Nuri Jaupllari: “Vështirësitë nuk më kanë ndalur të shpreh dedikimin tim ndaj pikturës”

925
Sigal

INTERVISTA/ Flet piktori i talentuar Nuri Jaupllari: “Vlerësimin që nuk e kam marrë prej vendit tim ma ka dhënë Akademia Europiane e Artitit”

 Arti është aq sa i bukur dhe i vështirë për t’u realizuar në Shqipëri. Të gjithë artistët, pavarësisht fushave, ku veprojnë e punojnë, e pohojnë këtë. Gjendja e vështirë ekonomike-politike në vend, tranzicioni i gjatë, dhe kriza identitare e shoqërisë tonë, të gjitha këto, duket sikur kontribuojnë në largimin e vëmendjes dhe suportit ndaj artit. Megjithatë artistët e vërtetë, pavarësisht vështirësive që kalojnë, nuk ndalen para asgjëje dhe shkojnë drejt realizimit të personit të tyre si artist, duke e lënë pasionin të dali jashtë. Për ta parë të jetësuar të gjithë çka thamë, gazeta “Telegraf” ka realizuar një intervistë me piktorin skraparlli, që tashmë jeton në Durrës, zotin Nuri Jaupllari. Prindërit e tij Dervish dhe Shake Jaupllari e kanë rritur më dashurinë, që çdo prind ka për fëmijën e vet, në kohë të vështira, siç ishin ato të komunizmit në Shqipëri. Megjithatë, ai ja doli vështirësive të asaj kohe dhe sot veprat e tij gjenden në muret e shtëpive dhe galerive të shumë shteteve, nga Amerika në Japoni. Por, për më shumë ndiqni këtë intervistë të çiltër.

 -Ju na treguat se e keni filluar pikturën që në moshë të vogël në kushte të vështira, ku në vend të bojërave dhe fletoreve, që mungonin, shkruanit me thëngjill në gurin e bardhë të fshatit tuaj. Mund ta na tregoni diçka më shumë për këtë histori?

Unë kam lindur në një fshat të Përrenjasit, i cili shquhet për gurin e bardhë që ka, dhe sot për fatin e mirë të vendit atje është zbuluar një mermer që punohet dhe ka hapur vende pune për atë popullsi. Në ato vite ishte gjendja jonë e vështirë ekonomike, ku unë si fëmijë nuk kisha ku të punoja dhe ushtroja pasionin tim, pikturën, kështu që përdorja thëngjijtë si mënyrën më të thjeshtë për të hedhur frymëzimet e mia. Si të thuash, punimet më thëngjill ishin fillimet e mia në pikturë, pastaj më vonë na u dhanë mundësitë për të siguruar lapsa e materiale më të avancuara të pikturës.

 -Nga aty si vazhdon më tej historia e piktorit të vogël?

Në fshatin tonë nuk kishte shkollë 8-vjeçare dhe unë u detyrova që në klasë të pestë të shkoja në Poliçan, ku nisa të jetoja dhe të shkollohesha. Në shkollën 8-vjeçare kisha fatin që të njihja një mësues, i cili na jepte vizatim dhe i jepej shumë për të pikturuar. Atë mund ta konsideroj si mësuesin e parë që më nisi drejt hapave të para të pikturës, pasi që të merrja mësime private nuk i kisha mundësitë.

-Gjatë jetës tuaj me siguri keni hasur shumë vështirësi dhe skualifikime, të cilat shpeshherë bëheshin me pa të drejtë dhe koha i diktonte. Cilat janë disa nga vështirësitë që keni hasur ju në ato vite?

Në vitet 1969-‘70, kur unë kam mbaruar shkollën 8-vjeçare, më kujtohet ishte një fushatë ku bëheshin zgjedhjet, në atë kohë të Kuvendit Popullor dhe ish-sekretari i parë i atij rrethi ishte angazhuar vetë personalisht që unë të shkoja në një shkollë profesionale për t’u perfeksionuar në pikturë, pasi kishte parë punimet e mia dhe parullat që bëheshin në ato vite. Në atë vit kam konkurruar për herë të parë dhe në fakt e fitova konkursin, por ndodhi që dikush tjetër shkoi në shkollë dhe jo unë. Kjo gjë u përsërit për disa vite me radhë deri sa unë mora, më në fund, vendimin personal që do të ecja në pikturë duke u nisur vetëm nga puna ime. Pas kësaj kam punuar shumë e kam arritur rezultate të larta. Duhet ta pranoj se për të gjithë këtë ajo që më ndihmoi më shumë, ka qenë koha që isha në ushtri. Ishte fati i mirë i imi që ushtrinë e bëra në shtabin e përgjithshëm edhe aty u njoha me piktorin Guri Madhi dhe piktorin Fatmir Haxhiu. Më ata kam punuar gati 3 vjet, dhe një vit tjetër pasi mbarova ushtrinë, dhe si të thuash ai ishte mësimi më i madh ose akademia që nuk më dhanë shansin ta kryeja.

-Koha e atëhershme pra ju la pa shkollë dhe duke pasur parasysh luftën e klasave që ndodhte në ato vite, ju përsëri tregoheni modest dhe nuk shpreheni keq për ato vite…

Të them të drejtën nuk jam parë me një sy të shtrembër në ato vite nga personat që ishin nën drejtimin e Shqipërisë, përveç faktit të shkollës. Por gjithashtu, duhet ta pranoj se puna nuk më është hedhur poshtë, më është vlerësuar, edhe pse futja e punimeve nëpër ekspozita kombëtare më është mohuar. Gjithsesi, ekspozitat që kam bërë brenda rrethit më janë vlerësuar dhe nuk kam pse të them tani që u përndoqa apo u persekutova. Unë jam ai që kam qenë.

 -Në çfarë viti keni realizuar punën tuaj të parë profesionale dhe cili ishte mesazhi që përcillte ai punim?

Nëse flasim për punë profesionale nuk mund të fus këtu punimet që kam bërë para se të formohesha si artist. Në fakt që kur mbarova shkollën 8-vjeçare, në vitet ‘69-‘70, kam realizuar ekspozitën time të parë, edhe pse sot e kuptoj që ajo nuk mund të mbajë këtë titull, por gjithsesi në memorien time ajo ka mbetur si ekspozita ime e parë. Sepse aty mora përgëzimet e shokëve, mësuesve dhe prindërve të shoqërisë time, të cilët i pëlqyen shumë punimet e mia, amatore në ato vite. Ndërsa nëse flasim për punimet e mia profesionale, këtu do të përmend punën që kam paraqitur në ekspozitën, që unë e kam regjistruar si ekspozitën e parë profesionale, ka qenë një tablo nga beteja e Qafë Shkodrës. Ajo ishte një tablo dimensionale, e realizuar pas kthimit tim nga ushtria, e cila la mbresa tek ata që e panë pasi vija me emocione dhe përjetime të mëdha nga koha që kisha kaluar, dhe nga mësimet që kisha marrë nga mësuesit e mi në ushtri.

 -Sa e vështirë është mbijetesa për një piktor sot? Mbështetja dhe kushtet në të cilat punoni sa avantazhuese janë?

Nëse flasim për vitet para ‘90-s unë mund të them se kam qenë shumë i angazhuar në krijimtari, por edhe në punët e përditshme që bëja. Si piktor realizoja të gjitha punimet e dekorit në Poliçan dhe Çorovodë. Pra si të thuash ishte një jetesë normale, një jetë që të jepte optimizëm, kishim një lidhje shkrimtarësh dhe artistësh shumë të mirë në Çorovodë, krijonim shumë punime, ekspozita etj., pra ishte një jetë aktive. Ndërsa nëse flasim për vitet pas ‘90-s është pak e vështirë sepse së pari, mbetëm pa punë, unë si artist dhe kolegë të mitë mbetëm pa punë dhe kush zgjodhi të ikte në emigracion, kush zgjodhi të rrinte këtu për të mbijetuar. Unë aktualisht u largova nga Poliçani dhe jetoj në Durrës, tashmë me qëllimin që të bëj diçka me punimet e mia dhe t’ia dal mbijetesës në këto kohë të vështira.

 -Së fundmi ju jeni nderuar me titullin Anëtar i Akademisë Europiane të Artit. Mund të na tregoni diçka për këtë?

E kam thënë shumë herë në jetën time personale, dhe në shumë intervista të tjera, që më vjen shumë keq që nuk jam vlerësuar në vendin tim. Megjithatë unë i jam mirënjohës miqve dhe shokëve që e kanë vlerësuar realisht punën time. Por, ajo që më ka dhënë një impuls, dhe stimul të ri në punën time, është pranimi im në Akademinë Europiane të Artit. Para një viti, d.m.th dhjetorin e kaluar, më erdhi një grup kolegësh nga Europa dhe më sollën thjesht certifikatën e anëtarësimit në Akademinë Europiane të Artit. Ky fakt nuk tregon që mua më rritet personaliteti prej kësaj, por mbi të gjitha është një vlerësim i punës time. Dhe nga ajo që ne biseduam më shokët, kolegët, që erdhën nga Akademia Europiane e Artit, doli që i ishte bërë një monitorim i detajuar punës time dhe shitjeve të punimeve të mia jashtë vendit. Kjo, si të thuash, më ka inkurajuar për të realizuar punime të reja për ekspozita të tjera. Gjatë kësaj kohë, që jam anëtarësuar në Akademinë Europiane të Artit, kam qenë pjesëmarrës në tre ekspozita, në Luksemburg, në Gjenevë dhe në Belgjikë me disa punë. Ndërsa tani jam duke marrë pjesë me dy punë konkursin ndërkombëtar, që do të organizohet në Paris nga data 25 Mars deri në 8 Prill.

 -Po në Shqipëri cilat kanë qenë ekspozitat tuaja? Dha sa ndjehet mbështetja e artistëve të tjerë?

Më vjen keq që nuk është në nivelin e ekspozitave që realizohen jashtë, apo që realizoheshin dikur, ku mbaheshin ekspozita vjetore, por edhe ekspozita ku piktorë, skulptorë merrnin pjesë të gjithë së bashku. Sot nuk shohim një impuls të ri nga kjo anë dhe për këtë duhet të marrim shembull edhe nga realizimet që bëhen jashtë shtetit. Megjithatë unë kam hapur një ekspozitë në Durrës para dy vjetësh në Pallatin e Kulturës, Akesandër Moisiu, me punime madhore dhe shumë dimensionale, dhe për fatin e mirë u prit mirë e mora vlerësime të shumta. Tani jam duke realizuar një seri punimesh, më tepër me frymëzim nga vendlindja ime, të natyrës së bukur të Skraparit, kanionet, mali i Tomorrit etj,. por duke mos lënë mënjanë dhe vise të tjera të Shqipërisë.

 -Jashtë Shqipërisë në cilat vende i gjejmë sot punimet tuaja dhe cilat punime preferohen më shumë të blihen?

Mund të them për katër ekspozitat që kam hapur jashtë shtetit, si në Holandë, në Zvicër, në Gjermani dhe Angli. Këto kanë qenë kryesisht ekspozita me punime të vogla akuareli. Pothuajse të gjitha punimet janë shitur në këto ekspozita, nuk më është kthyer asnjë punë mbrapsht. Ajo që do të shtoja, dhe vlerësoja më shumë, është puna ime në galerinë time personale prej 8 vjetësh. Megjithatë, është një hartë e gjerë e shitjes së punimeve të mia, që nga Amerika, Australia, Norvegjia, vendet e Europës, Rusia dhe deri në Japoni. Kryesisht këto janë punë të vogla, peizazhe të Shqipërisë, por edhe portrete të ndryshme. Dua të theksoj këtu edhe një punim patriotik për Kosovën që e kam realizuar në 1981, dhe që është riprodhuar disa herë.

 -Së fundmi, përveçse jeni anëtar i Akademisë Europiane të Artit ju jeni edhe ‘Anëtar nderi’ i shoqatës “Tomorri”. Çfarë përfaqëson për ju kjo shoqatë?

Për mua shoqata “Tomorri”, në aspektin si krijues, apo si skraparlli, i ngjan një vatre ku mblidhen shumë njerëz në një natë dimri të ftohtë dhe bisedojnë mbi gjera të ndryshme, për jetën, për traditën, për kulturën, duke i shoqëruar të gjitha këto me ndonjë gotë raki Skrapari. Është kënaqësi për mua që jam anëtar i kësaj vatre dhe së bashku me një grup shokësh të tjerë mblidhemi gjithmonë këtu në galerinë time si kryesi. Pra është një shoqatë, ku mbajmë gjallë traditat tona.