në dy drejtime:Në drejtimin Vajzë-Beun, Kater-Velçë dhe drejtimin Gumenicë-Gjorm Luftimet në sektorin Vajzë-Beun e Kater-Velçe qenë shumë të rrepta. Armiku bëri mbi 15 sulme të njëpasnjëshme, por forcat partizane e territoriale luftuan heroikisht duke thyer sulmet. Pati dhe luftime trup me trup. Në Karter të Velçës disa ushtarë gjermanë u rrethuan keq e për të mos u kapur rob u hodhën në greminë ku gjetën vdekjen. Të vrarët nga të dy krahët qenë të shumtë. Në këto luftime veç partizanëve të Brigadës I S. e Brigadës V S. luftuan dhe partizanët e batalionit territorial të Shullerit, të cilët luftuan me heroizëm. Nga radhët e këtij batalioni ranë në fushën e nderit pesë luftëtarë: Elmas Adem Rrokaj,Tare Myslim Kokallaj, Shaqo Medin Hoxhaj, Avdul Arif Lelaj, Qamil Karafil Jahaj dhe një partizan i Brigadës V S. 

Drejtimi i tretë: Po më 15 dhjetor armiku sulmoi dhe nga Qafa e Shëngjergjit. Kjo kolonë armike u godit nga një kompani e Brigadës I Sulmuese, një kompani e Brigadës V Sulmuese dhe çeta territoriale e Tërbaçit. Më 17 dhjetor 1943, artileria partizane e vendosur në Bolenë hapi zjarr kundër dy kolonave gjermano-balliste që përparonin në të dy anët e Lumit Shushicë, në Krahinën e Mesaplikut. Zjarri i artilerisë armike ishe i pandërprerë për disa orë. Forcat partizane e territoriale u tërhoqën në thellësi. Më 22 dhjetor 1943 forcat gjermane u tërhoqën nga Lugina e Mesaplikut duke ua lënë ballistëve territoret e okupuara, të cilët bënë djegie e plaçkitje dhe u tërhoqën më pas duke iu shkuar mbrapa forcave gjermane. Në këto luftime u vranë rreth 200 ushtarë gjermanë e shumë u plagosën. Nga forcat tona 25 vetë të vrarë e të plagosur. Armiku qëllimit nuk ia arriti. Forcat partizane, jo vetëm që nuk u asgjësuan, por i shtuan radhët e tyre. Një muaj më pas më 20 janar 1944 u formua Brigada e V S me mbi 900 partizanë e partizane.

Komiteti i Veteranëve të LANÇ-it,Vlorë
Sigal