Ngjarjet e vitit 1997, krim politik ende i pandëshkuar ligjërisht

1703
Nga Ergys ALUSHI
Shumica qeverisëse, e asaj kohe PS, dukej se nuk kishte as vullnetin për ta bërë një gjë të tillë, kurse opozita që kishte humbur pushtetin pikërisht për marsin e 1997, nuk ishte realisht e interesuar të zbardhej e vërteta
Raporti i Komisionit Hetimor i vitit 1998 për ngjarjet e 1997-s
Duket se shumica e shqiptarëve, por edhe e vlonjatëve në veçanti, e kanë harruar komisionin e parë hetimorë të ngritur nga Kuvendi për hetimin e ngjarjeve të vitit 1997, ku puna më e madhe hetimore është kryer në Vlorë. Kështu duhet të ketë ndodhur edhe me seancën plenare të Kuvendit të 11 shkurtit 1998, kur një nga bashkëkryetarët e këtij komisioni, avokati i njohur Spartak Ngjela do të raportonte në emër të komisionit për hetimet e kryera deri në atë kohë, madje,që në fillim të fjalimit të tij në Kuvend, Ngjela është treguar i kujdesshëm, kur është deklaruar se nuk do të shprehte vetëm opinionin e tij personal por të të gjithë anëtarëve të komisionit. Madje avokati, garantoi ndër të tjera se nuk do të publikonte asnjë material sekret, që komisionit i kishte rënë në dorë gjatë hetimit. Në opinionin publik shqiptar, i cili ende i kishte të freskëta në kujtesë ngjarjet e vitit 1997, ishin më shumë të interesuar për të gjetur shkaqet, të cilat në fjalën e tij në Kuvendin e 11 shkurtit 1998, zoti Ngjela, do t’i quante “shkaqet që çuan në çekuilibrimin e shoqërisë, qëndrimin e shtetit në lidhje me revoltat popullore, degradimin e tyre në përleshje me armë, mundësitë që ekzistonin për zgjidhje paqësore të situatës, domosdoshmërinë e vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme apo jo, ndërhyrjen e mundshme të shteteve të huaja e ndikimin e tyre e deri në emërimin si komandant të operacionit për të rivendosur ushtarakisht situatën të ish-kreut të ndjerë të SHIK-ut Gazidede”. Nëse zbërthen fjalën e asaj kohe në Kuvend të bashkëkryearit të komisionit, Ngjela, kuptohet se janë 9 pyetje, të cilat nëse në atë kohë do të kishin marrë përgjigjen e duhur të hetimit të komisionit, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive dhe të përgjegjësve, ajo ngjarje do të ishte ndëshkuar, por edhe nuk do të përsëritej më.
1997 nisi nga manipulimi i zgjedhjeve
Ja çfarë thuhet në raport për zgjedhjet e majit 1996, vetëm një vit më parë nga fillimi i ngjarjeve të rënda të marsit 1997. “Menjëherë mbas tyre ngarkesa politike e shoqërisë morri një trajtë të acaruar. Ajo mbeti e akumuluar në potencë për të gjetur rastin e shpërthimit në momentin e krizës financiare”. Nuk ka dyshim për çdo vlonjat, që periudha nga muaji korrik e deri në muajin nëntor të vitit 1996, ka qenë qenë periudha më e mirë e firmave piramidale, ndërkohë që në muajin dhjetor të po atij viti, ato shënuan edhe problemet e para financiare, që pasuan me mos shlyerjen e kredive dhe deri mbylljen e tyre.
Si pasojë, në Vlorë filluan grumbullimet e para të njerëzve dhe më pas protestat masive, që më pas gjeneruan në dhunë të armatosur dhe krijime bandash, dhe pikërisht në raportin e komisionit hetimorë të vitit 1998, të krijuar nga Kuvendi për hetimin e ngjarjeve të vitit 1997, sillen në vëmendje revoltat e ditëve të fundit dhe të para të vitit 1996 dhe 1997 si në Lushnjë, Berat, Vlorë, Elbasan, Gjirokastër, Fier dhe gjetiu tjetër në Shqipëri. Teksa sjell në vëmendje revoltat, komisioni thotë se revoltat nisën me kërkesën ekonomike “duam paratë tona”, ndërkohë që thotë se gjatë hetimit nuk ishte vërejtur se nuk kishte gjetur prova në përfshirjen e shtetit dhe qeverisë në krijimin e asaj që komisioni e quante “fenomenin banal financiar, por nënvizon inaktivitetin e saj në zgjidhjen e situatës”.
Kulmi i revoltave
Sipas raportit të lexuar në atë kohë në Kuvend nga avokati Spartak Ngjela, i cili ishte bashkëkryetarë në atë komision për ngjarjet e vitit 1997, kulmi I revoltave, regjistrohet në datat 24, 25, 26 dhe 27 janar 1997. Ky është dhe momenti, që sipas raportit, revoltat marrin karakter politik dhe në krye të tyre vendosen drejtues të opozitës së kohës, ndërsa ish-presidenti Berisha, “ndërmerr takime në Berat, Gjirokastër e gjetkë, për të dhënë argumente se qeverisja aktuale i ka mundësitë për të kapërcyer krizën aktuale”. Por krahas takimeve, ish presidenti i asaj kohe, Berisha,në datën 26 janar 1997, do të autorizohet nga Kuvendi i atëhershëm, për të përdorur forcat e armatosura, me qëllim rivendosjen e rendit publik. Por sipas raportit, autorizimi u tejkalua, sepse Berisha nuk i përdori forcat e armatosura për të mbrojtur institucionet, por ato me urdhër të tij,marrin funksione policore. Si rrjedhojë e kapërcimit të vendimit të Kuvendit, ushtrisë i bëhen kalim kapital mjete të blinduara dhe ca më shumë, një brigadë tankesh urdhërohet të lëvizë në drejtim të zonës së nxehtë të protestave, në Fier. Raporti nënvizon se edhe ato ekuilibra krejt të brishtë në rendin publik të asaj kohe, u shpërbënë në ditën e ngjarjes kundër SHIK-ut në Vlorë, moment kur nis armatosja e popullsisë,e cila pasohet me vendosjen e Gjendjes së Jashtëzakonshme ne vend. Për këtë moment mjaft delikat dhe me pasoja, raporti citon ndër të tjera se “… menjëherë mbas vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme shohim se në mënyrë të rrufeshme në të gjithë territorin e Shqipërisë shpërthehen depo ushtarake dhe popullsia civile armatoset në mënyrë spontane dhe të pakontrolluar me rreth 1 milion armë…” Dhe për më shumë, verifikohet me dokumente, se në këtë periudhë, Ministria e Brendshme, Garda dhe SHIK-u “u shpërndan armë me preferenca politike civilëve…, çka opinioni me gjasë e ka konsideruar si diferencim shoqëror për situatën që po kalonte vendi”. 
Raporti vazhdon:
“Mendojmë se administrata e lartë shtetërore e ka humbur ekuilibrin në këto çaste dhe me mendje ngushtësi e ka konceptuar revoltën që kishte plasur në Jug si një përplasje zonale Jug-Veri. E themi këtë edhe sepse në materialet e pjesshme që disponojmë, edhe mobilizimi i pjesshëm bëhet vetëm në zonat veriore…”. Dhe më tej akoma, raporti përfshin dhe një nga çështjet më të debatuara dikur në vend, rolin e SHIK-ut në përgjithësi dhe në ato ditë tragjike në veçanti: “Me keqardhje konstatojmë se SHIK ka dalë jashtë strukturës së tij ligjore… dhe ka ndjekur dhe survejuar opozitën në veprimtarinë e saj politike…”
Fundi i raportit
Raporti dhjetëra fletësh, dëshmish e ngjarjesh, dosjesh dhe urdhra, padyshim që është mbështetur në dëshmi njerëzish të thjeshtë e deri zyrtarë të lartë të asaj kohe, në të cilën ndodhën trazirat e vitit 1997. Dhe ja se çfarë thotë ky raport në faqet e fundit të tij, në lidhje mbi personat që kanë dëshmuar; “Personat e pyetur nën hetim dhe që na rezultojnë me përgjegjësi dhe duhen pyetur nga komisioni janë: Bashkim Gazidede, ish-shef i SHIK-ut, Agim Shehu, ish-zëvendësministër i brendshëm, Xhafid Xhaferri, ish-komandant i gardës, Safet Zhulali, ish-ministër i mbrojtjes, Sheme Kosova, ish-shef i shtabit të përgjithshëm, Leonard Demi, Shaban Memia, Ali Koçeku, Halit Shamata e të tjerë…”.
1997, një krim politik i pandëshkuar ligjërisht
Raporti për hetimin e ngjarjeve të vitit 1997, u prit në atë kohë nga opinion shqiptarë, me shpresën dhe besimin se shkaktarët e atyre ngjarjeve, kryesisht të vitit 1997, do të ndëshkoheshin, me qëllimin që ngjarjeve të tilla, të mos përsëriteshin më në Shqipëri.

Por në të vërtet nuk ndodhi ashtu si pritej.
Raporti u la në harresë shumë shpejt, sepse shumë shpejt në Shqipëri ndodhën të tjera ngjarje të rënda, si ajo e 14 shtatorit 1998, e cila mund të shërbente si një shkak për përsëritjen e ngjarjeve të vitit 1997. Shumica qeverisëse, asaj kohe PS dukej se nuk kishte as vullnetin për ta bërë një gjë të tillë, kurse opozita që kishte humbur pushtetin pikërisht për marsin e 1997, nuk ishte realisht e interesuar të zbardhej e vërteta. Askush nga këta emra nuk është marrë në përgjegjësi penale deri më sot dhe një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur më kurrë, dhe jo vetëm për shkaqe ligjore e procedurale. Një pjesë e tyre janë deputetë, zyrtarë të lartë shtetërorë në administratën e vjetër dhe të re të ish-presidentit Berisha,sot kryeministër i vendit.
Ja çfarë rrezikojmë
Harresa është nëna e përsëritjes së gabimeve! Kështu thotë një fjalë e mençur njerëzore, e nxjerrë nga përvoja të shumta dhe eksperienca njerëzore dhe kolektive. Një fjalë e mençur, e cila më shumë se në çdo vend tjetër të rajonit dhe më gjerë, gjen vend në Shqipëri.

Nëse do të ishin ndëshkuar shkaktarët e ngjarjeve të vitit 1997, a do të përsëriteshin ngjarje si ajo në Shqipëri? Nuk ka dyshim që, jo, nuk do të përsëriteshin.

Nuk do të kishte as 14 shtator 1998. Nuk do të kishte as ngjarje si ajo e pas referendumit për formën e regjimit, që nxori në protestë, deri të armatosur, Leka Zogun.

Nuk do të kishte ngjarje si ajo e protestës së PD, me parullën “Nano Ik”.
Nuk do të kishte as ngjarje si ajo e 21 janarit 2011 në Tiranë, ku nga një demonstratë e opozitës, mbetën të vrarë 4 demonstrues. Në Shqipëri ka ndodhur rëndom ngjarje të rënda dhe, po kaq rëndom, janë ngritur edhe komisione hetimore parlamentare, të cilat ndryshe për çfarë janë krijuar, kanë shërbyer për mbylljen e ngjarjeve dhe shmangien e gjetjes të përgjegjësive dhe përgjegjësve.

dhe në të tilla kushte, Shqipëria dhe shqiptarët vazhdojnë të vriten për shkak të politikanëve të papërgjegjshëm dhe të detyrohen për të harruar dhe për të mos ndëshkuar, po prej politikanëve të papërgjegjshëm, të cilët mbrohen pikërisht pas krijimit të komisioneve parlamentare
Sigal