Myfit Qorduka: Historia e ministrit të BRSS-së Malinovski në vizitën e tij në gjimnazin e Gjirokastrës në 1956

311
????????????????????????????????????????????????????????

Flet ish-oficeri madhor i Flotës Detare, Myfit Qorduka: Në maj 1956 në Gjirokastër vjen ministri i BRSS-së, mareshalli Malinovski, Gjirokastra në festë, u thyen gurët e sokakut

 

– Një histori e rrallë e ndërtimit të gjimnazit të Gjirokastrës nga vetë populli

Enver Hoxha themeluesi i shoqërisë “Studenti” në Gjirokastër

– Në gjimnazin ku studiova kishin kaluar Ismail Kadare, DritëroAgolli, Agim Shehu

 

Në Tiranë, për të na përcjellë për në BS kish dalë gjeneral Petrit Dume, serioz e autoritar

 

 

Ka lindur në Kuç të Kurvelshit. Mbas përfundimit të gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër, vazhdoi studimet e larta, në BS në Baku, në fakultetin e Inxhinierisë Navale. Ka mbaruar Akademinë e Detarisë më 1964. Ka kryer kursin e lartë për sociologji, kursin e lartë të filozofisë dhe kursin pasuniversitar për drejtimin e shtabeve të flotës detare. Shërbeu që nga kapiten anijeje deri drejtues kryesor në bazat ushtarake detare Sarandë, Durrës e komisar i BUD-it Shëngjin. Në vitin 1992 del në reformë duke qenë në Ministrinë e Mbrojtjes me gradën kolonel. Ka punuar në bashkinë e Tiranës nga viti 2000-2003 me detyrën e n/drejtorit të ndërmarrjes.

Ka botuar librat “Njolla në ekran“ dhe “Përgatitja psikologjike e detarëve për të përballuar vështirësitë e lundrimit“ (viti 1976 dhe 1983, nga ndërmarja e shtypit ushtarak), dhe librin “Flota detare dhe arkivat sekrete”.

Eshtë autor dhe bashkautor i disa studimeve për detin dhe detarët. Ka punuar dhe në fushën e publicistikës dhe përkthimeve. Zotëron gjuhët e huaja rusisht dhe italisht. Eshtë kryeredaktor i gazetës “Detaria Shqiptare”, organ i shoqatës së detarëve shqiptarë.

 

-Pas përfundmit të shkollës 7-vjeçare, ju shkuat në gjimanzin më të mirë të jugut “Asim Zeneli” si i kujtoni vitet e gjimnazit?

 

 

E them me bindje se shkolla ishte objektivi im kryesor i jetës. Pa shkollën jeta më dukej e zbrazët, e thatë, pa ngjyra. Pas përfundimit të 7-vjeçares doja me çdo kusht të vazhdoja studimet. Në ëndërr më dilnin vetëm libra. Dhe ëndrra ime u realizua kur u regjistrova si nxënës në gjimnazin e famshëm të Gjirokastrës. Ai ishte ndër gjimnazet më të mirë të vendit që diskutohet dhe sot, me aq bujë dhe histori. Nga bankat e atij gjimnazi kanë dalë personalitetet më të larta të letërsisë shqipe, si Kadare, Agolli, Agim Shehu dhe qindra të tjerë mjekë, historianë, inxhinierë, politikanë, veterinerë, ushtarakë, mësues, pra, nga të gjitha degët. Ndoshta ai gjimnaz duhet të dekorohet me urdhër special për vetë vlerat dhe historinë që mbart mbi vete. Historiku i shkollave është i hershëm në Gjirokastër, duke filluar nga shkolla e parë në lagjen Pazar i Vjetër, e vitit 1633, pranë Mitropolisë, në atë të vitit 1753; në ato të lagjes Varrosh të 1778-s dhe atë të vajzave me 1851, shkolla “Iliria” më 1908 e Labovës së Madhe, e deri më 1923, kur u çel i pari gjimnaz në rrethin tonë. Pra, është një vazdë e tërë përpjekjesh për arsim, për shkollë. Me historinë e shkollës shqipe në të kaluarën, në Gjirokastër lidhen një radhë figurash të arsimit në rrethin tonë, si Dhimitër Haxhiu, Leon Haxhi Qirici, Dhimitër Polizoi, Haxhi Londo Kristo, Panajot Dhimua e deri te Koto Hoxhi, Shefki Kallajxhiu, Nane Panajot Meksi, Lele Noçka, Vasil Konomi me shokë, të cilët u shkrinë për shkollën dhe mësimin e gjuhës shqipe. Këta u shquan midis bashkatdhetarëve të tyre, po duhet thënë se populli ynë, posaçërisht populli i rrethit të Gjirokastrës, kurdoherë ka treguar se është arsimdashës, që për shkollën nuk ka kursyer dhe kafshatën e gojës. Dhe faktet e vërtetojnë një gjë të tillë. Ato flasin hapur. Le të nisemi nga një rast konkret:

 

  • Kush i ngriti shkollat në Gjirokastër? Mos vallë pushtuesi anadollak?
  • Kush derdhi mund, djersë dhe kush kërkoi të hapen shkolla? Përgjigjja është gjithnjë një: Populli, ngaherë populli.
  • Kush i ngriti themelet e kësaj shkolle në Gjirokastër?

Popullin e Gjirokastrës dhe rrethet me kohë e ka interesuar hapja e shkollave. Nuk është rasti të flasim për gjendjen e rëndë të arsimimit dhe të kulturës nën pushtimin turk, kur drita e arsimit sa niste dhe ndizej, shuhej me egërsinë më të madhe. Autoritetet e pushtimit nuk mendonin për shkolla, por populli syrin e kishte drejtuar tek librat, shkollat. Ne do të na interesonte fakti se si ngriheshin dhe hapeshin këto shkolla. Nga vileshin fondet e nevojshme? Nga një dokument që më ka rënë në dorë, kopja e lutjes paraqitur Vilajetit me Nr. 287 dt. 26 qershor, thuhet shprehimisht

“…me ndihmën e popullit në këtë krahinë të gjërë po formohen qysh prej kohe shkolla në gjuhën shqipe…”

Dhe kjo ngjau, sepse, siç vazhdon më poshtë dokumenti në fjalë, “duke marrë parasysh gjerësinë e kësaj prefekture, aftësitë dhe zgjimin në një shkallë të mrekullueshme të individëve myslimanë dhe jo myslimanë në rrugën e arsimit, dhe faktin se ata që janë të aftë për arsim dhe më të shumtët, ose shkojnë në kurbet jashtë Gjirokastrës, ose zhyten në injorancë, gjithashtu edhe se për ata që shkojnë për arsim në shkollat e mesme të Stambollit ose të qendrave të tjera të vilajeteve, shuma e shpenzimeve të nevojshme vjetore i kalon të 1500 lirat..”.

Kur u kalua në problemin e çeljes së gjimnazit, sipas dokumenteve të kohës, nga të gjithë u tregua një zë dhe dëshira serioze dhe u gjet me vend që në rast pamundësie nga ana e buxhetit, ndërtimi i shkollës së përmendur të bëhet me anë ndihmash nga vetë populli. Fillimisht gjimnazi ishte menduar asaj kohe të ndërtohej në kala. Në pjesën e sipërme, në një vend të abandonuar prej kohësh, po me kusht që të mos dëmtohej kazerma, depua e rezervistëve dhe, veçnërisht, burgu! Për të gjitha këto, iu paraqit lutja madhërisë së tij, padishahut, e cila shprehte dëshirën e të gjithëve për të filluar mbledhjen e ndihmave. Qysh nga kjo lutje për të hedhur themelet e gjimnazit dhe derisa u bë realitet, kaluan shumë kohë, shumë vite, u shkëmbye një korrespondencë zyrtare dhe, çuditërisht, e gjerë. Po sikur të kishte thënë Allahu që dhe ndërtimi i shkollës të financohej nga Porta e Lartë, patjetër s’do të kalonin shekuj! Çfarë u bë pas lutjes? Sigurisht, për shkak të indiferentizmit të organeve qeveritare ndaj ndërtimeve arsimore, është qesharake kur mëson se për një ndërtesë dykatëshe me 10-12 dhoma, u desh mëse një 5-vjeçar i tërë! Jo vetëm kaq, por shteti nuk investoi asnjë grosh, por iu la gjithçka vetëm ndihmave nga populli i varfër! Nga ato shtresa që gdhiheshin pa ngrënë dhe ripeshin në taksa nga të katër anët. Thirrjes për të dhënë ndihma në favor të ndërtimit të një godine për gjimnazin e Gjirokastrës, iu përgjigjën të gjitha krahinat në jug.

Nga defteri i ndihmave të Kurveleshit kemi shumën prej 102 lira, të cilat i dhuruan fshatrat e kësaj krahine si vijon: 1-Golemi 25 lira; 2- Progonati 23 lira; 3-Nivica 18 lira; 4-Picari 8 lira; 5-Rexhina 7 lira; 6-Gusmari 6 lira; 7- Lekdushi 5 lira; 8-Kolonja 4 lira; 9- Verniku 3 lira.

Në vitin1906 merret vesh se në Gjirokastër janë mbledhur të holla të mjaftueshme për ndërtimin e godinës së një gjimnazi, dhe megjithëse janë plotësuar konditat, mosndërtimi i godinës është për t’u çuditur. Buxheti otoman për arësimin është gjithnjë me deficit. Rrugëdaljen e gjen tek ndihmat. Pra të hollat mjaftojnë. Ndihma u kërkuan dhe nga të mërguarit jashtë Shqipërisë. Një të mërguari në Stamboll, në një letër private, i shkruhej: “Godina e shkollës do të kushtojë 1200 lira dhe meqenëse i nderuari personi juaj, e çmon më shumë se çdo njeri rëndësinë e kësaj vepre, për të mos mbetur përgjysëm, kërkojmë nga ju ndihmën tuaj të çmueshme.” Megjithatë autoritetet turke e zvarrisnin problemin e shkollës, në vitet 1907, 1908… Erdhën në fuqi turqit e rinj, por shkolla ende nuk po ndërtohej, ndonëse kishin kaluar vite qyshkur nisi puna. Po ndërtimi ecte në hapin e breshkës. Turqit e rinj nuk e ndryshuan gjëndjen. Ata bërtisnin se duhej ndërtuar shkolla, por në fakt nuk bënin asgjë. Shoqëria “ITIHAT E TEREKI” për Libohovën, bën thirrje për ndihma dhe deklaron: “Regjistrimi i ndihmave zbukurohet çdo ditë me emra të rinj, kurse nga fondet qeveritare nuk parashihet asnjë cantim! Deri në këtë kohë punimet me mur guri kanë marrë fund dhe është gati të mbetet binaja në të katër muret…” Ndaj kësaj gjendjeje shteti i kalbur turk në greminë e sipër, nuk vë dorë, ai nuk ndihmon më për asgjë. Vetëm këshillon të vazhdojë mbledhja e ndihmave. Si përfundim pas pak viteve, pas shumë peripecish, mundi të ndërtohej plotësisht pas një pesëvjeçari e ca ndërtesa e shkollës sonë. Kjo qe godina, ku më 23 nëntor u çel i pari gjimnaz miks për djem e vajza në Shqipëri. Me djersën dhe paratë e popullit të krahinës sonë u hodhën themelet e kësaj shkolle. Këtë studim e ka bërë Alqi Jani që ka studiuar në këtë shkollë.

 

-Nga gjiri i këtij gjimazi kanë dalë studentë nismëtarë të “Shoqëria studenti”? Çfarë ishte kjo shoqatë dhe çfarë roli ka luajtur?

 

Pra siç e thashë më lart me interesimin e madh të popullit arsimdashës të Gjirokastrës më në fund, në vitin 1923, u hap shkolla e mesme: Liceu i Gjirokastrës. Kjo shkollë në periudhën e shkurtër të jetës së saj ka luajtur një rol me rëndësi të madhe edhe si qendër kulturore. Nxënësit e Liceut që në vitin e parë, jetuan ngjarje politike të rëndësishme, si për Gjirokastrën, por edhe për krejt jetën e vendit, siç ishin në fund të vitit 1923-1924 lufta elektorale, asambleja kushtetuese, dhe sidomos vrasja pabesisht nga klika e Zogut, e revolucionarit demokrat Avni Rustemi, gjë që çoi në shpërthimin e revolucionit demokratiko-borgjez në Shqipëri. Që në ditët e para të revolucionit, në Gjirokastër ndodhi një ngjarje me rëndësiThemelimi i shoqërisë “Studenti”. Shoqëria “Studenti” u themelua, më 7 korrik 1924 nga nxënësit gjirokastritë që mësonin në liceun e Gjirokastrës dhe në shkollat e tjera të mesme të Shqipërisë. Inciatorët e themelimit të shoqërisë ishin Aqif Selfo i liceut të Korçës, Enver Hoxha dhe Elmaz Konjari të liceut të Girokastrës, Naxhi Totozani i gjimnazit të Shkodrës, Selami Xhaxhiu po i liceut të Korçës. Këta u mblodhën bashkë, dhe biseduan për themelimin e shoqërisë dhe u përcaktua vula e saj, u bënë zgjedhjet për organet drejtuese dhe u krijuan edhe grupe të veçanta: Grupi teatral dhe mandolinata. Një ndihmë të çmuar gjatë gjithë kësaj periudhe ka dhënë Dine Qadhimi, i cili ishte kështilltari më i mirë i Shoqërisë. Puna për ecjen përpara të shoqërisë ishte e madhe. Vrulli djaloshar i anëtarëve të shoqërisë, shumica e të cilëve ishte nën moshën 15 vjeç, i dha një hov të paparë ndonjëherë aktivitetit kulturor në Gjirokastër. Brenda një kohe të shkurtër u krijua mandolinata, u pregatitën dhe u shfaqën komedia “Lojnat e studentit”, “Merre ta marrim” etj., të cilat u pëlqyen shumë nga spektatorët. Shfaqjet teatrale u dhanë edhe për gratë. Ky ishte një hap i guximshëm për atë kohë. Me të ardhurat e këtyre shfaqjeve u mor me qira një lokal, ku u caktua selia e shoqërisë. Lokali u pajis me orenditë e nevojshme dhe me një bibliotekë të pasur në atë kohë, me libra e revista shqip dhe në gjuhë të huaj. Pra, me këtë aktivitet të madh, pushimet verore të vitit 1924 mbaruan. Filloi viti i ri shkollor 1924-1925. Me fillimin e shkollës një pjesë e anëtarëve të shoqërisë, nxënësit që vazhdonin mësimet në shkollat e mesme të vendit, u largua. Shoqëria u drejtua nga vetë nxënësit e klasës, duke qenë në korrespondencë të vazhdueshme me shokët e tyre në shkollat e tjera. Por kjo periudhë, fundi i vitit 1924, si për vendin ashtu edhe për shoqërinë “Studenti”, ishte e ngarkuar me ngjarje shumë të rënda: Përgatitja dhe vendosja e diktaturës së Zogut. Si gjithë rinia e vendit edhe rinia e liceut të Gjirokastrës ato ditë të dhjetorit 1924, me djaloshin Enver Hoxha në krye, shpërtheu në demonstratë dhe kërkoi armë për të luftuar kundër kthimit të Zogut. Por ngjarjet u rrokullisën me shpejtësi të rrufeshme. Më 24 dhjetor, bashibozukët e Zogut hynë në Tiranë. 24 dhjetori, i ashtuquajturi triumfi i legalitetit, ishte vendosja e dikaturës reaksionare. Regjimi satrap i Zogut shtypi popullin dhe likuidoi çdo gjë përparimtare. Këto masa u morën edhe kundër shoqërisë “Studenti” në Gjirokastër. Autoritetet e vendit nuk e shikonin në sy të mirë këtë shoqëri. Ata e kishin halë në sy aktivitetin dhe ndikimin e madh që ushtroi në atë kohë të shkurtër te qytetarët e Gjirokastrës. Për këtë, ata kërkuan frenimin e saj, që shoqëria të ishte brenda në lice, se ashtu mund ta kontrollonin më mirë. Por anëtarët e shoqërisë, nxënës të liceut të Gjirokastrës, si Enver Hoxha, Elmaz Konjari etj, e kundërshtuan këtë vendim, duke thënë se shoqëria nuk është vetëm e nxënësve të liceut të Gjirokastrës, por edhe e nxënësve gjirokastritë që mësojnë në shkollat e tjera të mesme të vendit, prandaj ajo nuk mund të inkuadrohet e të mbyllet brenda mureve të liceut.- thotë studiuesi Aqif Selfo. Megjithë këto kundërshtime, shoqëria pothuajse u likujdua, lokali i shoqërisë u lirua dhe librat që formonin bibliotekën, u mbyllën në një dhomë në ndërtesën e liceut. Po me gjithëkëtë, në pushimet verore të vitit 1925 aktiviteti teatral filloi të gjallërohet përsëri. Ky aktivitet vazhdoi edhe për disa vjet, deri në vitin 1928. Në këtë periudhë të fundit, grupi teatral punonte si më parë dhe të gjitha të ardhurat derdheshin për ngritjen e statujës së heroit të luftës së Mashkullorës, Çerçiz Topulli.

-Cila është një nga ditët më të bukura në këtë shkollë?.

 

Janë shumë, shumë. Ja një rast… Në muajin maj 1959, kishim filluar sezonin e provimeve dhe në fillim na u desh të jepnim gjuhën me shkrim, dmth, hartimin. Por ajo ditë përkoi me vizitën e Hrushovit në Shqipëri dhe na lajmëruan të dilnim në Sheshin e Çercizit për të pritur delegacionin, ndërsa hartimin do ta bënim pasdite. Shkuam te sheshi grupe-grupe. Ne ishim një grup shokësh, si: Zeman Lala, Enver Isufi, Kristaq Pavli, Daut Gumeni, Thoma Zhano, Martha Xhani, Muharrem Ymeri, Vasil Zhapa, Aliqi Dhrami, Lejla Bakiri etj. Sheshi gumëzhinte nga muzika, këngët ruse e shqiptare, kurse prania e kostumeve të grave dropullite i jepte atij sheshi pamjen e një kopshti me lule shumëngjyrëshe. Anëtarët e delegacionit hipën në tribunë. Pamë që Hrushovi nuk ishte, dhe atë e kryesonte ministri i BRSS-së, mareshalli Malinovski, i cili e kishte gjoksin të mbuluar me dekorata. Ai, pasi foli për miqësinë, falenderoi për pritjen e ngrohtë, për ndihmën që do i jepte Bashkimi Sovjetik Shqipërisë etj. Foli diçka edhe për perspektivat e zhvillimit të detarisë në Shqipëri, për bazën e Vlorës etj. Ne nuk e dinim se ai, duke ardhur në Gjirokastër nga vizita në Sarandë, bashkë me Hrushovin, sillte jehonën e planeve ogurzeza që bënin, për ta kthyer Ksamilin në bazë të nëndetëseve dhe në këtë mënyrë të ktheheshin në zotër të Mesdheut, duke kërcënuar gjithë vendet e rajonit përreth.

Erdhi pasditja dhe ne u ulëm për të bërë hartimin. Mendja na punonte për rezultatin që do arrinim, sepse përgatiteshim për të vazhduar shkollën e lartë. U hap zarfi i Ministrisë së Arsimit dhe na u lexua tema nga profesori i letërsisë, poeti Agim Shehu. Tema ishte: “Komentoni një nga vjershat e “Albumit” të Fan Nolit, që ju ka pëlqyer më shumë” (temën dhe fletoren me hartimet e vitit të 4-t i kam të ruajtura në bibliotekën time dhe i lexoj herë pas here). Fillova të fantazoj dhe të zhvilloj temën. Ndoshta nga fshati Kuç, nga jam unë dhe Gjirokastra ku shkollohesha, që s’kanë lidhje me detin, ishte normale që imagjinata ime si adoleshent të drejtohej nga e panjohura, te deti dhe të fshehtat e tij, te kurioziteti për ta njohur atë ndoshta i ndikuar nga tregimet për detet dhe detarët. Unë notin dhe biçikletën i kam mësuar kur shkova në shkollën e lartë. Midis të tjerash, në hartim shkruajta: “…Vapori në të cilin ndodhesha unë, mengadalë çante detin dhe prapa mbeteshin qytete dhe fshatra të bukur bregdetare. Një gëzim i madh shprehej në fytyrat e marinarëve, se shpejt do të zbrisnin në tokë. Maja e mprehtë e vaporit çante pa mëshirë dallgët rebele, që përplaseshin në të dhe linte një rrip të zgjatur shkume valesh. Për një çast fërshëllen sirena e vaporit tonë dhe ne të gjithë dolëm në kuvertë. Sytë tanë lëviznin nga të gjitha anët dhe era valëviste shiritat e kapeleve tona. Para nesh një shesh i madh, i mbushur me gra, burra e fëmijë, që presin me ankth lajmëtarin e fitores. Dhe mua m’u kujtua një vjershë që kisha mësuar dikur në shkollë për maratonomakun:

“Rend or rend, rend e thuaj, se u çthur hordhi e huaj, se betejën e fituam, dhe qytetin e fituam!”

Dhe hartimin e përfundoja: “Besnike e orarit tingëllon zilja e xha Myftarit (rojës së konviktit) mbi kokën time të përgjumur, për të më takuar edhe me një mëngjes të ri të jetës time.“

Profesori në vlerësimet e tij, më pati shkruar: “Hartimi më i mirë është i juaji, do të lexohet para klasës. Fantazinë derdhe me lustër e kursim”. Unë e kuptova se fantazinë vërtetë e kisha lëshuar pa frena, gjë që do të reflektohej dhe në kërkesën time që do të bëja për në shkollë të lartë.

Në kohën e sezonit të provimeve na u kërkua të formulonim kërkesën për shkollë të lartë dhe të përcaktonim tre degët që na pëlqenin më shumë. Në kerkesën time shënova edhe degën e detarisë (Kapiten i lundrimeve të largëta). Me mbarimin e provimeve shkuam një muaj në prodhim në fermën e Goranxisë të Gjirokastrës. Të çliruar nga tensioni i provimeve, ia kalonim mirë me njëri-tjetrin dhe nuk e ndienim lodhjen e punës fizike, me të cilën nuk ishim mësuar.

-Sigurisht pas mbarimit të gjimnazit, një rrugë e re, si ju doli bursa për detar ushtaraknë ish-BS?

 

 

Kishin kaluar vetëm disa ditë dhe mua e shokët e mi, Zeman Lala e Polo Guga, na thirrën në degën ushtarake të rrethit, ku na priti kryetari i degës, i cili na komunikoi se na kishte dalë e drejta e studimit për në BRSS. Për ne ishte gëzim i madh, aq më tepër që do studionim jashtë shtetit ku, përveç mësimeve, do njiheshim me kulturën e jetën e popullit të madh, siç ishte Rusia me gjithë ato republika. Masat ishin marrrë dhe ne u nisëm me autobus për në Tiranë, ku na priti gjeneral Petrit Dume. Aty, të grumbulluar nga gjithë rrethet, bëmë analizat mjekësore dhe na nisën për në portin e Vlorës; prej nga do të niseshim me vaporin “Irgiz” për në Odesë. Pasi u ndava me Sadikun,vëllain tim jurist, dhe me kushërirën time, Fatime Idrizi (atëherë studente në mjekësi), që kishin dalë të më përcillnin, ngjita shkallët dhe u futa në anije. Ajo ishte një anije e tonazhit mesatar, kish qenë më parë një anije luftarake dhe e kishin adaptuar si anije transporti malllrash dhe për pasagjerë. Ky ishte kontakti im i parë me detin dhe detarët. Nuk ishim veçse 18-vjeçarë dhe të veshur të gjithë me rroba civile.

U nisëm në oren 12 të natës, kur ishim në gjumë. Filluan lëkundjet e para. Neve filloi të na zinte deti. Filluan të vjellat. Ato janë të rënda derisa mësohesh, por për t’u mësuar duhet disa kohe. Ndërsa po lundronim nëpër Mesdhe disi të qetësuar nga të vjellat, papritur mbi ne kaloi një aeroplan luftarak. Gati sa nuk i prekte direket tanë. Ishte shumë e frikshme, t’i ndalonte të vjellat menjëherë. Pastaj fluturuan mbi ne nja katër a pesë të tjerë njëri pas tjetrit. Me siguri ata u ngritën nga ndonjë aeroplanmbajtëse amerikane, që ndodhej diku afër, sepse në krahët e aeroplenëve dukeshin qartë shenjat e ushtrisë amerikane. Kuptohej që pilotoheshin nga pilotë të zotë dhe energjikë. Gjithsesi diçka ishte e saktë: avionet e NATO-s e dinin që anija “Irgiz “nuk transportonte prodhime tregtare.

Pas një lundrimi 4-5 ditor arritëm në Odesë të Ukrahinës. Shokët tanë, Robert Bali, Zeman Lala, Azem Lamaj e Kasem Spahiu, u ndanë me ne. Ata u nisën në drejtim të Rigës dhe Leningradit, ku do fillonin mësimet në akademinë për nënujsa e specialitete të ndryshme; ndërsa ne vazhduam për në Baku. Unë për Bakunë kisha dëgjuar nga një poezi e mrekullueshme e Eseninit, rreth vrasjes së 26 komisarëve të Bakusë, ku kishte shpëtuar vetëm Mikojani, i cili më vonë u bë dhe një ndër udhëheqësit kryesorë të kohës së vet. Treni, me të cilin ne udhëtonim nga Odesa, linte prapa stacione qytetesh e krahinash si Tragauroz, Rostov mbi Don, etj. Në Rostov ndaluam për të ndërruar trenin dhe u futëm në një restorant për të drekuar. Na shoqëronte një kolonel i marinës. Megjithëse kuptonim mirë nga gjuha ruse, për t’u shprehur e kishim të vështirë. Mbasi ne mbaruam porositë me kamerieren, një shoku ynë, Taqo Aleksi, me humor pyeti, për kolonelin: “Po ky qafiri çfarë do marrë për të ngrënë?“ “Po, po, kifir“ u përgjigj koloneli. Ne, duke qeshur, i thamë kamerieres që edhe neve të na sillte “kifir“, por pa e ditur çfarë ishte. Kur na e solli porosinë pamë se “kifiri“ ishte kosi… Pra mësuam se kosit në rusisht i thoshin kifir. Kështu vazhduam, pak e nga pak, duke komunikuar me njerëzit, të mësonim rusishten. Kaluam afër qytetit Pitigorks, qytet i lindjes së poetit të madh rus Lermontov, i cili u vra në një duel nga majori Martnov me 15 korrik 1841, kur ishte vetëm 27 vjeç. (Gazetat për këtë ngjarje patën shkruar se dueli nuk kishte qenë i rregullt).

Qyteti ishte shumë i bukur, me 140.000 banorë. Rreth 20 km në veri të tij, afër një aeroporti, ndodhej një qendër me ujë mineral. Pas katër ditësh udhëtim me tren, na u shfaq Bakuja me pamjen e tij të mrekullueshme, me platformat e naftës që shtriheshin në det. Bakuja, qytet i madh, kryeqytet i Azerbajxhanit me një popullsi 1.700.000 banorë.

Por, më vonë, gjatë viteve të qëndrimit atje, kur ne dilnim shëtitje buzë Kaspikut na trishtonte fakti që deti ishte i ndotur nga mbeturinat e naftës dhe njerëzit nuk mund të laheshin në atë det shumë të bukur e tërheqës.

 

Vijon

 

Nesër do të lexoni:

 

– Në vitin 1945 u nxorrën nga fundi i detit tre motoskafë të mbytur gjatë Luftës.

– Në datën 15 gusht 1945, shënohet data e ringritjes së flotës sonë detare.

– Operacioni i parë luftarak u zhvillua në dhjetor 1948, në gjirin e Vunoit, ndaj një grupi diversantësh që vinin nga Greqia

– Në prill të vitit 1954, Enver Hoxha, viziton Pashalimanin, kalon pranë ishullit të Sazanit, duke thënë se FLD do ritet dhe kufiri detar do jetë i paprekshëm.

– Me motoskafë, me nga një mitroloz 20 mm në bash, nisi patrullimin atdheu i sapoçliruar