Nuk masakrohen heroinat

237
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

(Në 70-vjetorin e rëniI vranë për së treti herë
Heroinat i vranë dhe në 70-vjetorin e tyre e nuk i përkujtuan, po aq egërsisht si më 25 prill 1948, apo pas viteve ’90, kur u hoqën monumentin në Rrëshen. Asnjë gazetë, asnjë TV, apo dhe dedikim në rrjetet sociale nuk u dha për to. A thua se kishte ndaluar ora shqiptare, mirditore apo labe? Jo, ora nuk ndalet, por ata që i vranë i ndalën sot. Hijet e zeza edhe sot i prenë përsëri në besë dhe i vranë për së treti herë. Reaksioni synoi t’ua zhdukte edhe fytyrën. Dy nuseve të Tarazhit u grisi edhe fotografitë, ua masakroi fytyrat, aq sa as të vdekura nuk mund të fotografoheshin për t’i njohur. Këtë gjë bëri edhe në 70-vjetorin e masakrimit të tyre. Reaksioni më shumë synoi t’i thyente, sesa t’i vriste. Duke thyer luftëtaret e shquara ai synonte të paralizonte një krah të pushtetit të ri të popullit, forcën e madhe të gruas. Thyerja, tërheqja, gjunjëzimi i luftëtarit të vijës së parë ka brenda farën e shkatërrimit moral për ata që vijnë pas. Reaksioni e dinte këtë. Por luftëtarët tona nuk u thyen. Ato morën në sy vdekjen dhe vendosën të ecin përjetësisht bashkë me brezat që do ta çojnë Shqipërinë në civilizim dhe demokraci.

Ecën pa bujë në rrugën e emancipimit
Marta e Prenda Tarazhi ecën pa bujë në rrugën e emancipimit të të gjithë krahinës, e sidomos të gruas mirditore. Ecën ditë për ditë natyrshëm, pa lëkundje, me pjekuri, me bindje të ndërgjegjshme se çdo e drejtë fitohet me luftë. Ato nuk e kërkuan lavdinë, por vetë jeta e luftëtarit militant i çoi drejt lavdisë. Po ç’gjë të veçantë patën në jetën e tyre? Cila ishte ajo forcë që i bëri të pamposhtura? Qëndresa e tyre na jep forcë e na frymëzon sa herë i kujtojmë? Në fëmijërinë e tyre nuk pati asgjë të veçantë. U rritën dhe e morën formimin e parë në ato vatra të thjeshta, ku mungonte buka, e para e jetës, por nuk iu mungoi asnjëherë besimi dhe forca shpirtërore për të arritur të një ditë më e mirë. Dhe dita erdhi. Koha e Partia i morën për dore, u ndriçuan mendjet, u treguan shtigjet e gjëra dhe ato shpërthyen me vrullin e ndjenjave të ndrydhura në zemrën e gjithë brezave. Pra e veçanta qëndron te koha që i thirri si dëshmitare të historisë. Ato iu përgjigjën këtij zëri të bindura, se dikush do ta çante më së pari rrugën, e mbas të parave do të vinin dhjetëra e qindra të tjera. Forca e madhe shpirtërore që u buronte nga bindja e ndërgjegjshme, sepse kush vdes në emër të jetës së re, e ka fituar jetën, armiku nuk mundi t’i thyente. As kërcënimet në dy-tre vjetët e veprimtarisë së tyre, as torturat nuk i kthyen dot nga rruga e nisur. A mund të kthehet mbrapsht historia? As heroinat tona nuk mund t’i kthente mbrapsht asnjë forcë. Ato e nisën rininë në çaste kthese historike për gjithë kombin. Të rritura midis vuajtjeve dhe mjerimit, ato e jetuan edhe vetë deri në një pikë të jetës dramën e prindërve, por i përkisnin atij brezi që hyri në pragun e rinisë në të njëjtën kohë kur vetë atdheu hyri në epokës së re.

Martën dhe Prendën i nxori koha
Martën dhe Prendën i nxori koha, i nxori vetë sistemi që i thirri në sheshin e luftës klasore heronjtë e vet. Ato ishin zëri i ri, ishin ndërgjegjja e re e Mirditës që po zgjohej. Ky ishte një zgjim i fuqishëm, i paparë ndonjëherë, me farën e shëndetshme të një jetë cilësisht të re që kërkonte të ecnin krah për krah drejt lirisë politike e sociale edhe burrat, edhe gratë. Kur heroin e ruan në mendje dhe në zemër e gjithë krahina që e ka rritur dhe e ka njohur, ai hero s’ka si të mbetet te kufiri i vitit kur e kanë vrarë. Jeta dhe vepra e heroit që bart të ardhmen zhvillohet në kufij historike, por jehona dhe mësimi që lënë në histori nuk njeh kufij kohorë. Ato janë një thirrje kushtruese drejtuar gjithë brezave që të jetojnë e të punojnë ndershmërisht, si njerëz të besës e të veprimit. Ato mësuan shkrim e këndim nëpër rrasa guri, me thëngjij, se s’kishin as lapsa, as fletore, por a-në, ku nis mbrojtja e atdheut e shkruan me gjak. Rinia, e gjithë Shqipërisë sjell lule të freskëta te ju, vullnetarët e para hekurudhave të viteve 1947 e 1948. Dhe ju, monumentale si malet, si koha që ju rriti, qëndroni madhështore. Ne ndiejmë dëshirën t’u themi se Atdheu, të cilit i falët jetën, rininë, po përpëlitet për të vendosur demokracinë, të cilën ju e kishit ëndërruar… Ndaj dhe bisedojmë me ju dhe duke ju pasur pranë, gjykojmë veten, se cili është ai/ajo që nuk e ndien për detyrë ta ketë ndërgjegjen të qetë para të rënëve? E kemi për detyrë t’ju mbajmë në zemër se jeta jonë ka në themel rininë e tuaj. Amaneti i nuseve heroike nuk i takon vetëm Mirditës. Ai na takon të gjithëve. Te vendi ku ranë edhe ne u themi dy fjalë, siç ua thanë mirditorët atë ditë kur i veshën nuse për t’i sjellë në përfytyrimin tonë përjetësisht nuse. U themi se, nëse na e kërkoftë detyra, nëse e kërkoftë atdheu jetën tonë, si ju, moj motra e paçim vdekjen! Me lavdi. Do të shprehej Luçie Doçi në monografinë “Jetë me dritë”, kushtuar katër heroinave Mirditore. Heroinat Marta Tarazhi dhe Prenda Tarazhi u ngritën në luftë kundër reaksionit, hodhën poshtë zakonet e vjetra, shkuan vullnetare për ndërtimin e hekurudhës, u kthyen përsëri pranë familjeve për të punuar për jetën e re. Pikërisht për këtë arsye reaksionarët i kapën, i torturuan dhe na i vranë.

Marta me dëshirë për dritën e diturisë
Marta Pjetër Tarazhi lindi në Bukëmirë të Livadhasit të Mirditës, më 12 gusht 1925. Që shumë e re, manifeston dëshirë për të përqafuar dritën e diturisë. I mëson vetë shkronjat, edhe duke i qëndisur me rruaza të pajës. Lidhet me shokët e rinisë dhe shkojnë çdo ditë në qendër të fshatit, atje ku bëheshin mbledhjet. Një ditë, në kuvendin e fshatit dikush dha lajmin se u dogjën kullat e kapedanit, nga partizanët dhe nga vetë populli i ngritur në luftë. Një ditë tjetër, në fshatin e tyre, i deleguari i Partisë u thotë fshatarëve se një luftë e re fillon, duke marrë parasysh grumbullimin e reaksionit në Veri dhe se Fronti u bën thirrje të ngrihen burra e gra për ndërtimin e Shqipërisë së re, duke çrrënjosur zakonet e këqija. Për Martën, biseda me të deleguarin la në mendje gjurmë të thella. Ajo kuptoi se Shqipëria e re nuk mund të ndërtohet pa dalë në punë edhe gratë e vajzat, pa mësuar shkrim e këndim, pa fituar të drejtat e veta edhe gruaja si burri, pa përmbysur zakonet e këqija të Kanunit. Ajo vendoset të jepte kontributin e saj, duke mësuar çdo ditë e më mirë si ta bënte luftën kundër reaksionit dhe për ndërtimin e Shqipërisë së re. Hyn në kursin kundër analfabetizmit. Pranohet edhe zëvendëssekretare e Rinisë së Partisë dhe kryen detyrën me përkushtim, deri kur e vranë kriminelët më 25 prill 1948.

Prenda në rrugën e lavdisë
Prenda Llesh Tarazhi lindi në Patin të rrethit të Matit më 12 prill 1928. Në fund të vitit 1943, edhe ajo, si shoqet e saj, së bashku më të rinj e të reja të tjerë, i futet rrugës së lavdisë, që e vazhdon deri në fund. Në verën e vitit 1944 ajo kthehet e gëzuar në shtëpi, sepse kishte përcjellë një partizan. Babai i tha se, nëse dikush i thotë asaj të tregojë ku është partizani, a do të tregonte, kurse ajo, në mënyrë të vendosur, mohon, duke thënë: “Kurrë për jetë!”. Nga ky episod shikohet karakteri i saj burrëror, trimëror, që do ta gdhendte edhe më shumë gjatë rrugës së saj për të ndërtuar Shqipërinë. E vranë kriminelët më 25 prill 1948, duke ikur pastaj pabesisht.

Motivacioni
Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSH më 23 tetor 1967, me dekret 4331, iu dha titullin “Hero i Popullit”. Në motivacion theksohen si ndër gratë dhe vajzat e para, që me fjalën e Partisë në zemër çanë rrugën e së resë e të përparimit, rrugën për çlirimin e plotë të gruas nga zakonet e egra të kanunit e të fesë. Luftuan me vetëmohim kundër reaksionarëve dhe elementeve konservatorë, punuan në mënyrë shembullore në aksionet për ndërtimin e vendit, për ngritjen arsimore e kulturore, përvetësuan me zgjuarsi e etje mësimet e Partisë dhe u bënë së bashku agjitatore, luftëtare të flakta për emancipimin e gruas shqiptare. Të kapura tradhtisht nga bandat e armatosura të reaksionit, ato u masakruan egërsisht, por qëndruan të papërkulur dhe ballëlart. Mbi jetën e veprën e tyre, të stilizuar, në monografinë: “Jetë me dritë”, të Luçie Docit, që e shkroi për të nderuar Heroinat, të cilat kanë pasur një jetë shembullore, si mësim për gjeneratat e të rejave të sotme, për të ngelur si monument i pavdekshëm gjatë gjithë kohërave. Edhe ne jemi në luftë. Është një luftë tjetër. Në këtë luftë, duhet të dimë, se thyerja, tërheqja, gjunjëzimi i luftëtarit të vijës së parë ka brenda farën e shkatërrimit moral për ata që vijnë pas. Prandaj, edhe ne, në asnjë moment të mos thyhemi, pavarësisht nga çdo gjë. Në fund të fundit, vetëm dëshmorët e kombit e kanë përmbushur betimin e tyre ndaj atdheut, kurse ne, që jemi të gjallë, duhet të vazhdojmë rrugën. Deri në fund. Pa kompromis. Pa marrëveshje me tradhtarët dhe me armiqtë e kombit shqiptar.