Niazi NELAJ/ Rusja Zina me flokë të kuqërremtë, mikja e studentëve shqiptarë

772
Sigal

*ish aviator

 Ditari i aviatorit

 Në shoqërinë tonë nuk kishte vetëm djem të rinj, por, në shumicë shoqërinë tonë e përbënin vajzat. Vajzat ruse, të cilat, në kushtet e krijuara pas Luftës së Dytë Botërore, ndiheshin me fat kur arrinin të lidheshin me djem, sidomos kur ata vinin nga vende të tjerë. Disa vajza, të cilat nuk arrinin të krijonin lidhje serioze e nuk martoheshin, plakeshin të vetmuara. Të tilla vajza të mbetura pa u martuar, në zhargonin e përditshëm, vendasit i thërrisnin “Baba”.

Nënteksti i kësaj “nofke” ishte gjyshe (babushka). Në qytetin e Batajskut, në këtë kategori vajzash ishte dhe Zina. Meqenëse ajo i kishte flokët të kuqërremtë, ne e kishim “pagëzuar” : Zina me flokë të kuqërremtë. Ajo punonte në një uzinë mekanike të qytetit dhe merrte pjesë rregullisht në mbrëmjet e vallëzimit të të shtunave.

*   *   *

Zina kishte trup të gjatë dhe ishte elegante. Ajo vishej bukur e me veshje të shtrenjta. Siç duket situata ekonomike e saj, ishte e privilegjuar. Më tepër se pamja e jashtme, interesante ishte sjellja e Zinës. Ajo ishte tepër e shkathët dhe kishte prirje për biznes. Ishte njohur e kishte zënë shoqëri me një student shqiptar të vitit të tretë, i cili fluturonte në helikopterët MI-4. Gjirokastriti 24 karat, e kishte emrin Agron Asaf Galanxhi. Golja (kështu i thërrisnim), gjithashtu ishte i zgjuar e i shkathët dhe me prirje, si të Zinës. Të dy të rinjtë, u puqën dhe në prirjet e tyre tregtare e nisën një lloj biznesi, jo legal.

Sipas normave të Ushtrisë Sovjetike për trajtimin e studentëve ushtarakë, çdo studenti për pilot, në çdo muaj, përveç pagës mujore -100 rubla, i jepeshin dhe 20 paketa me cigare, “falas”. Paketat me 20 cigare, të markës “Prima”, kishin brenda duhanin më të dobët të tregut. E pinte apo nuk e pinte duhanin studenti, kapteri kujdestar, një herë në muaj i jepte atij paketat me cigare, që i takonin sipas rregullores. Në çështjen e furnizimeve të ushtarakëve me veshje e materiale të tjerë, sipas rregulloreve përkatëse, rusët ishin tepër rigorozë e të ndjeshëm. Në atë kohë, cigaren nuk e pija. Për “qejf”, në ndonjë rast e tymosja por paketë në xhep nuk mbaja. Si unë, kishte dhe mjaft studentë të tjerë. Për hir të së vërtetës, në treg kishte cigare të tjera, më cilësore, madje dhe të prodhimit shqiptar si “Durrësi”, “Partizani”, “Diamanti”, “Luks”etj. Këto cigare importoheshin nga vendi ynë me klering ( çonin në Shqipëri makineri e pajisje, me çmim të lartë e, në këmbim merrnin mallra ushqimore, mes tyre dhe duhan, me çmime qesharake ). Cigaret e prodhimit shqiptar, në tregun vendas shiteshin mjaft lirë por neve na jepnin për të tymosur duhanin që kishte mbetur në depo, si stok. Na vinte inat e revoltoheshim kur shikonim këtë padrejtësi të kohës. Ne që nuk e pinim duhanin, për ta “hequr qafe” këtë “dhuratë “ që na jepte rregulli sovjetik, kishim gjetur një mënyrë të thjeshtë dhe origjinale. Shoku ynë Agron Galanxhi dhe mikja e tij, rusja simpatike Zinaida, i merrnin cigaret tona, diku i shisnin( natyrisht, në tregun e zi), e neve na jepnin gjysmën e çmimit të tyre. Neve, që i kishim cigaret falas, na leverdiste ky lloj korrupsioni mbasi fitonim diçka, por dhe çifti i cili realizonte këtë allishverish, nuk mbetej pa gjë. Madje fitimi i tyre ishte i ndjeshëm dhe pa investuar. Të dyja palët e kishim pranuar kushtin dhe kishim rënë në ujdi. Me një valixhe lëkure, Agroni i sistemonte paketat tona të cigareve dhe sipas rastit, ose ia çonte ato Zinës, ose vinte ajo i merrte. Se çfarë bëhej më tej me ato cigare, ne nuk e dinim e nuk na interesonte; mjaftonte që neve na vinin paratë, “të thata”. Ishim me fat që s’kishim gjetur treg për atë palo duhan, i cili të mbyste në fyt dhe cigarja e përgatitur prej tij, nuk digjej deri në fund.Tregtia e Agronit dhe Zinës me cigaret tona “Prima” vazhdoi sa kohë ne qëndruam në qytetin e Batajskut (15 shtator 1961). Me fitimet që nxori nga shitja e cigareve tona dhe nga burime të tjera, Golja, si gjirokastrit i vërtetë, i zgjuar, i shkathët, i kursyer e guximtar që ishte, bleu një çifte dhe një komplet gurësh bilardoje. E dinte shoku ynë që, në Shqipëri, në atë kohë, armët e gjahut dhe gurët e bilardos, jo vetëm ishin mjaft të kushtueshëm por dhe nuk gjendeshin lehtë në treg. Ky ishte motivi që e shtyu Golen, ti futej këtij biznesi. Mbasi u kthye në Shqipëri e u titullua oficer, e u emërua pilot helikopteri, Agroni u bë gjahtar pasionant dhe lojtar me emër në bilardo.