Niko FERRO/ Beteja për çlirimin e Lushnjës

2236
Sigal

Në grupin operativ për çlirimin e qytetit bënin pjesë batalionet e Brigadës VIII dhe XVI Sulmuese

 Pas Fierit, radhën për t’u çliruar e kishte Lushnja. Përpara se të organizohej sulmi përfundimtar, në fshatin Kasharaj u formua një shtab operativ me përfaqësues të komandave nga batalionet e Brigadës VIII dhe XVI Sulmuese. Ky shtab do studionte rrethanat e mundshme që do mbaheshin parasysh, duke filluar nga numri i forcave naziste, armatimi i tyre, forcat partizane e ato vullnetare që do mund të hynin në luftë. Në grupin operativ për çlirimin e qytetit bënin pjesë batalioni I, II, si dhe bateria e artilerisë e Brigadës XVI,  së bashku me batalionet II dhe IV të Brigadës VIII-të.

         Pasi u zunë pozicionet, beteja për çlirimin e  qytetin të Lushnjës, filloj të mërkurën më 17 tetor 1944 ora 21°°. Sipas dëshmive të partizanëve, në qiell nuk kishte hënë kjo e bënte të vështirë avancimin. Në të gdhirë të datës, 18 Tetor forcat e batalionit IV të Brigadës VIII Sulmuese, pasi likuiduan garnizonin armik në Karbunarë, çliruan fillimisht lagjen e Saravës dhe të Topalltis (Sot Loni Dhamo), këtu ata kryqëzuan zjarrin me forcat e batalionit i të Brigadës XVI në pikëmbështetjen tek Ura e përroit të Lushnjës, tek godina e Nënprefekturës dhe Zyrat e Rekrutimit, duke i pastruar këto. Sakaq, Batalioni I i Brigadës XVI likuidoi qendrën gjermane të vendosur tek “çezma e Mullirit” (sot Lulishtja) dhe tek shkolla bujqësore, (Sot Instituti i Kërkimeve Bujqësore), duke shpartalluar kështu rezistencën e fundit naziste. Pas më shumë se 11 orë përpjekjesh partizanët u futën fitimtarë në qytetin e Lushnjës. Në këto luftime mbetën të vrarë rreth 20 ushtarë gjermanë dhe u zunë rob 30 të tjerë. Ndërsa nga forcat partizane pati 4 të plagosur.

 Menjëherë partizanët fikën zjarrin në depot e drithit si dhe çmontuan të gjitha minat që ishin vendosur tek “Ura e Madhe”. Populli i Lushnjës, gjithë gëzim doli në rrugë, duke përqafuar me mallëngjim partizanët.[1]

Fig 1.  Pamje nga ish- qendra e Lushnjës në sfond ushtarë pushtues.

  Fig 2.  Pamje nga parakalimi i Partizanëve në ditën e çlirimit të qytetin të Lushnjës,  18 Tetor 1944

[1] Xh. Robo, M. Bozo, K. Bozo. Historiku i Lançit të rrethit Lushnjë. Tiranë 2005 f, 184