Nevrus Dervisha/ Shkolla ‘Skënderbej’ legjendë e arsimit, mbyllja e saj, paradoks!

1072
28 marsin i vitit 1945 do të mbetet gjatë në kujtesën e tërë atyre që kanë pasion detyrat e mbrojtjes dhe mbi të gjitha e kuptojnë mbrojtjen ushtarake-si nevojë edhe për shumë kohë. Të parët, ish partizanë pionierë, fëmijë në nevojë apo pa prindër si Pal Proletari, djali për shpirt i Heroit të Popullit Asim Zeneli, u bashkuan në shkollën tonë. Tani që flasim, na ngjan se Komandanti i shkollës Thoma Frashëri, po i paraqet forcën Shefit të Shtabit të Ushtrisë Kombëtare, gjeneral Spiro Moisiut- në resht 300 pionierë partizanë. Skënderbegasit e parë, me pamje të çuditshme, me veshje dosido, shumica me dekorata, me armë në sup e në brez, sepse vinin nga frontet e luftës, me nivele shkollimi e diferenca moshe, që nuk mund t’i bashkoje as në fillore e as në 7 vjeçare… Ata, mësuesit duhet të ishin artistë në punën e tyre si Gjylyzarja, Pranvera Qosja, Drejtor Stavri, Kadrie Kopliku, mësues Eftimiadhi, Pandeli Skrami, Kozma Vasili e shumë të tjerë… Shkolla Skënderbej, ne, na bashkonte në toga dhe çdo togë një klasë dhe kompani, na mbante nën kërkesat e saj me rregullore, por kurrë nuk na ndrydhte, nuk na kufizonte duke na mohuar dëshirat, por duke i ushqyer ato e duke zbuluar hap pas hapi personalitetin e secilit. Këtë mund ta arrijë vetëm një kolektiv me qëllime humane dhe metoda edukimi të menduara mirë. Më 10 korrik 1953, shkolla jonë mori flamurin luftarak, ata tashmë të burrëruar, ishin një repart me atribute luftarake ashtu si dhe çdo repart apo njësi ushtarake… Në muajin janar, skënderbegasit, zakonisht, shkonin në Voskopojë, vend me klimë tipike malore dhe me histori. Ndërsa në verë, në gusht, shkonim në Karpen-Kavajë. Në ato zona, në dimër dhe në verë, zhvillohej stërvitje për ngjitje malore dhe not, që ndikonin sa në nivelin taktiko-ushtarak aq edhe fizik…Kur profesor Eftimiadhi, apo dhe shumë të tjerë, Gëten e deklaronte gjermanisht, Danten në italisht, Bajronin në anglisht, Volterin frëngjisht, ne, nxënësit, gjimnazist të viteve 1950-të, ato gjuhë nuk i kuptonim, por mësuesi i ditur, donte të na thoshte, se bota ishte më e madhe dhe më interesante, por edhe me më shumë detyrime se ajo që ne njihnim. Sidoqoftë ata për ne mbetën një dritare. 
Ndoshta për rastësi, ngjarjet e 2 gushtit 1949, skënderbegasit i gjen në Pogradec. Ata ndiqnin me shqetësim provokacionet greke. Të shtënat e topave që vinin deri aty, u thoshte se ata, shumica ish partizanë, vendin e kishin në Vidohovë e në Qafë të Kazanit, por ata kishin punë mësimin, luftën tua linin më të rriturve të cilët e bënë detyrën me nder dhe provokuesit morën ndëshkim. Por skënderbegasit nuk e kishin lënë me aq. Tashmë ishin organizuar. Cilido vendimi nga lart, ata ishin gati për tu nisur drejtë kufirit. Reparti dhe çdo nënrepart tashmë ishte organizuar, çdo individ dinte vendin e tija në ato formacione. Drejtuesit e deri tek grupet e sulmit, të vrojtimit, të zbulimit e të pengimit, ata më të aftit që do të kalonin matanë frontit duke e goditur armikun pas shpine, ishin organizuar. Kampi gumëzhinte. Klasat, muret, drurët e gurët, kishin marrë formën e tabelave ku shkruhej e flitej vetëm për detyra luftimi. Ne, skënderbegasit, nuk kemi qenë kurrë brezi që kemi ecur vetëm sa për të jetuar, kur i thonë, për tu gjendur, prandaj punuam dhe u integruam në radhët e detyrave të shumta të ushtrisë, denjësisht, duke mos qenë ca oficerë që erdhën në ushtri, ca më parë apo ca më pas, por të barabartë. Marrëdhënia e veçantë e ne skënderbegasve, është ajo që ne na ka mbajtur dhe na mban gjallë, ajo që sot jemi këtu, e dëgjojmë dhe e kuptojmë njëri tjetrin… 
Emra skënderbegasish
Po përmend disa nga emrat e skënderbegasve. E di që nuk mund të biem dakord me këtë listë, por për një gjë duhet të jemi të një mendimi, disa nga skënderbegasit janë një hap më përpara se shokët. Ndër të dalluarit, nga do që kthehesh, Ali Kuqo dhe Gjergj Aleksi. Po ata janë shumë, prandaj nga matura e vitit 1954, nuk mund të mos përmendim edhe Mihallaq Priftin e Filip Margën. Skënderbegas kanë qenë edhe Çesk Zadeja e Piro Mani, Petrit Muzaku, legjenda e sportit. Gjerak Karaisaj, arkeolog i shquar, Sefedin Qorlazja, Laureat i Çmimit të Republikës në Gjeologji, Bashkin Dino, diplomat i suksesshëm, Kostaq Karoli, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Barjam Manaj, zv. Ministër i Mbrojtjes, Milto Vako, muzikant me kualitete të larta, Çuman Sejdiaj dhe Xhelo Rexhepi, drejtorë Drejtorie në Ministri, Hasan Çipuri, nxënës i talentuar, Profesor, Linguist,…
Shkolla “Skënderbej” do nderohet e kujtohet
Të mos harrojmë një të vërtetë, jeta është një skenë e madhe, një skenë ku luhen mijëra drama të të gjithë llojeve, me regji të mistershme, shumica të pa njohura nga askush nga ata që ecin brenda dramës…Puna është që jeta e shkollës sonë Skënderbej, të mos harrohet aq kollaj nga erozioni i sistemit, i vendit të saj historik në shkollimin sa të përgjithshëm aq edhe ushtarak, në vlerat e sa e sa kuadrove që me dije dhe guxim morën në dorë jetën e vërtetë të ushtrisë. Shkolla Skënderbej, me punën e saj, me arritjet, me qindra kuadro ushtarake që përgatiti, e ka ngritur lartë nderin e saj, ajo i bëri të vetat dhe kur thonë, i ka rrëmbyer vetë tërë lëvdatat dhe dekoratat, gjithë epitetet e atyre që mendojnë mbarë, mirë e në përputhje me situatat për mbrojtjen e Atdheut. As unë, e as njëri nga ne, nuk mund ta fshehin kundërshtinë e tyre ndaj atyre që folën jo si duhet për vlerat e asaj shkolle. Folën me qëllim për ta justifikuar veten para presionit të opinionit atdhetar. 
Mbyllja e shkollës
Me mbylljen e Shkollë Skëndebej, kemi humbur një legjendë dhe një legjendë nuk është kollaj as të ngrihet, pra të ndërtohet, e as të rrëzohet. Mbyllja e Shkollës “Skëndebej”, shumëve u ka lëkundur besimin tek qeveritarët, tek ata që kanë në dorë punë të mëdha. Kur e dëgjova, një lëmsh përvëlues më mbeti në grykë, më thoshte një miku im. Bashkë me ne, në këtë kundërshti janë drejtuesit tanë ushtarakë. Është komisari paharruar Xhemal Shehu, komandantët e kompanive Ali Rexha e Enver Meni, Marshall Nokja, që me gatishmëri të paparë na veshi e mbathi, na ushqeu si ai. Kundërshtimin dhe dhimbjen tonë, ky vendim e pati me shumicë. Ditën, vitin kur u mbyll shkolla “Skënderbej” do ta kujtojmë. E kjo sepse askush nuk pyeti për vlerat e saj, për nevojën e saj, nevojë edhe aq kohë sa ka ushtri dhe ushtarë, ka nevojë për ta mbrojtur këtë tokë martire, ka nevojë që atdheu ynë të shkojë në kufijtë e vërtetë. Deri sa kjo dëshirë mbarë shqipfolëse nuk ka ndodhur, e aq më shumë nuk mund të ndodhë pa forcë ushtari, atëherë ajo shkollë ushtarake mbetet nevojë. Kush nga ne ushtarakët nuk e di se NATO është për ditë të rrezikshme, por të parët jemi ne, me mundësitë tona konkrete luftarake. 
Nderim për ata që nuk jetojnë 
Me dhimbje për ata që nuk i kemi midis nesh, t’i takojmë, të qajmë hallet e kësaj bote të trazuar. Diku e dikur, atyre do tu ngrihet një lapidar. Mbase kjo që them, kjo përçapje e lajthitur, një ditë do të ngjasë. Të paharruarve u ngjajnë të gjitha. Këto fjalë që mund të përhapen ngado me shpejtësi rrufeje, atje, poshtë, ku janë të ikurit, nuk mund të venë kurrë. Por, prandaj jemi ne të gjallët-për të nderuar ata që nuk janë më midis nesh. 
Sigal