Myfit Qorduka: Kujtime dhe mall për Flotën Detare

161

(Për librin “Jeta ime në tri kohë”)

Prof. As. Dr. Bernard Zotaj Me kuadrot e FLD, jam njohur që herët, kur isha nxënës në Orikum dhe kam pasur fatin që një pjesë të madhe t’i njoh në vitet e hershme të rinisë, që nga Aleko Pojani, Beqir Gërbi, Petrit Myftiu, Kujtim Peçi, Mynyr Resulaj, etj. Në atë kohë një pjesë e mirë e tyre kishin studiuar në akademitë e BS dhe ishin të njohur për kulturën dhe përgjegjësinë që kishin ndaj atdheut, me këtë sy i kemi parë gjithmonë. Koha e solli që dhe unë të vazhdoja studimet në shkollat ushtarake shqiptare dhe me një pjesë të tyre i kam ndjekur në vite.

Dhe vetvetiu, unë kam ndjekur herë më këmbë e më tepër me fantazi rrugëtimin e këtyre kuadrove në tokë, në bregdet e në det. Por leximi i librave të botuara nga Aleko Pojani, Petrit Myftiu, Myfit Qorduka, Fatos Voshtima, e të tjerë kuadro të FLD-së, na kanë pasuruan botën shpirtërore me dashurinë për Atdheun. Këta dhe shkrimet e tyre na ka rritur krenarinë për ta, si bij të ditur, të kalitur dhe zotër të ujërave tona territorial. Më tej ne i kemi parë si bij të lëvduar të mëmëdheut që e mbrojtën me heroizëm dhe i kënduan trojeve dhe detit.


Rrugëtimi i Myfit Qordukës nis nga Shuri i Kuçe, për të studiuar në Asim Zeneli dhe në akademitë e BS, për të shërbyer në detyra të rëndësishme nga Saranda në Vlorë, Sazan e Pashaliman, në Durrës dhe në Shëngjin. Libri që kemi në duar ndryshon nga librat e parë të tij, pasi na flet për prejardhjen dhe fëmijërinë, rrugën e nisur drejt detarisë shqiptare, për t’u thelluar në arkivat e Traktatit të Varshavës, për të vijuar me intervista, fjalime, kujtime, portrete, mbresa, reportazhe dhe mbyllur me krijimtarinë letrare. Libri “Jeta ime në tri kohë” fillon me burrat e Qorduke, me Shuaipin që luftoi me Zenel Gjolekën, dhe ranë bashkë për Atdhenë në viti 1852.

Më tej vazhdon me Bajram e Asllan Qorduka (dëshmor) që luftua me trimëri kundër shovinistëve grekë, për të vijuar në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare me Hamzo dhe Ramo Qordukën. Djemtë e Hamzo Qordukës: Feimi, punoi në kooperativën e shitblerejs në Kotë, iku i ri nga jeta, Sadiku që u bë kryetari gjykatës ushtarake në Vlorë, Gjirokastër dhe Durrës, Myfiti që u bë detari i familjes, Davidi, mjeku radiolog i Kuçit dhe i Vlorës dhe Xhemili inxhinier dhe pedagogu. Myfiti pas gjimnazit nisi një rrugë të re, rrugën e detarisë shqiptare. Në libër autori ka hedhur kujtimet e përjetimet, nga studimet në BS, si vendi i parë i përgatitjes masive të ushtarakëve tanë detarë.

Rrëfimet janë të shumta, ato përfshijnë ngjarje, episode, tregime e portrete për detarë të thjeshtë dhe për kuadro të shquar të FLD-së. Ai tregon për vizita të Enver Hoxhës në bazën e Vlorës, tregon interesimin e qeverisë që në akademitë sovjetike të dërgohen studentët më të mirë dhe jeta plot veprimtari studentore. Me interes janë dhe rrëfimet për Raxh Kapurin, mik i studentëve shqiptarë në Bashkimin Sovjetik, për të vijuar me plot materiale për incidentin e Kanalit të Korfuzit, një mister ende i pazbardhur pas kaq vitesh. Pashalimani i 17 shtator 1958, kur ulet flamuri sovjetik dhe ngrihet flamuri shqiptar në nëndetëset.

Me interes për lexuesin është vizita e Nikita Hrushovit, e Malinovskit dhe më pas e Zhukovit, të cilët, të mahnitur nga bukuritë e bregdetit, synonin të gllabëronin Pashalimanin, Karaburunin, Orikumin, Sazanin e Vlorën! Në libër dalin dhe figura të flotës e të shtetit si Teme Sejko, Zhukovi, Mehmet Shehu, Hito Çako, Halim Ramohito dhe mjaft studentë dhe kuadro të Flotës që braktisën akademitë ushtarake sovjetike për të ruajtur dinjitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë.

Pas caktimit të gjeneral Hito Çakos, si drejtues i FLD, në Pashaliman vjen vetë edhe Mehmet Shehu, për të ngritur te kuadrot, frymën atdhetare dhe qëndrimin e papërkulur përballë kuadrove rusë. Ngjarjet rrjedhin me shpejtësi ,sidomos pas mbledhjes në Moskë të 81 Partive Komuniste, ku fjala e Enver Hoxhës demaskoi hrushovianët. Në Vlorë e Pashaliman incidentet mes efektivave shqiptare e ata sovjetike ndjekin njeri-tjetrin, derisa ata ikin nga Pashalimani. Më 4 Qershor 1961 sovjetikët u larguan nga baza ushtarake e Vlorës dhe ato ditë një ekip u nis drejt Kinës.

Me Kinën lidhjet u forcuan ca më shumë, pasi forcat e Traktatit të Varshavës sulmuan Çekosllovakinë. Dhe atëherë anijet e nëndetëset tona nisën të lundronin në Mesdhe, për t’u thënë të huajve: -Ja ku jemi, zotër të ujërave tona territoriale! Në këtë periudhë kanë ndodhur ngjarje nga më të papriturat, të cilat autori i sjell në libër përmes figurave konkrete, detare e kuadro heronj. Në libër përcillen një mori episode, nxjerrë nga arkivat sekrete, ku hidhet dritë mbi provokacione e incidente të flotave jugosllave dhe greke, por përballë tyre me guxim dalin detaret e kuadrot si Fran Ivanaj që tregoi heroizmin, trimëri dhe profesionalizëm.

Dhe së fundi, lexuesi mbaron se lexuari librin e Myfti Qordukës, gëzon se është ruajtur në memorien e kuadrove FLD, anijet mbiujëse dhe nëndetëset ku marinarët shqiptarë shërbyen për vite të tëra të gatshëm në pritje të armikut. Përvoja dhe përpjekjet tashmë janë në libra, ti ruajmë fort dhe ti përcjellim në breza e të themi se po deshët mbrojtje të Atdheut, mos e humbisni traditën dhe kulturën detare. Më lejoni që në emër të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, “Nderi i Kombit”, ti japim Myfit Qordukës titullin “Mirënjohja e Labërisë” me këtë motivacion: “Për kontribut të dhënë në fushën e historisë ushtarake dhe të drejtimit të shtabeve të flotës detare, për edukimin patriotik dhe atdhetar të brezave detarë në Flotën Luftarake Detare shqiptare, si studiues dhe botues i mjaft librave studimorë për detin dhe detarët, të teksteve mësimore e përkthyes dhe kryeredaktor i gazetës “Detaria Shqiptare” organ i shoqatës së detarëve shqiptarë, veprimtar i palodhur i shoqatës “Labëria”, për degën e Tiranës”.