Ne “pezakët”, si e vramë nipin e të besuarit të Hitlerit

Leonard VEIZI

INTERVISTA/ Rrëfimi i Idris Shehit, ish- partizan i çetës së Pezës dhe kuadër i lartë i shërbimit Diplomatik Shqiptar

I ka kaluar të tetëdhjetat, por duket se kjo moshë e hedhur në shifër nuk ka shumë rëndësi për të. Përveç shëndetit, ai vazhdon të ketë të njëjtën gjatësi dhe për më tepër të njëjtën energji të admirueshme si shumë vite më parë. Mëngjesin e çdo dite ai ngjit me shkathtësi 56 shkallë për të mbërritur në katin e pestë të ndërtesës, ku janë vendosura zyrat e Komitetit Kombëtare të Veteranëve të LANÇ-it. Pastaj mund të zbresë dhe të ngjitet sa herë t’ia dojë puna. Dhe nuk përton. Ky është Idris Shehi, një ish- ushtarak i lartë dhe diplomat karriere, por dhe prozator e poet me sqimë, i cili për gazetën “Telegraf” ka dëshirë të rrëfejë luftën e Çetës Plakë të Pezës, pjesëtar i të cilës ka qenë për tre vite me radhë.

Kur do të formohej çeta e Pezës që është cilësuar si çeta e parë antifashiste në Evropë?
Çeta patriotike e Pezës, e krijuar më 5 qershor 1940 nga komandanti legjendar Myslym Peza, ishte e para çetë e armatosur në vendin tonë në luftë kundër okupatorit. Brenda periudhës njëvjeçare nga viti 1940 deri në qershor 1941, kjo çetë ndërmori disa aksione kundër okupatorit, duke goditur automjete ushtarake përgjatë rrugës nacionale Tiranë-Ndroq-Durrës, ndërprerje të linjave telefonike etj. Gjatë kësaj periudhe njëvjeçare, çeta patriotike e Pezës, ishte përballur me tre operacione të okupatorit. Në operacionin e marsit të vitit 1941, ku 700 karabinierë sulmuan Pezën, çeta patriotike ne atë kohë humbi 5 luftëtarët e saj: Hasan Riza, Sadi Sinani, Rrem Haka, Vath Korriku dhe Xhafer Durishti. Ndërsa mbetën të plagosur 5 të tjerë, Skënder Peza, Sulejman Brahja, Emin Çelmeta, Qemal Deliailisi dhe Shkurt Rexha. Ndërsa nga ana e armikut pati 84 karabinierë të vrarë dhe shumë të plagosur.

Cili ishte Myslym Peza, kam parasysh aftësitë e tij organizative?
Shumë shpejt emri i Myslym Pezës u kthye në legjendë. Ai kishte një të folur të ngadalshëm dhe thoshte gjithnjë kryesoren, dëgjonte me durim dhe vëmendje, kishte dhuntinë e një nuhatjeje të jashtëzakonshme, gjë që jeta e kaçakut ia kishte stërholluar edhe më shumë. Pa arsim, ai dinte të organizonte ne mënyrë shembullore luftën e sulmit të befasishëm, në mbrojtje dhe në tërheqje në kohën e duhur. Ishte 40 vjeç, ku u kthye ne Shqipëri pas 9 vjet emigrimi jashtë shtetit. Vitet e jetës prej kaçaku, në luftë të pandërprerë kundër regjimit kishin përforcuar nuhatjen e strategut. Myslymi ishte i thjeshtë, i urtë, si populli nga kish dalë, ishte zemërbardhë e fisnik. Ai mbeti një shembull i njeriut që jetoi, luftoi, punoi vetëm për popullin. Kjo është arsyeja që emri i Myslym Pezës u kthye në legjendë për së gjalli. Dhe i tillë mbeti ai deri sa u largua nga jeta. Pas çlirimit të vendit, kur ai ishte me grada dhe me ofiqe të larta shtetërore, kurrë nuk e ndërroi qëndrimin e tij. Mbeti po ai Babë i Madh, i thjeshtë dhe i dashur. Çdo javë shkonte në Pezë, ulej midis fshatarëve dhe i dëgjonte me vëmendje dhe me shumë kujdes. Mbante mend hallet e tyre dhe përpiqej t’ua plotësonte nevojat. Vepra e Pezës dhe e Myslym Pezës meritojnë veç respekt e nderim.

Si do të lidhej një nacionalist me komunistët? 
Takimi i parë me Enver Hoxhën ishte përcaktues. Komunistëve që kishin marrë përsipër organizimin e luftës pa kompromise kundra okupatorit, ai u dha besën. Nga kjo kohë filloi lufta e madhe e Myslym Pezës. Në shtëpinë e tij filluan të grumbulloheshin patriotët e parë. Armiku duke parë influencën që kishte Babë Myslimi në Pezë e më gjerë, mendoj që ta tërhiqte nga ana e vetë, i premtuan shuma të mëdha parash e grada, por trimi i hodhi poshtë. Peza dhe Myslym Peza, u bën qendra e pare e madhe e ilegalëve dhe e njësiteve partizane. Në çetën e Pezës fillimisht do të vinte si komisar komunisti Vasil Shanto.

Po Konferenca e Pezës, në çfarë kushtesh do të zhvillohej?
Iniciativa për bashkimin e këtyre forcave i takoi Partisë Komuniste Shqiptare, si e vetmja forcë politike që kishte dalë deri në atë kohë hapur në luftë kundër pushtuesve. Ajo mori përsipër që të bënte bashkimin e rrymave që kishin lindur në atë kohë dhe që predikonin edhe ata luftën kundër okupatorit. Atdhetarë e nacionalistë të ndershëm mblidheshin për të arritur një marrëveshje për një orientim të caktuar drejt qëllimit kryesor që ishte çlirimi i vendit. Që të arrihej kjo duheshin hedhur poshtë mosmarrëveshjet, bindjet e ndryshme ideologjike dhe pa dallim feje, krahine e ideje të bëhej bashkimi, për hir të interesave kombëtare. Mbi këtë bazë, Konferenca siguroi një përfaqësim të gjerë të patriotizmës shqiptare që do të merrte përgjegjësinë për fatet e atdheut.

Sot pas kaq shumë vitesh si e vlerësoni këtë Konferencë?
Mund të themi me plot gojën se bashkimi i patriotizmës shqiptare në Konferencën e Pezës për nga rëndësia që merrte mund të krahasohet me Kuvendin e Lezhës më 1444 apo Lidhja e Prizrenit më 1878, kur shqiptarët u bashkuan kundër perandorisë turke. Duhet pranuar se konferenca e Pezës nuk erdhi spontanisht, por si rezultat i një mendimi të përpunuar nga një force politike, që kishte vizion të qartë për gjendjen e rëndë, ku ishte katandisur vendi dhe rruga që duhej ndjekur për të dalë nga kjo. Shumica e pjesëmarrësve në konferencën e Pezës përbëhej nga nacionalistë e patriote. Kështu p.sh. nga 18 delegatë pjesëmarrës në konferencë, rrymat e ndryshme nacionaliste, të lidhur ose jo deri në atë kohë me luftën çlirimtare që kish filluar përfaqësoheshin nga M. Peza, H. LIeshi, M. Xhani, Q. Harito, O. Çela, A. Kupi, S. Muço, R. Jerani, H. Begeja, A. Cami, K. Qafmolla, N. Çoba. Pra me një pjesëmarrje të tillë të gjerë pluraliste konferenca e kishte legjitimitetin e plotë për të vendosur për çështje e detyra, që kishin të bënin me të ardhmen e vendit dhe që do ta çonin atë drejt çlirimit të plotë nga okupatori fashist. Nga ana tjetër, vetë fakti që konferenca zgjodhi një kryesi prej tetë vetash, që përsëri shumicën e përbënin jo delegatët komunistë, por patriotët të ndershëm, tregon për vendin që ju rezervua nacionalistëve në këtë konferencë. 

Mendoni se Konferenca mori dhe disa vendime që do të kishin kosto më pas?
Ne konferencë u hodhën mendime të shumta, por të gjitha këto u sheshuan me mirëkuptim. Fronti kishte detyrë të përgatiste popullin për luftë dhe prej kësaj lufte të dilte dhe shtabi i përgjithshëm dhe të krijohej ushtria nacionalçlirimtare shqiptare. Në konferencë u trajtua dhe çështja e regjimit politik të mbasçlirimit. Delegatët u shprehën të një mendjeje, se regjimi duhet të ishte regjim demokratik. Ne konferencë u ngrit edhe çështja e Zogut. Për këtë u konkludua që t'i lihet vetë popullit të vendoste. Vetë Abaz Kupi përfaqësues i Zogut në konferencë do të deklaronte: Unë kërkoj Shqipërinë njëherë e jo Zogun, në qoftë se populli e do, le ta vendosë"

DËSHMIA/ Ja veprimet e armatosura të Çetës së parë antifashiste në Evropë 

Këshillat Nacionalçlirimtare zhdukin pushtetin e kryepleqve

Jo vetëm bazë e luftës me armë, por aty do të lindte dhe ideja e zëvendësimit të pushtetit të kryepleqve me Këshillat Antifashistë Nacionalçlirimtarë. Duke rrëfyer për veprimtarinë luftarake të Çetës së Pezës, Idris Shehi thotë: “Pasi mori mbështetje Çeta e Pezës e pati rritje edhe në numrin e veprimtarive luftarake. Kështu u rrit numri i aksioneve kundër okupatorit dhe veglave të tyre. U rrit gjithashtu numri i pjesëmarrësve në këto aksione. Kështu p.sh, në vitin 1941, Çeta partizane e Pezës, kreu 7 aksione të tilla, dy prej të cilave u realizuan me ndihmën dhe në bashkëpunim me njësitit gueril të qytetit të Tiranës. Vlen të përmendet se gjatë vitit 1942 çeta kreu 13 aksione luftarake dy prej, të cilave ajo i kreu në bashkëpunim me njësitin gueril të Tiranës. Në këtë kohë pati rritje dhe të njësiteve të qytetit të Tiranës. Në vitin 1941 në qytetin e Tiranës vepronte vetëm një njësit gueril me katër anëtarë, ndërsa në vitin 1942 në qytetin e Tiranës vepronin 5 njësitë guerile me 30 anëtarë. Gjatë vitit 1942, shumë fshatra të Pezës dhe më gjerë zona veprimi të forcave partizane ishin çliruar. Nga presionet dhe goditjet e forcave partizane armiku ishte larguar duke lenë fshatra e zona të lira partizane, lëviznin lirisht ditën dhe natën. Me gjithë këtë në këto fshatra vazhdonte pushteti i kryepleqve, që shpesh ishin bërë objekte thirrjeje nga ana e pushtetit fashisto-kuesling për të informuar rreth të dhënave që i duheshin okupatorit për lëvizjen e forcave partizane në fshatrat e tyre. Kjo ishte arsyeja që në muajin shkurt të vitit 1942 forcave partizane të Pezës ju dhanë porosi që të likuidonin pushtetin e kryepleqve dhe në vend të tyre të mblidhesh fshati dhe të zgjidhnin këshillat e tyre nacionalçlirimtare, si bërthama të pushtetit të ardhshëm popullor. Kështu p.sh., deri në prag të konferencës së Pezës u mundësua të ngriheshin këshillat nacionalçlirimtare në 10 fshatra të zonës së Pezës”

Rrethimi
Si u tremb togeri italian nga emri i Myslymit
“Në vitin 1941 aty nga fillimi i muajit maj, armiku merr të dhëna për vendosjen e Myslym Pezës, në Shahinje të Shijakut. Pa pandehur dhe pa zhurmë, armiku dërgoi aty një repart xhandarmërie të udhëhequr nga një toger. Ky i fundit qëndroi para shtëpisë, ku ishte strehuar Myslym Peza dhe kërkoi nga i zoti i shtëpisë që t'i sillnin ujë. Babë Myslymi e porositi që në raste do ta pyeste, t’i tregonte të vërtetën, se në shtëpi kam Myslym Pezën. Ndodhi në të vërtetë që togeri e pyeti të zotin e shtëpisë dhe ky i tha të vërtetën. Togerit fashist i ra nga dora ena e ujit dhe menjëherë urdhëroi repartin që të tërhiqej, se në këtë shtëpi nuk ka njeri të strehuar! Një oficer anglez, anëtar i Misionit në Shqipëri, në kujtimet e tij do të shkruante se: Myslym Peza kishte një ndjenjë të lartë të sigurimit personal, që e kishte fituar gjatë 14 vjetëve të jetës jashtë ligjit. Ai kurrë nuk flinte dy herë në të njëjtin vend dhe kur kishte mundësi, nuk e kalonte natën në një shtëpi, por në kodra”, rrëfen për “Telegraf” Idris Shehi.
“ Dhënë për Telegraf me 10 Qershor 2006 “ Idriz Shehi është ndarë nga jeta para 4 vitesh

Kush është Idriz Shehu
1943-1946 pjesëtar i çetës partizane të Pezës dhe i Brigadës 22 S
1946-1947 në repartet e mbrojtjes së popullit Tiranë
1947-1948 oficer në Gardën e Republikës
1948-1957 në repartet e kufirit të Ministrisë së Punëve të Brendshme
1957-1960 student në Moskë
1960-1961 në repartet e kufirit Sarandë-Gjirokastër
1961-1963 Punonjës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, diplomat në Moskë
1964-1977 në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në rrethe dhe qendër
1977-1982 Punonjës në Ministrinë e P. Jashtme dhe diplomat në Rumani
1983 e në vazhdim në pension i aktivizuar në organizatën e Veteranëve të LANÇ

DËSHMIA
Si u vra nipi i marshallit nazist Gering
Ishte koha kur forcat e Rajhut III kishin shpërthyer në një ofensivë të madhe kundër partizanëve të Pezës. Idris Shehi thotë, se ata pushtuan të gjithë fshatrat e banuara të zonës, ndërsa partizanët u shtrënguan të jetonin nëpër pyje e gërmadha të shtëpive të djegura. “Në 20 shkurt ’44 një kolonë naziballiste u fut në Pezën e Vogël dhe mori rrugën për t’u futur në zonën e djegur, kur mbërritën në qafën e lagjes ‘Moçallje’ të Çaushit u goditën nga partizanët e Batalionit të parë dhe u vranë dy nazistë që ishin në krye të kolonës. Në çast kolona u godit në mes të saj nga partizanët e Batalionit III të Grupit të Pezës. Befasia e goditjes bëri që armiqtë të tërhiqeshin me shpejtësi”, rrëfen Idriz Shehi. Po sipas dëshmisë së tij, dy ditë më vonë nazistët sulmuan sërish, por këtë herë qëllimi i tyre ishte të merrnin dy kufomat e vrara, që ishin varrosur në atë zonë. Një nga të vrarët ishte oficer, ai quhej Welderman Von Essen dhe ishte nipi i kryeministrit të Gjermanisë, dhe njeriut numër dy pas Hitlerit, feldmareshalit Gering. Madje për këtë ngjarje unë kam thurur edhe ca vargje, të cilat i kam botuar në librin me titull “Myslym Peza dhe pezakët”

POEZIA 
Për nipin e Geringut që u vra në Pezë

Vjen nga udhët e gjata me tanke e topa ,
Këtu ku pezakët luftojnë për atdhe. 
Nuk mendoi Esesi se këtu të ikën koka 
Nga çdo plumb pezaku një vdekje të gjen.

Në kodrën e fires në qafë të Muçalljes 
Erdhi me shumë esesë nipi i Geringut, 
Por s’e kish mendu ai hapin e ndaljes, 
Valdemer Von Eseni mbeti në fushë të ringut.

U kujtu daja, por ish tepër vonë,
Për trupin e nipit që mbeti në Shqipëri,
Kërkoi me çdo çmim trupin me ia dhonë,
Por pezakët me armiq nuk mund të bëjnë tregti.

Vijon