Myslim Vasjari, themelues i Komitetit Shqiptar të Janinës më 1877, të kryesuar nga Abdyl Frashëri

Nga Xhezo CANA

Tepelenasi që la gjurmë në historinë e Shqipërisë, me porosi të Ali Pashës kontribuoi për pavarësinë greke, të lidhur në “Vëllazërimin greko-shqiptar” 


Më 18 qershor 1880, Abdyl Frashëri, Myslim Ago Vasjari, Hajredin Pasha (nip i Ali Pashës), Iliaz Çelo Picari, Osman Tahiri etj, në emër të Toskërisë i drejtuan Kongresit të Berlinit, një letër për të mos marrë vendime që cënonin të drejtat kombëtare dhe tërrësinë territoriale të popullit shqiptar, ku thuhej: “Ne kemi bindjen e patundur se kërkesa jonë e drejtë do të merret parasysh seriozisht, sepse ne jemi të gjithë gati të vdesim për të ruajtur të drejtat tona të natyrshme dhe të shenjta, sesa të mbetemi në mëshirën e të huajve”

Myslim Vasjari hyn ndër figurat më pak të publikuara, por me kontribut të veçantë në historinë tonë. Ai ka lindur rreth viteve 1825 në Janinë, ku ishte vendosur familja e tij. Gjyshi i tij Ago Vasjari ishte një ndër luftëtarët më të shquar dhe krahu i djathë i Ali Pashës. Ago Vasjari ishte ndër njerëzit më të besuar të Ali Pashës në misionet ushtarake e diplomatike, si marrëveshjet me Suliotët, me lëvizjen e “Elefterisë” greke, me Kurt Pashën e Beratit apo me misione diplomatike në Stamboll ku ai firmoste në vend të Pashait. Ai dhe shumë kapedanë të tjerë shqiptarë, me porosi të Ali Pashës, kontribuan në luftën për pavarësinë greke, të lidhur me një marrëveshje bashkëpunimi për vëllazërimin greko-shqiptar. Kjo marrëveshje dihet si u tradhtua nga grekët dhe ç’masakra kryen ata ndaj popullsisë myslimane çame. Është e njohur gjithashtu indinjata e Ago Vasjarit dhe Tahir Abazit ndaj kësaj pabesie dhe pozicionimi i tyre i mëvonshëm antigrek. Gjithsesi, më 23 gusht 1823 Dh. Ipsilant nuk heziton të thotë të vërtetën në parlamentin grek duke falënderuar për kontributin e tyre “prijësit burrërorë dhe aleatët besnikë Ago Vasjari, Cengo Bej, Myrto Çela, Tahir Abazi dhe toskë të tjerë”. Ndërsa studiuesi grek Jorgo Moroga thotë: - Ç’farë i detyrohet Greqia arvanitëve? Ju detyrohet, guxoj te them-Lirinë e saj. Babai i Myslimit, Hysen Ago Vasjari, sipas studiuesit Irakli Koçollari, ishte një poet i talentuar. Ekziston një poemë me mbi 200 vargje në gjuhën greke ende e papërkthyer. Hysni Ago Vasjari u vu në shërbim të çështjes kombëtare dhe, sipas prof. Irakli Koçollarit, ai është vrarë në Manastir në atë pabesi të pashembullt që bëri perandoria osmane duke thirrur mbi 500 përfaqësuesit e lëvizjes shqiptare dhe duke i ekzekutuar në mënyrë barbare. Kjo ishte shkurtimisht historia e gjyshit dhe babait të Myslim Vasjarit, personazhit tonë, i cili e ngjiti në një shkallë më të lartë kontributin e tij për atdheun.

Themelues i Komitetit Shqiptar të Janinës, të kryesuar nga Abdyl Frashëri
Në vitin 1877 në Janinë Myslim Vasjari është anëtar themelues i Komitetit Shqiptar të Janinës të kryesuar nga Abdyl Frashëri. Myslim Vasjari së bashku me Abdyl bej Frashërin, Mehmet Ali bej Vrionin dhe të tjerë janë “burrat me rëndësi të Lidhjes së Jugut”. Myslim Vasjari, Mane Tahiri, Ibrahim Dragoti dhe Rustem Picari hyjnë në rrethin e miqve të ngushtë të idealeve të Abdyl Frashërit. Aktiviteti i tij shtrihet në zonën e Janinës, Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit e Kurveleshit, por edhe si përfaqësues i Toskërisë. Aktiviteti i Myslimit është i gjithanshëm. Në zgjedhjet parlamentare të Turqisë në vitin 1877, ai konkurron në Janinë si përfaqësues muhamedan i Toskërisë, duke rezultuar ndër 5 më të votuarit, i renditur direkt pas Abdyl Frashërit. Më 18 qershor 1880 Abdyl Frashëri, Myslim Ago Vasjari, Hajredin Pasha (nip i Ali Pashës), Iliaz Çelo Picari, Osman Tahiri etj, në emër të Toskërisë i drejtuan një protestë Kongresit të Berlinit për të mos marrë vendime që cënonin të drejtat kombëtare dhe tërrësinë territoriale të popullit shqiptar. Në letër protestë, midis të tjerash, thuhet: “Ne kemi bindjen e patundur se kërkesa jonë e drejtë do të merret parasysh seriozisht, sepse ne jemi të gjithë gati të vdesim për të ruajtur të drejtat tona të natyrshme dhe të shenjta, sesa të mbetemi në mëshirën e të huajve”. Dy ditë më vonë, më 20 qershor 1880, Komiteti i Lidhjes Shqiptare për Janinën u dërgoi një njoftim ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Stamboll, ku midis të tjerave shkruante se: “... treva e njohur me emrin Epir është që nga kohët e lashta një pjesë përbërëse e Shqipërisë, është shpirti i saj. Një trup nuk mund të jetojë pa shpirt. Ekzistenca jonë do të jetë e rreme dhe e pamundur edhe sikur të shkëputet qoftë edhe pjesa më e vogël e kësaj treve” Këtë njoftim e nënshkruajnë Hajredin Pasha, Omar Pasha, Abdyl Frashëri, Myslim Vasjari, Iliaz Picari, Ali Çelo etj.

Kontribues kryesor, në krijimin ushtrisë për mbrojtjen e Lidhjes së Prizrenit
Aktiviteti i tij patriotik kulmon me kontributin e jashtëzakonshëm për krijimin e ushtrisë në mbrojtje të Lidhjes se Prizrenit “Myslim Ago Vasjari me të vllaznit merr përsipër aktivizimin e 3000 forcave për ushtrinë shqiptare“- thotë studiuesi Xhafer Belegu në ‘’Lidhja e Prizrenit’’ fq 149. Myslim Vasjari ruante marrëdhënie dhe kishte mbështetjen edhe të Ibrahim Vasjarit (kushëririt), i cili sipas Lefter Dilos, merr pjesë në Degën e Lidhjes për Gjirokastrën. Në botimin ‘’Historia e popullit shqiptar’’ vëllimi II f 140 vlerësohen si personalitete që krijuan Komitetin e Janinës dhe projektuan kryengritjen kundër osmanëve: Abdyll Frashëri, Mustafa Nuri Vlora, Myslim Vasjari (Kurveleshi), Sulejman Tahiri (Tepelenë), Sabri Gjirokastra, Mihal Harito (Zagori), Vesel Dino (Prevezë). Një kontribut të madh dha Myslim Vasjari në ruajtjen e Janinës nga agresioni grek. U mobilizuan në këtë aksion patriotik mjaft atdhetarë shqiptarë dhe forca vullnetare që kishin ardhur kryesisht nga Jugu. Në një letër që konsulli francez i drejton Ministrisë përkatëse më 20 korrik 1880 midis të tjerash thotë: “Duke qenë real copëtimi i Shqipërisë, pasi fuqitë e mëdha thuajse e bënë fakt të kryer, patriotët shqiptare, bejlerët shqiptarë që ndodheshin në Janinë u larguan nga ky qytet dhe shkuan në vendet e tyre për të mobilizuar popullin. Kështu Jahja Beu, u nis për në Përmet, po kështu edhe Abdyl Frashëri, ndërsa Myslim Aga Vasjari u nis për në Tepelenë, vendlindja e tij. Ata mbajtën të mobilizuar batalione të gatshme, por edhe të ushtrisë turke në Janinë që ishin shqiptarë”. Dhe më tej thuhej se ”u caktuan 25.000 ushtarë për ruajtjen e kufijve me përcaktim të qartë dhe detyra të plota. Jugu, sektori i Prevezës dhe i Artës rreth 30-40 km u parashikua të mbrohej nga forca ekzistuese shtetërore, sepse eprorët edhe ushtarët ishin shqiptarë dhe se Valiu dhe Porta e Lartë nuk kishin ndikim mbi ta. Rasti i vilajetit të Janinës qe i veçantë. Personat që do të kontribuonin për organizimin e kësaj force ishin: 

Mustafa Pashë Vlona, kryetar i degës së Vlonës me 10 000 shpirt.
Mehmet Ali Pashë Vrioni, kryetari i degës së Beratit me 3 000 shpirt
Rustem Çelo Picari me 1.000 shpirt
Anëtarët e Lidhjes së Tepelenës: 
Baba Hysen Memaliaj me 500 shpirt 
Myslim Ago Vasjari me të vllaznit 3.000 shpirt” 

Myslim Vasjari ka vdekur diku nga viti 1905 në Janinë duke lënë pas familjen për të cilën nuk ka ndonjë të dhënë. “Për veprimtarinë politike në mbështetje të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Myslim Vasjari është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Urdhrin e klasit III “ për veprimtari politike me motivacionin: Si aktivist i dalluar në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit 1878-1881 ka dhëne kontribut për mbrojtjen territoriale e çlirim kombëtar; Data 9.6.1955, Nr Vendimit 5746