Nga Mesapliku në Përmet me Liri Arapin

947
Abaz HOXHA

Nëpër rrugët e luftës 
Ndodheshim në malin e Beunit, aty ku 24 vjet më parë u mblodhën mbi 2000 patriotë shqiptarë që përgatitën sulmin dhe dhanë ultimatumin forcave italiane për çlirimin e Vlorës. Një ditë më parë kishim bërë një marshim të vështirë dhe kaluam lumin e Shushicës në këmbë. Nga djersa dhe e lagura unë mora një të ftohtë dhe më hipi një temperaturë e lartë dhe një kollë e fortë. Aty mora “vulën e parë” në mushkëri gjatë luftës. Kjo u bë shkas që më në fund im vëlla, Lufteri, dhe shokët e tjerë të ma mbushnin mendjen përfundimisht për të kaluar provizorisht në krahinën e çliruar të Mesaplikut sa të shërohesha. Këtë kërkesë ma kishin bërë disa herë nga që isha i vogël, por unë nuk kisha pranuar. Shkova në fshatin Ramicë ku banonte daja im, Lavdosh Zotaj por, meqenëse atje shtëpitë e tyre ishin djegur nga operacionet armike vajta në Mesaplik ku ata kishin një shtëpi tjetër tek rrepet e Mesaplikut që tashmë quheshin “Rrapet e Ismail Qemalit”, pasi aty, në vitin 1908 ishte mbledhur gjithë populli i krahinës, se patrioti do të bënte një takim me popullin për të shpalosur projektin e tij për t’u zgjedhur deputet ne Parlamentin e Stambollit. Në atë kohë ai ishte miqësuar me gjyshin tim patriotin Zaçe Xhelo Zoton dhe kishte fjetur dy net në ato shtëpi në të cilën tani banonte djali i tij, Lavdoshi ku unë u strehova. Në konakët e Zaçe Xhelos u mblodh Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare dhe te rrapet u bë një miting i madh ku foli edhe Zaçe Xhelo. Atje u krijua edhe Këshilli i Luftës prej 35 vetash dhe anëtar i këtij Këshilli ishte edhe Zaçe Xhelo. Po në këtë shtëpi, në ato vite ishin strehuar disa herë edhe miqtë e tjerë të gjyshit Luigj Gurakuqi- ish ministër i qeverisë së Vlorës dhe Shtjefën Gjecovi. Ai ishte një nga organizatorët dhe drejtuesit e kryengritjes kundër pushtuesve italianë në vitet 1919-20. Në atë kohë bashkë me familjen e dajës tim banonin edhe tre italianë që ishin strehuar kur Italia kish kapitulluar, mbas Luftës së Drashovicës që ishte në fakt përplasja e parë e madhe me trupat gjermane, të cilat kishin zëvendësuar ato italiane që kishin kapitulluar. Të tre italianët ishin togeri Okipindi Xhuzepe, reshteri, inxhinier Biaxhio Simoneti dhe ushtari babaxhan nga jugu i Italisë –Virxhilio. Në luftën e Drashovicës im ungj kishte marrë një pushkë moderne gjermane me dylbi me dhjetë fishekë, të cilën e kish ndërruar me një automatik të oficerëve italianë dhe e mbante me kujdes sikur ta kishte një fëmijë të privilegjuar duke i qëndruar gjithmonë sipër duke e pastruar. Kishin kaluar disa muaj nga koha kur kisha qenë në repartet partizane dhe tashmë mezi prisja ditën që të bashkohesha përsëri me ta. Këtë radhë nuk ishte vetëm ndjenja patriotike e kultivuar nga familja dhe populli historikisht patriot i Tragjasit, por doja të hakmerresha edhe për vëllanë tim dëshmor, Kujtimin, i cili dha jetën në moshën e tij më të njomë për t’i shërbyer Atdheut në kushtet e vështira të Operacionit të Dimrit. Por forcat e Brigadës së Pestë ku unë doja përsëri të shkoja, mbasi atje kisha shumë bashkëfshatarë e të njohur, kisha edhe vëllanë tim të madh, Lufterin dhe kushëririn e parë, Niko Hoxhën, tashmë ishin transferuar për në krahinën e Përmetit në mbrojtje të Kongresit që do të zhvillohej atje dhe në krahinën e Mesaplikut, ato ishin zëvendësuar me ato të Brigadës së 6-të. Prandaj po kërkoja mundësinë për të kaluar në Përmet dhe këtë nuk mund ta bëja vetëm. Dhe rasti i volitshëm erdhi. Një ditë me diell kur daja im ishte duke rrjepur një qengj me rastin e 14-vjetorit të lindjes sime, dhe bashkëshortja e tij Afërdita kish shkuar buzë lumit të Shushicës për të larë rrobat, erdhi aty Liri Arapi, një veterane e orëve të para, motra e Vllas Arapit një nga komunistët dhe luftëtarët e parë dhe e Fatos Arapit që kish qenë shok shkolle me vëllanë tim Kujtimin. Lirinë e njihja që kur isha në Tragjas se ajo vinte shpesh atje me detyra për mobilizimin e grave dhe të vajzave në Luftë. Vetë Liria nuk ishte më shumë se 22-23 vjeçe, por një vajzë e qeshur, kurajoze, e devotshme, trime dhe e pa përkulur. Gjithë familja e saj ish hedhur që në ditët e para të pushtimit në luftë kundër fashistëve. Veprimtaria e tyre patriotike kish rënë në sy të armiqve pushtues dhe bashkëpunëtorëve të tyre, prandaj ata u detyruan të linin qytetin e tyre të lindjes, Vlorën dhe të dilnin malit në zonat e çliruara. Në çantën e saj Liria mbante një pistoletë, poshtë bluzës një gjerdan me fishekë të revolverit si dhe dy-tre bomba dore për çdo rast, nëse do kishte ndonjë përballje me fashistët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Ishte nisur e vetme me detyrë për të shkuar në Përmet. Ky ishte një guxim i veçantë për një vajzë të re që ndërmerrte një udhëtim kaq të gjatë e njëkohësisht të rrezikshëm, se në çdo çast mund të ndeshesh me forcat e armikut që kishte vënë gjithandej postblloqe ose kalonin pa ndërprerje patrulla ushtarake për të penguar lëvizjen e forcave partizane në drejtim të Përmetit ku ata kishin njoftime, se do zhvillohesh një Kongres, prandaj kishin mobilizuar forca të mëdha gjermane e mercenare. Gjeta rastin dhe e shkëputa nga biseda që po bënte ajo me dajën tim, Lavdoshin, të cilin e njihte prej kohësh, kur mësova se do shkonte në Përmet e hoqa mënjanë duke i thënë se donte ta takonte edhe Afërdita që po lante rrobat buzë lumit dhe rrugës kur po e shoqëroja i shpreha dëshirën time që të shkonim bashkë në Përmet. Liria fillimisht u çudit, i erdhi e papritur që unë ende fëmijë doja të shkoja në mal, por kur mori vesh se unë kisha qenë një herë dhe im vëlla, Lufteri, të cilin ajo e njihte dhe e kishte shumë për zëmër, më kish dërguar në Mesaplik sa të shërohesha, duket ndërroi mendje. Mbi të gjitha ajo mendonte për tim ungj i cili do ta quante një pabesi nga ana e saj që më mori me vete kur edhe vëllai tjetër ishte vrarë dhe ai e kishte një plagë të rëndë, se kishim mbetur jetim që të vegjël dhe Lavdoshi dhe motrat e tij Sefirea dhe Ifeti na kishin rritur si fëmijët e tyre. Por propozimi im Lirisë i erdhi edhe mirë mbasi këtë udhëtim të gjatë nga Mesapliku në Përmet tashmë nuk do ta bënte e vetme, por do kishte edhe një shok, ndonëse ende një fëmijë. Prandaj, ndonëse me shumë hezitim dhe pikëpyetje, pranoi kërkesën time. Mbasi u takua dhe u përshëndet me Afërditën ajo shkoi t’i jepte lamtumirën edhe tim ungji, Lavdoshit, ndërsa unë ika dhe e prita te rrapet e Mesaplikut. Filluam marshimin e gjatë, aventuror me shumë të papritura. Përshkuam luginën e Mesaplikut dhe dolëm në fshatin e Kuçit ku disa çobanë na dhanë qumësht e bukë misri, jo vetëm për të ngrënë aty, por edhe bukë e djathë për ta marrë me vete gjatë udhëtimit tonë. Ndonëse ishte një udhëtim në vende malore që duhej të ngjiteshe dhe të zbrisje shkrepave me rrugë e pa rrugë që unë nuk e kisha provuar asnjëherë, përsëri isha i gëzuar dhe krenar që më në fund arrita të plotësoj dëshirën time për t’u bashkuar përsëri me repartet partizane të Brigadës së Pestë që ishte bërë shumë e njohur në të gjithë zonën e parë operative Vlorë-Gjirokastër si brigade e flakës dhe e zjarrit dhe që kish përshkuar një rrugë të lavdishme dhe heroike në beteja të shumta flakë për flakë me pushtuesit dhe u kishte shkaktuar atyre humbje të mëdha. Nga Kuçi u ngjitëm përpjetë në të majtë në drejtim të fshatrave të Kurveleshit të Sipërm. Udhëtim i vështirë me shumë të përpjeta, u lodha jashtë mase por veten nuk e jepja para bashkudhëtares sime, Lirisë. Në Qafën e Gomares u ulëm pranë një burimi dhe u freskuam e hëngrëm diçka nga ato që na kishin dhënë blegtorët e Kuçit, sigurisht bukë misri dhe djathë. Mbas pak vazhduam rrugën drejt fshatit të Progonatit, Golemit, Gusmarit dhe Nivicës. Në një të përpjetë, një faqe mali në anën e pasme të malit të Çipinit, takuam misionin anglez që shoqërohesh nga përkthyesi Qazim Thanasi ,i cili dinte anglisht se kishte mbaruar shkollën teknike të Fulcit në Tiranë. Që të dy e njihnim Qazimin dhe deshëm të përshëndeteshim me të alla shqiptarçe, por ai u tregua shumë i rezervuar dhe na e priti me një dhënie të ftohtë dore dhe me, si jeni. Të dy shikuam njëri tjetrin për këtë ftohtësi të tij. Ndërsa anglezët na përshëndetën vetëm me një Hello, dhe vazhduan bisedën midis tyre duke më shikuar me vëmendje mua që isha ende një fëmijë që po udhëtonte në këto male të ashpra të Kurveleshit i shoqëruar nga një vajzë e re. Ata kishin hapur kutitë e mishit të hedhura nga avionët e tyre dhe duke u mbllaçitur shikuan edhe një herë nga ne me përçmim dhe e hodhën kutinë që ishte përgjysmë e pa konsumuar sikur talleshin me ne. Më pas hapën disa çokollata dhe filluan të mbllaçiteshin e përsëri i hodhën tej gati gjysmë të konsumuara. Ne përsëri shikuam njëri tjetrin dhe më pas edhe Qazimin, i cili as nuk ndërhyri për këtë sjellje jo dinjitoze të shoqëruesve të tij, të cilët as nuk denjuan të na ofronin diçka nga ato që po hanin duke e ditur fare mirë se ne ushqeheshim keq dhe vetëm me bukë misri. Kjo sjellje dhe ftohtësi e tyre më la një shije të hidhur dhe përbrenda ndjeva një urrejtje për sjelljen e tyre. Megjithatë ne u ngritëm dhe u nisëm duke u dhënë një përshëndetje të ftohtë grupit të misionit anglez që po udhëtonte gjithashtu për në Malin e Çajupit. Vazhduam rrugën përpjetë për në Nivicë e Progonat, Golëm, Gusmar dhe dolëm në faqen tjetër të krahinës së Kurveleshit deri sa mbërritëm në Picar. Atje u ulëm për t’u çlodhur, por unë po shikoja i mahnitur luginën e lumit Drinos dhe në veçanti nuk po ngopesha nga pamja e Grykës së Mezhgoranit, Çajupi dhe në të djathtë që dukej prej së largu edhe Gjirokastra dhe mali i zhveshur i Sopotit. Ishte hera e parë që dilja në këto anë, por ato që kisha përpara më magjepsën dhe e harrova lodhjen e madhe nga ky udhëtim i gjatë e i vështirë. Pas një pushimi u nisëm poshtë drejt luginës gati duke vrapuar mbasi faqja e kodrës kishte një pjerrësi të madhe sa që këmbët nuk të zinin dhe. E patëm të vështirë të kalonim lumin mbasi ai kishte thellësi por dy fshatarë ndihmuan duke na nxjerrë matanë me ndihmën e një trapi që ishte diku afër vendit që quhet Izvori ose Uji i Ftohtë. Kur zbritëm në luginë u përpoqëm të qëndronim sa më larg rrugës kryesore për t’iu shmangur ndonjë ndeshjeje të papritur me patrullat gjermane ose të mercenarëve që i shoqëronin ata. Filloi beteja më e vështirë në marshimin tonë të gjatë. Po i ngjiteshim të përpjetës thikë të malit të Çajupit duke lënë në të majtë grykën e Mezhgoranit dhe Lekëlin. U lodhëm jashtë mase e kullonim në djersë ndonëse ishte Pranverë dhe ende nuk kish filluar vapa e madhe. Por kur u ngjitëm në mal, ç’të shihje, një mrekulli e vërtetë. Dukej sikur qëndroje në një ballkon dhe i mahnitur po shihja gjithë luginën e Drinosit dhe Gjirokastrën për karshi. Para nesh u zbuluan fusha të gjëra dhe kullota ku blegërinin shqerrat dhe bagëtitë dhe tringëllonin zilet e këmborët e tyre. Kundërmonte aroma e lule fsakës dhe trëndelinës. Gumëzhinin bletët që lundronin mbi lulet dhe uleshin thithnin prej andej nektarin dhe ngriheshin përsëri duke shkuar në drejtime të ndryshme. Një pamje fantastike që e kam kujtuar gjithë jetën. M’u kujtua poeti Andon Zako Çajupi dhe vargjet e tij që na i recitonte në shkollë babai dhe drejtori i shkollës së Tragjasit, Tahir Hoxha. Aty u binda se nga e kishte marrë gjithë atë frymëzim poeti i madh. M’u kujtuan vargjet e tij dhe fillova t’i këndoja me mend duke i përsëritur disa herë gjatë udhëtimit tonë të mëtejshëm për në Sheper, ndonëse Liria më kishte folur disa herë dhe unë i përqendruar në vargjet e Çajupit as që i isha përgjigjur. Në Sheper mbërritëm aty nga data 2 Maj. Forcat partizane të Brigadës së Pestë sapo ishin larguar për në Përmet me qëllim për t’u shpërndarë në zonat e caktuara të luftimit. Aty gjetëm një gjallëri të veçantë. Dukej sikur ishim në rrugët e një qyteti. Partizanë e popull venin e vinin gjithë ditën, furnizime dhe lëvizje kuajsh të ngarkuar me municione e ushqime që shkonin në drejtim të malit të Dhëmbelit. Atje ishte vendosur baza e furnizimit me ushqime dhe armë e reparteve partizane që pak ditë më parë ishin nisur për në frontet e luftimit në mbrojtje të qytetit të lirë të Përmetit ku do zhvillohej Kongresi. Furrat e fshatit punonin pa ndërprerje dhe aroma e këndshme e bukës së misrit të kënaqte shpirtin. Mbasi pushuam aty 1 ose 2 ditë dhe na furnizuan me ushqime iu ngjitëm lart malit të Dhëmbelit dhe prej andej zbritëm në Përmetin ku ziente hareja. Nga mali i Dhëmbelit edhe lugina poshtë e lumit Vjosa kishte një pamje fantastike. Aty pashë burimin e frymëzimit të poetit tjetër të madh, Naim Frashëri, aty e pashë me sytë e mi ku e kishte burimin ajo dashuri e jashtëzakonshme për vendlindjen e poetit tonë të madh që e kishte derdhur në vargjet e tij të paharrueshme “Bagëti e Bujqësi”. Çajupi, Lugina e Vjosës do të ishin pikënisja e një frymëzimi të veçantë për mua që më bëri edhe më të vendosur për të luftuar në mbrojtje të atdheut ndonëse ende një fëmijë. Kjo dashuri do të më shumëfishohej më tej gjatë inkursionit të gjatë të Brigadës së Pestë ku unë u inkuadrova në rrugën e gjatë dhe të vështirë luftarake drejt Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut, ku u njoha imtësisht me vendin tim dhe e dashurova atë duke u betuar se do të isha i gatshëm të jepja edhe jetën për mbrojtjen e tij. Unë me Liri Arapin mbërritëm në Përmet aty rreth datës 4 maj, para se të fillonte Kongresi. Forcat partizane të Brigadës së 5-të bënë një parakalim demonstrativ para popullit të Përmetit para se të niseshin për në rajonin e caktuar për t’u përballur me forcat gjermane dhe mercenare që po përpiqeshin të çanin në drejtim të Përmetit për të ndalur zhvillimin e punimeve të Kongresit. Më 5 dhe 6 Maj ato u instaluan në një sektor të gjerë rreth 40 km që shtrihej nga pjerrësia lindore e malit të Nemërçkës dhe gjer në Qafë të Qarrit nga krahu i majtë. Ajo duhej të përballonte goditje të fuqishme të forcave të mëdha armike, të cilat të përqendruara përpara rajonit të saj të mbrojtjes në qytetet e Janinës dhe të Korçës, kishin nxjerrë reparte të fuqishme në Ersekë, Leskovik dhe Perat. Drejtimet gjatë rrugëve automobilistike Korçë-Leskovik dhe Janinë-Perat i jepnin gjithashtu mundësi armikut jo vetëm të lëvizte forca të mëdha të motorizuara, por edhe t’i përqendronte ato në një kohë shumë të shkurtër nga drejtime të favorshme dhe t’i hidhte në luftë për pushtimin e qytetit të Përmetit. Në këto kushte brigadës i dilte për detyrë jo vetëm të bënte një mbrojtje aktive të kombinuar me goditje të befasishme, sidomos gjatë rrugëve automobilistike Tri Urat-Çarçovë-Përmet dhe Korçë-Ersekë-Leskovik, me qëllim që të mbyllej me çdo kusht, sidomos drejtimi kryesor Çarçovë-Përmet dhe ai ndihmues Ersekë-Frashër-Përmet. Gjermanët bënë provën e parë për t’u futur në zonën e mbrojtjes duke dërguar një repart të vogël zbulimi në datën 9 maj në drejtim të fshatit Çarçovë. Zjarri i kryqëzuar i batalioneve të I-rë dhe III likuiduan menjëherë të gjithë skuadrën. Në 10 maj ata u orvatën përsëri në drejtim të Çarçovës, por këtë radhë me një forcë prej 50 vetësh, por të dy batalionet e mësipërme në bashkëpunim me çetën partizane të Leskovikut mundën t’i rrethonin plotësisht dhe pas 6 orë luftimi 10 prej tyre u vranë, 25 u kapën rob. Këta robër u dërguan në Përmet. Gjermanët, pas këtyre luftimeve me karakter zbulimi, me forca të tjera, deri në një regjiment këmbësorie, të mbështetura me artileri, u përpoqën të çanin me çdo kusht në drejtim të Përmetit, duke i përqendruar forcat kryesore gjatë bregut perëndimor të lumit Vjosa në drejtimin Biovizhdë-Përmet, kurse mjetet e motorizuara e të artilerisë gjatë rrugës automobilistike Çarçovë-Përmet. Forcat e batalionit tonë të parë dhe të tretë i mbajtën me këmbëngulje pozicionet e tyre dhe me luftime mbrojtëse heroike i detyruan gjermanët të hiqnin dorë nga sulmi mbi Përmetin nga ky drejtim. Dy-tre ditë para Kongresit/ 20 ose 21 Maj/ robërit gjermanë bënë një parakalim demonstrativ nëpër rrugët qendrore të Përmetit. Kjo shkaktoi një entuziazëm të madh në banorët e qytetit dhe tek partizanët. Banorët nuk kishin parë asnjëherë kaq shumë robër gjermanë.


Sigal