Niko Hoxha, komandanti i shquar i reparteve të aviacionit luftarak shqiptar

2183
Fillota Koruni*

Lindi në shkurt të vitit 1926 nga një familje patriotike në Tragjas të Vlorës. Shkollën fillore e kryen në vendlindje. Në vitin 1938 fillon shkollën normale të Elbasanit, të cilën e përfundon në vitin 1942. Në këtë vit përfshihet në organizatat antifashiste me shokë të tjerë. Kthehet në Tragjas dhe inkuadrohet në formacionet e para partizane dhe më vonë në Brigadën V Sulmuese. Ka marrë pjesë në të gjitha luftimet që ka zhvilluar Brigada V nga jugu në veri, në Kosovë dhe Sanxhak, në Bosnje-Hercegovinë dhe në Vishegrad. Me krijimin e Brigadës V emërohet në fillim në detyrën e komisarit të kompanisë, përgjegjës i rinisë të batalionit si dhe më vonë përgjegjës i rinisë së Brigadës V. Pas çlirimit të vendit në vitet 1945-1948 Niko Hoxha kryen studimet në shkollën e aviacionit për pilot në avionët bombardues në qytetin Engels, të qarkut të Saratovit në ish-BS dhe pas përfundimit, nga shkurti i vitit 1949 dhe deri në maj të vitit 1952 mbaron studimet në Fakultetin e komandimit të Akademisë së lartë të forcave ajrore të BS, ndërkohë në periudhën e studimeve në Akademi specializohet për të fluturuar edhe me avionët luftarakë gjuajtës JAK-9P. Kthehet në Shqipëri në korrik të vitit 1952 dhe emërohet komandanti i skuadriljes autonome JAK-9P e dislokuar në Tiranë (atje ku sot është Pallati i Sportit “Asllan Rusi”). Nga fundi i qershorit të vitit 1954, së bashku me një grup pilotësh si dhe efektivë të shërbimit inxhiniero-teknik të skuadriljes shkojnë në BS për t’u specializuar, për të fluturuar dhe shërbyer me avionët reaktivë MIG-15 (pilotët në Groznji të Çeçenisë, në Kaukazin e Veriut, kurse teknikët në Volcke të qarkut të Saratovit. Pas mbarimit të studimeve, në mars të vitit 1955, efektivi inxhiniero-teknik me vaporin rus transoqeanik ‘OB’ vjen në Shqipëri së bashku me 28 avionët MIG-15, të vendosur në hambarët e anijes. Pas montimeve të avionëve në hangarin e skuadriljes së Jakëve nga efektivi ynë teknik të 28 avionët ngrihen në fluturim nga aerodromi i Tiranës drejtohen dhe ulen në aerodromin e porsa përfunduar të Kuçovës nga dy pilotë rusë që kishin ardhur për dorëzimin e avionëve. Në ditët e para të majit të vitit 1955 kthehet grupi i pilotëve në Shqipëri dhe krijohet regjimenti: “23 Peza i Kuçovës” gjuajtjes bombardues. Komandanti i regjimentit emërohet kolonel Niko Hoxha. Në 15 maj të vitit 1955 regjimentit iu dorëzua flamuri ushtarak, Kolonelit Niko Hoxhës nga zv.kryetari i kuvendit popullor, Myslym Peza. Ishte sfida e parë që iu paraqit komandant Niko Hoxhës për vënien në gatishmëri të regjimentit të aviacionit që krijohet për herë të parë në historinë e ushtrisë sonë kombëtare që nga krijimi i shtetit shqiptar. Dhe vështirësitë ishin të jashtëzakonshme. Në aerodrom përveç pistës së ngritjes e uljes të avionëve çdo gjë mungonte: Që nga bujtina e ushtarëve, mensa e tyre, të efektivit fluturues dhe teknik, zyrat e komandës, të shtabit, kryeinxhinierit, të skuadriljeve; mungonin klasat metodike si ajo e fluturimit,e qitjeve ajrore, të armatimit, avio-motorit etj. Dhe efektivi i regjimentit me në krye komandantin Niko Hoxha mundi t’i zgjidhë problemet e lartpërmendura deri në fund të vitit 1956. Filluan fluturimet, u vendos gatishmëria ushtarake (vija I dhe II me avionët Mig-15) dhe pilotë teknikë që qëndronin në gatishmëri. Rëndësi parësore kolonel Nikoja i kushtoi kuadrove,pilotëve dhe teknikëve. Efektivi fluturues nga 10 pilotë që fluturonin në Mig-15 pas vitit 1956-57 numri i tyre u ul në 5 (3 pilotë shkuan në BS për studime, kurse 3 të tjerë u transferuan në avionin IL-14, të avionit qeveritar; një tekniku i takonte t’u shërbente 3-4 avionëve. Dhe kolonel Niko mori iniciativën e guximshme që grupit të pilotëve që fluturonin në avionët me helikë P-2 dhe Jak-9P t’iu bëhej kalimi për të fluturuar në avionët reaktivë Mig-15; të krijohet kursi 1 vjeçar për teknikë avionësh për tipin Mig-15. Në vitin 1957 pilotët K. Andoni, L. Musai, B. Hitaj, K. Dede, S. Xhelo, T. Avdia, G. Kondi filluan të fluturonin dhe e kryen detyrën luftarake me avionët Mig-15,ndërkohë morën diplomën e teknikut të avionëve Mig-15 si dhe titullin e oficerit teknikët e rinj si Dh. Terpini, S. Gorica, Dh. Bitri, I. Harizi, L. Hajdini, K. Gjoni etj. Deri në vitin 1958 efektivi fluturues dhe ai inxhiniero-teknik kishin përvetësuar plotësisht teknikën reaktive; pra u plotësuan plotësisht pilotët tanë për të kryer detyra luftarake, siç ishin qitjet me armët e artilerisë kundër objekteve tokësore, qitje në lartësi stratosferike mbi 12 mijë metra me të tre topat e avionit si ditën dhe natën. Në prill të vitit 1958, nën drejtimin e komandant Nikos grupi i pilotëve që fluturonte natën në kondita të vështira meteorologjike mori titullin e Klasit I, dhe ishin Niko Hoxha,Vasil Trasha, Edip Ohri, Fari Bubsi, Haki Jupasi, Thanas Gjiknuri. Niko Hoxha Shquhej…ai do ishte i pari që përvetësonte detyrat e reja të programeve të fluturimeve dhe pastaj i kërkonte dhe tek të tjerët. Ky proces pune dhe metode pune i dha mundësinë të grumbullonte një përvojë të pakrahasueshme nga të tjerët, e cila shoqërohej me një autoritet të pa diskutueshëm. Atë do ta shikojë të parin duke fluturuar me Migun-15 duke qitur në Poligonin e Fushë-Kosovës (pranë Lushnjes), në stratosferë duke qitur me të tre topat apo dhe fluturuar në kondita të vështira meteorologjike dhe pas kthimit në këto detyra ai do t’i shpjegonte hollësisht pilotëve tanë mbi veçoritë në stërvitjet e lart përmendura. Niko si detyrë mbi detyrat zgjodhi atë të fluturimit me intensitet të lartë. Fluturohej nga mëngjesi deri në darkë me dy turne. Në vendin e komandës qëndronte gjithnjë Niko Hoxha dhe deri në vitin 1958, efektivi fluturues dhe ai inxhiniero-teknik, jo vetëm kishin përvetësuar teknikën e re, por u aftësuan të kryenin detyra luftarake në të gjitha kushtet e motit. Niko fluturonte në gjithë tipat e avionëve që ishin në organikën e regjimentit të Kuçovës. Në cilësinë e komandantit të regjimentit ka marrë pjesë në të gjitha stërvitjet ushtarake me trupat e zhvilluar në ushtrinë tonë. Duke drejtuar personalisht formacionet luftarake në ajër që nga, çifti katërshja, skuadrilja dhe deri në përbërje të regjimentit. Është për t’u theksuar pjesëmarrja e tij në formacionin luftarak të skuadriljes I të regjimentit në stërvitjen “Voskopoja” në vitin 1957… Ku skuadriljes iu vu si detyrë: Që të 12 avionët Mig-15 të asgjësonin objektivat tokësore në fushën e betejës. Në këtë stërvitje morën pjesë përveç personaliteteve të Ministrisë së Mbrojtjes apo të Shtetit por edhe: Ish-ministri i mbrojtjes të BS, Marshalli Zhukov. Ja se ç’më tregon shoku im, Myslym Gjoka përfaqësues i regjimentit të ish-Qytetit Stalin/Kuçovës që siguronte ndërlidhjen ndërmjet vend komandës të “frontit” dhe skuadriljes në ajër : “Kur u fut skuadrilja në sulme u skuq kodra nga zjarri,tymi dhe flaka… mbi kokat tona binin me qindra gëzhoja,unaza çeliku, 
një betejë e vërtetë”. Marshalli Zhukov 4 herë hero i BS duke soditur me kënaqësi veprimet e skuadriljes në ajër u shpreh: “Aviacioni më kënaqi tani në pleqëri…” Në këtë betejë u futën në sulm 12 avionë Mig-15 dhe me të 36 grykat e zjarrit të topave 23 dhe 37 mm, u hodhën rreth 600 predha të topave 23 mm, si dhe 200 predha të topave 37 mm. Pra një zjarr i përqendruar ku u hodh afërsisht një ton çelik. Skuadrilja u kthye në Kuçovë duke marrë me vete kurorën e lavdisë të kësaj stërvitjeje të madhe. Ishte një sukses për regjimentin, aviacionin tonë, ishte hera e parë që një formacion avionësh kaq i madh të merrte pjesë në një stërvitje luftarake me përdorimin e armatimeve dhe ky sukses u arrit si rezultat i një përgatitje serioze nga efektivi fluturues dhe inxhiniero-teknik i drejtuar nga komandanti i lavdishëm trim dhe guximtar Niko Hoxha. * Autori i këtij shkrimi F. K, ka qenë pjesëmarrës aktiv në këtë stërvitje luftarake. Ishte shefi i armatimit të skuadriljes I dhe personalisht me gjithë mekanikët e armatimit që përgatitën të 12 avionët (sistemet e armatimeve të 12 avionëve… ishte 22 vjeçar, oficer i ri dhe suksesi i parë në karrierën e tij ). Por sfidat e reja e prisnin trimin e Labërisë me krijimin e regjimentit gjuajtës bombardues të Rinasit. Në atë kohë Rinasi ishte një nga bazat më të rëndësishme për mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendit tonë, në veçanti të kryeqytetit tonë Tiranës. I kompletuar me avionë modernë të kohës MIG-19 PM interceptues (kapës) i pajisur me radio lokator si dhe raketat të telekomanduara RS2U. Në të gjitha kushtet e vështira meteorologjike, si dhe skuadriljen gjuajtës bombarduese Mig-17 F (i porsa ardhur nga Kina). Për veçoritë që kishin këta dy tipa nga njëri tjetri lindi nevoja që efektivi fluturues dhe inxhiniero-teknik të përvetësonte këta dy tipa në një kohë rekord. Edhe në këtë regjiment i bazuar nga eksperienca e tij Niko vuri në zbatim fluturimet me intensitet të lartë. Fluturohej me të dy tipat paradite dhe pasdite (natën) dhe fluturimi vazhdonte mbi 10-12 orë pa ndërprerje dhe kolonel Niko së bashku me Hajrulla Jubanin (kryeinxhinierin) nuk lëviznin nga vendkomanda e drejtimit apo zona nr 2 (ku bëhej kontrolli dhe përgatitja e avionëve për fluturimin e radhës). Por Niko Hoxha nuk mund të rrinte pa fluturuar edhe në avionët Mig-19PM. Edhe pse nuk kishte qenë për specializim jashtë shtetit për këtë tip dhe për një periudhë të shkurtër aty nga qershori-korriku i vitit 1962 fluturoi për herë të parë me avionin Mig-19 PM. Madje me këtë tip ai fluturoi dhe natën në kondita të vështira meteorologjike kur të tjerët i bënë bisht fluturimit me këtë tip që nga viti 1962, duke u kthyer në fluturimet me “Breshkat” e ajrit të Major “Bulleckinit” të aviacionit Rus. Me iniciativën e Niko Hoxhës u krijua dhe modifikua kursi i përgatitjes luftarake në kushtet e vendit tonë si një vend malor i thyer me sipërfaqe të kufizuara fushore dhe me një vijë bregdetare të gjatë. Për këtë u vunë në programet e fluturimeve ushtrime me grupe të vogla në lugina, qitje bombardime në terren malor, fluturime mbi det. Në këtë periudhë u zhvilluan qitje luftarake në objektet e lartpërmendura nga të dy regjimentet (i Kuçovës dhe Rinasit) duke përdorur armët e artilerisë, bombat e aviacionit si dhe raketat e pa drejtuara S-57-1. Qitjet janë zhvilluar në poligonin shtetëror të Divjakës, të Terpanit në Berat, në Sarisalltëk të Krujës, në Kukës, në Kolonjë, në Voskopojë, në Gjonomadh si dhe në objektet detare në poligonet e improvizuara në detin Adriatik. Dhe në këto stërvitje ka marrë pjesë dhe Niko Hoxha, është për t’u përmendur stërvitja në Kukës ku ai udhëhoqi skuadriljen e regjimentit të Kuçovës me qitje luftarake apo edhe të Kolonjës ku u imitua dhe hedhja e bombës atomike nga piloti Fari Bubsi. Nuk do të lëmë pa përmendur fluturimin e Niko Hoxhës me avionin Mig-17 F nga Rinasi dhe uljen për herë të parë në aerodromin fushor të Shtoit në Shkodër, në prill të vitit 1963. Atë ditë ai zhvilloi tre fluturime ngritje ulje në këtë fushë dhe konkludoi: Aerodromi fushor i Shtoit plotësonte të gjitha kërkesat dhe kushtet për kryerjen e detyrave me avionët gjuajtës bombardues Mig-17 F. Dhe pas dy javësh komplet skuadrilja Mig-17 F u ngrit nga Rinasi dhe u ul në fushën e Shtoit në Shkodër. Ajo qëndroi një javë dhe zhvilloi disa ditë fluturimi në atë fushë. Por Niko Hoxha shquhej nga të tjerët, jo vetëm për guximin, trimërinë, papajtueshmërinë me vendimet e gabuara të organeve të larta. Por edhe në plotësimin e detyrave ai vlerësonte shembullin personal. Atë do ta shikoje natën pranë avionit (që kishte pasur defekt gjatë fluturimit) së bashku me teknikun e avionit që punonte për likuidimin e defektit kur të tjerët shkonin në shtëpi. Në zonën nr 2 (me intensitet të lartë fluturimi) ku grumbulloheshin avionët pas fluturimit dhe ai së bashku me mekanikët (ushtarët) shtynte avionët për të rritur rendimentin e fluturimeve kur të tjerët nuk lëviznin nga kabinat e “gazeve” apo të “diagaçeve”. Më tipikja ishte rasti i qershorit të vitit 1964 kur një avion Mig-17 F doli jashtë piste në kanal dhe u dëmtua rëndë, u shkatërrua. Komisioni shtetëror i komandës së aviacionit nxori si konkluzion se avioni është i pa riparueshëm. Por kolonel Niko Hoxha nuk u pajtua me këtë vendim dhe ato ditë mblodhi shefat kryesore të specialistëve të ofiçinës dhe iu vuri si detyrë që ta studionin avionin dhe të dilnin me konkluzion, nëse ai riparohej apo jo, dhe mbas 5 ditëve të gjithë specialistët e ofiçinës morën angazhim para komandantit se janë të gjitha mundësitë që avioni të vihet përsëri në gatishmëri; dhe kështu mbas një pune prej 20-25 ditore duart e arta të specialistëve dhe mjeshtrit e ofiçinës vunë në gatishmëri avionin. Është për t’u theksuar se Niko Hoxha në gjithë periudhën kur punohej për riparimin e avionit me nr 227 nuk lëvizi, por qëndroi së bashku me punonjësit dhe kuadrot që riparuan avionin ditë e natë. Në fund të qershorit avioni Mig-17 F me nr bordi 227 pas riparimit u ngrit në ajër për kontrollin teknik nga piloti Kosta Dede… Nuk e lanë t‘i bënte oblotin (kontrollin teknik në ajër Niko Hoxhës) me pretekstin që bëhej kontrolli i avionit në ajër. Ja pra kush është Niko Hoxha. Dhe avioni Mig-17F me nr bordi 227 fluturoi në Rinas nga qershori i vitit 1964 deri në vitin 1966 kur kjo skuadrilje u transferua në regjimentin e Kuçovës. Niko Hoxhën do ta shikoje edhe në ekonominë ndihmuese ku zhvishte kallinjtë e misrit së bashku me ushtarët. Por më tipikja është kur ai refuzoi autorizimin e shtëpisë për të banuar në qytetin e Tiranës. Ja si u shpreh ai “Do të banoj në Valias me efektivin e regjimentit dhe ai banoi në Valias së bashku me bashkëshorten si dhe dy djemtë e tij deri në 20 tetor të vitit 1965, në ditën kur ndërroi jetë gjatë katastrofës ajrore në krye të pistës të aerodromit të Rinasit.. Ishte i pa arritshëm në forcat ajrore të aviacionit luftarak shqiptar në të gjitha kohërat. Niko Hoxha kishte një vlerësim të veçantë për efektivin inxhiniero-teknik. Për të, vendi i dytë pas asaj të vend komandimit të fluturimit do të ishte ofiçina e riparimit të avionëve. Pothuaj se një herë apo dy herë në javë kur nuk kishte fluturim ai do të shkonte në ofiçinë e takohej me mjeshtrit, specialistët dhe inxhinierët, bisedat zhvilloheshin me sinqeritet dhe shumë shoqërore… Bisedohej për aviacionin, perspektivat etj.. Ai vlerësonte ofiçinën dhe në përcaktimin e kuadrove që do të punonin; ai në radhë të parë vlerësonte përgatitjen tekniko profesionale dhe pastaj vinin të tjerat si: stazhi në ushtri, biografia etj… (siç ishin rregullat në atë kohë). Ai do të shprehej “Ke ofiçinë të fortë/Ke gatishmëri të lartë në regjiment”. Për vizionin e tij për ofiçinat e riparimit ja si do t’u shprehej ai kuadrove të saj në maj të vitit 1958: “Në vitin 1959 fushën e aerodromit do ta mbjellim me grurë dhe fitimet financiare që do të nxjerrim nga shitja e grurit do t’i vejmë në dispozicion të ofiçinës për zgjerimin dhe modernizimin e saj”. Por kjo dëshirë e Nikos nuk u realizua… Në vitin 1959 fushat e aviacionit me vendim të këshillit të ministrave kaluan nën administrimin e NBUVE (ndërmarrjeve bujqësore ) të ministrisë së mbrojtjes popullore dhe dëshira e Nikos nuk u realizua sa ishte gjallë. Kjo dëshirë e Nikos do të realizohej pas viteve 1967 kur u krijuan dhe modernizuan, jo vetëm ofiçinat e riparimit të avionëve në regjimentet, por edhe uzinat e riparimit të aviacionit si ajo e riparimit kapital apo dhe riparimit të mesëm që u ngritën në Kuçovë e Rinas. 
1- Në vitin 1952 në skuadriljen e Tiranës në avionin PO-2 armëtarët e skuadriljes e modifikuan e vendosën 1 mitraloz, si dhe 2 bomba aviacioni 50 kg dhe eksperimentimin (bombardimin) e realizoj Niko Hoxha në një nga poligonet e Shijakut.
2- Në vitin 1960 kur specialistët e ofiçinës së Kuçovës i vendosën avionit Mig-15 parashutë frenuese,në fluturim për ta eksperimentuar u ngrit përsëri Niko Hoxha.
3- Kur në vitin 1961 inxhinierët e naftës në bashkëpunim me inxhinierët e regjimentit të Kuçovës prodhuan për herë të parë vajgurin shqiptar në fluturim për herë të parë me avionin nr 32 u provua në ajër nga Niko Hoxha.
4- Në vitin 1964 specialistët e armatimit të Rinasit modifikuan avionin Mig -19PM duke e bërë edhe bombardues, i vendosën 6 bomba me një peshë maksimale 1.2 ton bomba. Bombardimi u krye nga Niko Hoxha në poligonin e Divjakës. U kryen tre bombardime duke hedhur në poligon 18 bomba aviacioni që imitonin peshën maksimale 3.5 ton. Por Nikos nuk iu shterën energjitë edhe për kontributin në rritjen e mëtejshme të teknikës së pilotimit të efektivit fluturues… Për të krijuar elitën e tyre edhe në regjimentin e Rinasit; për nxjerrjen e pilotëve të Klasit I . Kjo domosdoshmëri vinte nga fakti se avionët Mig-19PM kryenin detyrën luftarake edhe në konditat e vështira meteorologjike ditën dhe natën. Dhe në Rinas ne kishim vetëm dy pilotë të klasit I Niko Hoxha dhe zv.komandanti për fluturim piloti i Klasit I Haki Jupasi. Intensivisht filluan fluturimet me këtë tip në vitin 1962-1963 ; fluturohej në të gjitha kushtet si ditën dhe natën,dhe në fund të vitit 1963 të gjithë pilotët që fluturonin në avionët Mig-19PM morën titullin e Klasit të Parë dhe ishin Lulo Musai, Kosta Dede, Nastas Gjela, Çobo Skënderi, M. Hysaj, Bajazit Jaho, Gezdar Veipi dhe Ali Bulku. Ishte sukses i madh për aviacionin, ishte shkalla më e lartë e kualifikimit të pilotëve të lartpërmendur për kryerjen e detyrave luftarake në të gjitha kushtet e motit ditën me diell dhe natën me shi e dëborë… Aviacioni luftarak në të gjitha vendet e botës ka vlera të veçanta nga numri i pilotëve që kanë titullin e Klasit I. Dhe për marrjen e këtij titulli në aviacionin tonë luftarak, si grupi i parë në vitin 1958 në regjimentin e Kuçovës, si dhe grupi i dytë në vitin 1963 të regjimentit kanë meritë, jo vetëm pilotët që kam përmendur në këtë shkrim, por në veçanti organizatori dhe drejtuesi i këtyre grupeve, Piloti i Klasit të Parë, Kolonel Niko Hoxha. ( Pas vitit 1965 kur aviacionit do t’i mungonte i ndjeri Niko Hoxha, iu vu kryq nxjerrjes së pilotëve të Klasit I) . Nuk pati komandantë trima, guximtarë dhe vizionarë si ai për nxjerrjen e tyre. Niko Hoxha jetoi shumë pak por kontributi dhe veprimtaria e tij kanë qenë me vlera monumentale për forcat tona ajrore. Ajo që tronditi gjithë aviacionin tonë ishte katastrofa ajrore ku u vra komandanti ynë Niko Hoxha. Ato ditë aviacioni humbi trimin, guximtarin komandantin legjendar, Niko Hoxhën!
Veterani i aviacionit
Sigal