“Ne ëndërronim një vdekje pak më të mirë,..” Dritëro Agolli

1225
Përparim REXHEPAJ
Dritëroi vlerësohej si një shkrimtar që kishte rinovuar traditën e Naimit në vjershërim
Dihet se përpara viteve 90, në majën e piramidës letrare ishin shkrimtarët Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe Fatos Arapi. Kur ishim studentë bënim diskutime të zjarrta se cili ishte më i madh, Kadareja apo Agolli. Më shumë mbështetës kishte Dritëroi, i cili vlerësohej si një shkrimtar me partishmëri të lartë, që kishte rinovuar traditën e Naimit në vjershërim, me taban shqiptar dhe popullor, i dashur me njerëzit e thjeshtë, me plot humor në veprat e tij dhe që kishte ardhur në letërsi nga balta e Devollit. Kadareja kishte më pak mbështetës, sepse konsiderohej një shkrimtar hermetik, i pa kuptueshëm nga shumica e lexuesve shqiptarë, me ndikime të huaja në krijimtarinë e tij, që shkonte shpesh jashtë shtetit, se donte të fitonte çmimin “Nobel” etj. Rastësisht gjeta në bibliotekën kombëtare një vëllim me poezi, të botuar nga Kadareja në vitin 1960 në Moskë. Në parathënien e librit një kritike moskovite, me mbiemrin Smaillova evidentonte se Kadareja ishte një poet shumë i talentuar, i cili i përkiste brezit të ri të poetëve në Shqipëri që po thyenin traditën dhe po sillnin një poezi novatore. Por, theksonte ajo, “në poezitë e Kadaresë ka ndikime të artit dekadent perëndimor, por këto, sipas saj, ishin dobësi të rritjes dhe poeti me kalimin e kohës do t’i kapërcente” . Kur unë e përmenda këtë fakt, kundërshtarët e Kadaresë gëzoheshin: Ja, edhe kritikët rusë e kanë thënë. që në vitin 1960, që Kadareja ka ndikime dekadente perëndimore… Mua më pëlqenin të dy, Kadareja dhe Dritëroi. Kadareja me dukej më novator dhe më modern, ai kishte thyer me guxim dhe talent traditën e vjetër, duke sjellë një poezi dhe një prozë bashkëkohore, të ngjeshur me simbolikë dhe mendim. Dritëroi më pëlqente sepse në prozën dhe poezinë e tij kishte më shumë diell dhe ngrohtësi, jetë të gjallë dhe drama njerëzore, humor, karaktere origjinale, të skalitura me mjeshtëri dhe përshkrime të bukura të natyrës. 
Mendime për disa nga veprat në prozë të Dritëroit
Pasi mbarova fakultetin e Filologjisë në degën, gjuhë letërsi dhe fillova punën si redaktor për krijimtarinë artistike tek revista ushtarake “ 10 Korriku”, tashmë e mbyllur prej kohësh, pata mundësi më të shumta për të ndjekur botimet e Dritëroit. Nga proza e tij e gjatë më pëlqente romani “Komisari Memo” (1970) që e kishim diskutuar, kur ishim studentë me profesorin dhe kritikun e shquar Dalan Shapllo, i cili na zhvillonte seminaret e letërsisë sonë bashkëkohore. Tek “Komisari Memo“ më dukej se çdo rresht i librit ishte i zhytur në një lëng poezie. Nga figurat kryesore të romanit më pëlqeu më shumë Komandant Rrapo, megjithëse. kritika e kohës nuk e vlerësoi sa duhet, pasi dilte jashtë skemës së shumë prej veprave me tematikën e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Në thelb, figura e komandant Rrapos përgjithësonte disa drejtues të çetave ose kapedanë, që kishin filluar luftën kundër pushtimit italian me kokën e tyre, por që më vonë u lidhën me formacionet partizane, të drejtuara nga Partia Komuniste. Këta kapedanë kishin një këndvështrim të tyre për luftën e atëhershme. Këtë qasje disi ndryshe ndaj luftës Dritëroi e kishte shfaqur fillimisht tek vëllimi me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme ”(1964) sidomos tek “Lamtumirë, Kapedani im”. Dihet se ky libër u kritikua dhe, pas një viti, u ndalua..

Por vepra që më befasoi dhe më pëlqeu më shumë ishte romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” ( 1973). Në një shkrim kritik që botova tek revista “10 Korriku” e evidentova këtë vepër të Dritëroit, si një ndër tre botimet më cilësore të prozës sonë, Në fillim u habita si e kishin botuar një vepër të tillë, që tallte në mënyrën më të hapur dhe të pamëshirshme administratën e lartë të atyre viteve që personifikohej me shokun Q, fjalimet e të cilit i përgatiste Demka i shkretë. D m th në thelb shteti drejtohej nga Demkat. Nën zë shumë nga shokët e mi në ushtri, por edhe në administratë më thoshin se bënin rolin e Demkës për drejtuesit e paaftë, por me përgjegjësi të lartë. 
Takimi i parë dhe i fundit me Dritëroin
Një ditë, në pranverë të vitit 1975, disa muaj përpara se stafi i revistës të syrgjynosej (Halil Laze, Sekretar Kolegjiumi, u fut në burg, Lirim Deda, kryeredaktor, u përjashtua nga partia dhe u dërgua oficer i thjeshtë në batalionin e fortifikimit në Elbasan, unë u dërgova në Shkodër, kurse Mehmeti Gëzhilli, redaktor, në Gjirokastër) Lirimi, për të cilin ruaj kujtimet më të mira, më thirri në zyrë dhe më tha se Dritëroi kishte dëshirë të botonte në revistën tonë një fragment nga një libër i tij, i cili ishte ende i pa publikuar. Ai më dha një kopje të daktilografuar të këtij romani, me titull “Topi WH” 53…, për të zgjedhur fragmentin. Sigurisht që Lirimi mund ta bënte vetë këtë përzgjedhje, madje edhe më mirë, por tregonte besimin që kishte tek aftësitë e mija si redaktor.

Pasi e lexova romanin, vura re një ndryshim të dukshëm në fabulën dhe mënyrën e shkrimit të romanit, në krahasim me “Komisarin Memo”. Takova Lirimin dhe i thashë se kisha zgjedhur për botim fragmentin, kur Shega del partizane. Lirimi qe dakord. Ai, pasi foli me dikë në telefon, më tha se nesër, rreth orës 11 paradite, duhet të takohesha me Dritëroin tek ndërtesa e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për t’ i marrë mendimin për fragmentin e zgjedhur. Sigurisht që kisha emocione se po takohesha jo vetëm me një shkrimtar të shquar, por edhe me Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. 

Të nesërmen, kur u futa në ndërtesën e Lidhjes, u mundova të gjeja dezhurnin për ta pyetur se ku e kishte zyrën Dritëroi, por u habita kur pashë se ai po më priste në lokal, i ulur vetëm, me një kafe dhe një gotë me raki përpara. Pasi u prezantova, më ftoi të merrja kafe dhe raki. E falënderova për qerasjen dhe porosita vetëm kafe. Dritëroi më pyeti: “Po nga je ti more djalë, që nuk pi raki?!” Iu përgjigja, se isha nga Shijaku (ku isha rritur), sepse po t’ i thosha që isha nga Vlora (të dy prindërit e mi të nderuar ishin nga Bolena), kisha frikë se do të më thoshte “lebërit e pinë rakinë me opingë, kurse ti… “Çudi-tundi kokën Dritëroi, unë e di që edhe në Shijak e pinë shumë rakinë”. 

Pastaj më pyeti, për romanin. I thashë se më pëlqeu, ka një fabul interesante, atë të traditës së hakmarrjes, që vazhdon edhe kur vendi pushtohet nga një fuqi e huaj. Pasi fola edhe për disa vlera të tjera të këtij romani, në fund i thashë se, bashkë me Lirimin, kishim zgjedhur për botim fragmentin, kur Shega vendos të dalë partizane. Dritëroi më tha “dakord jam, por ndonjë vërejtje a ke?”.

Ishte hera e parë që e takoja Dritëroin dhe nuk e dija mënyrën se si mund të reagonte, nëse mund t i bëja ndonjë vërejtje për romanin. Zakonisht në redaksi kisha pasur vazhdimisht debate me krijues të ndryshëm, që nga niveli artistik, por edhe nga pozita në administratë, as që mund të krahasoheshin me Dritëroin. Shumica e tyre hidheshin përpjetë, kur u bëja ndonjë vërejtje ose edhe më keq, kur ua ktheja krijimin e tyre, si të pabotueshëm. Ata më nënvleftësonin, duke qenë se isha ushtarak dhe nuk e dinin se isha marrë me kritikë letrare, duke u evidentuar, si një ndër pesë të rinjtë më të talentuar në këtë fushë, pavarësisht se më vonë, pas dëbimit nga revista dhe Tirana, rrethanat e reja më detyruan të tërhiqesha nga kritika dhe të merresha me studime historike. 

Dritëroi, ndërkohë që pinte kafen dhe rakinë, më shikonte me dashamirësi dhe buzëqeshte. Kjo ndikoi që mua “ të më zgjidhej gjuha”. I thashë se nga pikëpamja e nivelit artistik, ky roman ishte nën nivelin e “Komisarit Memo”. Dritëroi u habit dhe më kundërshtoi” Mua nuk më duket ashtu” tha ai. Unë vazhdova: nuk më duket i përshtatshëm titulli i romanit “Topi WH.. .“. Zakonisht, me këtë titull janë manualet me të dhënat teknike-taktike të një topi, kurse romani nuk tregon për fatin e kësaj arme, por të një një familje shqiptare, gjatë Luftës. 

Duke qenë se Dritëroi më dëgjonte me vëmendje dhe nuk më ndërpreu, vazhdova: “Kam vërejtje edhe për figurën e të dërguarit të Qarkorit të Partisë, i cili në roman thirret me pseudonimin “shoku Xh”. Kjo mënyrë emërtimi të kujton “shokun Q” tek “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, që për mua është një kryevepër e humorit dhe satirës. Por nëse në atë vepër, emërtimi “shoku Q” justifikohet, sepse personifikon një figurë tepër negative, që nuk meriton as t’ia shkruash emrin e plotë, tek ky roman “shoku Xh” është një figurë pozitive. Dritëroi nuk u prononcua për vërejtjet e mia të fundit, as i kundërshtoi, por as i miratoi.

U ndamë normalisht dhe unë u ktheva në revistë. Më vonë, kur u botua romani pashë, se titulli kishte ndryshuar (Njeriu me top) dhe i dërguari i Qarkorit të Partisë e kishte emrin “shoku Xhabir”. Sigurisht nuk mund të marrë unë autorësinë për këto modifikime që i bëri Dritëroi romanit “Njeriu me top”, sepse këto vërejtje mund të kishin bërë edhe lexues apo dashamirës të tjerë, por nuk mund ta fsheh, që më erdhi mirë që mendimet dhe sugjerimet e mia kishin qenë të drejta. 

Epilog 
Në fillim të tetorit 2015, erdha nga Italia për një vjetorin e e vdekjes së nënës sime të paharruar. Më 13 Tetor, Mehmet Gezhilli, miku im i vjetër, por edhe botues i librit tim të fundit “Helena nuk shkoi në Trojë” më propozoi që të pinim një kafe në qendër të Tiranës, ku do të ishte dhe Albert Zholi, një shkrimtar dhe gazetar i njohur, me te cilin do bisedonim për të botuar ndonjë shkrim nga libri im. Kur u takuam, mora vesh nga Mehmeti dhe Alberti se atë ditë Dritëroi kishte ditëlindjen dhe ata do t’i shkonin për vizitë në shtëpi. I pyeta për shëndetin e tij, pasi kisha dëgjuar se ishte i sëmurë. Mehmeti tha se Dritëroi ishte rëndë dhe mbahej me oksigjen…

Më erdhi shumë keq sepse e dija prognozën e kësaj gjendjeje shëndetësore, pasi kishim mbajtur me oksigjen në shtëpi nënën tonë, për afro dy vjet, nën kujdesin e mjekëve të shquar e shumë humanë Profesor Elez Selimi dhe kardiologen, Profesoreshë Lutfije Muka, pasi e nxorëm nga një spitali privat shumë të shtrenjtë në Tiranë, ku na thanë se nëna as dy ditë nuk do të jetonte… 

Atëherë mora një kopje të librit tim “Helena…” dhe ia dhashë Mehmetit që t’ia dhuronte Dritëroit, me një dedikim për këtë shkrimtar të madh. Më 3 shkurt 2017, Dritëroi mbylli sytë përgjithmonë. Ai kishte ëndërruar “një vdekje pak më të mirë”, si një plak që jep shpirt në mëngjes në kopsht dhe shikon për herë të fundit fytyrën e tij të zbehtë në pikën e vesës tek petali i trëndafilit, por çasti i fundit nuk dihet…
Po e mbyll këtë shkrim me “katër porosi” të Dritëroit për vdekjen:
“…Mos vdis në dhomën e heshtur, i shtrirë,
Është kaq turp, kaq shpejt të rrish e të vdesësh.
Ne ëndërronim një vdekje pak më të mirë
Duke vdekur, fytyrat tona t’ i shihnim në pikën e vesës…”.
Sigal