Nga Edi DELIU / Al Kapone, killeri që s’u dënua kurrë për vrasje

835
Sigal

Në vitet 1920 ai sundoi Çikagon duke e dehur me alkool, duke e mbushur plot me prostituta, drogë dhe terror

…derisa një farë Huver u shfaq nga gjirizet e FBI-së…

Dion O’Banion e mbylli karrierën e tij të “ndershme” prej kontrabandisti alkooli, shfrytëzuesi prostitutash dhe bastexhiu me dy plumba pistolete kalibër 38: i qëlluan në kokë tre killera që kishin hyrë në dyqanin e tij të luleve. Eh, i ziu O’Banion ishte, në fund të fundit, një shpirt i brishtë, që si koperturë të aktivitetit tij të errët kishte zgjedhur zanatin e lulishtarit.

Bugs Moran, zëvendësi i tij, sikur të kishte pakëz mend duhet ta kishte kuptuar që kishte mbërritur ora për të bëra gati valixhet e të kërkonte një qytet tjetër, më pak të rrezikshëm se Chicago. Por Moran kishte shumë guxim dhe pak mend; së bashku me gjashtë teveqelë të tjerë, të të njejtit kallëp me të, kish’ vendosur të vazhdonte aktivitetin e shefit të ndjerë, jo vetëm për nder të kujtimit të tij, por edhe se pas pak ditësh mbërrinte një ngarkesë e madhe alkooli për t’u distiluar ndaj nuk mund të lejonte t’i prishej një punë mijëra dollarëshe. E kështu edhe për Bugs Moran dhe njerëzit e tij u përgatit qërimi i hesapeve. Kësaj rradhe vrasësit kishin menduar t’i prezantoheshin rivalëve të maskuar në mënyrë të tillë që, më pak se çdo gjë tjetër do t’i alarmonte: ishin pesë ata që mbërritën, në garazhin në North Clark Street të Chicago, aty ku Moran kishte lënë takim me furnitorët e tij, të gjithë me uniforma policësh. Moranit dhe shoqëruesve të tij nuk i ra ndërmend as që të preknin pistoletat; u mjaftuan të mbështeteshin tek njëri-tjetri e të nënqeshnin me tallje: thuajse e gjithë policia e Chicagos ishte e korruptuar, sipas tyre këta pesë policë po vinin vetëm për të kërkuar aq sa donin për të mos dëgjuar e mos parë gjë. Gabim fatal: pesë policët fals i mbështetën pas një muri të garazhit të shtatë gangsterët, më pas i eleminuan me dyqind goditje mitralozi. Ishte ora dhjetë e mëngjesit të së enjtes 14 shkurt 1929, Shën Valentin, festa e të dashuruarve. Sot, mund të vërehet se dyqind plumba për të eleminuar janë padyshim shumë. Por këtu nuk bëhej fjalë vetëm për t’i vrarë, bëhej fjalë edhe për të dhënë një paralajmërim të fortë, më të fortin e mundshëm: kushdo që të përpiqej për t’i bërë konkurrencë Mbretit të botës së krimit ishte i destinuar me një fund fatal. Dhe Mbreti  ishte ai, Big Shot-i, Alfonsi, (Al) Kapone, napoletan, i datëlindjes 1899, që në vetëm tridhjetë vjeç kishte mundur të grumbullonte një shumë, shumë më shumë se njëqind milionë dollarëshe (as vetë ai nuk e dinte të saktë).

Mbreti i të keqes

I riu Alfons (Al) kishte kaluar një fëmijëri vërtetë të mjerueshme në Brooklyn. Babai i tij, një berber modest, nuk ia kishte dalë dot mbanë që kur ishin larguar nga Napoli, dhe i biri i kalonte ditët duke vagabonduar e frekuentuar shoqëritë më të këqia të mundshme. Në vend që të vazhdonte shkollën, preferoi të gjente menjëherë një “punë”: pak më shumë se pesëmbëdhjetë vjeçar, i ishte bashkangjitur bandës famëkeqe “Five Points”, duke thyer brinjët nëpër vjedhje, grabitje dhe nëpër sherret midis emigrantëve italianë e portorikanë, apo midis italianëve dhe hebrenjve, e më pas midis napoletanëve dhe italianëve të tjerë, e kështu me rradhë. Ishte kjo periudha kur i riu napoletan mori edhe plagën në fytyrë, që do t’i ngelte si shenjë për gjithë jetën, duke i dhënë kësisoj nofkën “Scarface” (I shënjuari). Kur policia e Nju Jorkut i dha fund aktivitetit të atij grupi rrugaçësh me të cilët bashkëpunonte, i riu Al preferoi të ndryshonte ambjentin, të largohej. Dhe ky transferim, i detyruar prej një deti arsyesh praktike, ishte fillimi i fatit të tij, sepse zbarkoi në qytetin ku fare pak vite më vonë, do të themelonte “perandorinë” e tij: Chicago.

Fillimet e “karrierës”

Al Kapone mbërriti në Chicago, kur sapo i kishte mbushur të tetëmbëdhjetë vjetët, me rekomandimin e “Big Jim” Kolozimos, napoletan, një gjobvënës shumë i pasur i Nju Jorkut, i cili e kishte nuhatur që ky i ri kishte të dhëna të mira ndaj duhej ndihmuar. Kolozimo e rekomandoi tek Diamond, pronari i klubit të natës “Lo Sparviero”, në rrugën 40. Diamondi kërkonte një truprojë, që të bënte edhe rolin e ruajtësit të qetësisë së lokalit, domethënë një lloj qeni rojë, i fortë dhe i vendosur. Al, i ri me tipare të ashpra, me sy pak të dalë dhe me nofulla të dala duhej t’i pëlqente: kishte pamje prej të forti, kishte nevojë të punonte, pastaj, ai ishte i rekomanduar nga Kolozimo. Por me Diamond, i riu Al nuk mundi të merrej vesh kurrë. Diamond kishte nevojë për një ekzekutues të vërbër të urdhrave, ndërsa Al shfaqte atë që do të ishte në vitet që do të pasonin, një cilësi e veçantë e tij: nuk dëshironte të ngatërrohej kot me njeri. Jo se i mungonte guximi, sigurisht që jo. Por, përshembull, të kryente vrasje vetëm sepse e urdhëronte shefi, nuk ishte punë që mund ta bënte ai. Diamond tashmë ishte gati për ta flakur, por fati ishte në anën e Al, dhe bëri të takonte njeriun e duhur: Jimmy “Big Pig” Torrio. Vetë pseudonimi xhentil (derr i trashë) fliste shumë për këtë personazh, por të dy shfaqën interes të menjëhershëm për njëri-tjetrin. Torrio ndryshe nga Diamond nuk ishte i dhënë aq shumë pas dhunës, ai ishte një afarist i qetë; biznesi i tij ishte pak i veçantë, por shumë frytdhënës. Ai ishte i specializuar për shtëpi prostitutash e kështu i riu Al Kapone filloi të njihte nga afër një sektor të ri edhe të shfaqte cilësitë e tij prej një organizatori të mirë. Siç do ta thoshte vetë një herë, ai nuk shkelte kurrë nëpër bordellot e Torrios. “Nuk ishin punë për mua, unë jam katolik dhe respektoj familjen”. Sipas versionit të tij, ai merrej me llogaritë, me organizimin, me marrëdhëniet bankare e kështu me rradhë. Pra, ishte një njeri i besuar i Torrio.

I sëmurë nga megalomania

Me “Big Pig” gjërat filluan të shkonin mirëpër të riun napolitan. Dukej se Torrio, duke ia çmuar cilësitë, e kishte bërë edhe ortak të tij (pavarësisht deklaratave të Al se “nuk donte t’ia dinte për disa lloj punësh”). Por pak a shumë kjo gjë është e vërtetë, sepse djaloshi filloi më së fundi t’i lejonte vetes pakëz luks, që nuk justifikohej me pagën e thjeshtë të një njeriu të besuar. Punët me Torrion po shkonin mirë. Por, në prag të derës ishte dhurata më e bukur që politikanët amerikanë, të pushtuar nga një lloj deliri moralistik, mund t’i kenë bërë ndonjëherë botës së krimit. Më 17 janar 1920, me propozim të senatorit Volstead, prodhimi dhe tregtimi i pijeve alkoolike u nxorr jasht ligjit. “Volstead Act” nuk nxorri gjë në dritë përçevse shtoi në mënyrë të pabesueshme etjen e një qind e pesëdhjetë milionë amerikanëve, që tek dikush do të drejtoheshin patjetër për të pirë një gotë likeri të cilën ndoshta një ditë më parë do ta kishin refuzuar. Plaku Kolozimo ia bëhu si plumb nga Nju Jorku për t’i propozuar Torrio dhe Al Kapones formimin e një shoqërie. “Big Jim” ishte entuziast: “Djema, ai budallai Volstead do të na bëjë me shumë, shumë para. Do ta shihni, s’do të kemi të bëjmë më as me punë të pista dhe as me vrasje. Vetëm ndonjë cep të qetë ku të mund të distilojmë të rehat. Një gotë në ditë, dhe do të bëhemi të pasur…”

Fati ecën mbi alkool

Al ishte më i riu i shoqërisë, por u bë shpejt truri organizativ: kontrollonte aktivitetin e distilerive të shumta që dora-dorës fillonin punën për të përmbushur kërkesat gjithnjë e në rritje të alkoolistëve, duke ia shpërndarë pijet grosistëve që nga ana e tyre kishin marrë masat për të pasur rrjete të mëdha furnitorësh dhe pikash shitjeje. Kamionë me ngarkesa të Kryqit të Kuq (një nga idetë brilante të Al) lëviznin pandërprerë nëpër territore gjithnjë e më të mëdha për të dorëzuar ngarkesat me birrë dhe me liker. Për të ulur sa më shumë kostot Al Kapone mendonte të gjente gjithnjë metoda të reja për të prodhuar pijet. Distilohej alkool nga gjithçka, deri edhe nga druri. Tregu po thithte gjithçka, pavarësisht rrjedhojave të një konsumi të shfrenuar, jashtë çdo kontrolli cilësor dhe sanitar: në fund të vitit 1920, vetëm në Chicago, kishin vdekur 1224 persona nga helmimi, ndërsa afro dy mijë të tjerë thuajse kishin humbur shikimin, gjithnjë falë helmeve që pinin, të përgatitur prej alkimistëve të gangsterëve.

Paratë qarkullonin lumë dhe Al Kapone filloi një tjetër aktivitet sistematik, për mbrojtjen e ndërmarrjeve të tij: Korrupsionin. Kurrë ndonjëherë ligji nuk ka qenë aq i përçmuar sa në atë periudhë. Pas vetëm dhjetë ditësh nga hyrja në fuqi e “Volstead Act” tre policë të Chicagos përfunduan në burg, të akuzuar se ishin marrë me shitjen e likerit të konfiskuar nga kontrabandistët.

Një ushtri të të korruptuarish

Për aplikimin e “Volstead Act” ishte krijuar edhe një trupë specifike agjentësh federalë. Kjo ishte si të vije qershinë mbi tortë: sipas vlerësimeve të kujdesshme, të paktën 70% e funksionarëve të “repartit proibicionist” ishin në marrëveshje me gangsterët. Por korrupsioni përfshinte të gjithë: ekuipazhet e rojave bregdetare, agjentë doganorë, funksionarë të policisë shtetërore, sherifë, gjykatës, kryebashkiakë.

Al Kapone pak nga pak po blinte ndërgjegjet e njerëzve që duhet të ndalonin aktivitetin e gjerë të ndërmarrjes Kapone-Kolozimo-Torrio që investonte një pjesë të mirë të fitimeve nëpër shtëpi bixhozi, bordello dhe bare klandestine, që nga ana e tyre nxirrnin lumenj të tjerë parash.

Natyrisht një biznes miliona dollarësh i hapte oreksin të gjithëve ndaj dhe Al fillojë të mendojë edhe për problemin e konkurrencës. Një mënyrë ekzistonte, dhe ishte ajo më e lehta: t’i vriste të gjithë. Chicago u kthye në skenën e një lufte të pamëshirshme mes bandave. Në fund të atij viti, shoqëria Kapone-Kolozimo-Torrio kishte nën urdhërat e saj rreth gjashtëqind burra: një ushtri e vogël, e armatosur deri në dhëmbë, e stërvitur në përdorimin e bombave dhe të fishekëve kalibër 45 për pistoletat Kolt dhe automatikët Thompson, kur nevojitej të “sqaroheshin punët” me konkurrencën. Pikërisht në njërin nga këto “sqarime” mbeti i vrarë ai që mund të konsiderohej “babai” i shoqërisë “: Big Jim Kolozimo. Jemi në fillim të vitit 1925; edhe një herë tjetër duket se Al Kapone ishte përqafuar nga fati, a thua se kishte bërë një marrëveshje me Djallin: pak kohë pas vdekjes së Kolozimos, Xhim Torrio, i shkatërruar nga nervat pas një luftë të vërtetë ku mrekullisht kishte shpëtuar midis qindra plumbave që i fluturonin mbi kokë, u tërhoq nga “punët”. Për të, një zotërues i qetë bodellosh, përkëdhelës i butë i krimit, kjo kishte qenë një provë mjaft e ashpër.

Në krye të një perandorie

Dhe Al Kapone, njëzetegjashtë vjeç, gjendet i vetëm në krye të një perandorie, më shumë se kurrë i bindur për pathyeshmërinë dhe paprekshmërinë e tij. Bëhej çdo ditë e më shumë kryelartë, i bindur se tashmë atij mund t’i lejohej të bënte çdo gjë. Ishte një personazh “publik” në të gjitha aspektet, pronar lokalesh nate të ligjshme dhe sallonesh me lojra fati, gjithashtu të ligjshme, protagonist i pritjeve madhështore në të cilat ishte e pranishme shoqëria më e mirë e qytetit, bamirës i madh, siç e thamë edhe më lart, i shumë qendrave të asistencës. Në perandorinë e tij Al Kapone e bëri të detyrueshme për ndihmësit e tij të afërt që në rrobat e tyre të kishin të gjithë kopsat speciale në të cilat ishte gdhendur një C e madhe, si Capone, Chicago dhe Cicero, zona ku kishte qendrën e saj banda. Brenda vitit 1925 Al ia kishte dalë të eleminonte fizikisht të gjithë konkurrencën. Kishte blerë një pallat në Palm Island, në Florida, si dhe një vilë. Vetëm për bankete shpenzonte rreth një mijë dollarë në javë. Përveç nja pesëmbëdhjetë shtëpive bixhozi dhe lokaleve nate (të vetmet aktivitete të ligjshme), llogaritej që ai kontrollonte të paktën një mijë pika shpërndarjeje alkoolikësh, po kaq lokale për baste klandestine si dhe një rrjet me rreth pesëdhjetë shtëpi prositucioni. Një kontabilitet i saktë i të gjitha aktiviteteve të tij nuk është mundur të bëhet kurrë, madje as ai vetë nuk e dinte se sa fitonte në javë. Ishte thuajse gjithnjë buzagaz dhe në humor të mirë; kur ai futej në një lokal publik kamerierët ishin gjithmonë të lumtur pasi, kur ndodhej në humor të mirë, dhe ashtu ishte, siç thamë, gjithmonë, një bakshish dyqind-treqind dollarësh ishte një gjë normale. Por në jetën private, i rrethuar nga besnikët, kishte shpërthime të tmerrshme inati kur bëhej fjalë për konkurrencën apo për ato pak funksionarë publikë që përpiqeshin t’i kundërviheshin aktiviteteve të tij brilante. Këtë gjë nuk mund ta pranonte, jo thjesht për çështje fitimesh por sepse ai, Al Kapone, “Al for all”, ishte bosi i bosëve.

200 plumba rivalëve

E si gjithmonë në historinë e diktatorëve të mëdhenj, bindja në paprekshmëri do të çojë gjithmonë herët a vonë drejt rrënimit përfundimtar. Kishte mbetur vetëm një pengesë e fundit për t’u kapërcyer, dhe ajo përfaqësohej nga ato irlandezët e mallëkuar me në krye Dion O’Bannion. Al Kapone kishte qenë edhe njëri prej promotorëve të krijimit të Sindikatës së Krimit, që duhet të shërbente pikërisht për të harmonizuar aktivitetet e bandave të ndryshme, për të evituar konkurrencat e pakëndëshme midis bandave. Por ai dreq irlandezi kërkonte të ecte vetëm në rrugën e tij. Nga dyqani i tij i luleve drejtonte punët, të cilët kishin të bënin pikërisht me kontrabandën e alkoolit. Një, dy, tre paralajmërime nuk kishin shërbyer për asgjë. Dion O’Bannion firmosi dënimin e tij me vdekje jo sepse ndikonte në pakësimin e fitimeve të Al Kapones por sepse, me sjelljen e tij, fyente menefregizmin e tij prej bosi të bosëve. Ndaj, një ditë, tre djem të mirë, shkuan në dyqanin e tij të luleve, siç e thamë në fillim të shkrimit, dhe e bënë shoshë. Dukej se gjithçka tashmë po ecte në rregull, por Al shpërtheu në njërin prej tërbimeve të tij të tmerrshme kur mori vesh se Bugs Moran nuk kishte kuptuar asgjë dhe ishte duke ndjekur rrugën, pikë për pikë, në aktivitetin e O’Bannion. Dhe kështu erdhi urdhëri për masakrën e Shën Valentinos.

Bindja për gjithpushtetshmëri çon drejt rrënimit: ekzekutimi i Moran dhe i bashkëpunëtorëve të tij, i kryer me një uragan zjarri siç e kemi thënë më lart, ishte i tepërt edhe në një  shoqëri morali i së cilës ishte i gërryer tmerrësisht shumë nga kanceri i korrupsionit. Tani diçka filloi të lëkundet në perandorinë e Al Kapones: një muaj pas masakrës së Shën Valentinos Gjykata e Filadelfias mori guximin ta dënonte me një vit burg për shkak të dhunimit të normativa lokale për përdorimin e armëve të gjata. Ishte thuajse si barcaletë të dënoje Al Kaponen, i cili kishte nën urdhërat e tij qindra njerëz të armatosur deri në dhëmbë, të gatshëm për luftë, pasi iu gjet në zotërim një lloj pushke që nuk lejohej me ligj. Por ndërkaq i ishte dhënë pickimi i parë mitit. Al kreu dënimin dhe doli nga burgu në mars të vitit 1930, më i vendosur se kurrë për të rivazhduar aktivitetin, i cili ndërkohë kishte ecur përpara nën drejtimin e njerëzve të tij besnik. Por ekzistonte edhe një njeri tjetër i cili prej kohësh vriste mendjen për të gjetur mënyrën se si ta dërgonte përfundimisht në burg, apo më mirë, në karrige elektrike, Al Kaponen.

I pakorruptueshmi Huver

Ky njeri quhej John Edgar Hoover, drejtori i FBI-së (Federal Bureau of Investigation), Byroja Federale e Hetimeve. Nëse dy njerëz mund të jenë absolutisht të kundërtat e njëri-tjetrit, këta ishin Al Kaponë dhe Edgar Hoover. Shumë i pasur, ekzibicionist i pagdhendur, i pamëshirshëm, pa asnjë ndjenjë morali për gangsterët, i kthjellët dhe i matur, moralist deri në paturpësi, fanatik i ligjit dhe shef i G-Men. FBI, siç dihet, nuk mund të bëjë asgjë kundër atyre që nuk kryejnë krime federale. Një gangster mund të vriste edhe një mijë persona, por FBI-ja nuk mund të lëvizte as edhe një gisht, pasi vrasja nuk ishte atëherë, ashtu siç nuk është edhe sot, një krim “federal”, por një krim i parashikuar nga ligjet penale të secilit shtet në SHBA. Hoover po e shihte se autoritetet lokale nuk ishin në gjendje të dënonin Al Kaponen: korrupsioni ishte njëri nga sekretet më klasikë që e shpëtonin. Dhe në mes të vrullit të mendimeve se si FBI-ja tmund ta mbërthente “Mbretin” e Chicagos, papritmas i erdhi edhe inspirimi: Taksat! Al Kapone do të goditej nëpërmjet ligjeve fiskale: prej vitesh paguante taksa qesharake karshi fitimeve të tij reale. Një dënim për evazion fiskal nuk do ta shpiente ne karrigen elektrike, sigurisht, por sidoqoftë do ta hiqte nga qarkullimi për shumë vjet. Hoover ia ngarkoi këtë detyrë njërit prej agjentëve të tij më të mirë, Frank Wilson, që t’i qëndronte si hije pas Al Kapones dhe të mblidhte prova për evazionin e tij fiskal. Bosi i bosëve e mori vesh menjëherë këtë gjë dhe publikisht e quajti Hooverin si “të mangët”. “Paguaj taksat rregullisht, posi, dhe më mbesin edhe disa qindarka për të bërë bamirësi, për ndonjë festë, apo për cigare. çfarë duan prej meje?”. Sigurisht, Al i paguante taksat, por vetëm për aktivitetet e pakta të ligjshme që drejtonte, të cilat përbënin ndoshta një të njëqindën e fitimeve të tij. Evazioni i tij fiskal si prezupozohej të ishte i jashtëzakonshëm. Dhe Hoover e kuptoi se kishte qëlluar në shenjë kur mori vesh se Al Kapone kishte hequr maskën e tij prej xhentëllmeni dhe kishte premtuar për kokën e agjentit Wilson një shumë prej 25.000 dollarësh.

Edgari përgatit kurthin

Wilsoni u transferua në një lokalitet sekret dhe vazhdoi punën e tij, duke u mundur të mbledhë një dosje me prova të mjaftueshme për inkriminimin e Al Kapones për evazion fiskal. Madje arriti të peshkonte edhe nja dy peshq të vegjël nga banda; i premtoi atyre një pagesë të mirë dhe mbrojtje nga FBI-ja, vetëm që të vinin e të dëshmonin në gjykatë: mjaftonte që të përmendnin një pjesë qoftë edhe fare të vogël të aktiviteteve të paligjshme të shefit të tyre, pjesa tjetër do të dilte vetë. Dhe kështu erdhi dita e procesit. Rreth pesëdhjetë agjentë të FBI-së ishin rreshtuar në mbrojtje të paprekshmërisë së tre dëshmitarëve: kolegut i tyre Wilson dhe dy ish bashkëpunëtorëve të Scarface-s. Por ky i fundit tregonte një qetësi që po e merakoste seriozisht Hooverin: diçka do të ndodhte patjetër, si ka mundësi që Al Kapone të ishte kaq i qetë dhe po e tregonte botërisht që në proces do ta kthente krejtësisht lojën e FBI-së, kundër saj? Përgjigjia ishte e thjeshtë: juria ishte blerë krejtësisht. Ato pak prej tyre të pakorruptueshëm ishin terrorizuar nëpërmjet kërcënimeve me vdekje. Al Kapone do të dilte i pastër nga procesi, kundrejt çdo dëshmie apo prove. Por në punën e tij të korruptimit dhe të kërcënimit, i kishte bërë hesapet pa hanxhinë: Gjykatësi Wilkerson, që duhet të drejtonte procesin, kishte të njejtat difekte të Hoover, ishte i pasur, i pakorruptueshëm dhe mjaft i saktë në aplikimin e ligjit.

Mëngjesin e seancës së parë Al Kapone u paraqit në sallë elegant si gjithmonë dhe buzagaz. Por humori i mirë i kaloi në çast kur dëgjoi gjykatësin Ëilkerson të urdhëronte punonjësit e gjykatës: “Shkoni në sallën ku sot gjykatësi Edëards po zhvillon një gjyq dhe më sillni jurinë e tij. Ndërkaq shoqëroni tek gjykatësi Edëards të gjithë të betuarit e mij”. Al Kapone, “Mbreti” Chicagos, bosi i bosëve, “The Big Shot”, pa se si hëngri njëmbëdhjetë vjet burg për një evazion fiskal i llogaritur prej “të paktën tetëdhjetë milionë dollarësh”. Al thuajse nuk ishte mbrojtur fare gjatë debatit. Strategjia e gjykatësit Wilkerson e kishte shkatërruar psikologjikisht; tani që ndjehej i braktisur nga fati po kuptonte se armët e tij kryesore, korrupsioni dhe terrori, kishin dalë jashtë lojë, ndaj reagonte me ngadalësi.

“Mbreti” në kafaz

Ishte fundi i tetorit të vitit 1931: Al Kapone dergjej në qelitë e burgut të Alkatrazit, i mundur tërësisht. Teksa ishte në burg, i nënshtruar ndaj një vëzhgimi shumë më të rreptë sesa nga ai që normalisht i rezervohet evazorëve fiskalë, ligji për proibicionizmin u abrogua; kombi pak nga pak filloi të rimarrë veten pas vitesh korrupsioni dhe përçmimi të ligjit. Al Kapone, edhe pse dyzetvjeçar, ishte mbetja e një të kaluare të harruar. Por ishte dhe një njeri i mbaruar në të gjitha kuptimet: i verbuar, me sy të shuar, alternonte periudhat e apatisë me shpërthimet e furishme të zemërimit. Madje, në burg një i dënuar e kishte plagosur dhe ai nuk ishte mbrojtur, ashtu siç nuk kishte reaguar kur një tjetër i kishte pështyrë në fytyrë. Gjendja e tij shëndetësore ishte kaq e keqe saqë autoritetet e burgut e nxorrën para kohe, më 19 nëntor të vitit 1939. Nga Alcatraz dilte një fantazëm e tillë që një gazetari, i cili kërkonte një intervistë ekskluzive, u mjaftua t’i hakërrehej vetëm me një fije zëri: “Më lër të qetë tani, çfarë doni akoma prej meje?”

I mbaruar prej marazit

U fol për sifiliz, tuberkuloz, kancer. Ndoshta përparimi i shkencës mjeksore sot mund të na ndihmojë të kuptojmë se si mund të vdesë një njeri që ishte plotësisht i dorëzuar dhe që, ndoshta, kishte pasur kohë në burg të bënte bilancin e një jete të djegur, të mbushur plot gjak e korrupsion, në kërkim të shfrenuar të parave dhe të pushtetit në çdo mënyrë. Hoover nuk mundi ta çonte Al Kaponen në karrigën elektrike, por siç duket Al Kapone kishte dënuar vetveten me vdekje. U mbyll në vilën e tij në Palm Island dhe këtu, më 25 janar 1947, përfundoi aventurën e tij. Bashkë me të do të vdiste simboli më i famshëm i një epoke të sëmurë prej imoralitetit, korrupsionit, dhunës dhe botës së krimit.