Në Katundisht të Përmetit dhe një dëshmor i Luftës së Parë

Gëzim Llojdia

1. Në Katundisht të Përmetit.Katundishta ka një drejtim të kundërt me Vjosën. të këtij lumi ujëshumë për të cilin studiuesit kanë shkruar. Është peizazh karakteristik ku ndërthuren natyrshëm bimësia barishtore, drurët pyjorë me bimësinë higro – hidrofile që gjendet përgjatë burimeve ujore në shtratin e lumit Vjosë, habitat ku shprehen mirë të gjitha tipet e bimësisë. Gjatësia e kësaj lugine është 13 km dhe gjerësia 1 – 1.5 km. Në dalje të Këlcyrës dhe çfarë ishte kandisur kështu o Zot ky vendth, ky qytetit i vogël mu fanit me një fshatë në udhë e sipër , ti kishin kafshuar vallë qentë udhët e tij,copë-copë,ata që edhe hënën e bëjnë copë e cik. Pra majtas udha e asfaltuar shtrihet gjerësisht deri tej Goricë, Ballaban, fshatra me radhë, njerëz melaqe, të urtë të besës po dihet, të punës të rakisë, të muhabetit. Katundishta gjendet në strehën e një një vargmali. Kjo rrugë ishte dikur e vetmja mbi të cilën mund të shkohej për në Këlcyrë e Përmet. Ajo zë fill në Berat dhe zgjatet më pas drejt Jugut për afër 76 kilometra. Historia e kësaj rrugë lidhet sërish me bejlerët e Këlcyrës. Ishin pikërisht këta që andej nga fundi i shekullit XVIII nisën të ndërtonin rrugën drejt Beratit me punë angari të fshatarëve. Gjatë luftës italo-greke të 1940-s, Italia e zgjeroi dhe e riparoi rrugëne vjetër, thotë gazetari F. Baxhaku në një shkrim të tijin “Në Dëshnicë” . 

2. Vdekja shurdhon, pra u shkurton jetët. Mirëpo më ndodhi ndryshe. Zaimi nuk vdiq. Emri i Zaimit është prezent sot. Kurse të tjerat, ata të zakonshmit janë harrur qëkur, kurse atdhetarët, me një fjalë shqiptarët e mirë vdekja nuk i shurdhon dot, nuk i rrëzon dot në ftohtësinë e saj. Zaim Brahimi ende nuk ka një monument, por akti i tij është një monument i gjallë shqiptarie. Zaim Brahimi, shkonte në ftohtësirën e baltës, në thellësi të saj, 90 vite më parë kurr rrëzoi sytë në Drizar të Mallakastrës, kur shpirti u shkëput ishte vetëm 36 vjeç dhe vdekja nuk i erdhi nga natyra, por u rrëzua nga plumbat e shovenëve, gjurmët e të cilave dy birra kishin hapur në shpatullën e djathtë. Dëshmi e kësaj thënie mbeti, zhvarrimi këtë vjeshtë në Drizar, u rrëmua në varrezën e skalitur me gurë, brenda qivurit ku eshtrat e tij të patretura mbanin ende gjurmën e plumbave të shovenëve në shpatull. Gjurmën e tyre, koha nuk e fshehu tërësisht, ndonëse përsipër mbante një kapicë me dhe drizarasi. Përkundrejt sakrificës së tij në mbrojtje të tërësisë teritoriale shqiptare në 1914, rregjimi i komunistëve e hoqi nga defteri më e pakta gjë, që bëri ishte ti humbte gjurmët, duke i errësuar kontributin e tij në Rilindje si luftëtar i saj. Por ndonëse Zaimi bënte gjumin e përhershëm të qefinit, dy birra shenja plumbi, që e rrëzuan definitivisht, u panë në zhvarrimin e tij ishin shenja të gjurmave të kohës, ishin gjurmë të lexueshme , që askush dot nuk i fsheh më, ato dy plumba ndonëse për 90 vjet i mbylli qefini dhe varri i pagjetur dot nga familjarët. E gjithë kjo harresë përbënte mosnjohje. Regjistruar si shtresë e pasur. Kurse i ati Muharremi ishte me influencë të madhe në Dëshnicë. Kështu Zaim Muharrem Brahimin e vendosën në një qivur në një kodër të Drizarit. Kjo përbënte një amanet. Pak orë përpara frymës së fundit, Zaimi i kishte kërkuar bashkëluftëtarit drizaras, Sako Dervish Ymerit, ta vendosinin varroshin në kodër. Domethënia ishte e lexueshme. Djali i tij i vetëm Zeneli i ardhur nga martesa me Xhevrinë, kur të ngjitej në Trebeshinë, duke shpurë bagëtitë ta shikonte Varoshin e bardhë. Kur të rritej ta rikthente në Dëshnicë, në Katundishtë, rrëzë Trebeshinës. Në të vërtetë, ai mbeti aty i kallur nën dheun e ftohtë poshtë gurëve të rëndë, po nën shoqërimin e bashkëluftëtarit të tij Sako Ymerit nga Drizari.

Përcjellja e emrit
Një grusht diell në mesqershorin e kohës 1878, mori Zaim Brahimi në Katundisht të Përmetit, në ardhjen e tij. Ishte i njëjti diell, që në kohën, qershor 1878 ndriçoi Prizërenin shqiptar, ndërkohë që ndriçuesit, i kishin vendosur emrin përpjekjeve të tyre” Rilindja shqiptare” , që fare mirë mund të lexohej :”Përndritja e bukur shqiptare”. Rilindasit kërkonin hapësira me kohë të kthjelluara për shqiptarët. Prej këtij hiri të këtij dielli qershori ishte edhe lajmërimi në ardhje i Zaimit në Katundishtë. Një rastësi nga më befasueset, por që edhe emri i tij i atribohet Lidhjes së Prizërenit. Ekzistojnë dëshmi, të zbardhura në ditarin e të birit të Zaimit, Zenelit që saktësojnë arsyet e këtij emri duke e lidhur atë me emrin e Abdyl Frashërit, frashëlliut të lindur në këtë trevë në Frashër, që gjëndej nën syrin vëzhgues të Kokojkës. Në ditar, shqyrtohet thënia nizam. Muharrem Brahimi i ati i Zaimit, ka thirrur të vëllan Xhelon, njomcaku ardhur kishte në këtë jetë në ato ditë rilindase shqiptare. Muharremi e ka pyetur, ç’emër do t’i vihej djalit? Që djali e ka emrin se është nizam i parë i Abdyl bej Frashërit, prandaj le të quhet Zaim, nga fjala nizam.

1913
Bie qeveria e Ismail Qemalit. Ujqëri tinzare kjo fqinjëse e pabesë. Trojet tonë nën episode dhune. Copëtimi ishte synimi. Muza e Z. Brahimit ngrihet lart. Ajo njëkohësisht është dëshmi e gjallë e historisë tragjike: 

“U grinë, u grinë superfuqitë
U lëshuan drejt Shqipërisë.
Zunë dhe vunë kufijtë
Ja prenë krahët Shqipërisë.
Ah, o baba Tomorr, ku je?
Ngrehu dhe dil në Trebeshinë,
Shiko Kosovën dhe Çamërinë,
Të jesh shehit edhe tinë,
Që një ditë ajo do vijë,
Prapë me krahë të përtërirë
Do të fluturojë mbi Shqipërinë
Dhe do të rrojë si zonjë e mire! ”

SHQYRTIME
Në të vërtetë këto vargje, më tepër se poezi, janë muza dëshpëruese e një atdhetari, që i djeg xhani, copëtimi i kufijve. Prerja, kirurgjia e tyre sot ende dhemb dhe kullon gjak. Ai thotë ia prenë krahët Shqipërisë. I lanë jashtë saj trojet shqiptare. Kosova, ku gjëndej Prizreni. Patriotët në ditën kur lindi Zaimi u mblodhën në Prizren me të vetmen arsye. Jo sepse Prizreni ishte një qytet i madh , por në rast se do të mblidheshin në Frashër, kirurgjia e ujqërisë do të zbriste tejposhtë Shqipërisë. I prenë Çamërinë, lulen e e bukur. Thirrja e Z. Brahimit: “Ah, o Baba Tomorr , po je ngrehu e dil në Trebeshinë!. . , përmban lutjen e një bektashiu të mirë që kërkon nga mali i bekuar, siç e ka përmendur Naimi, “Tomorr, o mal i bekuar. . .! pra dil e shiko mënxyrën, që ka rënë tek shqiptarët. Po u prekin kufijt, po u marrin tokat. Pra ai thotë, që edhe ti mal i shqiptarëve të jesh dëshmitar në këtë kirurgji të llahtarshme, ku prerja dhe rrëmbimi bëhej nga fqinjësia e saj, që ka pjellë jo pak luftëra, në këtë bashkëjetesë të gjatë dhe të përhershme.

VRASJA
Shovenët, i prinë, copëtimit me urën e zjarrit në dorë. 21 qershor 1914. Ura ra mbi Katundishtë. Fshatarët me dhimbje u deportuan në ullishtet e Vlorës dhe në Mallakastër. Burrat e fshatit nxorën armët. Dëshmitë e bashkohësve hedhin dritë se si burrat e fshatrave, kur morrën lajmin se greku po vinte me urë zjarri, shpejtuan të zënë pozicione.

RRËFEJNË BASHKËLUFTËTARËT
Rrëfime origjinale të mbledhura në ditarin e të birit-

1-ZENEL VELIKUA
Zenel Veliku thotë: “Kur u nisëm për në Kiçok dhe do të shkonim rrëzës së malit Trebeshinë, në vendin e quajtur “Haus”, Zaimi dëgjoi një zë fëmije. Zbriti nga kali e gjeti fëmijën të lidhur me shpërgënjë e mori në preher hipur mbi kalë dhe vazhduam rrugën tutje në Potgoram, Carrogunjë, Ball, Psar, Mazhar deri sa arritëm në qafë të Kiçokut. Atje takuam disa gra të ngarkuara me thasë me bereqet dhe me djepe fëmijësh. 

-Qëndroni, u foli Zaimi, do t’ju jap këtë fëmijë ta rritni e ta mbani mirë. 
-Ku ta shpiem, iu përgjigjën ata të shkretat. Ne na janë tharrë gjiret, or zotëri. 
-Merreni, merreni, zonjat e mira. rriteni me qumësht dhie jua u kam bërë amanet, kur të kthehem nga lufta do të ma ktheni, përsëri. 
Zaimi u morri adresat i shënoi në një defter se ai qe i shkolluar dhe u nisëm për në istikam.

2-METE BËNJA
Mësuesi Mete Fekollari Bënja, shkruan në 1924.
Mblidhen burrat e jugut dhe bëjnë thirrje për vetmbrojtje. Krijohen çetat vetëmbrojtëse të jugut. Thirrja ishte: “Ngrihuni, ngrihuni burrat e fshatit, ngrihuni se po na vjen dushmani! Mbroni gra dhe fëmijë, mbroni nderin e shqiptarit! Kështu bënë burrat e fshatit Zaim Muharrem Brahimaj, Beqo Memo, Zenel Veliku...
-Muarrëm kuajt me shalë, me dyfekë e jataganë, zumë pozicione me rradhë nga Këlcyra në Ballsh. Ikën gra dhe fëmijtë në Kiçok, atje qëndruan.
Në Kiçok, ndal, i thanë
ti dushamn, ti gjeç belanë!
I dogje fshatrat me rradhë
në Ballabanë më të dalë,
në mullinjë e xhungre qëndruan
zunë pozicione djemtë tanë.
Zaimi mori një plagë
e mori shoku, që kishte pranë
dhe e çoi në Drizar. 
Rrojti një ditë e një natë
në të nesërmen e dha xhanë.
U mblodhën burrat me radhë
Mallakastër, Përmet, Gjirokastër
e varrosën në kodër mbi fshanë
E rrethuan me murë të lartë
e ruante miku i babait
që të mos hynin as ujqrit, as çakajt…
Një shkrim tjetër i gjetur në kujtimet e mësuesit Mete Bënja.

U mblodh parësia e fshatit sene 14, Hasan Mërkuri, Xhafer Xheli, Tahir Mucenji, Muharrem Emini, Zenel Velikua, Beqo Shema. Bëhej fjalë për të zgjedhur Zaimin. “Ti Zaim të jesh i parë se ke bërë shkollë për zabit, të drejtosh djemtë tanë, të mbrosh Dëshnicën dhe fshanë, se flaka kishte filluar fshatrat me rradhë. . Xhafer Xheli foli: “Rrofsh mor nipçe, më ke nderuar na jep Zaimin, që të drejtojë djemtë tanë pa u kam bërë kurban për fshanë, puthi Zaimin në ballë, të më nderosh mor djalë të shporësh dushmanin...!

Zaimi, hipi në kalë, Beqir Zeneli nuk iu nda kaluan matanë. Gjetnë një fëmijë, që po qan. Zbret nga kali merr fëmijën të pështjellur në një boçe, hipën përsëri në kalë, kalon fshatrat me rradhë në Kiçok, atje qëndruan, atje gjetën disa gra, shyqyr Zotit që paska fat ky fëmijë. U drejtohet: “U lutem o zonja të mira, merreni këtë femijë, rriteni e mbaheni mirë”. “Ku ta shpiem, or zotëri ne jemi me lot në sy, ne na janë tharrë gjiret, ku ta shpiem këtë fakir”. u përgjigjën ato. ”Merreni, zonjat e mira, u foli Zaimi, rriteni me qumshtë dhie, nuk po ua jap për fare kur të kthehem nga lufta do të ma ktheni përsëri. Lutem zonja , më thoni kujt fisi jeni. Zaimi nxori defterin dhe u mori adresat 1-Zonja Mullaraj, 2-Zonja Shehaj, 3-Zonja Nebiaj. Zaimi iku për të mos u kthyer kurrë, nuk e mbaroi dot këtë amanet…. Qershor 1914

3-MUHARREM BRAHIMI
Muharrem Brahimaj, i ati i Zaimit ka rrëfyer:
Në qershor të ’14 me erdhi lajmi se kisha djalin të sëmurë në shtëpinë e Sako Dervishit në Drizar. Vajta, gjeta djalin, që po e mbante Sakua. Djali ishte shumë rëndë dhe ishte mbuluar me djersë, që ia fshinte Sakua me peshqir. Zaimi ngriti kokën dhe më foli: “Mos u mërzit baba, se jam mirë, ngrije kokën baba”. I fola: -Të kisha djalin e madh të djemëve, or bir. -Më kishe dhe më ke, -më tha, me një buzëqeshje, ja ku e ke Sakon me nam, që më ka hedhur në kraharuar. Sako i fola, ma jep ta mbaj pak djalin. Kur u ngrit Saku, qe bërë këmisha me gjak. Sako, i thashë djali qenka vrarë, pse s’ma tregove? Sakos iu mbushën sytë me lot dhe buza i dridhej. Zaimi është vrarë në istikam në Kiçok, me grekun, më tha Sakua. Sako, i fola, fshiji ato lot, se burrat, që bien nuk qahen, por këndohen. Dëgjo Sako, luftë pa djem dhe pa gjak nuk ka. Zaimi ktheu kokën dhe më shikoi, u përlot, më mori dorën e djathtë, ma puthi dhe më shtërngoi fort, në këtë kohë dha xhan. Sakua uluriti fort. Pusho, i thashë, bjena ujë të ngrohtë për ta larë. Kur e zhvesha, pashë në shpatull dy plagë. Sakua. duke qarë thoshte: Zaim, vëlla amanetet e tua do t’i mbaroj unë, do të bëjë ashtu si më ke thënë ti vëlla, për emër të Zotit dhe do të vijë atje tek ti të çmallemi bashkë o Zaim, o vëlla. . .

4-SAKO DERVISHI
Tregimi Sako Dershit, nga Drizari për Zaimin.
Zaimi, ka qënë luftëtar i zoti dhe shumë trim. Të habiste kur nxirte ato fjalë nga goja. Ishte i shkolluar.
Kur dolëm në qafë të Kiçokut, pamë se ishte mbushur lugina e Dëshinca me tym të zi. Zaimi siç qe hipur në kalë bërtiti fortë:
Tym i zi, tym i zi,
po digjen shtëpi e katandi, 
Ç’bën kështu mor i mallkuar,
ti je pa shpirt?
Ç’bën kështu mor jezit?
Më vure njerëzit në rrezik.
Ku vete o bishë e tërbuar
Kiçokun s’ke për ta klluar.
O burra, o trima shpejt,
të zëmë instikamë
poshtë tek mullinjtë ezhungërve.

I bërtiti fshatari i tij Beqo Memua: Zaim ik andej se nuk je mirë. Jo, o Beqo se këtu shikoj mirë. Pozicioni, që zuri Zaimi s’kish njeri, që ta kalonte gjallë. Vendi, që zuri Zaimi ishte në vijën e mullirit. Atje u bë luftë e madhe. Pas disa orësh uji erdhi i gjakosur. Shkuam mbas ujit dhe gjetëm Zaimin të plagosur, brenda në ujë. I morëm rrobat i shtrydhën dhe kur e pamë se jeta e tij po rrezikohej e mora, hipa në kalë dhe e çova në shtëpi në Drizar. Kur u afrova tek kodra me ullinj, më tha: -Këtu ti Sako do më varrosësh, se këtu u dukërka mali i Trebeshinës, të më bëni qivur dhe të ma lyeni me gëlqere, të më shikoi im bir, që e kam plot 5 vjeç. Kur të dalë në Trebeshinë, kur të kullosë bagëtinë.

Këtu mbyllen dëshmitë origjinale të bashkëluftëtarëve të Zaim Brahimit.
Dëshmitë mbeten më së paku edhe kronikë e asaj kohë tepër të rëndë, për trojet shqiptare, që i coptuan armiqtë e këtij kombi, ndërkaq për mbrojtjen e tyre shqiptarët e mirë, shkurtuan jetët e tyre.

KËNGË PËR ZAIM BRAHIMIN
Moj Dëshnicë moj engjëllore
Trebeshina të rri roje
Tëndë e Qypit kurorë
Kiçoku luftën tregon.

Kiçoku luftën tregon
Për Zaim Muharrem fol
Fol moj fol, për Zaimnë
Luftëtarë si vetëtimë.

Nga Kiçoku në Drizar
Trupi me gjak është larë
Nga plaga që kishte marrë
Në luftë me juanë.

Në Drizarë erdhi gjallë
Rrojti një ditë e një natë
Katundishtë vajti mandatë
Nuk ka luftë pa djem, pa gjakë. . . 

Dëshmohet se kjo këngë është kënduar në Mallakastër nga vitet 1914-44-ën.
SEJFULLA MALËSHOVA:AI KA QËNË LEGJENDË E LUFTËS SË PARË
Nipi i Zaim Brahimit, djali i Zenelit sjell një fakt tepër të panjohur deri më sot. Thëniet e Sejfulla Malëshovës, për Zaim Brahimin.
-Rrethanat kur e takova Sejfulla Malëshovën ishin të tilla, tregon E’them Brahimi: 

Punoja në SMT, Përmet. Shkuam në Fier, ku ishte i internuar Sejfulla Malëshova , isha së bashku me V. Shuranë. Gjatë kohës, që tërhoqëm disa matëriale, më pyeti: Po ti mor djalë nga je?Jam nga Katundishta, i thashë. Po i kujt je, pyeti Sejfullai. Jam i Zenel Zaimit. Po me ç’mbiemër je?

Brahimaj, - thashë. Oh, ja bëri dhe më përqafoi. E njohke?!, i tha Vasili. -Posi, ore tha Sejfullai. Gjyshi i këtij është vrarë në ’14 në Luftën e Parë në Kiçok. Ai ka qënë legjendari i Luftës së Parë Botërore. Zaimi, tha ka shumë vlera të mëdha. Ndërkohë ai e pyeti Vasilin për Malëshovën se ishte vendi i varfër.