Myzafer Spaho, si luftoi për çlirimin e Jugosllavisë dhe u shkarkua nga përplasja me ta

268

DOKUMENTA/ Mësuesi nga Devolli që u bë komisari i Brigadës së 3-të Sulmuese e më pas drejtoi punën e Partisë në ushtri

Vangjel KASAPI

Në fondin e artë të inteligjencës së shquar patriotike dhe demokratike, që u parapriu zhvillimit të ngjarjeve të një prej periudhave më kritike të historisë së popullit e kombit shqiptar, qëndron me dinjitet edhe Myzafer Ahmet Spaho, nga fshati Baban i Devollit.

Shumë devollinj, intelektualë, patriotë e të rinj, propaganduan në popullsinë fshatare karakterin e padrejtë të luftës që bënte Italia, dhe si mund të përkrahej e mbështetej ushtria greke. Ndër ta spikat sidomos mësuesi Myzafer Spaho, i cili pas kthimit nga Italia jepte mësim në fshatin Eçmenik të Devollit. Me ndërgjegje, pjekuri e aftësi, guxoi në propagandimin nëpër fshatra, në takime e biseda me bashkëkrahinasit, përse duhej dënuar Italia, si mund të ndihmoheshin bijtë grekë ushtarë, me çfarë mund të pengoheshin veprimet e një ushtrie fashiste antipopullore.

Që nga 1939-ta, posaçërisht në vitet 1940-1941, përgjatë rrugës nacionale 26 km Korçë-Bilisht e anasjelltas, fashistët italianë lëviznin në mbarë Devollin. Ai aks buçiste nga zhurma e tankeve, autoblindave e kamionëve. Kurse në qiell fluturonin aeroplanë luftarake.“Ne nuk dinim shumë, por me kohë gjuha jonë u zgjidh e u bë më e mprehtë: Armiku do plumbin. Ai na ka shkelur vatrat tona. Duhet shporrur, – shkruante Myzafer Spaho. Si fillim komunistë, simpatizantë, veprimtarë të Lëvizjes NÇ, të rinj e të reja, shpërndanin e punonin trakte nëpër katunde për të sqaruar popullin ç’ishte fashizmi e si duhej luftuar. Kishte ardhur “Ora për çlirim”. Në 1942-shin Lëvizja AF në Devoll mori një hov të ri. U formua celula e parë e PKSH për zonën e Devollit me sekretar Myzafer Spahon.

Nisën të ngriheshin njësite guerile, bërthama të luftës së armatosur, me 5-10 veta. Konkretizimi parë u bë në shtëpinë e Shefqet Poloskës më 23.2.1943. Nismëtar, frymëzues e organizator ishte Spahua. Gjatë periudhës korrik 1942-shkurt 1943, Spaho shkëputej me ndërprerje nga veprimtaria e drejtpërdrejtë si luftëtar i çetës, pasi Qarkori i Korçës e ngarkonte për të punuar në terren, sepse e vlerësonte si figurë mjaft aktive, për detyrat delikate.

Komisari

Ardhja e një komisari me perceptime të qarta për perspektivën e zhvillimit të luftës e objektivat e saj, me ndjeshmëri ndaj udhëzimeve të Udhëheqjes së LANÇ, e shpunë çetën në riorganizimin cilësor dhe kthimin e saj në një strukturë të qenësishme ushtarake. Pra, në një njësi më të madhe dhe të aftë për veprime. Në Çetë lindi një frymëmarrje e re, një besim e një mobilizim i ri. Rigjallëria u konkretizua pas afro dy muaj ndërprerje të veprimit luftarak. Me çeta të shkëputura, por të zmadhuara në numër, s’mund të drejtohej më tej në operacione të përmasave ndërkrahinore të disa qarqeve.

U gjykua se nga pikëpamja ushtarake më i përshtatshëm për luftë në këtë fazë ishte batalioni. Varianti i krijimit të një batalioni, mbështetur në një çetë si bërthamë rreth së cilës të bashkoheshin partizanët e rinj të krahinës, gjeti zbatim edhe në formimin e Batalionit të Devollit. “Më 18 qershor në çetë erdhi lajmi i gëzuar: Çeta “Morava” kishte marrë emrin batalion shkruante Myzaferi. Në letrën e Qarkorit thuhej se batalioni merrte emrin “Fuat Babani” për kujtim të këtij dëshmori. Përurimi i batalionit u bë më 25.6.1943 në fshatin Grapsh.

Partizanët e “Fuat Babanit”

Një nga 19 batalionet partizane të UNÇSH, që vepronin në gjithë Shqipërinë, nën drejtimin e SHP, rezultonte edhe BP i Devollit. Ky, plus dendurisë së veprimtarisë brenda krahinës, u përfaqësua me sukses edhe në operacione të përbashkëta me batalione dhe brigada të UNÇ (I, II, IV, VII). Ai, nëpërmjet përfaqësimit dinjitoz të komisar Spahos, u lidh dhe bashkëveproi edhe me formacione të Ushtrive NÇ të Greqisë e Maqedonisë.

Këtyre ndihmesave të vlerësuara nga Udhëheqja e UNÇSH, iu shtua, pothuaj papritur, edhe një detyrë tjetër me rëndësi e përgjegjësi kombëtare. Teksa batalioni fuqizohej dhe po shndërrohej në një repart të mirëfilltë ushtarak, komanda e tij urdhërohej një pas një, për të dërguar partizanë të zgjedhur nëpër brigadat e reja që po formoheshin. Kësisoj Devolli pjellor “prodhonte” që të vepronin jo më “Nëpër Devoll”, por “Nëpër Atdhe”.

Komunistët dhe Balli Kombëtar

Të dy palët u përpoqën të merreshin vesh për një qëndrim në një Front AF të përbashkët, por strategjitë e synimet binin në kontraste të dukshme. Komunistët, edhe si nacionalistë, të pasuar nga shumica dërrmuese e rinisë, si fuqi kryesore luftarake, i vunë pushkën armiqve pushtues. Nacionalistët e BK manovronin dhe shkonin deri në simpatizimin e Italisë e Gjermanisë nëpërmjet një propagande justifikuese të qenies së përkohshme të pushtuesve në Shqipëri etj, pikëpamje që tashmë dihen.

Kjo dukuri e shtrëngoi PKSH-në edhe në Devoll për të qenë e matur, e pjekur, luajale, serioze dhe e prerë në gatishmërinë për bashkëveprim me armë ndaj dy ushtrive të huaja pushtuese. Ishte Myzaferi, nga të parët intelektual që iu kundërvu propagandës paralizuese për LANÇ. i prirur nga pikëpamje demokratike, revolucionare e kombëtare, për drejtësi shoqërore e vetëqeverisje, ai s’e pati shumë të vështirë t’i hynte ballas atij fronti kundërshtish ideore e luftarake.

Në Veri të vendit

Myzafer Spaho shkeli dhe qarkulloi me misionin e madh të çlirimit, të paqes e të mirëkuptimit për të ardhmen e Atdheut nëpër krahinat e Peshkopisë, të Kukësit e të Tropojës (Malësisë së Gjakovës). Ai mori kontakt e u njoh me organet e luftës e të pushtetit NÇ vendas, bashkëbisedoi me banorët e thjeshtë, hyri nëpër shtëpi e kulla, u prit si mik i rrallë dhe hëngri bukën e ëmbël të drithit të malësisë, admiroi natyrën e bukur e krenare të Alpeve të Shqipërisë, thelloi njohuritë për origjinën, jetën, traditat dhe luftërat e veriorëve si dhe u përpoq të depërtonte dhe të kuptonte në praktikë funksionimin e mekanizmit të pushtetit vetëqeverisës së veriorëve sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, mbi normat e së drejtës zakonore të shqiptarëve të mbledhura dhe të kodifikuara nga shkencëtari e patrioti Shtjefën Gjeçovi. Fatmirësisht, në marrjen e informacionit, në kuptimin dhe interpretimin e tij objektiv, real e paparagjykime, komisar Myzaferin e ndihmoi së tepërmi zëvendëskomisari, shoku, miku e vëllai i luftës e i idealeve të njëjta, ish- “allvaxhiu” nga Novoseji, Rahman Parllaku.

Në Kosovë – çlirimi i Junikut

Kalimi i Br3S të UNÇSH në Kosovë e në Rrafshin e Dukagjinit, në ndihmë të vëllezërve tanë dhe popujve të Jugosllavisë, u bë ndërkohë kur ende një pjesë e Shqipërisë ndodhej nën thundrën e nazizmit. Kalimi “zyrtar” nisi me një batalion më 19.10.1944. Për brigadën, drejtuesit dhe Myzafer Spahon, hapej një fletë e re, sidomos për fatin e vëllezërve tanë kosovarë përtej kufirit shtetëror. Prandaj komanda në brigadë riorganizoi punën me masa plotësuese për t’iu përshtatur mjedisit të ri dhe situatave luftarake në ndjekje të armikut gjatë tërheqjes së tij strategjike.

Divizioni shqiptar në Jugosllavi

Më 18.11.1944 UNÇSH i shtohen edhe dy divizione të rinj (V, VI). Për DVI komandant u caktua nënkolonel Gjin Marku e komisar Myzafer Spaho. Rrahaman Parllaku, zv. Komisar i Myzaferit në Brigadën III, u transferua me ngritje komisar i DVS. Detyra e Spahos i komunikohej një ditë pas çlirimit të kryeqytetit, por Br3S dhe komisari i saj, që kontribuuan në atë “Luftë Epike”, tashmë qenë larguar fizikisht, pa e gëzuar drejtpërdrejt Çlirimin. Më 22.11. Komandanti i Përgjithshëm urdhëronte: “Porsa të jetë çliruar Shkodra, dy brigada të DVI të marshojnë në drejtimin Pordgoricë-Dinalovgrad dhe në bashkëveprim me forcat jugosllave të godasin armikun. Kurse më 29.11, në Mal të Zi DVI shkonte me të katër brigadat (6, 7, 8, 22), varej nga Komanda e Përgjithshme dhe mbante lidhje edhe me KA-I, me qendër në Shkodër. Para se të kalohej kufiri, organizatat e partisë, komandat e shtabet ndërmorën përgatitje të gjithanshme dhe tepër serioze.     (dhënë për Telegraf më 21.01.2011)

 (vijon nesër)

Në Ministrinë e Mbrojtjes, në krye të Drejtorisë Politike

Brenda 3-vjetëve të fundit, qysh se u transferua nga drejtorimi i Br3S, Myzafer Spaho u caktua tre herë në funksionin e lartë komisar politik në tre njësi të mëdha operative (D 6,3,4). Sipas logjikës së një karriere normale, mund të themi se pas kësaj i takonte emërimi komisar Korparmate. Mirëpo Qendrori i PKSH-së, për potencialin që ai dispononte të treguar në luftë e pas çlirimit, do ta ngrinte për në Superstrukturë, si protagonist e interpretues të rolit komisar politik në frontin e Mbrojtjes.

Kështu natyrshëm erdhi ngritja në kupolën e lartë të institucionit kryesor politiko-ushtarak të UKSH siç ishte Drejtoria Politike në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare, që ishte organ i KQ dhe drejtonte të gjithë punën e Partisë në Ushtri. Për realizimin e misionit të saj ajo Drejtori organikisht kishte: drejtorin, zv.drejtorët; degën e agjitacionit dhe propagandës (me shef Pëllumb Dëshnica) dhe degën organo-instruktor (me shef Myzafer Spahon); degën e kuadrit; seksionin e rinisë etj. Dega që drejtonte nëndrejtor Spaho përbëhej: shefi Degës, ndihmës shefi, seksioni i informacionit, i organizimit, instruktorët dhe sekretaria (të gjitha këto me disa kuadro secila) dhe që përfshinte gjithë punën e partisë e atë ushtarake në ushtri.

Nderimi, si u dekoruan Mehmet Shehu e Myzafer Spaho

Marrëdhëniet e miqësisë e të bashkëpunimit me ushtritë e “Kampit Socialist” përfshinin objektivisht edhe Drejtorinë Politike të UKSH. Një delegacion i Ushtrisë Shqiptare, i kryesuar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Mehmet Shehu, asistoi në paradën ushtarake të Ushtrisë Bullgare në Sofje (9 shtator 1947). Anëtarët e mirëpritur të delegacionit shqiptar u dekoruan me urdhra e medalje. Nënkolonel M. Spaho, një nga anëtarët  e tij dhe si një nga misionarët çlirimtar të Jugosllavisë, në kuadrin e Luftës AF të popujve, u nderua me “Urdhrin 8 Shtatori” të Klasit I.

Në një vizitë të nivelit të lartë, në Jugosllavi, e quajtur me rëndësi të veçantë shtetërore-ushtarake, me që u zhvilluan bisedime dypalëshe për unifikimin e UKSH me atë të Ushtrisë Jugosllave, bënte pjesë edhe M. Spaho. Materialin e palës shqiptare, që kryesohej nga kolonel Kristo Themelko (Drejtor i Dr. Politike), e kishte përgatitur vetë gjeneral M. Shehu. Kujtojmë se “Në prill 1945, së bashku me shokët Tahir Kadare, Kristo Themelko, Teki Koloneci, Myzafer Spaho dhe Ulusi Spahiu, me përgjegjës grupi gjeneral Mehmet Shehun, shkuam për eksperiencë në ushtrinë Jugosllave, e cila vazhdonte luftimet me trupat gjermane. Dhe në të dyja rastet Myzaferi u dekorua 2 herë me “Urdhrin e Trimërisë” dhe të “Vëllazërimit” të Klasit II.

Në kishën e Tuzit

Spaho kundërshton gjeneralin malazez

Ai që ndër të paktët guxoi të kish qenë kundër me jugosllavët. Do mjaftonin vetëm dy çaste vendimtare për të ardhmen e vendit dhe të ushtrisë. i pari, episodi i 7 shkurtit 1945, gjatë mitingut të madh në fushën para kishës së Tuzit shqiptar, kur nga tribuna përballë autoriteteve ushtarake e civile të Malit të Zi dhe drejtuesve të lartë ushtarakë të Korparmatës, i BrVI S dhe popullsisë shqiptare e malazeze, iu kundërvu flakë për flakë provokimeve antishqiptare të gjeneralit Gj.Miraloviçit: “…Na kemi luftue kundër fashizmit e rendit të tij, porse jo kurrë për me çue në vend kufijtë e Versajës, e cila na e pati rrëmbye gjysmën e Shqipërisë për me plotësue intrigat imperialiste dhe…” i dyti, kur në postin e lartë të zëvendësdrejtorit Politik të Ushtrisë Kombëtare në fund të vitit 1947, pavarësisht atmosferës miqësore projugosllave të kohës dhe trysnisë politike, Myzaferi gjeti rastin të dekonspironte publikisht dhe të demaskonte indirekt, në Aktivin Qëndror të Propagandistëve të Ushtrisë, se referatin që i kishin dhënë të lexonte e ku thuhej mes të tjerash që “Lufta NAÇL ishte e para luftë patriotike e popullit shqiptar, me nxitjen e Tito-s”, -tezë që rekomandohej të përfshihej edhe në programin e edukimit për vitin 1948 etj., – ishte përgatitur nga këshilltari jugosllav, koloneli Spiro, me bekim të Beogradit. Pra, dha sinjalin e kundërshtimit të antishqiptarizmit, dhe të mos afirmimit të tezës jugosllave sikur populli shqiptar kishte fjetur nëpër shekuj e nuk kishte luftuar për liri e pavarësi derisa e paskej që zgjuar Titoja etj.

Pas Kongresit të parë, nga Ministria e Mbrojtjes, në drejtor të shtypshkronjave

Myzafer Spaho, militant i vjetër i PKSH, udhëheqësi i dëgjuar i LANÇ, komisari i shquar në UNÇ e UKSH, sekretari i byrosë së partisë dhe nëndrejtori i Drejtorisë Politike, pasi mori pjesë në Kongresin i të partisë si i ftuar, s’do të mund të vazhdonte më tej në Ushtri. Atë e vunë në një rokadë nga Ushtria në terren, në kuadrin e disa lëvizjeve në Dikasterin e Mbrojtjes.

Po e largonin nga ajo Ushtri së cilës iu përkushtua jetësisht, nga radhët e asaj ushtrie që i shërbeu 6 vjet ose 75 muaj si komisar i strukturave nga më të ulëtat deri në më të lartat e të rëndësishmet të Ushtrisë, të Luftës e të Mbrojtjes. E ndanin nga komisarët e komandantët, gjeneralët e oficerët madhorë, nga bashkudhëheqësit e luftës, të ushtrisë e të mbrojtjes. Veçse fizikisht pasi shpirtërisht s’mund ta ndanin aspak nga ajo Armë që e rriti dhe e talentoi si një gjeneral e strateg. Rreth zhvendosjes së Myzaferit nga sektori ushtarak qarkulluan opinione të pashkruara, subjektiviste, keqardhëse, po edhe paragjykuese. Me vendim të Kryeministrisë e emërojnë Drejtor të Shtypshkronjave.