Muzeu i Kadri Hazbiut në Hysoverdhë dhe, pse nuk u inagurua asnjëherë?

2688
Gëzim Llojdia*

Biografi
Kadri Hazbi Dautaj lindi më 15 korrik 1922 në Mavrovë të Vlorës, ishte djali i Hazbi Cano Dautaj, një nga komandantët e Luftës së Vlorës 1920. Pasi mbaroi Shkollën Tregtare të Vlorës, pas Luftës mbaroi në Moskë të BRSS-së shkollën e lartë të sigurimit. Ka qenë drejtues i disa formacioneve partizane në Luftën e Dytë Botërore, ku dhe u plagos dy herë. Gjatë viteve 1950-1954 ka qenë zëvendësministër i parë i Ministrisë së Brendshme. Gjatë 16 viteve 1954-1980 ka qenë Ministër i Punëve të Brendshme. Gjatë viteve 1979-1982 ka kryer detyrën e Ministrit të Mbrojtjes. Më 10 tetor 1982 shkarkohet nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes. Më 13 tetor 1982 Plenumi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë e përjashton dhe nga Partia, arrestohet më 15 tetor1982, ndërsa më 10 shtator 1983 pushkatohet. Biografi e dhënë nga wikipedia.

Hysoverdhi
Kadri Hazbiu ka lindur në fshatin Hysoverdhë dhe është rritur në fshatin Mavrovë. Hysoverdhi ka mbetur gjithë kohës një fshat i vogël. Nuk pa pasur ndonjë shqyrtim në lidhje me etimologjinë e emrit, burimet apo gjenezën e tij. I ndërtuar në një kodër ka disa lagje. Hysoverdhi është tokë petë, pra brumi i bukës. Gjithë kohës, uji ka munguar në kodrinat e tij. Diku nga vitet ‘70 është ndërtuar një ngritje e tretë nga rezervuari i Harvalasë, për të realizuar vaditjen e tokave të kodrinave. Në kohën e kooperativës, kufijtë e tij cekeshin me Kotën dhe fshatin Vajzë.

Disa të dhëna gjeografike
Kota ka qenë një qendër lokaliteti. Një rrugëtim nga kjo qendër deri në qendër të këtij fshati Hysoverdhë, mbahen rreth 5.2 km. Kodra, që është marrë si njësi e rrumbullakosur për lartësinë është qafa e Dushkut rreth 300 m. Te dhëna të tjera administrative janë, se ky fshat së bashku me fshatin e dëgjuar Mavrovë në antikitet quhej Olympia, por me dekret nr.3653, datë 5.3.1963 mbi disa ndryshime në ndarjen administrative tokësore të Republikës Popullore të Shqipërisë në mbështetje të nenit 11 të ligjit nt.1763 datë 26.11.1953 mbi këshillat popullore, Presidiumi i Kuvendit Popullor ka dekretuar këtë bashkim fshatrash. Pika 5. fshatrat Hysoverdhi dhe Mavrova të lokalitetit të Kotës, bashkohen në një fshat të vetëm me qendër në Mavrovë. Kurse me dekretin nr.4799, datë 28.1.1971: Mbi disa ndryshime në ndarjen administrative tokësore të Republikës Popullore të Shqipërisë në mbështetje të nenit 7 të ligjit nr. 4352, datë 23.12.1967 “mbi këshillat popullore”, pika 5. Krijohet fshati i bashkuar me qendër Mavrovë me fshatrat: Mavrova, Hysoverdhi, Gumenica, Mazhaj-Lapardha dhe Lapardhaja. Deri në vitin ‘90 ka funksionuar kjo skemë.

Muzeu i Kadri Hazbiut
Kur kam shkuar në punë në fshatin Mavrovë, një ditë shkuam deri në Hysoverdhë. Rreth 3-4 km nga kalaja e Mavrovës. Në qendër të fshatit ishte një ndërtesë dy kate. Ndërtesa ishte e tipit kullë. – Ndonjë zyrë apo MAPO, pyeta? U ndërtuar për muzeun e Kadri Hazbiut. Ishte me ngjyrë të bardhë. Bënte dallimin nga banesat tjera një kate me tjegulla të kuqe apo të ndërtesa të vjetruara të fshatit. 

-Kadri Hazbiu ka lindur këtu dhe më pas është zhvendosur në Mavrovë? Një fakt i çuditshëm, por ky, muze është ndërtuar gjatë kohës kur ish-ministri i brendshëm i kohës komuniste Kadri Hazbiu ruante një reputacion të madh në këtë zonë. Muzeu mund të thuash se është një investim i tij, sepse investimet në këtë zonë kanë qenë thuajse minimale. Gjithë kohës rruga, që të shpie në qendër të fshatit u shtrua me çakëll, dhe kjo i atribuohet ndërmarrjes së naftës që shpuri sonda për kërkime. Afër asaj është zona naftëmbajtëse Amonicë. Muzeu u ndërtua pikërisht në periudhën kur ministri i dorës së hekurt po jetonte në ditët e fundit, mirëpo atëherë Byroja Politikë kishte marrë një vendim për të ngritur muze për figurat më të shquara dhe anëtarë të byrosë komuniste. Kadri Hazbiu ka pasur një rol të madh në Luftën Çlirimtare dhe ndërtesa dy kate duket se është goxha investim. Ajo përmbante dhoma të mëdha dhe të vogla ku do të vendoseshin stendat, reliktet dhe gjithfarë materiali. Madje komisioni në Vlorë kishte nisur nga puna për të mbledhur dokumentet, që do të pajisnin muzeun e ministrit të brendshëm dhe anëtarit të byrosë politike. Ndërsa godina kishte përfunduar dhe pritej mobilim i saj, befasisht nga qendra ka mbërritur një urdhër. Ka shkaktuar befasi, fillimisht. Ç’është ky urdhër, që zvarriste pajisjen e muzeut të Ministrit të Mbrojtës? Më 13 tetor 1982, Plenumi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë e përjashton dhe nga partia, arrestohet më 15 tetor 1982, ndërsa më 10 shtator 1983 pushkatohet. Aty vendoset përfundimisht dhe fati i ndërtesës. Kur kam shkuar atje nga fundi i viteve ’87 ndërtesa kishte banorë brenda. Kjo ndërtesë që ishte nisur për muze i ishte dhënë për banim traktoristit të fshatit, një fshatar i varfër i zonës. Ndërtesa me ngjyrë të bardhë, kishte edhe një oborr të vogël. Atëherë ne shkuam atje dhe duke qenë kurioz i pashë të gjitha dhomat e tij, ku do të ngrihej muzeu, që nuk arriti të bëhej i tillë, por që e gëzoi traktoristi Nazo dhe fëmijët e tij. Deri në vitet ’90 fati mbeti i kësaj familje. Çfarë ngau më tutje me ndërtesën nuk kam më informacion.
Si e përshkruan Enver Hoxha: SHPARTALLIMI I FRAKSIONIT(Maj 1943)
Pasi kapërcyem Vaun e Shushicës. morëm rrugën në të djathtë dhe filluam t’u ngjiteshim kodrave midis Lubonjës e Peshkëpisë. Më kujtohet se, pasi kishim udhëtuar disa orë, qëndruam të çlodheshim në një breg. Sado që kishim me vete bukë, nuk kishim futur asnjë kafshatë në gojë dhe na kishte marrë uria. Tek rrinim për t’u çlodhur në majë të bregores, vumë re se aty afër ishte një stan. Një nënë labe po rrinte afër zjarrit. Ajo, pasi na pa, na u afrua e na pyeti:

– Si jeni, more djema?
– Mirë, moj nënë, – iu përgjigjëm ne.
– Keni nevojë për gjëkafshë? – na pyeti prapë ajo.
– Jo, nuk kemi, – ia pritëm ne, – por, po të kesh, na jep një çikë djathë.
– U të keqen nëna, – na tha ajo, – ju bëj unë një çikë djathë të tiganisur.
– O, sa mirë, – i thashë, – ma ke gjetur zemrën, moj nënë, djathin e tiganisur nuk ma ka munguar kurrë nëna ime, sido që me pakicë, por.. .
– Nashti, – tha ajo, – në luftë jemi, por ja, sa për ju kam djathë, të keqen nëna. – Ajo vuri tiganin në zjarr, hodhi një çikë gjalpë e na tiganisi nja 5 a 6 feta djathë. Për mua kjo ishte dasmë.

Pasi hëngrëm bukë dhe vrojtuam vendin edhe një herë, zbritëm poshtë në drejtim të fushës së Peshkëpisë, e kaluam fushën dhe filluam të ngjitnim kodrat me ullishte -përballë Drashovicës, që të dilnim në Kropisht. Nga maja e kodrës dukej mirë fusha e bukur e Drashovicës, ura dhe rruga Vlorë-Gjirokastër, nëpër të cilën lëviznin makina dhe ushtarë italianë. Aty qëndruam pak sa për t’u çlodhur, pastaj u vumë përsëri për udhë. Në zonën e lirë u takuam me shokun Hysni, u për qafuam e u puthëm me të. Te shtëpia e shokut Kadri Hazbiu në Hysoverdh, ai kishte organizuar takimin që do të bënim me shokët e Qarkorit. U mblodhëm menjëherë dhe aty më informuan më me hollësi për situatën. Mehmeti, sekretar organizativ i Qarkorit, nuk mori dot pjesë në këtë mbledhje, për arsye se kishte dalë në disa fshatra me një grup partizanësh, nuk e mbaj mend se për ç’punë. Nga raporti që më dhanë, vura re se ata kishin reflektuar mirë në mjaft çështje sipas udhëzimeve që u kisha dërguar në emër të Komitetit Qendror për shkatërrimin e fraksionit*. 

Disa të dhëna për Kadri Hazbiun
Të dhënat flasin se Kadri Hazbi kishte mbiemrin Dautaj lindi më 15 korrik 1922 në Mavrovë të Vlorës, ishte djali i Hazbi Cano Dautaj, një nga komandantet e Luftës se Vlorës 1920. Pasi mbaroi Shkollën Tregtare të Vlorës, pas luftës mbaroi në Moskë të BRSS-së shkollën e lartë të sigurimit. Ka qenë drejtues i disa formacioneve partizane në Luftën e Dytë Botërore, ku dhe u plagos dy herë. Në aktivitetin e tij politik mbeten të regjistruar këto të dhëna :Gjatë viteve 1950-1954 ka qenë zëvendësministër i parë i Ministrisë së Brendshme. Gjatë 16 viteve 1954-1980 ka qenë Ministër i Punëve të Brendshme..Gjatë viteve 1979-1982 ka kryer detyrën e Ministrit të Mbrojtjes.Më 10 tetor 1982 shkarkohet nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes,ndërsa më 10 shtator 1983 pushkatohet. Më 4 nëntor 1995 gjenden eshtrat e tij në afërsi të Selitës, Tiranë dhe rivarrosen nga familjarët.

Arsimi: Shkolla Tregtare në Vlorë, shkolla e lartë e Sigurimit në Moskë, BRSS.
Gjendja familjare: I martuar me pesë fëmijë
Gjuhët e huaja: Italisht, rusisht
Aktiviteti në Luftë: Komisar i Çetës Plakë, në formacionet e Brigadës V-të Sulmuese, u plagos dy herë
Karriera: 1945, shef i Sigurimit të Ushtrisë me gradën kolonel;

1950-1954, zëvendësministër i parë i Ministrisë së Brendshme; 1954-1979, ministër i Brendshëm; 1979-1982, ministër i Mbrojtjes, deputet në të gjitha legjislaturat e atij sistemi.

Aktiviteti partiak: Komunist në vitin 1942; anëtar i Komitetit Qendror, 1950; kandidat i Byrosë Politike, 1960; anëtar i Byrosë Politike, 1971-1982.

Gradat dhe dekoratat: Kolonel, gjeneral leitenant në radhët e Forcave të Ministrisë së Brendshme, dekoruar 13 herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Eliminimi: Më 10 tetor 1982 shkarkohet nga ministër i Mbrojtjes, 13 tetor 1982 përjashtohet nga partia në plenumin e Komitetit Qendror. 15 tetor 1982, arrestohet; 10 shtator 1983, ekzekutohet.

Reprezaljet ndaj familjes: 15 tetor 1982, e gjithë familja internohen në Kurbnesh, 1989 vritet djali, Agroni, ish-futbollist i “Dinamos”, vdes në burg vëllai i Kadriut, Hasani, i dënuar për agjitacion e propagandë, vdes pas një internimi të vështirë gruaja, Hedija; 4 nëntor 1995.

Prindërit
Në varrezat në shkallën e Mavrovës janë dy varoshe me mermer. Njëri është i luftëtarit të luftës së Vlorës Habi Canos, të atit të Kadri Hazbiut, tjetri i nënës së ministrit. Nga koha e Kadri Hazbiut banorët e kësaj zone mend se vëllai i tij Hasan Hazbiu ka qenë për shumë vite në Kotë përgjegjës i tregtisë deri sa shkoi në Tiranë. Djali i tij i vetëm quhej Arben. Ishte një djalë i shkathët, por që ka përfunduar internimeve nga sa kishin dijeni njerëzia e zonës në fshatrat e Beratit , mbasi u pushkatua xhaxhai i tij. Kadriu vinte shpesh në Mavrovë sidomos për vakira, por edhe në Kotë sepse kishte vëllanë. Por, ai interesohej edhe për hallet e mavronjotëve. Hallet e tyre ishin të thjeshta: Punësime, emërime ndonjë largim në qytete etj. Deri në vitin ’90 fshati vuante nga mungesa e ujit të pijshëm, puset nuk ua thanin etjen, sepse ujësjellësi i ndërtuar në shkallë buzë lumit nuk funksiononte plotësisht dhe rruga që nga shkalla e Mavrovës deri në lagjet e fshatit ishte e amortizuar deri në shkatërrim. Kur sistemi ishte në prishje, banorët u ankuan në mbledhjet fshatçe që bëheshin asokohe dhe rruga u ndërtuar nga ndërmarrja e portit detar të Vlorës që mori në patronazh fshatin. Kur mavronjotët kanë rrëfyer se kur u pushkatua Kadriu në shtatorin e vitit ’83 ata mbajtën zi në një mënyrë të çuditshme për kohën. I gjithë fshati fiku dritat në një kohë. Nga shumë të përndjekur sot Kadriun e kanë akuzuar në vrasje apo internime të shumë familjeve, si dhe të dhëna të tjera që e implikojnë atë gjatë kohës, kur ai ushtronte detyrën e Ministrit të brendshëm.

PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS SË LARTË, MBI DËNIMIN ME VDEKJE TË ARMIQVE KADRI HAZBIU, FEÇOR SHEHU, LLAMBI PEÇINI DHE LLAMBI ZIÇISHTI

Presidiumi i Kuvendit Popullor, me shkresën Nr. 1582/1 datë 9.9.1983, nuk ua fali jetën të dënuarve:
1-Kadri Hazbi Hazbiut
2-Feçor Refat Shehut
3-Llambi Vasil Peçinit
4-Llambi Petro Ziçishtit.

Të dënuarit, pasi u çuan në vendin e ekzekutimit, u njoftuan nga Prokurori i Përgjithshëm se Presidiumi i Kuvendit popullor u refuzon kërkesën për falje. Të dënuarit Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu u shprehën se janë të pafajshëm, kurse të dënuarit Llambi Ziçishti e Llambi Peçini nuk thanë gjë. Pas këtij veprimi, në ora 24:00 të datës 9.9.1983 u krye ekzekutimi me pushkatim për të dënuarit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini e Llambi Ziçishti. Në ekzekutimin e vendimit me vdekje morën pjesë Prokurori i Përgjithshëm shoku Rrapi Mino, zëvendësministrat e Punëve të Brendshme Zylyftar Ramizi dhe Agron Tafa, sekretar (oficer) Afuz Murati, mjeku Nevzat Vigani dhe oficeri Nikolla Shkurti. Nënshkruesit, pjesëmarrës në ekzekutim: Zylyftar Ramizi (Firma), Agron Tafa (Firma), Afuz Murati (Firma), Nevzat Vigani (Firma), Nikolla Shkurti (Firma).

*Sudiues
Sigal