Nikaj-Mërturi dhe Malësia e Gjakovës në Betejën e Maraçës të vitit 1871

2194
Sigal

Prof. Dr. Lush SUSAJ

Një nga betejat me të ashpra për mbrojtjen e trojeve shqiptare është ajo që është zhvilluar në vitin 1871 në Maraçë e që është mbyllur me shumë humbje në njerëz, por me fitoren e mrekullueshme të shqiptarëve. Beteja e Maraçës e vitit 1871, dhe ato që e pasuan në vitet 1875, 1878, 1879, 1880, 1881, etj, kanë pasur për bazë hipokrizinë dhe tradhtinë e qeverisë dhe të administratës osmane që kanë hartuar dhe firmosur marrëveshjet antishqiptare, duke e konsideruar dhe trajtuar Shqipërinë si tokë të Turqisë, ndërsa shqiptarët si turq.

Në betejën e Maraçës së vitit 1871, vllaznitë dhe fiset e Malësisë së Gjakovës, kanë qëndruar në ballë të luftës sipas shprehjes së vjetër: “ku ashtë lufta ma e trashë”. Në dëshmitë e pjesëmarrësve të mbijetuar nga kjo betejë, thuhet se: “shqiptarët e kanë fituar këtë betejë duke ecur mbi grumbujt e kufomave që ngriheshin dhe zgjateshin rrugës nga kalonte flamuri i shqiptarëve”.

Beteja e Maraçës e vitit 1871, është zhvilluar në një kohë kur, në këto anë, sapo kishin ardhur armët e zjarrit për të cilat malësorët nuk ishin as të informuar dhe as të përgatitur. Dihet fakti që deri nga fillimi i shekullit të XX-të, malësorët e Veriut të Shqipërisë kanë shkëlqyer në betejat që janë zhvilluar trup me trup e ku janë përdorur thika, shpata dhe topuzi. Në këtë lloj betejash, një malësor përballonte dhjetë apo njëzet ushtarë të ushtrisë pushtuese. Këtë fakt e thekson edhe Frang Bardhit (1637), në një relacion për Vatikanin, në të cilin është shkruar: “Në Evropë nuk gjendën burra armesh më të mirë se këta kundër turkut, sepse 100 kësish vlejnë sa 1000 turq. Një i vetëm shkon e futet në mes 15 e 20-ve, gja e pabesueshme për ata që nuk e dinë me siguri”.

Lufta ndajë ushtrisë osmane dhe veglave të tyre nuk ka qenë as e shkurtër dhe as e lehtë. Në lidhje me mënyrën se sa “miqësisht” apo sa “vëllazërisht” janë trajtuar shqiptarët dhe sa “e lehtë” ka qenë mbijetesa e kësaj pjese Ilire-Dalmate të plazmës autoktone, po sjellim ndërmend vetëm njërën nga ekspeditat osmane të viteve 1431-1432, për të cilën Bitlisi ka shkruar se: “..luftëtarëve islamë, iu dha leja për të grabitur e për të plaçkitur. Këdo që gjetën nga të pafetë kryengritës e vranë pa mëshirë. Zunë shumë djem dhe vajza robër të cilët u shitën për katër ose pesëqind akçe. Kampi i ushtrisë islame u mbush me vajza të bukura plot naze si hyritë. Haremi i nderuar i shahut bujar u mbush plot me vajza të bukura, bardhoshe, që kundërmonin si jasemini”. Historia na tregon se si pjesa e popullsisë që nuk e pranoj barbarinë, as sundimin, as ndërrimin e identitetit, as mynxyrën e jetesës dhe as konvertimin sipas dëshirës së pashallarëve dhe bejlerëve, ose iku në Itali, ose iku Ukrainë ose u strehua në malet e thella të vendit duke organizuar qëndresën antiosmane dhe duke ruajtur kështu racën dhe vazhdimësinë e gjuhës dhe traditës shqiptare. Për mrekullinë e plazmës autoktone të konservuar në zonat e thella malore të vendit, Fallmajer ka shkruar se ”Arbëria kishte vdekur me të (nënkupto Skenderbeun). Arbëria ishte tanimë vetëm një trup i mbetur pa shpirt e frymë. Zotërve njëherësh aleatë dhe rivalë të tij – Thopia, Spanë, Zaharia, Dukagjinë, Muzakë, Skura, etj, do t’u duhej të zgjidhnin njërën nga disa rrugët. Një pjesë shpejtuan të hidhnin në dorë ngastrat e Arbërisë që kishin qenë dikur të tyret  dhe pranuan kompromisin duke u vënë në shërbim të pushtuesit dhe duke mohuar besimin e tyre dhe të të parëve të tyre, më shqip: duke tradhëtuar Jezu Krishtin – tradhti e tradhtive, me vdekjen e të cilin ishin pagëzuar brez pas brezi. Një pjesë tjetër më të vegjël se më të mëdhenjtë – parapëlqyen të tërhiqen në male për t’i ikur sundimit të pushtuesve me shpresën që do të mundnin ta vijonin qëndresën duke mos tradhtuar as kujtimin e prijësit dhe të luftëtarëve të tij, as besimin e të parëve. Pjesa tjetër, pa pranuar të poshtëroheshin në vendin e tyre, zgjodhën ta braktisnin atdheun, të iknin e të endeshin në brigje të huaja, qoftë edhe duke u deklasuar e duke lypur”. Këtë lloj ikje pa kthim e provoj edhe pjesa më e madhe e elitës, duke përfshirë edhe Gjon Muzakën që në testamentin e tij (1502) ikjen e ka quajtur: “mërgim mjerimi dhe mynxyre”.

Koha ka provuar më së miri që çdo devijim sado i vogël nga platforma skenderbejane-euro-perëndimorë dhe çdo minutë e jetës së shqiptarëve nën lëkurën otomane dhe orientimin sipas platformave orientale, nuk ka qenë asgjë më shumë se burimi i vërtetë i shkatërrimit të unitetit dhe territoreve shqiptare, skllavëri degraduese siç e ka quajtur edhe vetë Skënderbeu. Në lidhje me këtë përfundim të Skënderbeut, Villiam Setoni, ka shkruar: “Sado të rrekeshin venedikasit, gjenovezët dhe grekët moreotë të peshonin protë dhe kundrat për bashkëjetesë paqësore me turqit, Skënderbeu qe i mendimit se çmimi përfundimtar i një paqeje të tillë do të ishte skllavëria degraduese” (Seton, “The Papacy and the Levant, II”, f. 195)Koha e ka vërtetuar saktësinë e kësaj profecie apo përcaktimi politik dhe ushtarak të  Skënderbeut. Në betejën e vitit 1871, vullnetarët nga Nikaj-Mërturi, janë grumbulluar në vendtakimin e vjetër të luftës që quhet “Kodra e Bek Selimit” ntë Paplekaj të Lekbibajve. Nga aty, nën drejtimin e Bash Bajram Përpalit, Deli Bekë Vatnikajt, Bek Selim Paplekajt, Sokol Prel Nikprendaj (Susaj), kanë kaluar nga Qafa e Kolçit për me u bashkua me vullnetarët e tjerë që vinin nga Gashi, nga Krasniqja, nga Bytyçi dhe nga Berisha. Takimi i përgjithshëm i luftëtarëve që niseshin për në beteja bëhej tek vendi i quajtur “Vorret e Shalës”, është një livadh i madh në dalje të Cërnicës. Ndërsa në krye të forcave vullnetare të Gashit, Bytyçit dhe Berishës, kanë qëndruar Halil Brahimi, Ali Hoxha, Adem Selmani, Mal Dula, Niman Uka (flamurtari i Bytyçit), Brahim Bardhi, etj. Vullnetarët e këtyre vllaznive dhe fiseve kanë ndjekur rrugën e vjetër që në atë kohë kalonte nga Lumi i Tropojës, për në Sylbicë, më tej kalonte në Dobërdol, në Koplavë dhe kanë arritur në Plavë.

Ndërsa në krye të forcave vullnetare të Krasniqës kanë qenë: Man Avdi Mulosmani (flamurtari i Krasniqës 1863-1885), Binak Alia, Sokol Rama, Ali Ibra, Haxhi Brahim Bajraktari, Mul Dul Bajraktari, Shaqir Curri, Qerim Delia, Hoxhë Dollapi, etj. Më pas, forcat e Krasniqës dhe të Nikaj-Mërturit, kanë ndjekur rrugën tjetër që kalonte nga Gryka e Dragobisë për në Qerem, në Qafë Bori, në Vuthaj dhe kanë mbërritur në vendtakimin e përbashkët në Guci. Rruga nga Vorret e Shalës deri tek kroi i Ali Pashë Gucisë në Plavë, në atë kohë është bërë për 5-6 orë rrugë në këmbë. Vullnetarët e nisur nga Vorret e Shalës, por edhe nga vendet e tjera të Mirditës, të Pukës, të Hasit, të Luginës së Drinit, etj, gjithnjë grumbulloheshin tek vendi i quajtur “Kroi i Ali Pash Gucisë” që ndodhet rreth 4-5 km nga Plava. Pas ndarjes përfundimtare të detyrave dhe të fronteve të luftës sipas krahinave dhe fiseve, levizja drejt pozicioneve të betejave është bërë përmes rrugëve që shkonin për në Plavë, për në Guci, për në Rozhajë,  për në Hot, për në Maraçë, për në Pejë, etj.   Në betejën e vitit 1871, nga Malësia e Gjakovës janë vrarë dhe varrosur në Maraçë dëshmorët: Haxhi Brahimi (flamurtari i Gashit), Sokol Prel Nikprendaj (Susaj), Zeqir Ahmet Rexhaj (nga Babina), Bek Deli Dizdari dhe Kadri Sadik Osmaj (nga Berbati), Brah Hasan Hysenukaj dhe Muzli Rama (nga Kërrnaja), Maliq Bek Ramaj dhe Syl Bajram Zmakaj (nga Ahmatajt), Ram Hysen Hoxhaj (nga Paci), etj, të gjithë të moshës 22-35 vjeç. Në vitin 1971, me rastin e 100-vjetorit të kësaj beteje, vetëm një pjesë e vogël e këtyre dëshmorëve janë identifikuar dhe janë shpallur dëshmorë të atdheut. Ndërsa për ata që nuk patën pasardhës apo që pasardhësit e tyre kishin kundërshtuar regjimin komunist, nuk u kujtua askush duke i lënë në harresë . Në përgjithësi, për këto ngjarje dhe personazhet drejtuese të tyre që shkrinë çdo gjë që patën për trojet dhe kombin e tyre, është shkruar dhe është folur shumë pak. Në këtë harresë, përveç injorancës administrative dhe politikës konfliktuale, duket që ka ndikuar edhe fakti që në atë kohë, dëshmorët e Maraçës, të Janinës, etj, janë varrosur në fushën e betejës. Kështu, përveç mungesës së pasardhësve, ka ndikuar edhe mungesa e varreve, e përmendoreve dhe e fotografive të tyre në vendlindje. Në këtë mënyrë, në tekstet tona të historisë, për betejën dhe dëshmorët e Maraçës të vitit 1871 dhe të tjerat që e pasuan atë në Plavë, në Guci, në Hot, në Traboin etj., është folur dhe shkruar shumë pakë, pothuajse janë harruar.