Nga fronti i Luftës, në shkollën e kadetëve

311
Partizani Destan Hamiti, kadet i 28 marsit 1945 dhe edukator i skënderbegasve
Destan Hamiti është një nga skënderbegasit që erdhën nga radhët e partizanëve dhe u ulën në bankën e kësaj shkolle me emër që në ditën e hapjes së saj, më 28 mars 1945. Në historinë e ushtrisë shqiptare, që nga përpjekjet e përgjakshme në Luftën e Dytë Botërore e në dekadat e më pasme të rrugës së saj, zë vend të rëndësishëm edhe Destan Hamiti, partizani trim, ushtaraku madhor e model nga Trebishti i Gollobordës. Historia dhe jeta e tij, nis nga heroizmi përballë pushtuesve gjatë Luftës, në vitet 1942-1944, në drejtimin e reparteve dhe njësive si në Luftë ashtu dhe në gati 4 dekada pas çlirimit të vendit, janë një pasqyrë e gjallë përpjekjesh e përkushtimi maksimal të njeriut që kurdoherë e në çdo situatë, para se të urdhëronte vartësit, printe vetë me shembullin personal. Pikërisht, për këtë cilësi e të tjera si; ndershmëria, mbajtja e fjalës, përpjekja për njohjen në detaje të problemeve, kontaktet e vazhdueshme me njerëzit, kanë bërë që ai të ishte model si ushtarak e si njeri, të gëzonte respektin maksimal tek shokët, vartësit dhe eprorët. Vështirë që në jetën e tij mbi shtatë dekada të gjendet qoftë dhe një njeri që të ketë ndonjë qejf-mbetje apo përshtypje jo të mirë për Destan Hamitin, ushtarakun e lartë nga Golloborda. Destan Hamiti lindi në Trebisht të Gollobordës (Dibër), në vitin 1922. Po aty mori dhe arsimin e parë fillor. Pushtimi i vendit dhe organizimi i rezistencës popullore, do të nxiste tek djaloshi i ri Destan Hamiti, jo vetëm urrejtjen për uzurpatorin dhe dashurinë për lirinë e vendit të vet, por edhe angazhimin e tij konkret në radhët e ushtrisë partizane. Kështu, në moshën 20-vjeçare, Destani inkuadrohet në radhët e Brigadës së Parë Sulmuese. Që në fillim, sipas dëshmive të kohës, ai dallohej për guxim e trimëri, duke fituar respektin dhe dashurinë e partizanëve, eprorëve e, veçanërisht të Mehmet Shehut, Komandantit të Brigadës së Parë Sulmuese. Referuar dokumenteve zyrtare të kohës, historikut të Brigadës së Parë Sulmuese, mësohet se “Destan Hamiti (Destani) ishte trim, që vazhdimisht ishte në ballë të përpjekjeve me armiqtë në betejat për çlirimin e vendit”. Kështu, ndonëse në moshë të re, gjatë Luftës atij iu besua dhe drejtimi i një nënreparti (kompani) të Brigadës së Parë. Edhe pas çlirimit të vendit, Destani nuk e hoqi uniformën e ushtarakut nga supet. Ai është ndër luftëtarët e parë që menjëherë pas Luftës, u ulën në bankat e shkollës ushtarake “Skënderbej” për t`u përgatitur si oficer aktiv i Ushtrisë Shqiptare. Më pas, ushtaraku i karrierës kryen Akademinë Ushtarake në Bashkimin Sovjetik. Ai kryen disa detyra të rëndësishme në strukturat e Forcave tona të Armatosura. Kështu, ai ka qenë Komandant Brigade në Sarandë, Shef Operativ i Korpusit të Burrelit, Komandant i Brigadës së 12-të në Librazhd (1965-1969) etj… Së fundi, deri në vitin 1974 kur doli në pension, ai ka kryer detyrën e Komandantit të Forcave Vullnetare Popullore në rrethin e Librazhdit. Kudo që ka shërbyer e jetuar, Destan Hamiti, baba i tre djemve dhe dy vajzave, ka lënë emër të mirë e respekt të padiskutueshëm si ushtarak dhe si njeri. Ja çfarë thonë disa nga bashkëpunëtorët e tij ndër vite: “Destan Hamiti ka qenë partizan trim i Brigadës së Parë Sulmuese, ‘Hero i Popullit’, komandant i kompanisë në Brigadën e Parë Sulmuese me pararojën në marshimin e Operacionit të Dimrit. Pas çlirimit, kreu shkollën ‘Skënderbej’ i ardhur direkt nga lufta, kreu detyra të rëndësishme më pas, kurse unë e kam njohur më mirë kur ishte Komandant Brigade në Librazhd dhe Komandant i Forcave Vullnetare të rrethit. Ishte ushtarak i mirë e njeri i shkëlqyer. Në vitin 1965 ai merr gradën ‘Kolonel’. Të gjithë flisnin me shumë respekt. Ai e meritonte në kuptimin e vërtetë të fjalës. E doja dhe respektoja shumë. Sa herë kisha veprime në atë zonë e merrja me vete. Në një marshim që do të kryejë në vitin 1976 në rrugën e Brigadës së Parë Sulmuese në zonën ku ishte komandant Destani, natyrisht që doja të mësoja sa më shumë nga këto stërvitje (marshime) që bëheshin. Prandaj më duhej Destani. Përveç se ishte babaxhan, ai i tregonte me aq hollësi ngjarjet që kishte jetuar gjate Luftës, me aq respekt për dëshmorët dhe trimat e asaj njësie, sa të impononte respekt dhe nderim…. Kur bënim ndalesat, sipas planit mblidheshim rreth tij dhe e dëgjonim me vëmendje. Ndoshta për të duhet folur gjatë, se e meritonte…”- pohon Rustem Peçi, ish-skënderbegas dhe ushtarak madhor. “Ishte një kuadër i përkushtuar dhe bënte të gjitha përpjekjet që detyrat t`i plotësonte, jo vetëm në kohën e duhur, por edhe me cilësi. Ishte shumë i përkushtuar, i vëmendshëm dhe bashkëpunues , i sinqertë në të gjitha vendimet që merreshin dhe në detyrat që i jepeshin. Pyeste, studionte dhe në fund urdhëronte apo jepte detyrën. Këtë e bënte pasi e vinte vetë veten në rolin e zbatuesit, bindej për atë që duhej bërë dhe mundësitë e atij që do të realizonte detyrën. Duke pasur një arsim ushtarak e akademik me shkëputje në kohë, (partizan, ndër ish-skënderbegasit e parë, e në funksione të ndryshme), ai bënte të gjitha përpjekjet për të qenë në lartësinë e kërkesave të kohës …Destani ishte njerëzor. Për punën që bënte, ai gëzonte respekt , si tek kuadrot e shtabit në bazë, edhe tek punonjësit dhe tek komuniteti ku punonte dhe jetonte. Si oficer dhe si drejtues, por edhe si shok e bashkëpunëtor, ruaj kujtime shumë të mira dhe konsiderata të larta personale e familjare për shokun dhe bashkëpunëtorin tim, oficerin Destan Hamiti”- pohon Nuredin Dushani, ish-komisar i Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë. “Pasi u transferova nga Tirana në Brigadën e 12-të në Librazhd, pata kontakt me komandantin e Brigadës, Destan Hamitin, një ushtarak i lartë dhe një njeri i mrekullueshëm nga Trebishti i Gollobordës. Ishte një burrë babaxhan e shumë i dashur me kuadrot. Rrallëherë inatosej. Por po qe se inatosej, jo vetëm kishte të drejtë, por duhet të gjeje vend ku të futeshe. Ishte një mesoburrë, e ngaqë shpesh ecte në këmbë e pa makinë nga reparti në shtëpi e anasjelltas me oficerët, ishte edhe vështirë ta dalloje. Kishte qenë partizan i Brigadës së Parë Sulmuese kishte një përvojë të madhe, i njihte dhe dinte t`i përballonte vështirësitë. Nuk mbaj mend, jo vetëm unë, por besoj dhe të gjithë ata që kanë punuar me të, që ai të ankohej një herë…”-pohon Bajram Mane, ish-vartës i Destan Hamitit dhe më vonë zëvendësministër i Mbrojtjes.
Nazif Nura, partizani që nisi shkollën “Skënderbej” ditën e parë të hapjes së saj
Lindur nga një familje e varfër por nga më të vjetrat e më patriotet në Steblevë e në zonën e Gollobordës, Nazif Bejtulla Nurës, një nga djemtë e kësaj familje të madhe, ashtu si shumë bashkëmoshatarëve të tij, iu desh që në moshë tepër të vogël, të niset për punë në Tiranë për të siguruar bukën e gojës. Ai është një nga partizanët që direkt nga Lufta, më 28 mars të vitit 1945, u ul në bankat e kadetëve, që më vonë mori emrin shkolla “Skënderbej”. Nazifi ka lindur në maj të vitit 1922.. Që në ditët e para të lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, ai u hodh me entuziazëm në radhët e saj. Në vjeshtën e vitit 1942, aktivizohet me njësitet guerile të qytetit të Tiranës dhe në fillim të vitit 1944 lë restorantin ku punonte si shërbëtorë dhe doli malit partizan, duke u inkuadruar në Brigadën e 4-t Sulmuese, ku ka marrë pjesë në të gjitha betejat e saj kundër armikut. Në përpjekje me armikun, partizani trupvogël por trim, burrërohet para kohe, ku eprorët kanë spikatur tek ai, jo vetëm trimërinë, dëshirën e zjarrtë për ta parë sa më shpejt vendin të lirë nga pushtuesit e tradhtarët, por dhe aftësitë organizuese e drejtuese. Për plot arsye si këto, por dhe për shkak se në përfundim të luftës ai ishte i ri në moshë, Nazif Nura përzgjidhet ndër kontingjentet e para nga radhët e partizanëve për t’u ulur në bankat e shkollës “Skënderbej”, për të qenë ndër kuadrot e para të ushtrisë së re shqiptare. I ambientuar me jetën e re, tashmë lapsin në vend të pushkës, djaloshi i ri, është ndër kursantët më të dalluar të atij viti. Njëkohësisht, krahas vlerësimeve më të mira në anën profesionale, në fund të diplomimit të tij si oficer, eprorët i veçojnë dhe aftësitë e mira profesionale, punën në grup, si dhe gatishmërinë për të ndihmuar shokët në zgjidhjen e problemeve. Duke qenë vetë modest, fjalëpakë e njeri që “flet” me punë dhe me shembullin praktik, oficeri i ri i sapo diplomuar në specialitetin e xhenios, i futet punës me përkushtim në të gjitha hallkat drejtuese e komanduese, kryesisht në Tiranë e në shumë rrethe të vendit. Nazifi, sipas statistikave të kohës, është ndër oficerët e parë të specialitetit xhenier që jo vetëm iu përkushtuan krijimit e modernizimit në dekada kësaj arme të re të Ushtrisë Shqiptare, por dhe në përgatitjen e kuadrove dhe specialistëve të rinj që mbushnin radhët e organikës së xhenierëve në repartet dhe njësitë e strukturave të Mbrojtjes në vend. Gjithashtu, ushtaraku xhenier nga Stebleva, Nazif Nura që në detyra e funksione të ndryshme të karrierës 31 vjeçare në Ushtri arriti në gradën e majorit, krahas kontributit të mirëfilltë në specialitetin për të cilin u kualifikua e diplomua në radhët e ushtrisë, ka qenë pjesëmarrës aktiv dhe në shumë aktivitete të ushtrisë në shërbim të popullsisë, në hapjen e rrugëve të reja për të lidhur viset shqiptare me njëri-tjetrin, në ndërtimin e objekteve e rrugëve të shkatërruara nga lufta, e deri në kontributin specifik të xhenierëve në vepra të ndryshme të ndërtuara në pesëvjeçarë e dekada. Pas më shumë se 3 dekadash në ushtri, Major Nazif Nura del në rezervë. Por shkëputja nga karriera ushtarake, dalja në pension, nuk shënon fundin e aktivitetit të tij në shërbim të shoqërisë e vendit. Në Tiranë ku jeton, në komunitet e strukturat shtetërore, Nazifin do e gjeje për shumë vite si në funksione civile të drejtimit, ashtu dhe në atë të misionarit shoqëror. Kjo jetë aktive e tij për ushtrinë, për shoqërinë e komunitetin, gjatë gjithë jetës, është vlerësuar me dhjetëra Medalje, Tituj, dëshmi e Mirënjohje, si nga Instancat më të larta Shtetërore të vendit, ashtu dhe nga faktorë të tjerë të shoqërisë. Ndahet nga jeta në vitin 2009 në Tiranë.

Partizani Petro Tanaj, la armën e Luftës dhe veshi uniformën e skënderbegasit
Petro Tërpo Tanaj lindi në Pasinkë të Dibrës në vitin 1925, ndërkohë që udhën e bukur dhe të vështirë të ushtarakut të karrierës në forcat e Ministrisë së Brendshme do e fillonte fare i ri, në radhët e ushtrisë Nacionalçlirimtare. Që në moshë të re, Petro Tanaj ju përgjigj thirrjes për t’ju bashkuar formacioneve partizane që me armë në dorë po luftonin për çlirimin e vendit nga okupatorët. Petro, atëherë 18-19 vjeç u rendit në radhët e Brigadës së 4-t Sulmuese dhe mori pjesë në shumë beteja që ka në historikun e vet ky formacion luftarak i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. Bashkëluftëtarët e tij partizanë e kujtojnë Petron si luftëtar guximtar që i bënte sfidë me zgjuarsi e trimëri situatave luftarake që paraqiteshin dhe gjendej gjithmonë në ballë. Ndërkohë, është vlerësuar me mirënjohje, medalje e dekorata që gjatë luftës, me mbarimin e saj gjatë kryerjes së detyrave të tjera më vonë. Në dosjen personale të ushtarakut Petro Tanaj janë me dhjetëra të tilla. Pikërisht në radhët e luftës ku me armë në dorë Petro dha kontribut për çlirimin e vendit, lindi dhe u forcua dëshira për të mos u ndarë nga arma dhe për të mos hequr uniformën e ushtarakut. Por tashmë si oficer karriere në drejtimin dhe organizimin e formacioneve të ushtrisë shqiptare të sapo dalë nga lufta. Direkt, me armë në dorë, siç erdhi nga radhët e partizanëve, ai inkuadrohet në Tiranë (në grupin e oficerëve të parë që u përgatitën në shkollën ushtarake “Skënderbej”) për shkollim si ushtarak. Në përfundim të kualifikimit ai merr gradën e Aspirantit dhe rikthehet përsëri në formacionet luftarake që tashmë kishin misionin e shpartallimit të grupeve terroriste që qëndronin fshehur nëpër shpella si dhe mbrojtjen e kufijve të vendit. Por për shkaqe ekonomike, Petro Tanaj detyrohet që të largohet nga radhët e ushtrisë dhe t’i përkushtohet punës për mbajtjen e familjes. Por kjo shkëputje nuk do të ishte e gjatë për Petron. Në vitin 1990 ai do të rivishet përsëri oficer, tashmë duke punuar në funksione të ndryshme në strukturat e Ministrisë së Brendshme. Shumicën e kohës ai punon në disa detyra në degën e Punëve të Brendshme të Peshkopisë, ku mbahet mend nga bashkëpunëtorë e vartës si një njeri korrekt, punëtor, i ndershëm dhe që vazhdimisht kërkonte e bënte më të mirën. Gjatë punës e qëndrimit të gjatë në Dibër, ai mbante lidhje të vazhdueshme dhe i ndihmonte bashkë krahinarët në probleme apo halle të ndryshme që kishin në jetë. Plot 33 vjet punoi pa ndërprerje ushtaraku i karrierës Petro Tanaj, duke përfituar në këtë karrierë të gjatë gradën më të lartë, atë të Nënkolonelit. Në vitin 1993 për efekt të moshës, ndërpritet dhe karriera e Petro Tërpo Tanajt, pasi ai del në pension. Jeton familjarisht në Tiranë.

Tahir Hoxha, skënderbegasi që erdhi nga Lufta e bëri emër në Flotën Luftarake Detare të Shqipërisë
Tahir Hoxha erdhi në shkollën “Skënderbej” direkt nga Lufta, në moshën 17 vjeçare, kreu disa akademi në Bashkimin Sovjetik e gjatë punës në dekada, la emër në detarinë shqiptare. 

Tahir Hoxha u lind në Tërbaç të Vlorës më 5 maj të vitit 1928. Pas shkollës fillore në vendlindje, në vitin 1941, Tahiri nis vitin e parë në Shkollën Tregtare të Vlorës. Ai u strehua tek e ëma e Halim Xhelos, në një shtëpi me dy dhoma. Në një dhomë rrinin këta, ndërsa në dhomën tjetër Arif Hasko dhe Hito Çako. Në këtë shkollë, që u bë bazë e rëndësishme e përhapjes së lëvizjes për rezistencë kundër pushtuesit, ai bëhet pjesë e kësaj lëvizje të rëndësishme. Pas “Operacionit të Dimrit”, Tahiri, me një grup të rinjsh të tjerë komunistë, bëhet partizan i Brigadës së V-të Sulmuese. Në moshën 16 vjeçare, në nëntor të vitit 1944 pranohet anëtar i Partisë Komuniste dhe në muajin shkurt të vitit 1945, emërohet zëvendëskomisar kompanie në këtë brigadë. Në vitin 1945, Tahir Hoxha, është ndër skënderbegasit e parë që erdhën nga lufta dhe nisi studimet në shkollën “Skënderbej” që u hap me urdhër të veçantë të qeverisë së re shqiptare më 28 mars 1945. Shkolla “Skënderbej”, në vitin e parë të hapjes së saj, kishte specifikë në mësimdhënie, pasi skënderbegasit e ardhur nga lufta kishin arsim të ndryshëm e jo pak ishin dhe analfabet. Shkollën “Skënderbej” e përfundon në vitin 1948. Në shkurt të vitit 1948, i del e drejta e studimit për inxhinieri navale në Leningrad (San-Petërburg) të Bashkimit Sovjetik. Në dhjetor të vitit 1953 diplomohet në këtë akademi ushtarake dhe në janar të vitit 1955 kthehet në Shqipëri. Emërohet inxhinier mekanik në katersiluruesit në Sazan. Në qershor të vitit 1954 transferohet në Durrës pranë Komandës së Mbrojtjes Bregdetare me detyrën e shefit elektro-mekanik të Korpusit Bregdetar. Më 1 tetor të vitit 1955 nis përsëri studimet në Akademinë Ushtarake të Ndërtimit dhe Armatimit të Anijeve në Leningrad të ish-Bashkimit Sovjetik. Studimet në këtë akademi ai i mbaroi me medalje të artë. Kur kthehet në Shqipëri, e emërojnë shef elektro-mekanik të Flotës Luftarake Detare. Në vazhdim ai ka kryer detyra të rëndësishme në komandën e FLD dhe së fundi, edhe pedagog e drejtues në Shkollën e Lartë të Marinës Luftarake në Vlorë, e cila u çel më 1 tetor të vitit 1961. Pas ndryshimeve politike që nisën më 1990 e më pas, Tahir Hoxha, tashmë në pension, u largua nga Shqipëria për të jetuar me fëmijët në Itali. Si inxhinier, drejtues e pedagog, ai ka lënë emër të mirë tek kolegët dhe tek të gjithë ata me të cilët punoi. Ja disa vlerësime…

Gëzim Isufi:“…Tahiri, mbi të gjitha, ishte një njeri me zemër të madhe Nëpër grimca episodesh, jeta e tij më shfaqet herë partizan 15-vjeçar, që përleshej me nazistët; herë kadet në bankat e shkollës ‘Skënderbej’; herë student në Akademinë Navale të Rusisë; herë kryeinxhinier i FLD të Shqipërisë; herë drejtor i Uzinës Ushtarake të Flotës… i afruan edhe poste të tjerë, madje shumë të rëndësishëm, por ai thoshte me modesti: ‘Më pëlqen të jem gjithmonë një inxhinier i lidhur me detin’”.

Fejzi Rrokaj (Koleg i tij): “…Tahir Hoxha asnjëherë nuk kërkoi dhe as pretendoi për një lavdi të pamerituar, por çau në jetë me modesti, i matur, i dashur dhe i vendosur për të arritur qëllimet e tij fisnike. .. Ai ka qenë dhe mbetet një shembull i lartë i urtësisë, i figurës së pastër, i pa kompromentuar. Ka qenë kundër prepotencës, arrogancës, hakmarrjes…”.

Kasëm Spahiu (Kryetar i Shoqatës ‘Detaria’, Vlorë): “…Tahir Hoxha, bashkë me disa shokë të tjerë si, Qemal Hysi, Izet Velçani, Shezai Osmëni, Seit Jonuzaj etj, kanë kontribuar në krijimin e Flotës Luftarake Detare, e ne të rinjtë i kemi quajtur ‘Kollonkat e Flotës’. 

…Tahiri, edhe pasi doli në pension, ka një meritë tjetër, krijoi Shoqatën e Detarisë në Vlorë, të cilën e drejtoi mbi 5 vjet…”.
Vijon nesër