Në 99 vitet e gjeneral Parllakut – “Hero i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”

919
Nga Halil RAMA
Etapat e jetës së Rrahman Parllakut lidhen me zhvillime të rëndësishme të Luftës Nacionalçlirimtare, të ushtrisë dhe vendit
Gjenerali legjendë në kufirin e dy kohëve, Rrahman Parllaku, sot më 17 prill mbush 99 vjeç. Nëntëdhjetë e nëntë vjet është një kuotë shumë e lartë. Gjeneral Rrahman Parllaku ka meritën se e ka arritur këtë kuotë të lartë, megjithëse i është dashur të përballojë shumë furtuna gjatë jetës dhe ç’është më kryesorja e ka arritur jo i drobitur, por në formë të shkëlqyer fizike dhe mendore, një formë që do ta kishin zili edhe të rinjtë. Gjeneral Rrahman Parllaku, i vetmi “Hero i Popullit” i gjallë, që i mbijetoi Luftës II Botërore dhe terrorit komunist para katër vitesh u nderua nga ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani me dekoratën “Nderi i Kombit”. Kjo dekorate erdhi pikërisht në ditëlindjen e tij të 95-të dhe me këtë rast Nishani Presidenti Nishani vlerësoi gjeneral Parllakun si i një figurë shumëdimensionale që i mbijetoi Luftës së Dytë Botërore dhe terrorit komunist. Etapat e jetës së gjeneral Parllakut lidhen me zhvillime të rëndësishme të Luftës Nacionalçlirimtare, të ushtrisë dhe vendit. Vetë fakti që z. Parllaku e filloi Luftën si komandant i njësiteve guerile në Vlorë dhe e përfundoi si komandant divizioni në Kosovë, është shumë domethënës. Lufta Antifashiste, mbrojtja e vendit, “lufta e bërrylave’, qëndrimi në qeli, Lufta e Kosovës më 1999, krijimtaria publicistike e aktiviteti intensiv në mbështetje të proceseve demokratike e të shtetit ligjor, e forcuan karakterin e tij. Megjithëse gjeneral Parllaku i ka marrë titujt më të lartë, nga Presidentët e Republikës së Shqipërisë, një vit më parë ai pati emocione të veçanta, kur kryetari Aldrin Dalipi, në emër të kryesisë së Këshillit të Qarkut Tiranë, i dorëzoi atij një “Mirënjohje”, për të cilën ai e falënderoi përzemërsisht. Pa e zgjatur këtë ceremoni të thjeshtë, në mbyllje e mori fjalën vetë Gjen. Leit. Rrahman Parllaku. Ai i përshëndeti, folësit dhe gjithë të ftuarit në festën e ditëlindjes së tij, si dhe shprehu mirënjohje për familjarët, për bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorët, për të gjithë miqtë e dashamirët e tij, si në Shqipëri e Kosovë dhe më gjerë. Para shtatë muajve, më 28 tetor 2017, gjenerali legjendë u nderua edhe me titullin “Nderi I Qarkut Kukës”. Nderi i Kombit, Rrahman Parllaku tha se ndër vite është vlerësuar më shumë tituj, por “Nderi i Qarkut Kukës”, kishte për të një domethënie të veçantë. 

Një legjendë në kufirin e dy kohëve
Në kohën tonë moderne të globalizmit nuk bëhet fjalë për legjenda. Megjithatë, ato ekzistojnë, pavarësisht heshtjes dhe indiferencës së opinionit publik. Një protagonist me një jetë të jashtëzakonshme sjell para lexuesit edhe libri “Rrahman Parllaku – Një legjendë në kufirin e dy kohëve”. Në vlerësimin e shkrimtarit dhe politologut të mirënjohur Teodor Laço. “Nuk është thjesht një biografi tërheqëse, që për një shkrimtar do të qe një grishje për fantazinë. Është më shumë se kaq. Është një dëshmi për kohën që kemi lënë pas, për një kohë tepër të gjatë, si dhe jeta e heroit të librit, që këtë vit na vjen midis nesh me barrën e 99 viteve të tij që, si rrallëkush, i mbart me freskinë fizike, me mprehtësinë e gjykimit, me fjalën që nuk bie përdhe, me gjallërinë dhe energjinë e një burri shteti në gjysmën e moshës që ka ai”. Nga vështrimi i jetës së tij, na ulet këmbëkryq historia. Nga Lufta dhe përkushtimi i tij atdhetar na vjen një model për t’u ndjekur. Nga ëndrra e tij dhe e brezit të tij për një shoqëri të njerëzve të barabartë, që e kërkoi atë nëpërmjet komunizmit si ideologji, vjen edhe zhgënjimi i madh prej kësaj utopie që u përpoq të imponohej nëpërmjet luftës së klasave. Nga një çerek shekulli i dënimit të tij, nga plumbi dhe vdekjet në qelitë e burgut, mund të njohim një nga pamjet më makabre të dhunës së diktaturës. Nga veprimtaria e gjeneral Parllakut si veteran në këtë çerek shekulli të demokracisë bashkë me të tjerë ish-të dënuar si L. Belishova, E. Ohri, H. Ramohito etj., mund të mësojmë se kurrë nuk është vonë për njeriun që të bëhet mbështetës aktiv i proceseve demokratizuese të shoqërisë.

Ky “gegë” shtathedhur, siç do të shprehej për të z. Laço, i fortë fizikisht, i pashëm që bredh deri në Selanik, do të bëhej një nga drejtuesit kryesorë të njësiteve guerile, pikërisht në Vlorë, aty ku ishte ndezur një nga vatrat kryesore të Luftës Antifashiste. Megjithatë, identiteti i tij mbetet i derdhur që nga fëmijëria, aty ku për vite të tëra ndarjeje bashkohej verilindja shqiptare me Kosovën shqiptare, me Kosovën, liria e të cilës ishte “Ëndrra e jetës së tij”. Dashuria për vendlindjen është një nga ndjenjat më të bukura. Kush e shpërfill, dëshmon për një shpirt të varfër. Jeta, lidhja me vendlindjen është zanafilla e respektit të tij për njeriun e thjeshtë, e humanizmit dhe altruizmit 

T’i nderojmë dhe përulemi që në gjallje
Afro një shekull jetë të gjeneral Parllakut është një rrugë plot sakrifica, mençuri, humanizëm. Atë e përshkoi i mençuri, trimi dhe atdhetari me grada të përjetshme, gjenerali Rrahman Parllaku. Dhe siç do të shprehej për të shkrimtari Namik Selmani: “Gjeneral Parllaku e ka thurur së gjalli, vetë legjendën për emrin e tij, për jetën e tij, për veprën e tij. E vetëm me ato vite që ai ka në pasaportë, që shkojnë te numri hyjnor 99, ia vlen të përulesh plot nderim para tij. Ai është fare pranë shifrës 100. Për të është nder të shkruash sa më gjatë. O, sa e lakmojnë këtë shifër në jetën e tyre fizike njerëz të shtresave të ndryshme, të kombeve të ndryshëm! Ai është dhe mund të jetë një karakter i lakmuar për historianët, për historinë që ka lënë pas vetes. Për shkrimtarët që mund të gjejnë tharm rrëfimesh për tregime, poezi, novela, romane. Për dietologët që duan sekretin e tavolinës së tij në vite. Për sociologët që shohin tek ai sekretin e mbijetesës së tij në burgje e në liri… “Rrahman Parllaku ishte dhe mbetet Rrahman Parllaku. Ai dhe vetëm ai. Po Rrahman Parllaku i kishte të gjitha, të gjitha. Kombet që kanë në kufijtë e tyre njerëzorë, njerëz të tillë, besoj se bukur mirë duhet të jenë të përkëdhelur, të jenë më krenarë se muzetë që kanë ndërtuar me dritë shkëlqimtare, se urat që kanë ngritur, të jenë më të bekuar me historitë e tyre njerëzore, me betejat, me humbjet, me fitoret. Jeta-enciklopedi e tij ngre mes nesh kalanë e lartë të krenarisë që duhet ta njohim, ta prekim dhe të futemi në mes tyre, në mos si kështjellarë të sprovuar, të jemi në një nga bedenat e tyre. Me pengun e madh që të jep një jetë me një numër jo shumë të madh vitesh, se sa ajo e gjeneralit. Po në këtë sfidë të vërtetë shkronjore që mund të marrë një shqipshkrues ose edhe një i huaj (nuk është çudi të themi se shpesh historitë, bukuritë tona, na i kanë rrëfyer të huajt) duhet dhe një prijatar i shkronjës së shkruar. Duket se çdo shkrimtar historian që e merr këtë gjë përsipër dhe e bën mirë e ka kaluar shumë bukur dhe dobishëm sprovën e betejës për të gdhendur këtë Njeri-Monument. Vetë personazhi ynë është i ngjizur si tharm urtie në urtinë e odave lumjane e dibrane, ku shkolla e urtisë bënte garë me atë të librave. Gjoksi i Rrahman Parllakut është i vogël për të mbajtur të gjithë dekoratat, Urdhrat e nderet e shumta në këtë jetë shumë të vrullshme shekullore. Të gjitha i meritonte dhe do i meritojë në kohëra ai njeri. Veç pa këtë monument shkronjor, duket se lavdia e tij do të mbetej pak më e jetësuar se duhet. Ne kemi nevojë për libra të tillë ku lexojmë vetveten”, shkruan për të Namik Selmani. Në këtë ditëlindje të 99-të, Familjarët, miqtë dhe të afërmit, bashkëluftëtarët dhe bashkëpunëtorët, shqiptarët e ndershëm e patriotë kudo që janë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e në hapësirën mbarëshqiptare në botë, e urojnë përzemërsisht gjeneral Parllakun: Edhe shumë vite të tjera, kështu siç je, vital dhe aktiv!
Sigal