Myfit Qorduka: Vizita e Enver Hoxhës në Pashaliman dhe operacioni i parë luftarak në vuno ndaj diversantëve grekë

1374
????????????????????????????????????????????????????????
Sigal

Dossier/ Myfit Qorduka, ish-oficeri madhor i Flotës Detare: Ja si u organizua të FLD me anijet e para si trofe lufte dhe përgatitja e oficerëve të parë

 

Vizita e Enver Hoxhës në Pashaliman dhe Operacioni i parë luftarak në dhjetor 1948, në Gjirin e Vunoit, ndaj një grupi diversantësh që vinin nga Greqia

 

Albert Z. ZHOLI

vijon nga numri i kaluar

 

01- Në vitin 1945 u nxorën nga fundi i detit tre motoskafë të mbytur gjatë Luftës.

02- Në datën 15 gusht 1945, shënohet data e ringritjes së Flotës sonë Detare.

03-Si u zhvillua operacioni i parë luftarak në dhjetor 1948, në gjirin e Vunoit, ndaj një grupi diversantësh që vinin nga Greqia

04- Në prill të vitit 1954, Enver Hoxha, viziton Pashalimanin, kalon pranë ishullit të Sazanit, duke thënë se FLD do rritet dhe kufiri detar do jetë i paprekshëm.

05- Me motoskafë, me nga një mitraloz 20 mm në bash, nisi patrullimin atdheu i sapoçliruar

Si u formua FLD, cilat ishin anijet e para, po oficerët e parë, ku u përgatitën ata?

 

Flota jonë u formua nga anije të mbetura nga Lufta…Në vitin 1945 u nxorën nga fundi i detit tre motoskafë të mbytur gjatë Luftës. Në datën 15 gusht 1945, shënohet data e ringritjes së Flotës sonë Detare. Me këta motoskafë, me nga një mitraloz 20 mm në bash, nisi për patrullim atdheu i sapoçliruar. Ata motoskafë drejtoheshin nga partizanët tanë. Krahas vështirësive të panumërta, nisi kështu rruga e mundimshme e ringritjes dhe modernizimit të Flotës Luftarake Detare, që do kulmonte me anijet e mëdha luftarake dhe nëndetëset.

 

 

-Po operacioni i parë luftarak i FLD kur u realizua?

 

Në vitin 1948, flota, me ato mjete primitive, zhvilloi operacionin e parë luftarak, betejën e parë për mbrojtjen e atdheut nga deti. “Kjo betejë, (po përdor fjalët që veterani Selam Qejvani na i përcillte gjithë krenari) – u zhvillua në dhjetor 1948, në gjirin e Vunoit, ndaj një grupi diversantësh që vinin nga Greqia. Ne dinim vendin e zbarkimit, idenë e operacionit, muajin, mjetet e numrin e njerëzve që do vepronin. Nuk dihej ora dhe mënyra e veprimit. Prita u organizua me idenë që forcat e mbrojtjes do vepronin në tokë dhe flota do vepronte në det me komandant Çelo Arzën dhe komandant grupi anijesh Selam Qejvanin. Ideja e përgjithshme ishte të lejohej afrimi i anijes diversioniste terroriste, depërtimi i saj në thellësi të gjirit, zbarkimi i diversantëve dhe, kur forcat e bregdetit të hapnin zjarr, atëherë do të futeshin në luftim anijet tona, aksion ky që do të realizohej në befasi në dy krahët e pritës e në mënyrë të skalionuar. Anija greke, në dhjetor 1948, duke shfrytëzuar errësirën e natës pa hënë, uli shpejtësinë në afërsi të bregut 100-150 m dhe, pasi u bind se nuk ishte diktuar, uli lanxhen (sandallin) me dy diversantë në bord që iu afrua bregut pa zhurmë. Sapo lanxha arriti 10-15 m larg, nga pakujdesia e një ushtari të mbrojtjes sonë, u rrokullisën gurë në det, të cilët shkaktuan zhurmë duke dekonspiruar pritën tonë dhe ata u larguan drejt Korfuzit, duke u shoqëruar nga breshëritë e armëve tona”. Përveç modernizimit të mjeteve, koha kërkonte edhe përgatitjen e kuadrove që do t’i drejtonin ato. Nevoja emergjente e shtetit shqiptar për fuqizimin e Flotës Luftarake Detare Shqiptare që në muajt e parë të pas Luftës së Dytë Botërore, krahas pajisjes me anije e nëndetëse bashkëkohore, kërkonte përgatitjen e oficerëve detarë në shkollat e njohura evropiane.

-Ku u përgatitën kuadrot e parë të FLD?

 

Fillimisht, menjëherë pas Luftës, në vitin 1946, oficerët shqiptarë detarë u përgatitën në shkollat e marinës Jugosllave, ndërsa me prishjen e marrëdhënieve, pas vitit 1948 e në vazhdim, ushtarakët shqiptarë u përgatitën në shkollat dhe akademitë sovjetike, ndër më të njohurat e detarisë luftarake në atë kohë. Periudha që nga viti 1945 deri në vitin 1954, sipas dokumenteve luftarake që ruhen në arkivin e FLD-së, efektivave tona detare, krahas vështirësive të ringritjes së këtij shërbimi, si dhe pajisjes me teknikë dhe armatim bashkëkohor, iu desh të përballonin edhe incidente të shumta detare, tentativa rrëmbimi apo arratisje të anijeve luftarake nga ushtarakë shqiptare të vënë në shërbim të agjenturave të huaja. Në këto incidente, pati edhe viktima detarësh e oficerësh, por që u përballuan me sukses.

 

-A e ka përgëzuar Enver Hoxha FLD në këtë kohë?

 

Në prill të vitit 1954, në përgëzim të realizimit të detyrave me sukses nga efektivat detare, komandanti i përgjithshëm, Enver Hoxha, viziton Pashalimanin, kalon pranë ishullit të Sazanit, duke dhënë njëkohësisht edhe detyra të tjera të rëndësishme për ruajtjen e paprekshmërisë së kufijve tanë detare.

Sipas dokumenteve zyrtare të kohës, kur nuk kishte kaluar pak më shumë se një vit nga çlirimi i vendit, kur njësitë luftarake detare ishin riorganizuar e ishin vënë në ruajtje të kufijve ujorë, nisi menjëherë edhe dërgimi i kuadrove për përgatitje në shkollat jashtë vendit. Për të realizuar kërkesën për përgatitjen e kuadrit të flotës, Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë zgjodhi nga radhët e saj ish-ushtarakë (shumica me arsim fillor) dhe, në dhjetor të vitit 1946, dërgoi në Dyvulje të Jugosllavisë 84 kursantë të shoqëruar nga kapiteni i parë, Abdi Mati. Baza e vjetër detare e Duvuljesë ishte bazë edhe për hidroplane. Afër kësaj baze ndodhej qyteti i vogël Trogir, aty ku kursantët mësuan se veprat e artit të kishës së qytetit ishin bërë nga piktorë shqiptarë dhe përballë qytetit ndodhej fshati me emrin “Albania”. Sipas kujtimeve të Qemal Hysaj, një nga kuadrot më të vjetër të FLD-së dhe drejtues për një kohë të gjatë i Akademisë Detare Shqiptare, “në fillim të vitit 1947, dërgohen në një kurs njëvjeçar në Dalmaci, një grup ushtarakësh për t’u përgatitur si specialistë për anijet luftarake. “Ndër kuadrot e para të detarisë ushtarake që u përgatitën në Jugosllavi, kujtoj Selam Qejvanin, Petro Trenin, Rami Mborjen, Xhavit Selimullarin, Hajri Binaj, Vaske Themelin, Isuf Mullaj etj. Kur këta u kthyen në Shqipëri para kohe, me prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, në kinema “Iliria” të qytetit të Durrësit, u organizua ceremonia e gradimit të studentëve që u përgatitën në Jugosllavi. Të gjithë morën gradat dhe emërimet, përveç Isuf Mullait, të cilit nuk iu dha emërimi. Isuf Mullai iu drejtua Kadri Hazbiut për sqarim dhe ai iu përgjigj: “Mos u shqetëso se ti do të marrësh një detyrë shumë të rëndësishme”. Dhe me të vërtetë, Sigurimi i Shtetit e dërgoi atë me mision special në oborrin e mbretit Zog që ndodhej në Francë. Kështu, më vonë, Isufi do të bëhej personazhi kryesor në romanin “Mërgata e Qyqeve” të shkrimtarit Nasho Jorgaqi. Këta kursantë, falë përkushtimit e ndjenjës së përgjegjësisë, përfituan mjaft nga përvoja e ushtarakëve fqinjë, për t’i vënë më pas në zbatim në anijet e nëndetëset tona luftarake”,

-. Kuadrot specialistë të përgatitur në shkollën Jugosllave të detarisë, punuan me përkushtim në njësitë tona detare luftarake, duke pasur rastin të jenë edhe drejtues të këtyre njësive. Njëzetë e një prej këtyre kursantëve, mbasi kryen 11 muaj studime, i ndërprenë ato dhe u kthyen në Shqipëri për të drejtuar një grup prej tre dragaminash të përdorura e gati të amortizuara, që qeveria shqiptare ia bleu asaj jugosllave. Këto mjete u pritën me entuziazëm në portin e Durrësit, ku ishin të pranishëm gjeneral Mehmet Shehu dhe ministri Nako Spiru. Komandant i dragaminës 14 u vu Anastas Qendro e zëvendëskomandant Pandi Sterjo; në dragaminën 16 komandant Avdulla Hoxha e zëvendëskomandant Sadik Gërxhalliu, ndërsa në dragaminën 18 komandant Bari Dyrmishi e zëvendëskomandant Selam Qejvani. Filluan me to menjëherë çminimin e Kanalit të Korfuzit.

Por megjithatë disa herë më keni thënë se BS përgatiti kuadro të aftë?

 

 

Pa diskutim. Këtë s’e mohon askush. Që nga viti i parë i pasluftës e deri në prishjen e marrëdhënieve Shqipëri- BS në vitin 1961, shkollat detare dhe akademitë e njohura sovjetike të marinës ishin vendet ku u përgatiten breza të tërë kuadrosh të detarisë shqiptare. Grupi i parë i kuadrove të marinës luftarake detare për shkollim në ish-Bashkimin Sovjetik, është dërguar në vitin 1949 dhe janë kthyer në atdhe, në detyra të ndryshme në flotë, në vjeshtë të vitit 1949. Ish-ushtaraku, Qemal Hysaj, na përcillte shpesh se, “grupi i parë i kuadrove shqiptarë të marinës që u përgatit në kryeqytetin e Republikës se Azerbajxhanit, Baku, buzë Detit Kaspik. Kuadrot e parë që studiuan për marinë në BS, ishin 10 vetë: Xhemal Shani, Aziz Hasa, Mark Plani, Stavri Çika, Arqile Papadhimitri, Piro Kola, Muharrem Lulolli, Mehmet Karashabani dhe Shefqet Pinari,- shton më tej Hysaj.

Sipas dokumenteve zyrtare të kohës dhe kolegëve që jetojnë ende, qysh me ardhjen në atdhe, kuadrot e përgatitura në BS u emëruan në detyra të rëndësishme. Kështu, Xhemal Shani u emërua komandant i Flotiljes e më pas, komandant i Brigadës së Nëndetëseve; Mark Plani shef i shtabit të Flotiljes e komandant baze; Aziz Hasa komandant i Ishullit të Sazanit, etj.

Në vitin 1948 u dërguan dy grupe të tjerë studentësh detarie për në BS, njëri prej 23 vetësh në Baku e tjetri prej 5 vetësh në Shkollën e Lartë të Inxhinierisë Detare në Leningrad (sot San Petërburg). Ndërsa nga mesi i viteve 50 deri në fillim të vitit 1960, në Akademinë Ruse (Sovjetike) u dërguan dhjetëra ushtarakë të tjerë për marinën shqiptare. Ardhja e kuadrove të parë të shkolluar jashtë vendit në krye të FLD-së shqiptare e njësi të tjera të kësaj arme, sipas rrëfimeve të ushtarakëve të flotës, solli përmirësim rrënjësor të nivelit të gatishmërisë në mbrojtjen e ujërave tona detare. E veçantë në këtë periudhë të fuqizimit të FLD-së dhe të përballimit me sukses të incidenteve e provokimeve të shumta të anijeve e nëndetëseve të fqinjëve, ishte inspektimi që bëri Enver Hoxha në Pashaliman dhe në Ishullin e Sazanit në vitin 1954. Lidhur me këtë inspektim, po ju sjell në këtë bashkëbisedim kujtimet e Vangjel Nanos, një nga drejtuesit e efektivave detare, që shkruan se “më 24 prill 1954, nga Vlora afër Sazanit, Enver Hoxha, i shoqëruar nga silurhedhësja “Heroi”, komanduar nga ekuipazh krejtësisht shqiptar, mbërriti para efektivit të detarëve të Sarandës, ku, midis të tjerave, theksoi: “Jam i gëzuar që detarët tanë janë në gjendje të drejtojnë anije luftarake moderne. Populli e Partia kanë pasur e kanë besim të patundur te detarët, se detarët do t’i ruajnë e mirëmbajnë gjithmonë në gatishmëri e t’i përdorin me efektivitet në çdo kohë. Flota do të pajiset shpejt dhe me anije të tjera, të cilat t’i ruani si sytë e ballit, për të qenë të gatshëm për mbrojtjen e atdheut tonë të dashur.”

Kur filloi të modernizohej FLD jonë?

 

Sapo filluan të vijnë kuadrot e parë nga BS, filloi dhe modernizimi. Konkretisht në vitet 1957 -1958, kur Flota Luftarake u rrit ndjeshëm në anije, nëndetëse e armatim bashkëkohor, siç tregojnë dokumentet zyrtare të kohës është koha që përkon me modernizimin. Qeveria Shqiptare, në kuadrin e përparësisë që merrte ky shërbim në mbrojtjen e sovranitetit të vendit, krahas sjelljes nga Bashkimi Sovjetik të anijeve luftarake bashkëkohore, tregoi kujdes të posaçëm për përzgjedhjen e kontingjentit të studentëve shqiptarë që dërgoheshin për t`u përgatitur në akademinë detare të Bashkimit Sovjetik. Ky kontingjent kalonte në një “sitë“ tepër të imët, duke zgjedhur më të mirët midis gjithë studentëve ushtarakë shqiptarë të armëve dhe shërbimeve të ndryshme. Në këtë periudhë, përparësia e përzgjedhjes së kuadrove për Flotën Luftarake, u sanksionua dhe në një urdhër të veçantë të dërguar nga qeveria në Ministrinë e Mbrojtjes, me firmën e Enver Hoxhës.

Urdhri për studentët e flotës, tërhiqte vëmendjen e organeve përgjegjëse për kujdesin që duhej të tregonin, kriteret që duhej të ndiqnin në seleksionimin dhe përzgjedhjen që duhej të bënin, që në Rusi të shkonin studentët më të mirë. Muhedin Brokaj, i cili ka qenë vetë student në BRSS, na ka treguar se: “Pas prishjes së marrëdhënieve me ish-Jugosllavinë, e vetmja mundësi shkollimi për ushtarakët e flotës sonë, mbetën akademitë e njohura të ish-Bashkimit Sovjetik. Vendimi i Qeverisë Shqiptare në vitin 1957, me nënshkrimin e Enver Hoxhës, për përzgjedhjen e veçantë të studentëve tanë që dërgoheshin si kontingjent i flotës, bëri që nxënësit më të shkëlqyer të shkollës “Skënderbe”në Tiranë, si dhe nga nxënësit më të mirë të gjimnazeve të Shqipërisë, të përqafonin profesionin e bukur e të vështirë të ushtarakut detar. Këtë privilegj ndër vite (deri në prishjen e marrëdhënieve shtetërore me Bashkimin Sovjetik), e patën dhjetëra e qindra djem të talentuar, që atë kohë kryen deri dy apo tri shkolla e akademi në BS, duke shërbyer më pas ndër dekada si komandues nënujësesh (nëndetëseje), në anijet e bazat ushtarake, që nga Saranda, Pashalimani, Sazani, Durrësi, Vlora e deri në bazën veriore të Shëngjinit. Jo pak prej tyre, si Robert Bali, Beqir Gërbi, Ndue Jaku, Muharrem Kuçana, Perikli Xhixho, Tasim Meçe, Astrit Sevrani etj., u bënë ndër drejtuesit kryesorë të bazave tona ushtarake-detare, të flotës e deri në Ministrinë e Mbrojtjes.”

Përkujdesja e Petrit Dumes dhe e Teme Sejkos për ne, ishte e veçantë. Problemet e gatishmërisë së FLD-së e, në këtë kuadër, edhe përzgjedhja e përgatitja e kuadrove që xëgoheshin për shkollim në BS, mbanin të angazhuar drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Kështu Petrit Dume, që ishte Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, jo vetëm interesohej vazhdimisht në hollësi për problemet deri në hallkën më të ulët të njësive luftarake detare, por shpesh gjendej midis tyre, duke u dhënë udhë vetë problemeve të ndryshme. Ndërsa kundëradmirali Teme Sejko, i cili në janar 1958 u emërua Komandant i Flotës Luftarake Detare, deri sa qe në krye të saj, për dy vjet (pasi në korrik të 1960-s u arrestua së bashku me Taho Sejkon, Tahir Demin etj., si agjent i rusëve dhe amerikanëve, dhe u pushkatua në maj 1961), nga ushtarakë e detarë të flotës mbahet mend si njeri i aftë dhe i përkushtuar, që bëri jo pak për këtë shërbim të rëndësishëm në ato kohë të vështira. Njëkohësisht në kujtesën e pashlyer të dhjetëra studentëve që niseshin për shkollim në akademinë sovjetike, ai mbetet, midis të tjerave, edhe për porositë e shumë përsëritura që ne (studentët) të mësonim e të përvetësonim dijet e profesionit deri në imtësi, pasi shumë shpejt do të zëvendësonim brezin që ishte në drejtim.

Ishte qershori i vitit 1959, kur unë, isha midis të përzgjedhurve për studime në akademinë e Bakusë për detari, së bashku me Robert Balin, Xhafer Rrokaj, Fadil Nika, Agim Halili, Llazar Isaku, Ferid Gjinali, Ilmi Bregasi, Todi Gerveni, Shezai Skëndaj, Tom Kola dhe Beqir Hila. (Beqiri, nga Zhulati, shoku im i ngushtë, shkonte për inxhinieri kimie, por fatkeqësisht, ai u nda nga jeta në moshën më të re, kur ishte student në BS. Por më ka mbetur merak që, as familja, as unë, nuk e mësuam të vërtetën e vdekjes së tij. Këtë ma ka pohuar edhe prokurori sovjetik që hetonte çështjen e tij në atë kohë.)

Pasi u përcollëm e u porositëm gjatë nga Petrit Dume, u nisëm për në Vlorë, ku para nisjes, patëm një takim të gjatë me kundëradmiralin e komandantin e Flotës, Teme Sejko. Do të udhëtonim me vaporin Rus “Irgiz”, por detyrat e fundit do na i jepte Teme Sejko! Pasi dha porositë e zakonshme që lidheshin me korrektesën dhe nevojën e përkushtimin në studime në vendin mik, ai vazhdoi: “Ju shkoni në një vend të madh, me një ekonomi të zhvilluar, me shkencë konkurruese me shume vende perëndimore. Duhet të përfitoni sa më shumë e të bëheni kuadro të mirë, se ju do na zëvendësoni ne.” Fjalët e tij të thëna në sallën e vaporit “Irgiz” i mbajmë mend edhe sot, se në ato vite, kur kuadro të tillë të dalë nga lufta e të kthyer gati në “mite” në ushtri e popull, që mendoheshin si të pazëvendësueshëm në funksionet e larta që kishin, shprehja “do na zëvendësoni”, ne ish-studentëve që sapo hidhnin hapin e parë të shkollimit në rrugën e vështirë të detarisë luftarake, na dukej si ëndërr. Në të vërtetë, pak vite më pas, do të ishin këta studentë që do të zëvendësonin gjeneralët e njohur shqiptarë në poste e detyra të ndryshme. Por, vite më vonë, kuadro të tjerë në armë e shërbime të ndryshme të ushtrisë, fatkeqësisht u zëvendësuan nga brezi i ri jo në rrugë normale, por nëpërmjet një kalvari të stërmundimshëm, sepse një pjesë e mirë e ushtarakëve madhore u penalizuan nga regjimi i kohës si “armiq” e disa dhjetëra të tjerë bënë shumë vite burg e internim.

Për secilin prej nesh ajo ka qenë plot veprimtari, po për ju ajo duhet të ketë qenë krejt e veçantë. Si e kujtoni jetën studentore?

 

Jeta studentore kishte larminë e saj. Krahas punës që bënim në fakultetin e inxhinierisë navale për të përvetësuar artin e lundrimit, të themi të vërtetën, vitet e para ishin të vështira. Ndërsa aktivitetet në kohën e lirë i bënim të larmishme dhe kjo na argëtonte dhe na jepte një kënaqësi të veçantë. Fakulteti ynë, ku bënim pjesë ne studentët shqiptarë, kishte një skuadër të mirë futbolli, lojtarë cilësorë, që vazhdimisht dilte “kampion” midis studentëve dhe, si fakultet, së bashku me studentë të tjerë të huaj, si bullgarë, rumunë, gjermanë, vietnamezë e kinezë, ishte në krye të skuadrave të akademisë. Për këtë, herë-herë skuadra jonë zgjidhej për të zhvilluar ndeshje me kombëtaren e Azerbajxhanit. Këto ndeshje i transmetonte edhe televizioni i Bakusë. Të mos harrojmë se në ato vite, as emrin nuk ia dinim televizorit në Shqipëri…

Mbahen mend studentët futbollistë që bënë emër në ato aktivitete: Lek Lleshi e Vaskë Ziu, që dalloheshin për kombinacionet që bënin me rumunët Popa e Francesku; mesfushorët Kristaq Çito, Gëzim Begaj e Luan Gjonçaj; qendërmbrojtësi “postbllok” i skuadrës, Faik Sinani, që me ndërhyrjet e tij në kohën e duhur e me vendosmëri, bënte që të largohej rreziku nga zona e rreptësisë dhe skuadra me të ndjehej e sigurt. Ndue Jaku, si portier kur nuk pësonte gol, shokët e ngacmonin: “Qëndrove në portë si shqiptar. E nderove Shqipërinë“, se vërtet ai luante me shumë sedër e me emocion të veçantë dhe çdo rezultat ai e lidhte me atdheun, Shqipërinë. Ndërsa Shpëtim Idrizi bënte pjesë në skuadrën e volejbollit të akademisë. Ai, para se të shkonte në BS, kishte qenë volejbollist i kombëtares sonë. Dhimiter Thomai dhe Agim Halili bënin pjesë në ekipin e mundjes dhe ishin kampionë për peshat e tyre; Hasan Onuzi, Arqile Broka e Spiro Gjika, basketbollistë të shkëlqyer, madje Spirua për shumë vjet mbrojti ngjyrat e skuadrës së Partizanit. Por ne nuk mbeteshim prapa edhe ne aktivitetet artistike, në mënyrë të veçantë dalloheshin për interpretimin e këngëve e për zërin plot ngrohtësi Todi Gerveni, Bardhyl Shehu e Leonidha Dhima, ndërsa Taqo Aleksi, jo vetëm këndonte bukur, por ishte edhe kitarist i mirë. Vëmendjen në koncerte e tërhiqnin më shumë Hamza Koçiu e Fadil Zeqiri, që recitonin krijimet e tyre poetike në rusisht. Më vonë Hamzai u bë një poet i shquar dhe Fadili shkrimtar me emër, por të dy kanë qenë pedagogë të nderuar në Akademinë e Detarisë në Vlorë dhe gjithashtu të dy kanë shkruar me frymëzim e dashuri për detin e detarët, për heroizmat e tyre, prandaj dhe Flota Detare i pret me kënaqësi krijimet e tyre.

 

 

Nesër do të lexoni:

  • Me aktorin Raxh Kapuri, më njohu këngëtari i famshëm, “bilbili” i këngës ruse, Rashid Bejbutov.
  • Raxh Kapuri s’e kishte idenë se ku binte Shqipëria por u betua se do vinte për vizitë
  • Si ndodhi incidenti i Korfuzit. Argumentet e secilës palë dhe buja në arenën ndërkombëtare.