Ndryshimi i kufijve sjell destabilizim në Ballkan

157

Vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën mund të sjellin destabilizimin e rajonit të Ballkanit e më gjerë. Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar (OBVL) konkludon se këto vendime, mbi bazën

e planit 6-pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun, bien ndesh me planin e Presidentit Ahtisari dhe kufizojnë shtrirjen e EULEX-it e zbatimin e kompetenca vepër kalimin plotësisht të pushteteve nën drejtimin e qeverisë së Kosovës, në bazë të Kushtetutës të Republikës

së Kosovës. Ne kemi bindjen se ky plan u hartua sipas kërkesave të Beogradit nën trysninë ruse mbi Këshillin e Sigurimit. Miratimi i një plani të tillë krijon precedentin e rrezikshëm të ndarjes së Kosovës, pengon qeverinë dhe institucionet e Kosovës në plotësimin e detyrave

për drejtimin e zhvillimin e vendit, krijon pasigurinë Kosovë e në gjithë rajonin tonë e më gjerë.

Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, mbase duhet t’i kujtojmë historinë e hidhur të popullit tonë, që ka vuajtur më shumë se çdo popull tjetër i Evropës nga pushtuesit huaj. Shqipërisë iu pushtuan dhe aneksuan territore të tëra nga fqinjët sllavë e grekë. Pushtimet e trojeve shqiptare kanë filluar në mesin e shekullit të kaluar, kur nisi shpërbërja e Perandorisë

Osmane, me fitoren e rusëve kundër turqve në Shipkë të Bullgarisë. Në vendimet e tyre për “paqen e Shën Stefanit” dhe në vazhdim të “Kongresit të Berlinit”, Fuqitë e Mëdha Evropiane haraçet e humbjes turke ia ngarkuan popullit shqiptar. Kështu ndodhi edhe pas Luftës Ballkanike me fitoren e Aleancës Ballkanike (bullgarëve, grekëve, serbëve e malazezëve) kundër

Turqisë. Sërish në Konferencën e Londrës, Fuqitë e Mëdha i shpërblyen fqinjët tanë duke i dhënë territoret tona: Shqipërisë iu grabit më shumë se gjysma e territorit të saj, duke e ndarë midis serbëve, grekëve e malazezëve, të cilët u sollën në mënyrë barbare ndaj

shqiptarëve etnikë. Ata kanë vrarë e masakruar me qindra mijëra shqiptarë, ndërkohë që më shumë se një gjysmë milion shqiptar i detyruan të shpërngulen nga trojet e veta etnike. Megjithëse shqiptarët morën pjesë në mënyrë masive në Luftën Antifashiste përkrah

Aleancës Antifashiste të Popujve, të kryesuar nga Anglia, ish-Bashkimi Sovjetik e SHBA-ja. Konferenca e Jaltës e Postdamit i la të paprekura kufijtë e shteteve

pjesëmarrëse në luftën kundër nazi-fashizmit. Problemet etnike duhet të zgjidheshin me bisedime bilaterale, kësisoj, edhe pas Luftës dytë Botërore problemi shqiptar nuk u zgjidh. Ndaj shqiptarëve vazhduan persekutimet, vrasjet e shpërnguljet; grekët vranë e shpërngulën me forcë dhjetëra mijëra çamë nga trojet e tyre etnike. E një shekull në memorie, e njëjta histori ndodhi me shqiptarët në ish-Jugosllavi me masakrat e Tivarit e Drenicës e që vazhduan deri në vitet

60-të të shekullit të kaluar, duke detyruar qindra mijëra shqiptarë të lenë trojet e tyre e të emigrojnë në Turqi e vende të tjera. Gjithsesi, shqiptarët asnjëherë nuk i ndërprenë përpjekjet e rezistencën për liri e pavarësi, pa marrë parasysh sakrificat e privimet që u është dashur

të bëjnë duke mos u nënshtruar e përkulur. Duhet t’i kujtojmë z. Ban Ki Mun luftën çlirimtare

heroike të popullit martir të Kosovës, luftë që u imponua nga klika kriminale e Beogradit me në krye kasapin e Ballkanit, Millosheviç. Kjo klikë dhe mercenarët e saj, kur panë dhe kuptuan se po shpërbëhej Federata Jugosllave, u turrën mbi Kosovë dhe me forcën e armëve i hoqën autonominë e të drejtat që kishte fituar me Kushtetutën e Federatës Jugosllave të vitit 1974,

mbyllën Universitetin e Prishtinës e shkollat shqipe dhe filluan ndjekjet e reprezaljet ndaj rinisë e pjesëmarrësve në lëvizjen studentore. Sërish shqiptarët e Kosovës nuk e ndërprenë rezistencën, ata hapën shtëpitë për zhvillimin e mësimeve nga studentët e nxënësit, krijuan dypushtetin, bënë zgjedhjet parlamentare dhe mbledhjen e Kuvendit të Kosovës në qiell të hapur në Kaçanik, ku shpallën dhe Kushtetutën e Kosovës, por përpjekjet për të fituar pavarësinë në rrugë paqësore nuk dhanë rezultate, vazhduan përndjekjet, persekutimet e burgosjet nga pushtuesit serbë. Një qëndrim i tillë i autoriteteve serbe të asaj kohe i detyroi shqiptarët të fillojnë rezistencën e armatosur. Akti heroik i familjes Jashari me në krye legjendarin Adem Jashari i dha zjarr Kosovës mbarë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës me luftën e saj heroike bëri që të ndërgjegjësoheshin kancelaritë perëndimore për rrezikun e madh që i kanosej lirisë dhe paqes në rajonin e Ballkanit e më gjerë nga klika shoviniste serbe e drejtuar nga krimineli Millosheviç.

SHBA dhe NATO i dhanë fund gjenocidit që po kryhej ndaj popullit të Kosovës

 

Falë mbështetjes së SHBA-së dhe ndërhyrjes së NATO-s iu dha fund gjenocidit që po kryhej ndaj popullit të Kosovës. Që nga ajo kohë, për afro një dekadë, klasa politike e Kosovës dëshmoi pjekuri dhe maturi dhe pikërisht në momentin kur siguroi mbështetjen e kancelarive kryesore perëndimore dhe kur ishin pjekur kushtet, Kuvendi i Kosovës, më 17 shkurt të këtij viti deklaroi shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Me bazën e Paketës Ahtisari, që kishte fituar mbështetje të gjerë ndërkombëtare, u miratua dhe Kushtetuta e Kosovës ndërkohë që shtetin e ri të Kosovës e kishin njohur 52 shtete, ndër të cilët të parat ishin SHBA-ja dhe Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe. Megjithëse shteti i ri i Kosovës ishte dhe është realitet i pakthyeshëm, serbët me mbështetjen e rusëve nuk i reshtën përpjekjet për të penguar integrimin e saj në strukturat ndërkombëtare. Në këtë rrugë pa krye diplomacia serbe dhe ajo ruse, më së fundi, arritën të fitojnë një shumicë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të miratuar të ashtuquajturin plan 6-pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun, që haptazi synon të çojë prapa procesin e pavarësisë së Kosovës. Nëse nuk e di, përse nuk pyet z. Ban Ki Mun, pse nuk ua njeh Serbia minoriteteve që jetojnë brenda saj ato të drejta që kërkon ajo për serbët që jetojnë në Kosovë?!Përse shteti serb nuk ua njeh të tilla të drejta qindra mijëra hungarezëve në Vojvodinë dhe që përbëjnë shumicën e popullsisë në këtë krahinë? Përse nuk ua njeh ato shqiptarëve të Kosovës Lindore (Preshevë, Bujanovc e Medvegjë)? Mos vallë këto të drejta u jepen serbëve si shpërblim për krimet e kryera në Kosovë, për provokacionet që po bëjnë për të penguar Kosovën në rrugën e konsolidimit të pushtetit demokratik dhe përparimin e vendit? Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, i duhet bërë e qartë njëherë e mirë se me aprovimin e planit të tij 6-pikësh krijohet precedenti i rrezikshëm i ndryshimit të kufijve, që sjell destabilizimin e Ballkanit e më gjerë. Kjo kurrsesi nuk duhet lejuar. Kosova është tashmë shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht që ka lidhur marrëdhënie diplomatike me 52 shtete të Botës, përfshi SHBA-në dhe shtetet më të fuqishme të Evropës. Kushdo që përpiqet të pengojë ligjvënësit dhe qeveritarët e Kosovës në përpjekjet për konsolidimin e institucioneve dhe integrimin në strukturat euroatlantike do të dështojë. Ne shqiptarët, në këto momente historike për Kosovën krenohemi me vendosmërinë e autoriteteve kosovare, të Presidentit, të Parlamentit, të qeverisë dhe të gjithë klasës politike që po veprojnë të bashkuar për të mos pranuar asnjë deformim e ndryshim të Planit të Presidentit Ahtisari. Ky qëndrim ka mbështetjen e të gjithë popullit të Kosovës, e të gjithë bashkëkombësve tanë kudo që jetojnë. Të gjithë shqiptarët shprehen me një zë se çështja e Kosovës është çështje e të gjithë shqiptarëve. Në Shqipëri Parlamenti, Presidenti, qeveria, të gjitha partitë politike, të gjitha organizatat shoqërore, mbarë populli janë në mbështetje të zbatimit të Planit Ahtisari për shtrirjen e EULEX-it në të gjithë Kosovën për të siguruar kalimin e kompetencave të drejtimit të shtetit nga UNMIK-u te qeveria e Kosovës, për të siguruar kufijtë e saj, sovranitetin e shtetit të Kosovës në gjithë territorin e vet. Shtrirjen e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës e kanë mbështetur SHBA-ja dhe shtetet kryesore evropiane, ndërkohë edhe OKB-ja ka dhënë garanci se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm. Po nuk u mbajt ky premtim nuk do të ketë paqe në Ballkan.