Myslym Peza, komandanti legjendar i çetës së parë antifashiste në Shqipëri dhe Evropë

1596
Nga Xhevdet ҪELMETA, nip i heroit

Përkujtimore; 120- vjetori i lindjes së Myslim Pezës (1 maj 1897-1 maj 2017) 

Ҫeta e Pezës u krijua më 5 qershor 1940
Myslim Peza u lind më 1 maj 1897 në fshatin Pezë e Madhe. Rrjedh nga familja e Sheh Hazizit të teqesë së Pezës. Babai i tij, sheh Haziz Peza ka qenë i lidhur me patriotët e kohës për të luftuar dhe çliruar nga sundimi turk dhe për të përhapur e mësuar gjuhën shqipe. Në luftën për pavarësinë e vendit tonë nga Turqia në vitin 1912 u përfshinë vëllezërit Shyqyri e Myslim Peza duke përkrahur patriotin Aqif Pashë Elbasani. Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, Shyqyriu dhe Myslimi me 60-70 vullnetarë pezakë për 11 ditë qëndruan në Lushnje në mbrojtje të Kongresit të Lushnjes. Në dhjetor 1921, Ahmet Zogu bëri grusht shteti dhe mori qeverinë. Në atë kohë, Peza u bë strehë e antozogistëve. Në shkurt 1922 xhandarët e dërguar nga Ahmet Zogu në pabesi e arrestojnë Myslim Pezën, së bashku me kushëririn e tij Gani Peza dhe për një kohë i mbajnë në burgun e Peqinit. Më pas i internojnë në Korҫë ku qëndrojnë një vit. Më 1923 kthehet nga internimi dhe lidhet me shokët e shoqërisë demokratike “Xhoka” të Tiranës për zgjedhjet e Asamblesë Kushtetuese, të cilat u manipuluan nga Ahmet Zogu, i cili u zgjodh kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme. Në revolucionin demokratik-borgjez të qershorit 1924, të dy vëllezërit Peza morën pjesë dhe përkrahën forcat revolucionare të Fan. S. Nolit, Bajram Currit, Hasan Prishtinës, dhe të Riza Cerovës. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit, Shyqyriu dhe Myslimi filluan të përndiqeshin si përkrahës të Qeverisë së Fan Nolit. Më 5 shtator 1926 Myslimi bashkë me Lam Lekën vranë brenda në Tiranë me atentat majorin zogist Osman Bali, i cili kishte bërë disa vrasje për Esat Pashë Toptanin dhe Zogun. Pas kësaj vrasjeje, Myslimi me Lam Lekën dalin komitë duke iu fshehur përndjekjeve të spiunëve. Gjykata zogiste e dënoi në mungesë me pushkatim. Për kapjen e Myslim Pezës u vunë në dispozicion mijëra napolona flori; u kapën dhe u torturuan shumë të afërm dhe miq të tij. Gjatë 4 vjetëve përndjekjeje pwr ta kapur, qeveria e Zogut u hakmoar duke burgosur e internuar 66 veta, madje internuan edhe vetë familjen, fëmijët dhe të afërmit që e kishin strehuar. Në këto kushte Myslim Peza së bashku me Sul Ajazin u arratisën në Maqedoni, ndërsa Lam Leka u vra nga trupat e ndjekjes së A. Zogut. Në Maqedoni, Myslim Peza lidhet me patriotin Haxhi Lleshi, i cili e ndihmoi dhe e përkrahu me gjithçka. Këtu u lidh e u miqësua me Kajo Karafilin, Mustafa Kaҫaҫin dhe shumë emigrantë që ishin përndjekur nga qeveria zogiste. Menjëherë pas pushtimit italian të Shqipërisë më 7 prill 1939; në fillim të korrikut 1939, pasi ndahet ne Resnje me Haxhi Lleshin, kthehet në Pezë pas nëntë vitesh. Më 5 qershor 1940, Myslim Peza me familjen e tij, si dhe të Dyrrit, Shyqyriut, të Ҫelmetjeve dhe të shokëve që kishin ardhur për të luftuar fashistët italianë dhe bashkëpunëtorët e tyre, formoi çetën e parë antifashiste në Shqipëri dhe në Evropë. Myslim Peza me anën e mikut të tij, Dem Xhepa dhe Esat Dishnica, u takua me Enver Hoxhën, ku ranë dakord për luftë kundër pushtuesit fashist Italian. Më pas, në çetë erdhën komunistët Qemal Stafa, Mihal Duri, Kristo Themelko, Vasil Shanto, Misto Mame, Pandi Nasho, Baki Starja, Todi Morava, Mustafa Gjinishti, Ymer Dishnica, Todi Lubonja, Lefter Goga, Maliq Muҫo, Loni Grazhdani etj. Ҫeta e Pezës, me komandant Babë Myslimin, filloi menjëherë veprimtarinë luftarake kundër pushtuesve fashistë, duke prenë lidhjen telefonike Durrës-Ndroq-Tiranë,aksion ku u plagos për vdekje Konti Kampello, gjë që alarmoi fashistët italianë, të cilët më 15-16 mars 1941 sulmuan Pezën me 700 karabinierë, xhandarë e milicë. Lufta vazhdoi gjatë gjithë ditës, por në fund fashistët italianë u tërhoqën duke lënë 84 xhandarë të vrarë, mjaft të plagosur, dhe mjaft armatime, por edhe nga ҫeta ranë 5 dëshmorët e parë; Sadi Sinani, Hasan Peza, Rrem Haka, Vath Korriku dhe Xhaferr Durishti dhe mbetën të plagosur: Skënder Peza (djali i Babë Myslimit), Emin Ҫelmeta, Lul Brahja, Shkurt Rexha dhe Qemal Deliallisi. Babë Myslimi, pas luftës së 16 marsit kaloi në Maknor, Pezë të Vogël, Grebllesh, Pinet, Kënetë të Shijakut, Shahinaj, Kuҫ. Nga zona e Shijakut, ҫeta kaloi në fshatrat e Levanjes, Okshtunit, Gosës, kaloi Shkumbinin dhe u vendos për 3 javë në Ҫermë, Proshkë të Divjakës. Nga Ҫerma, ҫeta kaloi në Garunjë të Peqinit, dhe ndaloi në Ramush të Shpatit të Vrapit, tek shtëpia e Sul Ramushit. Gjatë natës u gjendën të rrethuar nga xhandarët, por shokët e çetës si Kajo Karafili, Avdi Kasalli, Zyber Peza, Hamdi Grori, të cilët ishin jashtë shtëpisë hapën zjarr kundër xhandarëve dhe bënë të mundur që Babë Myslimi dhe shokët e tjerë të dalin nga rrethimi. Në këtë betejë ra heroikisht Sulejman Ymeri, ndërsa mbetën të vrarë 5 xhandarë. Lufta e Ramushit ishte një betejë ku armiku u shpartallua keqas. Më 28 qershor 1941, në Grebllesh. Babë Myslimi me çetën e tij takon Enver Hoxhën, ku u vendos që në ҫetë të pranoheshin komunistë dhe të vendosej komisari krahas komandantit. Më 21 gusht 1941 në Çetën e Pezës vjen komisar militanti komunist Vasil Shanto. Tani çeta e Pezës do të quhej “Çeta partizane e Pezës”. Më 16 shtator 1942 me iniciativën e PKSh u mbajt Konferenca e Pezës. Detyra kryesore e kësaj konference ishte që të bashkohej populli në luftë kundër okupatorit pa dallim feje, ideje dhe bindje politike. Të krijohej Fronti Nacional-Çlirimtar, i cili do të organizonte luftën nëpërmjet çetave partizane. Të krijoheshin këshillat Na-Ҫl, si në fshat, ashtu edhe në qytet, si themeli i ri i pushtetit popullor. Pas mbarimit të konferencës, armiku do të ndërmerrte aksione luftarake ndëshkuese kundër Ҫetës së Pezës. Më 18 dhjetor 1942 departamenti i ShBA dhe Anglisë bëjnë deklaratë ku njohin Frontin Na-Ҫl me komandant Myslim Pezën në luftën që bëri populli shqiptar kundër pushtuesit fashist Italian. Në Pezë më 15 mars 1943 krijohet batalioni i parë partizan me komandant Myslim Pezën dhe komisar Mustafa Gjinishin. Nga data 13-18 qershor 1943 forcat fashiste prej 14 mijë vetësh filluan operacionin kundër forcave partizan Pezës. Plani i tyre ishte rrethimi dhe asgjësimi i forcave partizane të Pezës. Por ai nuk ja arriti qëllimit, se forcat partizane të Pezës mbroheshin nga populli dhe komandanti i tyre Myslim Peza, i cili i shpartalloi forcat fashiste italiane. Më 17 korrik 1943 Shtabi i Përgjithshëm i UNҪl, vendosi krijimin e Grupit Partizan të Pezës me komandant Myslim Pezën dhe komisar Kristo Themelkon. Pas kapitullimit të Italisë fashiste në shtator 1943, vjen pushtuesi i ri nazist gjerman. Grupi partizan i Pezës pati shumë përpjekje me armikun në të cilat i solli dëme në njerëz e materiale. Në luftën e Arbanës, më 9 tetor 1943 forcat partizane përballuan një mësymje të ashpër të trupave naziste gjermane. Në nëntor 1943 komanda gjermane përgatiti “Operacionin 505” për asgjësimin e Grupit Partizan të Pezës, por nuk pati sukses. Më 10 janar 1944 forcat gjermane organizuan një operacion kundër Batalionit të 3-të partizan të komanduar nga Kajo Karafili, në Lis-Patrosë për ta asgjësuar. Lufta vazhdoi gjithë ditën dhe gjermanët patën humbje të mëdha në njerëz e materiale luftarake. Këtu ra duke luftuar komandanti i batalionit Kajo Karafili, Mustafa Lleshi komisar kompanie; mitralieri trim Bajram Tusha dhe Myrvete Peza. Nga nëntori i vitit 1943 deri në mars 1944 Grupi Partizan i Pezës përballoi 5 operacione gjermano-balliste, në këto përballje iu shkaktuan armikut humbje të mëdha në njerëz e armatime. Në fillim të pranverës 1944 gjermanët ndërmorën operacionin “Busard” kundër partizanëve të Pezës ku hodhën në betejë 4 mijë forca të përforcuara me artileri dhe 1 mijë trupa balliste për ti mbështetur në luftime, por edhe kësaj here dështuan me turp. Mbajtja e Kongresit të Përmetit më 24 maj 1944 konsolidoi fitoret e arritura nga Këshilli Nacionalҫlirimtar dhe Shtabi i Përgjithshëm i UNҪl. Në Kongresin e Përmetit Myslim Peza zgjidhet në postin e zëvendëskryetarit të Komitetit Antifashist NҪl. Në Berat kur Komitetit Antifashist NҪl u shndërrua në “qeveri demokratike”, Myslim Peza u zgjodh zëvendëskryeministër, me gradën “gjeneralmajor”. Më 18 shtator 1944 në Pezë formohet Brigada 22 Sulmuese, kryesisht me partizanë të Grupit partizan të Pezës. Kjo brigadë çliroi Mirditën, Pukën, mori pjesë në çlirimin e Shkodrës. Jashtë kufijve ajo çliroi Tuzin, Podgoricën, Vishegradin, territore të ish Jugosllavisë. Pas çlirimit Myslim Peza ka qenë zgjedhur deputet i Kuvendit Popullor në të gjitha legjislaturat, ku mbajti postin e zëvendëspresidentit të Presidiumit të Kuvendit Popullor deri në vitin 1982. Enver Hoxha e ka vlerësuar figurën e Myslim Pezës, ku ndër të tjera shkruan: “Myslim Peza ishte njeri i thjeshtë, që e donte popullin fukara që ishte hedhur në luftë dhe në armiqësi me regjimin kusar dhe xhahil të Ahmet Zogut”…”U lidhëm së toku sepse na lidhi çështja e madhe e çlirimit të popullit dhe të Atdheut…”. Për kontributin e dhënë gjatë LANҪ dhe pas çlirimit i janë dhënë titujt më të lartë “Hero i Popullit” dhe “Hero i Punës Socialiste”. Myslim Peza u nda nga jeta më 7 shkurt 1984.