Një bust për kapedanin Cane Myftari…

2427
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Kryetrimi i Smokthinës
Cane Myftari ka lindur në vitin 1787 në fshatin Bashaj të Smokthinës. Babai i Canes ishte bajrak në Smokthinë. Në moshën e rinisë, Canen e dërgoi për të mësuar, u stërvitur dhe për të marrë kulturë ushtarake në oborrin e Ali pashë Tepelenës. Si një luftëtar i ri dhe i përgatitur ai ka marrë pjesë në mjaft fushata për shtrirjen e pashallëkut të Pashait të Tepelenës në viset jugore të vendit. Ali Pasha e ka cilësuar luftëtar të shquar dhe kryetrim. Për këto cilësi dhe merita, ai e zgjeroi bajrakun e tij dhe lidhi aleanca me mjaft nga trimat e Labërisë. Cane Myftari u takua dhe me Pukëvilin, ku ishte në sarajet e Janinës, si mik i Pashait. Cane Myftari u shqua si një nga luftëtarët e shquar të kazasë së Vlorës. Nisur nga kultura dhe arsimimi ushtarak, ai ndiqte me vëmendje lëvizjet kryengritëse që po bënin popujt nga Bosnja, Shqipëria e deri tek Egjipt e Irak, si dhe shteti i porsa formuar Grek kundra Perandorisë Osmane. Duke qenë se Cane Myftari ishte udhëheqës i rëndësisë së veçantë, drejtonte një tabor rajonal, të sistemit territorial, dhe kishte shtizën e bajrakut, pra të flamurit, ku thuhet se ka ekzistuar deri mbas Luftës së Dytë Botërore. Cane Myftari i sillte qeverisë osmane telashe, sidomos kur arriti të bëjë bashkimin e forcave të Labërisë me pjesëmarrje të Tafil Buzit, Çelo Picarit, Zenel Gjolekës, Hodo Aliut, Dervish Aliut, Mete Jazos, Shako Xhakës etj.
Në krye të forcave luftëtare të Vlorës
Cane Myftari në sajë të formimit të mirë kulturor e arsimor, bashkë me Mehmet Ali Korçën, Mete Jazon, në rininë e tyre, ishin nëpunës të Perandorisë Osmane në Egjypt. Këta të tre ishin shkolluar në Janinë dhe kishin lidhur besë për të luftuar osmanët dhe për të fituar lirinë populli. Forcat egjiptiane të udhëhequra nga Mehmet Ali pashë Misiri, me origjinë shqiptare, mposhtën osmanët në Konjë të Anadollit, duke ju afruar Stambollit. Në këtë betejë morën pjesë 2.000 e ca luftëtarë shqiptarë midis tyre edhe Cane Myftari. Me largimin e forcave të Mehmet Aliut, Cania dhe forcat e tjera shqiptare u kthyen në vendet e tyre për t’u vënë në krye të revoltave kundra reformave të Sulltanit dhe sidomos ato të sistemit ushtarak që kish filluar më 1826. Cane Myftari duke përfituar nga kjo situatë dha kushtrimin në Shqipërinë Jugore dhe mblodhi forca të shumta në qytetin e Vlorës, për të sulmuar garnizonet osmane. Kryetrimi i Smokthinës që në fillim, i miratoi vendimet e Kuvendit të Madh ndërkrahinor të Beratit, të mbledhur më 7 nëntor 1828. Në këtë kuvend u krijua organizata “Lidhja shqiptare”, e cila kishte si qëllim të luftonte për të siguruar vetëqeverisjen e vendit. Cane Myftari u zgjodh në shtabin drejtues të kryengritjes së bashku me Dervish Ali Dukatin dhe Shako Xhakën. Ky ishte dhe drejtues i bërthamës së këtij shtabi. Një nga vendimet që morën ishte të sulmonin kryeqendrën administrative, Beratin, që mbahej nga pushtuesit osmanë. Nga kazaja e Vlorës me mijëra forca u ngritën në këmbë, të drejtuara nga Cane Myftari dhe Mete Jazo. Cania ishte ndër prijësit që ngritën në këmbë mijra forca të kazasë së Vlorës. Pas këtij Kuvendi, kapedanët morën pjesë dhe në takime të tjera si në Taroninë të Gjirokastrës dhe Senicë të Delvinës, ku u bë thirrje për bashkimin e shqiptarëve. Në vitin ‘30-të të shek. XIX-të, së bashku me Tafil Buzin organizuan kryengritjen për çlirimin nga zgjedha osmane, duke pasur si temë kryesore autonominë. Sulltan Mahmuti me fermanët e tij më 21 maj 1830 bëri mallkimin e Shqiptarëve. Në aleancën kryengritëse u dalluan midis të gjithëve Bushatllinjtë, Zylyftar Poda, Avdul Koka, Tafil Buzi dhe Cane Myftari nga Smokthina.
Krah për krah me trimin Mete Jazo
Në fshatin Velabisht të Beratit u formua një Shtabi i Përbashkët i forcave kryengritëse. Kështu kryengritësit e Jugut u gjendën të vëllazëruar për luftë kundër pushtuesit osman, përpara mureve të kalasë së Beratit. Forcat kryengritëse të grumbulluara nga Lumi i Vlorës, Berati, Toskëria, Delvina dhe Çamëria, filluan sulmin në mbrëmje, për të marrë kalanë ku ishte e përqëndruar ushtria osmane me komandant Emin Aganë. Kryengritësit vendosën me dhjetëra shkallë në muret e saj, për t’u ngjitur në kala. Një pjesë arriti në bedenat e kështjellës dhe u përlesheshin trup me trup me osmanët. Ushtarët osmanë që ruanin kalanë, u tmerruan nga sulmet e guximshme të kryengritësve shqiptarë. Atyre ju ra forca dhe morali e nuk pranuan të luftonin. I propozuan komandantit të dorëzonin kalanë. Trimi i Smokthinës Cane Myftari, në këtë betejë ishte krah për krah me trimin e Dukatit, Mete Jazon, duke qëndruar në krye të forcave. Të dy ishin tek shkëmbi i kalasë, ku lufta po zhvillohej më e ashpër. Osmanlinjtë, të maskuar pas frëngjive të mureve të kështjellës, bënin pareshtur zjarr. Në sulm u plagos rëndë Mete Jazoja, që ishte dhe flamurmbajtësi i trupave të Vlorës. Me dy plagë të rënda në kraharor, mundi që të zërë fortifikatën e parë osmane, por nuk përparoi më. Rruga ju pre nga plumba të tjerë. Cane Myftari, kur e pa Mete Jazon të mbuluar me gjak dhe të mbështetur pas shkëmbit, u sul midis plumbave dhe mori flamurin, sulmoi përpara dhe e vendosi te çezma e kalasë. Kalaja e Beratit u dorëzua. Emin agai me ushtarët besnik iku fshehurazi. Perandoria Osmane përballë kryengritjes së popullit, u gjend ngushtë dhe u detyrua të pranojë kërkesat e tyre dhe e tërhoqi administratën e saj nga nëntë krahina shqiptare, që nga Vërça, Sulova e Elbasanit dhe gjer në Çamëri. Përfaqësuesit e nëntë krahinave, e administruan për gjashtë vjet rresht (1836-1841) duke patur kryeqendër Beratin. Në mjaft dokumenta e studime historike bëhet fjalë për luftimet e trupave ushtarake të Egjiptit, të komanduara nga Mehmet Aliu, sulmuan ushtrinë osmane dhe i shpartalluan në Konjë të Anadollit. Duke bashkëvepruar me Mehmet Aliun, prijësat shqiptarë Abdyl Koka, Tafil Buzi dhe Cana Myftari ngritën krye në Shqipëri kundër pushtuesve osmanë. Këtë moment e ka fiksuar edhe kënga popullore e cila thotë: Figura luftarake e popullore e Cane Myftarit shkëlqeu sidomos në kryengritjen antiosmane të vitit 1834. Në organizimin e kësaj kryengritjeje, lozi rol të madh në mobilizimin e luftëtarëve të Vlorës, në ndihmë të Tafil Buzit, në luftimet për marrjen e Kalasë së Beratit. Mjaft kronika të kohës shpalosnin trimërinë e Cane Myftarit dhe prijësit dukatas Mete Jazo. Cane Myftari iu përgjigj përsëri në vitin 1835 thirrjes së Tafil Buzit dhe mori pjesë me luftëtarët smokthinjotë për të marrë Kalanë e Beratit. Atëherë Porta e Lartë shpalli kërkimin e prijësve popullorë.
U përjetësua në këngë
Për të shtypur luftën e kryengritësve, osmanët u përpoqën me të gjitha mënyrat për të ndaluar këtë luftë. Me tradhëti vranë dhe futën në kurth mjaft luftëtarë të dëgjuar. Veliu i Janinës, Emin Pashai, me shërbëtorët e tij, i ngriti kurth dhe Cane Myftarit. Ky e ftoi Cane Myftarin në Vlorë për bisedime. Kapedan Cane Myftari e pranoi ftesën, por dinakërinë e osmanëve, bëri që ta helmonin trimin smokthinjot, duke likuiduar kapedanët e krahinave malore. Cane Myftari u helmua në vitin 1839 në një kafene të Vlorës. Këtu u varros nga bashkëluftëtarët e tij smokthinjotë. Thuhet se varri i Cane Myftarit deri në vitin 1932 gjendej në qytetin e Vlorës, aty ku sot është ngritur ndërtesa e Hotel “Sazanit”. Vdekja s’e ndau trimin e Smokthinës nga populli, vegjëlia e përjetësoi në këngë. Për Cane Myftarin përveç këngëve popullore që janë të shumta në krahinën e Lumit të Vlorës dhe në Labëri, kanë shkruar për të edhe Mexhit Kokalari në librin “Trima të kryengritjeve popullore”, si dhe në historikun e Smokthinës.
Një veprim i madh patriotik
Bijtë dhe bijat e fshatit Bashaj të Smokthinës, ashtu si vite më parë ku qendrën së fshatit i vendosën emrin e Cane Myftarit, nën kujdesin e shoqatës së fshatit, bënë të mundur ngritjen e një busti në këtë shesh. Ky është një veprim i madh patriotik dhe duhet përshëndetur nga të gjithë, sepse në kohën e sotme është tepër e vështirë të kthehen sytë nga e kaluara heroike, dhe jo më të ngrihen buste, siç bënë këto ditë burrat dhe gratë e fshatit Bashaj. Ndaj nder dhe respekt për të gjithë Bashin për këtë gjest simbolik, por me rëndësi të madhe historike.
Sigal