Nesër do të lexoni/ Kostaq (Koço) Kota, organizator i Mbrojtjes Kombëtare gjatë Luftës I Botërore

912
Sigal

Nga Harallamb Kota

Largimi i Ismail Qemalit, Vidit dhe Atë Nolit
Princ Vidi dhe Fuqitë e Mëdha
Diplomacia evropiane luante me kartën shqiptare, për të realizuar marrëveshje të fshehta në kurriz të popullit shqiptar. Duke qenë se kapedanët shqiptarë, Çerçiz Topulli, Isa Boletini, Ded Gjo Luli, Ahmet Zogu, Sali Butka, Namik Delvina, Themistokli Gërmenji e të tjerë, ishin lidhur me. Austro-Hungarinë, kundërshtarët e saj, Franca dhe Italia, vendosën të riaktivizojnë, Esat Pashë Toptanin. Në datën 20 gusht 1914 filloi zyrtarisht Lufta I Botërore, që do ta kthente sërish truallin shqiptar në një shesh beteje, midis fuqive ndërluftuese që përfaqësonin Antantën dhe Bllokun Qendror. Në fund të gushtit, bandat greke, me rreth 300 vetë, hynë në Berat. Ndërkohë, forcat rebele shqiptaro-proturke, e kishin shtrirë zotërimin e tyre midis lumenjve. Mat e Vjosë. Në kushtet e lindura pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, rebelët hynë në bisedime me disa krerë shqiptarë, që kishin qenë në krah të Viedit. Me ta u bashkuan edhe Mehmet pashë Dërralla dhe Ibrahim Temo etj. Ndërsa Hasan Prishtina, Bajram Curri dhe Isa Boletini nuk pranuan dhe i qëndruan besnikë mbretit. Princi bëri përpjekje për të hyrë në bisedime me rebelët, por nuk arriti në asnjë marrëveshje me krerët e tyre. Për të gjetur rrugëdalje, Mbreti ngarkoi Kryeministrin që të vizitonte kryeqytetet evropiane dhe të siguronte prej tyre ndihmë ushtarake. Turhan Pasha u kthye pa marrë asnjë premtim. Ditën që rebelët iu drejtuan Vlorës, pashai Toptanas niset nga Napoli dhe shkon në Paris, ku merret vesh me qeverinë franceze për të hyrë në luftë kundër aleancës së shteteve të “Boshtit”. Për realizimin e misionit të ngarkuar, Esati nga Parisi shkon në Athinë ku merret vesh edhe me qeverinë greke. Më pas kalon në Serbi, ku takohet me Pashiçin. Gjatë qëndrimit në Serbi Esat Toptani lidhi marrëveshje me Pashiçin dhe me armiqtë e Shqipërisë, duke mbyllur ciklin e pazareve të fshehta në dëm të Shqipërisë, në bazë të të cilave kishte siguruar ndihmën e qeverive në fjalë për të ardhur në pushtet. Për të vënë në jetë planet e tij, Esat pasha largohet nga Serbia dhe shkon në Selanik, në pritje të urdhrave për të hyrë në Shqipëri nëpërmjet Kapshticës. Në fund të gushtit, rebelët u përgatitën të sulmonin Vlorën, por banorët e saj kërkuan të shmangnin luftën. Për këtë qëllim dërguan një delegacion, i cili u takua më 31 gusht me krerët e tyre në Cakran. Pas dështimit të bisedimeve midis palëve, më 30 gusht trupat kryengritëse, të udhëhequra nga Mustafa Ndroqi, Osman Bali dhe Dervish Biçakçiu, duke kaluar nëpër Myzeqe hynë në Vlorë më 1 shtator 1914. Mustafa Ndroqi, kryetari i “Komitetit të Përgjithshëm Rebel”, pasi forcat ushtarake rebele, të inkurajuara nga segmente xhonturkiste, fuqi ushtarake greke dhe agjentë italianë, pushtuan Vlorën, kryeqytetin shqiptar të Pavarësisë, në prani të besimtarëve muhamedanë të ulur në gjunjë e të thyer mesit, “uli flamurin shqiptar dhe ngriti flamurin osman”. Me gjestin e një dallkauku anadollak, deklaroi kërkesën e krerëve rebelë…
Për më shumë nesër në gazetën Telegraf