Nexhat Merxhushi/ Roli i Kishës Greke gjatë masakrave në Çamëri

1018
Sigal

Në 70 vjetorin e Gjenocidit

At Spiro Katundi, mëkëmbës i Anastas Janullatosit, në një shkrim në “Gazeta Shqiptare” (15 shtator 2013), është shprehur mes të tjerash: “Nuk ka kuptim të ngatërrohet çështja çame me Kishën Ortodokse  të Greqisë dhe Kishën tonë. Me sa di unë, ashtu si edhe ju e dini shumë mirë nga historia, çamët nuk i dëboi Kisha e Greqisë…”.  Zoti Spiro! Krishti thotë “mos vidh dhe mos jep dëshmi të rreme”. Roli i Kishës Greke në Çamëri është i dokumentuar nga dëshmitë historike të kohës. Kisha Greke në Çamëri ka zbatuar një projekt kriminal të pashembullt, duke financuar dhe mbështetur organizata kriminale kundër çamëve. Reprezaljet kundër popullsisë çame kanë filluar që në kohën e Dionis Filozofit, Mitropolitit të Trikisë, i cili bëri një kryengritje osmane në vitin 1611 dhe nën emrin e kësaj lufte dogji e vrau banorët myslimanë çamë të dy fshatrave, Granicë dhe Aurovuçi të Paramithisë. Sipas tij “islamizimi u bë me dhunë”. Historiografia greke e ka glorifikuar rolin e Dionis Filozofit. Vasil Krapsiti, në librat e tij, e përshkruan si “strateg ushtarak”, si “Huniad”. (Libri Paramithia, f.57). Ndërsa historiani J. Kordhates thotë: “ Kapobandat greke gjatë marshimeve drejt krahinave me banorë të etnisë jogreke, për nga feja dhe kombësia, inkurajoheshin me parullën e njohur shovene “përpara, me kryqin në njërën dorë dhe në dorën tjetër thikën”! (Shih librin “Istoria tis Enoteris Elladha”,fq.132,viti 1985).

Ofensiva shoviniste e Kishës Greke ndaj popullsisë dhe kulturës çame nuk u ndal për shumë shekuj. Priftërinjtë grekë dhe qeveria greke, bashkë me atë turke, ndalonin të hapeshin shkolla shqipe në Çamëri. Turqit kishin interes të hapnin Mejtepe (shkollë laike turke) dhe Medrese (shkollë e mesme fetare). Kështu më 1858 shkolla turke Mejtepi u hap në Paramithi, me iniciativën e Hafuz Dules dhe ndërtimi i saj u bë nga Ali dhe Sybi Dino. Gazeta “Janina” (dt.19.3.1870) thotë se “më 1870 u hap Medreseja e Paramithisë”.  Autori gjerman T. Neurouts Hatinger, i shkruan gjuhëtarit dhe albanologut gjerman Gustav Majer, në vitin 1888: “ Në Greqi shteti ndalon kategorikisht mësimin e gjuhës shqipe”.

Në vitin 1714 Shën Kozmai, i mbiquajtur “misionar i helenizmit”, një personazh tjetër historik nga një fshat i humbur i Etolisë, i cili është shpallur “Shenjt” nga Kisha Greke dhe jo rastësisht bën pjesë edhe në kalendarin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe besimtarët e Myzeqesë e nderojnë atë pa ditur pse, ndërmori udhëtimet misionare në favor të helenizmit, posaçërisht në atë që quhej “Shqipëri e Poshtme” (Epir), në vitet 1768-1774 dhe 1775-1779.
Kjo periudhë e jetës së Shën Kozmait dokumentohet nga letrat dhe nga predikat (didahitë) e tij, si dhe nga dokumente të tjera bashkëkohëse mbi të, siç janë arkivat veneciane. Misioni i parë në Shqipëri, ai i viteve 1768-1774, lidhet drejtpërsëdrejti me kryengritjet e mëdha të shqiptarëve të Himarës, Labërisë, Delvinës, Sulit e deri poshtë në Peloponez, kryengritje të mbështetura edhe nga Rusia, Venediku, Franca e sigurisht Papati. Biografi i Shën Kozmait, K. Sardhelis, pohon se misioni i këtij të fundit në Shqipëri “u sponsorizua” jo vetëm nga Patriku, por edhe nga vetë Sulltani, i cili e pajisi Kozmanë me një ferman të veçantë.

Misioni i dytë i Kozmait synonte në shtrirjen e gjuhës greke në trevat shqiptare nëpërmjet hapjes së shkollave greke dhe në këtë kuptim, edhe misioni i dytë mbetet po aq politik sa i pari. Kozmai u nis nga Stambolli më 1775, i pajisur përsëri me leje të Patrikut dhe me ferman të Sulltan Hamitit, i cili ndërkohë ishte zgjedhur nga Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës si “Inspektor i Përgjithshëm i Shkollave Greke” dhe në këtë cilësi e konsideronte detyrën e tij të mbronte dhe të favorizonte hapjen e shkollave greke në Shqipëri dhe mbytjen e gjuhës shqipe. Udhëtimi i dytë i gjatë e çoi murgun Kozma në shumë vende të Shqipërisë, në fshatrat e Korçës, Konicës, Paramithisë, Filatit, Delvinës, Gjirokastrës, Himarës, Vlorës, Beratit, Kavajës e deri në Krujë. Thelbi i aksionit të tij në të gjitha këto vende përmblidhet në prediktën e tij të famshme, në të cilën iu drejtua shqiptarëve të Epirit: “Mësojini fëmijët tuaj të flasin gjuhën greke, pasi edhe kisha jonë dhe kombi ynë janë grekë. Në ka burrë a grua të krishterë që do të më japë fjalën se nuk do të flasë më shqip në shtëpinë e tij, të ngrihet e të ma thotë, sepse unë do t’ia fal të gjitha mëkatet që ka bërë që nga dita e lindjes“. Dhe përfundon: “Më mirë të keni një shkollë greke në fshatin tuaj, se sa të keni përrenj e lumenj” (A. Konstantakopulos, Ellenike glosa sta Balkania, Janinë 1988, f.35). Siç i shkruan vëllait të tij, Hrysanthit, në përfundim të misionit të vet, Kozmai arriti të ngrejë 210 shkolla në të gjithë shtrirjen e Shqipërisë së Poshtme. Ishin të gjitha shkolla greke dhe një fakt i tillë e bën Kozma Etolin, padyshim, një pararendës të helenizmit.

Në fillim të shekullit ‘20 erdhi nga Kisha e Smirnit (Izmir) me një urrejtje të shfrenuar kundër shqiptarëve myslimane, mitropoliti Neofitis, i cili krijoi “Komitetin e Shpëtimit Kombëtar të Thesprotisë”, një organizatë shoviniste e financuar nga shteti grek. Në vitin 1909 Neofiti udhëzonte që në 24 fshatra ortodoksë të Frarit “të mos caktoheshin mësues shqipfolës, pasi ata nuk mund të kontribuojnë për përhapjen e gjuhës greke, që përbën edhe qëllimin e çdo shkolle” (V. Krapsiti “Historia tis Paramithja f.32) . Si dhespot i Paramithisë në vitin 1913,  Neofiti organizoi Masakrën e Selanit, së bashku me Delijanaqin dhe “aktet makabre i kishte për nder”, sipas historianit Vasil Krapsiti. Vetë Dhespoti shpërndante armë tek besimtarët ortodoksë për t’i përdorur kundër myslimanëve. ( V. Krapsiti: Historia e Paramithsë, fq.115). Kisha Greke piketoi për të shfarosur të gjithë patriotët çamë që përpiqeshin t’u mësonin shqipen çamëve. Të tillë ishin Fejzo Bakiu, Abedin Bako, Gani Bako, Spiro Çalluka, Abedin Dino etj. Kisha bënte propagandë për t’i bindur këta patriotë të mos largoheshin nga Çamëria, me qëllim që më vonë të bëheshin pre e masakrave të Zervës, siç ndodhi me vëllëzërit Bako, të cilëve Zerva u nxorri sytë dhe i mbështolli në një copë letër, për t’ua dhënë motrave të tyre në burg, ndërsa Spiro Çallukën e katandisën “një grusht njeri”, (siç thotë dëshmitarja Zeqije Nuri).

Pas Neofitit mitroplit i Paramithisë ishte Doroteu (Naskaris), një tjetër klerik  grek, kriminel dhe vrasës me damkë. Doroteu u bë “garant” dhe organizoi, së bashku me shefin e Horofillaqisë (policisë greke) Skapera, takimin e parë, në Selan afër Paramithisë, midis përfaqësuesve çamë (Myftiu, Sali Hafuzi, Haxhi Shehi etj.) dhe përfaqësuesve të andartëve grekë. Nga pala e andartëve ishte dhe majori gjerman Nyers. Në takim i garantuan çamët se do t’ju sigurohej jeta dhe pasuria, ndaj duhej t’i bënin thirrje komunitetit të tyre të mos largoheshin nga vendi. Doroteu drejtonte fshehurazi edhe një organizatë terroriste, ku përfshiheshin kriminelë famëkeq si Kristo Lefter Strungari (avokat), Nikolla Qamo, Petro Bazako, Gaqi Vangjel Pulla, Jot Keno, Nikolla Mitro Cili, Dhimo Pasko, Lllaqi Çavo, Koço Nikola Vojniku, Jotas Sabo Kasapis, Taqi Apostol Strungari, Nikolla Thanas Rafti, Sotir Nilis, Jani Faços etj. Në takimin tjetër në Paramithi, më 27 qershor 1944, pritësi kryesor i zervistëve ishte vetë Doroteu dhe merrte pjesë paria e Parmithisë. Pasi hëngrën e pinë në fillim te shtëpia e Dorotheut, ky i fundit befas u largua për në Janinë. Andartë drekuan edhe në disa shtëpi të tjera paramithiote dhe nga dreka filluan masakrat. I pari që u ekzekutua ishte myftiu Hasan Abdullai, miku i Doroteut. Këtë e kam parë vetë me sy. Pastaj filloi masakra e përgjakshme e 27 qershorit, ku u vranë mbi 600  të pafajshëm, fëmijë, gra, burra e pleq. Pastaj andartët zervistë iu vërsulën edhe objekteve të kultit. Sipas V. Krapsitit në librin “Paramithia” fq. 203, veç vrasjeve të shumta dhe makabre të popullsisë së pafajshme çame, u rrafshuan objekte shumë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve si: xhamia e madhe e qytetit ose Xhamia e Pazarit, Xhamia Vasilius (Xhamia e Mbretit), monument kulture, ndërtuar në vitin 1490 nga Sulltan Bajaziti, Xhamia e Bollatatëve, një tjetër monument i rëndësishëm kulture, Xhamia e Pronjatëve, Xhamia e Sinjatëve, Xhamia e Shardhaqëve, Xhamia e Kastros, Xhamia tek Çezma e Kanalit, Xhamia tek Feim Kalaç, Xhamia e Man Shanit, Xhamia e Manoplejve, Xhamia e Maksudatëve”.

Pse nuk kujtohet sot për këto objekte hirësia e tij Janullatos, përpara se “kisha autoqefale shqiptare” e uzurpuar prej tij kërkon të shkelë ligjin, siç ndodhi me Kishën e Përmetit? Në përgjigjen ndaj historianit Kristo Frashëri, zoti Janullatos shprehet: “Nëse do të ndodhte një ngjarje e tillë në një objekt kulti të një besimi tjetër…është e sigurt se do të pësonte një reagim shumë të fortë…”.

Takimi i radhës që organizoi Doroteu u bë në Pargë më 10 gusht 1944, pasi ishin kryer masakrat në Paramithi. Në këtë takim u tha që të dorëzoheshin armët dhe çamët të bashkoheshin me Zervën dhe jo me EAM-n. Një takim tjetër, po nga Doroteu, u organizua në Popovo. Edhe këtu u thanë po ato që u thanë po ato mashtrime. Për ironi të fatit u bë edhe një marrëveshje tjetër midis disa çamëve të mbetur dhe të detyruar dhe EOEA- EDES, më 11 gusht 1944, për ndalimin e armiqësive (V. Krapsiti, fq.194). Ky pra ishte Dorotheu. Dorotheu ishte dhe mik i gjermanëve. Ja një shpallje që majori gjerman Shvarc i garnizonit të Paramithisë, kishte vendosur në zyrat e Komunës së Paramithisë: “Mitropliti i Paramithisë është përfaqësues i qeverisë greke dhe nën mbrojtjen e forcave gjermane. Çdo atentat kundër tij do të konsiderohet si atentat kundër forcave gjermane dhe do të ndëshkohet rreptësisht, komandanti i garnizonit Shvarc” (V. Krapsiti, fq.115).

Ato që ka bërë Kisha Greke në Çamëri janë vepra kriminale të pashembullta, për të cilat Janullatos nuk ka thënë asnjë fjalë deri më sot, madje nuk ka pranuar as të marrë pjesë në Përshpirtjen për Viktimat e Gjenocidit ndaj Çamërisë, organizuar në hotel Tirana, me përfaqësues të të gjitha komuniteteve fetare

Kisha Greke përdori të gjitha mënyrat për përndjekjen e myslimanëve çamë dhe ndalimin e gjuhës shqipe. Në të kundërt çamët i ndihmuan sa mundën grekët, siç thotë historiani Jani Sharra. Fjala vjen, Shën Kozmai ka ndenjur në shtëpinë e Islam Pronjos. Por duhet thënë se kishte edhe klerikë grekë që në një farë mënyre nuk ishin dakord me ekstremizmin tipik grek kundër çamëve. Një nga ata ishte Dhespoti Kurrilla, i cili në librin “ Shteti i së vërtetës”, midis të tjerash thotë: “Suliotët janë shqiptarë dhe flasin shqip”. Po ashtu Mitropoliti i Artës, Serafin i Bizantit, në librin “Dy fjalë për një shkrim historik të Artës dhe Prevezës”, shprehet: “Thesprotia (Çamëria) përfshin Pargën fatkeqe, Paramithinë, të gjithë Çamërinë dhe Daienë (Maragritin-Margëlliçin), banorët e të cilëve janë të gjithë çamër shqiptarë”.