Nasim Kaçi/ Portreti i veteranit trim Idriz Shehi në 75 vjetorin e Çlirimit

866
Sigal

Njohja me shokun dhe mikun tim Idriz Shehi ka ndodhur në Bukuresht në vjeshtën e vitit 1977. Kisha një vit që punoja në Rumani dhe posti i Sekretarit të Parë në ambasadë qëndronte ende bosh. Por ja një ditë, aty nga mesi i shtatorit mora një radiogram shifër, me firmën e ministrit Nesti Nase, ku njoftonte se së shpejti do të vinte në atë përfaqësi me detyrën e Sekretarit të Parë të ambasadës, shoku Idriz Shehi, sa më sipër njoftoni edhe Ministrinë e Jashtme të Rumanisë. U gëzuam shumë nga ky lajm i mirë se do të çliroheshim nga shumë punë të cilat me ardhjen e sekretarit të parë do t’i kryente vetë ai si dhe na u shtua edhe një familje në përfaqësi me 25 shtator pasdite, ai mbërriti në Bukuresht me gruan, Fizen dhe me mbesën e vogël, Xhoanën, me linjën ajrore kineze CAAC, që kryente fluturime Tiranë-Bukuresht-Pekin dhe anasjelltas. E pritëm në aeroportin e Otopenit, në sallën e pritjes së diplomatëve, u përshëndetëm përzemërsisht me të dhe qëndruam aty deri sa protokolli rumun kreu formalitetet dhe na solli bagazhet dhe pas kësaj u nisëm për në Bukuresht. Në ambasadë e pritëm me gjithë familjet e kolektivit punonjës në sallat e pritjeve. Pasi i uruam mirëseardhjen në përfaqësi dhe e gostitëm, ai hapi një çantë dhe na shpërndau të gjithëve letrat që na kishte sjellë nga familjet tona në Shqipëri duke na thënë se besonte se nuk kishte harruar asnjë pa i sjellë letra nga Shqipëria. E falënderuam. Pasi qëndruam dhe biseduam rreth një ore, duke menduar se ata ishin të lodhur nga rruga dhe me mbesën dyvjeçare, i propozuam që të shikonte apartamentin ku do të banonte dhe për çdo gjë neve na kishte afër. Ai na tha se mirë do të ishte të pushonim sepse mbrëmë kemi fjetur vonë dhe sot në mëngjes jemi ngritur herët. Ky ishte takimi dhe njohja e parë me Idriz Shehin. Që në njohjen dhe takimin e parë me të, më la përshtypje shumë të mira, ishte një burrë simpatik, i gjatë, i pashëm dhe rrezatonte mirësjellje. Të nesërmen në mbledhjen e mëngjesit ai bëri para kolektivit punonjës një prezantim të shkurtër të jetës dhe punës së tij. Nga ky prezantim mësuam se ishte në moshën pesëdhjetë vjeçare, kishte marrë pjesë në luftën e NAÇl, kishte kryer studime në BS, ku kishte mësuar e përdorte rusishten dhe anglishten si gjuhë pune, kishte kryer detyra të ndryshme në rrethe në sektorin e ushtrisë dhe në atë të punëve të brendshme, në Sarandë, Kolonjë, Tropojë, Tiranë. CV-ja e tij, megjithëse shumë e pasur, ai me modesti e përmblodhi shkurt dhe thjeshtë. Këtë cilësi, domethënë, thjeshtësinë e pashë tek ai gjatë kohës që punova me të prej tre vjetësh. Por ndër cilësitë e tij nuk ishte vetëm thjeshtësia, ai kishte shumë cilësi të tjera të mira, ai ishte punëtor i madh dhe i palodhur, trim dhe inteligjent. Kjo ka qenë arsyeja që atij i ngarkoheshin gjithnjë detyra të vështira. Pas ngjarjeve në ushtri të vitit ‘75, Shqipëria e mbylli rezidenturën e saj në Bukuresht dhe e rihapi atë në shtator ‘77, se i duhej. Bukureshti ishte një Carefour (kryqëzim) dhe dritare ku rezidenturat e huaja, të Lindjes dhe të Perëndimit vepronin me intensitet kundër vendit tonë. Idriz Shehi lindi në Ndroq të rrethit të Tiranës në një familje me tradita patriotike. I ati i tij Hyseni, që në orët e para mori pjesë në çetën partizane të Pezës që komandohej nga trimi legjendar, Myslim Peza, kurse e ëma Sejria, mori pjesë gjallërisht në Organizatën e Gruas Antifashiste. Që në moshën 15-vjeçare, Idrizi u radhit në formacionet partizane, fillimisht në Çetën e Pezës dhe në vazhdim në Brigadën 22-S. Pushka e djaloshit Idriz Shehi u dëgjua në Pezë, Shijak, Mirditë, Pukë, Shkodër, Tuz, Podgoricë e deri në Bosnje e Vishegrad. Rinia e tij i kaloi me pushkë në krah, shteg me shteg me luftëtarët e ushtrisë antifashiste NAÇL. Idrizi që në fëmijëri dëgjonte me kureshtje në familje, bisedat e babait dhe të shokëve të tij luftëtarë për rrezikun që i kanosej atdheut nga pushtimi fashist dhe mbushej me urrejtje ndaj pushtuesve të huaj dhe tradhtarëve të vendit. Ishin kohë të vështira, ai dëgjonte me vëmendje bisedat për aksionet e pezakëve dhe ilegalëve kundër pushtuesve italianë si Kajo Karafili, Jonuz Hakrama etj.. Këto ngjarje, kur Peza sulmohej nga të gjitha anët dhe kur 700 karabinierë nën komandën e nënkolonelit Carlo Gorje sulmuan Pezën për të asgjësuar rezistencën e pashoqe të çetës partizane të Myslim Pezës, të popullit të Pezës dhe fshatrave malore rreth saj, kanë influencuar shumë në rritjen e rezistencës popullore dhe sidomos te rinia e asaj kohe që ishte mjaft e lidhur me idealet kombëtare. Çeta e Pezës ishte çeta e parë antifashiste jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë. Të gjitha këto ngjarje bënë që edhe djaloshi Idriz Shehi, një ditë rrëmbeu pushkën dhe shkoi në çetën e Pezës, përkrah babait të tij. I ati pasi e mbajti pak ditë në çetë, për arsye se ishte ende i vogël për luftë, nuk kishte mbushur akoma 15 vjeç, e këshilloi të kthehej në fshatin e tij, Ndroq, sepse edhe në familje duhej një djalë. Jashtë vullnetit, Idrizi e dëgjoi babanë dhe u kthye në shtëpi. Por edhe pse u kthye në familje, Idrizit i punonte mendja si e si të shkonte përsëri në çetë. Dhe ja, çasti erdhi kur nga Tirana erdhën në Pezë ilegalët dhe u bashkuan me çetën babë Myslimit, Idrizi mori pushkën dhe u bashkua përsëri me çetën e Pezës, e më pas ai u inkuadrua në Brigadën partizane të 22 Sulmuese. Idriz Shehi, në rrugët e luftës që e çoi thirrja e Atdheut, i radhitur në formacionet partizane përshkoi me këmbë 3000 kilometra, në dëborë e tufan, me bukë e pa bukë nga Peza deri në Vishegrad. Gjatë luftës, ai kreu detyra të rëndësishme si përgjegjës i rinisë së kompanisë dhe më pas përgjegjës i rinisë i Shtabit të Brigadës së 22 Sulmuese, deri në kthimin e kësaj Brigade në Shqipëri, në fund të vitit 1945. pas kthimit në Shqipëri, ai caktohet në Tiranë, në repartet e mbrojtjes së popullit deri në vitin 1957 kur dërgohet për studime në BS, ku kreu shkollën e lartë ushtarake për zbulim. Pas kthimit nga BS, e emëruan në Sarandë zv/komandant për kufirin.