Myfit Qorduka/ Inxhinieri ushtarak Shefqet Lame, ‘doktori’ i nëndetëseve shqiptare

1398
Sigal

Këto ditë, biri i shquar i Kuçit të Labërisë, mbush 78 vjet nga lindja

*Kolonel (R)

 Sa kalon shkëmbin tek Uji i Ftohtë në Vlorë. Futesh në zonën e Pasha Limanit, një emër me histori të madhe. Këtu ndihet pushteti i krenarisë arbnore dhe mrekullia që ka gdhendur natyra shkrihet me mrekullitë që bën njeriu çdo ditë. Këtu fillon e njësohet deti Jon me detin Adriatik, këtu njësohet era e detit me atë të malit, rëra e detit me zallin etj., këtu bëhet njësh toka e qielli, ashtu bëhet njësh e shkuara me të tashmen.  Aty ndodhet varri i pashait turk. Këtu në këtë gji erdhi Jul Çezari me ushtrinë e tij. Këtu në Pashaliman ishte epiqendra e luftës së detarëve tanë për ruajtjen e bazës detare dhe të mjeteve tona nga synimet ruse për ta bërë të tyre këtë bazë. Kjo solli edhe largimin e tyre si dhe prishjen përfundimtare me ta dhe largimin tonë nga Traktati i Varshavës. Kjo kohë heroike, ka edhe heronjtë e vet, ka protagonistët e saj që mbajtën flotën detare në këmbë e ngritën në ato nivele që konsiderohej një nga flotat më moderne më të mëdhatë të Mesdheut. Një nga ata protagonistët është edhe inxhinieri i talentuar Shefqet Lame, nga Kuçi i Labërisë… Skënder Spahivogli, kryeinxhinieri i brigadës së nëndetëseve në një intervistë të tij në Maj 2006 në një të përditshme tregon realisht: “…lavdinë e atyre ngjarjeve heroike në bazën e Pashalimanit…. Lavdi që do i mbetet së kaluarës. Do të mbijetojnë vetëm protagonistët, njerëzit që e bënë të famshëm Pashalimanin. Do tu takojë atyre të tregojnë të vërteta historike, në tërë dinamikën, dritëhijet të papriturat dhe lavdinë që e bënë kaq të njohur dhe të famshëm këtë bazë”. Midis tyre ai radhit Shefqet Lamen drejtorin e uzinës së Pashalimanit i cili mbasi kish kaluar në të gjitha anijet e flotës duke rregulluar motorët e tyre si një “doktor” i mirë u ngrit në detyrën e drejtorit të Uzinës së Riparimit të Anijeve dhe më vonë drejtor i Uzinës së Tankeve në Tiranë deri sa doli në pension. Fjalën “doktor” shokët e tij nuk e përdorën si figurë letrare, po një cilësi të veçantë të pasionit e punës së Shefqetit si asnjë tjetër.  Sa futej në anije inxhinieri e kapte me dëgjim punën e motorit dhe defektin që mund të kishte dhe nuk mjaftohej vetëm me konstatimin po përveshte mëngët dhe fillonte riparimin pa pyetur fare për kohën që fluturonte.

JETA E SHEFQETIT

Shefqet Lame u lind më 4 shkurt 1936 në një familje të respektuar, atdhetare e me prush patriotik, me traditat më të mira të Kuçit të Kurveleshit. Si djali i parë i asaj familje, që vinte pas një vajze u prit me gëzimin e madh pasi do bëhej krahu i djathtë i të atit në punët e rënda të familjes në fshat. Por jeta i afroi Shefqetit një rrugë shumë më të bukur e të vlefshme se e para. Që i vogël ai së bashku me vëllain Spiro e tre motrat e tij u rritën jetimë, pasi i ati u nda shpejt nga jeta. Shefqeti u mor në kujdesin e njerëzve nga nëna dhe pikërisht nga daja i tij Qazim Kondi (gjeneral). Te ai gjeti një ambient arsimdashës, shumë libra që e inkurajonin të merrte sa më shumë dije e kulturë. Periudhën e Luftës NÇl edhe pse i vogël e përjetoi në këtë familje, e cila ishte baza kryesore e Luftës NÇl në Kurvelesh. Aty u njoh nga afër jo vetëm me partizanë e partizane që luftonin me ditë e që mjekoheshin, por edhe me kuadro e udhëheqës të luftës si Memo Meto (poeti i shquar i Labërisë që me fjalën e zjarrtë të tij ngrinte peshë zemrat e njerëzve që luftonin për liri), Jaho Gjoligu, Mustafa Matohiti, Hysni Kapo, Bedri Spahiu e shumë të tjerë. Shumë herë bashkë me tezen e tij Viton kryenin dhe detyrat e korrierit në fshat, te sinjalizuesit për afrimin e njerëzve të panjohur te kjo bazë e luftës etj. Por ajo që i mbeti më shumë në kujtesë Shefqetit ishte ndihmesa që jepte në shtypshkronjën e vogël që ishte instaluar në këtë shtëpi, ku përveç shtypjes së dokumentacionit të shtabit të zonës I-rë operative në interes të Luftës NÇl, shtypej dhe gazeta “Kushtrimi i Lirisë”.

PAS LUFTËS

Mbasi mbaroi lufta Shefqeti vazhdoi të qëndronte në familjen e Qazim Kondit, në fillim shkuan në Gjirokastër, ku filloi shkollën e më vonë në Tiranë ku dajoja i tij u transferua këtu. Pas kryerjes së arsimit 7-vjeçar Shefqetin e pranuan në shkollën “Skënderbej”, të cilën e mbaroi me rezultate të larta. Që në fëmijërinë e tij tek ai dalloheshin karakteristikat që e shoqëruan atë në jetë: dëshira për të mësuar, edukata e lartë, respekti e dashuria për shokët e familjen.

Për sjelljen e mirë të tij dhe rezultatet në mësime u dërgua për studime në Leningrad (San Petërburg) të Rusisë në fakultetin “Xhurxhinski”, ku u diplomua “inxhinier elektro-mekanik” për Flotën Detare dhe u kthye në bazën e Vlorës, ku si rezultat i acarimit të marrëdhënieve ruso-shqiptare baza e Vlorës i ngjante me një krater vullkani që ishte gati të shpërthente, pra lufta ishte në prag.

Shefqeti me shokët e tij Kujtim Peçi, Viktor Pashko, Skënder Spahivogli etj., do i jepnin jetë mjeteve me shpirtin e tyre të sakrificës e vetëmohimit, edhe kur mbetën pa ndihmën e sovjetikëve, të cilët thanë kur u larguan “Edhe 3 ditë nuk jeton flota pa ne”. Ajo jo vetëm jetoi po përballoi me sukses pasojat e daljes nga traktati i Varshavës, u mobilizua e mbrojti me vendosmëri ujërat tona detare”. Ajo jeton edhe sot këtu spikat kontributi i Shefqet Lames.

DREJTOR I UZINËS

Ajo uzinë, që drejtoi për shumë vjet Shefqeti (na vjen mirë që është venë në funksion) ka ndërtuar disa anije si “Lisus”, “Oriku” etj., që i kanë modernizuar forcat tona detare. Ja ç’tregon Imer Bejko (ish-kryeinxhinieri i parë i Flotës sonë Detare dhe inxhinier skafi, për Shefqetin): Në vitin 1976 kur u emërua drejtori i uzinës Shefqet Lame, një organizator shumë i aftë dhe drejtues i talentuar është pak të them që në uzinë filloi një frymëmarrje e re, punët filluan të shkojnë përsëmbari dhe çdo gjë u vendos në vendin e vet. Më propozoi të nxirrnim në shkallë anijen cisternë “Patosi” për të bërë riparimin e saj. Ajo (anija) paraqiste vështirësi sepse kishte peshën më të madhe se kapaciteti i shkallës si dhe peshkimi i madh i saj. Veç kësaj për riparimin e cisternës dhe ngritjen e dokut lundrues në shkallë kishim detyrë nga ministri i mbrojtjes Beqir Balluku sepse këto dy mjete i riparonim në Trieste dhe kërkohej shumë valutë për to, gjë që shteti atëherë i kishte të pakta. Ne bashkë me inxhinier Shefqetin dhe në kujdesin e vazhdueshëm të tij zgjidhnim shumë probleme të karakterit inxhinierik dhe nxorëm në shkallë cisternën “Patosi” dhe dokun lundrues. U bë i mundur riparimi kapital i N/D e anijeve mbi ujë. Shefqeti shkonte përpara, ai mendonte për ndërtimin e anijeve që i duheshin flotës sonë detare”. Me drejtor Shefqetin, uzina – të thonë u rilind, çdo gjë ndryshoi, punonjësit dhe personeli inxhiniero-teknik u bënë më të ndërgjegjshëm për detyrat, për realizimin e tyre, realizimin e punimeve me cilësi e brenda kushteve teknike”.

Nuk na harrohet dhe na bënte shumë përshtypje – thonë inxhinierët e afërt të Shefqetit, Zeman Lala, Xhemil Qorduka, Bedo Xhaferi e vriste mendjen për çdo gjë, si për punët e uzinës ashtu dhe për hallet e njerëzve i gatshëm jo vetëm që i dëgjonte, por ishte i gatshëm për të ndihmuar deri në zgjidhjen e plotë të tyre, ashtu siç ishte zemërgjerë e i thjeshtë si ai. Këto vet i kishte deri në fund të jetës së tij.

Cilësitë e tij ishin dhe mbeten vlera të trashëguara në breza nga familja, nga vendi i traditave të burrave, ku lindi dhe kaloi fëmijërinë nga Kurveleshi heroik…