Muzeu i Gjirokastrës, fotoja që servir kriminelët si heronj

959
Sigal

Viti i mallkuar 1914…

Pas 100 vjetësh nga masakrat e andartëve grekë mbi popullsinë e Jugut të Shqipërisë, një foto e kriminelëve ndodhet ne Muzeun e Gjirokastrës.

Viti 1914 për shqiptarët nuk mund të cilësohet ndryshe, veçse “viti i mallkuar”. Kishte vetëm një vit që ishte krijuar Shteti Shqiptar, me luftë të pareshtur të kastës intelektuale të shqiptarëve, që vepronte nga Stambolli e deri në kryeqytetet e Europës dhe me bekimin e mallkimin e superfuqive europiane dhe me gjerë. Pikërisht në atë moment po finalizohej diçka e rëndë për të ardhmen e shqiptarëve nën hundën e të gjithëve. Islamizimi qindra vjeçar i bekuar nga Stambolli dhe ‘qëndresa’ e krishterë, tashmë jo më e kontrolluar nga shqiptarët, por nga Greqia dhe Serbia, bëri që vetëm xhaketën e rreckosur, kotheren e bukës dhe Gjuhën Shqipe kishin të tyren shqiptarët. Feja i kish ndarë ata dhe, kjo e fundit ishte mjeti për t’i përçarë përfundimisht, pikërisht në gjenezë të krijimit të tyre, si shtet unitar në Ballkan, duke i shtuar këtij instrumenti që ka ndarë botën mbarë dhe, krijesa fantazmë, siç ishin ato që krijuan Fuqitë Ballkanike dhe vetë Perandoria Osmane, sollën lulëzimin e: bajraqeve autonome katolike në Shqipërinë e Veriut; shtetit islamik në Shqipërinë e Mesme nën Flamurin Osmanlli, me në krye shqiptarin Haxhi Qamili; dhe shtetit të Epirit të Veriut, me në krye shqiptarin Jorgji Zigrafo, ku ky i fundit ishte një nocion i modifikuar i lashtësisë. Kjo platformë ogurzezë për shqiptarët po projektohej në terren që pas marrëveshjes së Shën Stefanit midis Perandorisë Osmane dhe Rusisë Cariste nga Fuqitë Ballkanike. Për 25 vjet, çdo gjë u bë gati që këto gonxhe të zeza të shpërthenin pikërisht në vitin e zi 1914, kur kryengritjet e stisura nga jashtë-brenda bënë që në pranverë të këtij viti të valëvitej, në Shqipërinë e Mesme, flamuri i rreckosur i Perandorisë Osmane, i gjakosur me gjakun e të krishterëve shqiptarë dhe në Jug flamuri i rreckosur i Vorio Epirit, i gjakosur me gjakun e myslimanëve shqiptarë.

Sot, pas 100 vjetësh nga 1914-ta, elementë, që veprojnë në ‘qoshe’ dhe në mes të ‘udhës’ së të ardhmes së kombit tonë, kanë 25 vjet që punojnë, që shqiptarët të valëvitin flamurin e shovinizmit ekstrem grek, kryengritjen ‘Vorio Epiriote’ (Agimi i Artë, Mavi etj.) dhe flamurin e terrorizmit islamik (ISIS), që ka gënjyer, tashmë, një pjesë të popullit tonë të mohojë të kaluarën, të tashmen dhe rëndon, edhe më shumë, jetën e çdokujt prej nesh në të ardhmen.

Sot, pas 100 vjetësh të dy këta flamuj të zinj, ( të ISIS dhe organizatave Vorio-Epiriote) për të ardhmen e shqiptarëve, që nuk përfaqësojnë Fenë Islame, gjithashtu, aq më pak, historinë e përbashkët vëllazërore, që në lashtësi, midis Kombit Shqiptar dhe atij Grek, të cilët janë pjesë e një trungu prejardhjeje, valëviten fshehtas, ose dhe hapur, ashtu siç ndodh në Muzeun e ri të Gjirokastrës, që me paturpësi kriminale u vendos atje në nëntor të 2012-s. Për vite me radhë janë krijuar ‘Heronjtë’ si Bollano, Gejxh për luftën e shtetit ortodoks në Jug të Shqipërisë dhe për 25 vjet me radhë i është ofruar dhe premtuar popullit Tosk parajsa në këtë botë me pasaporta, me dhrahmi dhe me pagëzime, që nuni çdo përvjetor të emrit i jep ‘rroba, vaj e fasule’ tavolinës së varfër të Toskut të mjerë. Në Gegëri, për 25 vjet me radhë, i është premtuar Parajsa në botën e përtejme, duke i thënë me zë të ulët shqiptarëve myslimanë “luftoni për shtetin islamik dhe merrni 1000$ rrogë”, luftoni për Xhihad nga toka e Shamit deri në Malin e Tomorit, ku pretendohet të vijë Ushtria e ISIS dhe kanë krijuar dhe ata ‘Heronjtë’ e tyre, Lavdërim Muhaxherët dhe Shefqet Krasniqët etj.. E gjithë kjo ka ndodhur dhe ndodh nën hundën e shqiptarëve të mirë dhe të këqij, nën hundën e institucioneve të shtetit, sepse kjo e ka një shkak… Shkatërrimi i fesë dhe rrënjëve të saj në 1967-n nga sistemi komunist, bëri që, fetë në Shqipëri 1990-a i gjeti pa Zot dhe në krye e në rangje më të ulëta t’i kontrollonin jo-shqiptarët, qoftë fenë Islame dhe atë Ortodokse. Mefshtësia e institucioneve shtetërore shqiptare në këto 25 vjet, bëri që gonxhja e zezë e shqiptarëve të riçelte pas 100 vjetësh në formë të ndryshme nga ajo e 1914-s, por me të njëjtën përmbajtje.

Ne, Forumi “Djemtë e Gjirokastrës” kemi denoncuar këtë skenar përgjatë pranverës së këtij viti dhe në vazhdimësi, duke përkujtuar dhe rindërtuar memorialet e masakrave të kryera në 1914-n nga shovinistët grekë, që kanë djegur të gjithë krahinën e Jugut; nga Gjirokastra në Tepelenë, Përmet dhe Korçë. Memorialët që përkujtonin këto ngjarje, jo vetëm ishin harruar, por edhe të transformuar me qëllim.

Shembull konkret ishte Memoriali i Hormovitëve, ku në pllakën përkujtimore ishte hequr emërtimi i autorëve të krimit nga institucionet lokale atje. Ky gabim me dashje u rregullua nga ne pikërisht në 100-vjetorin e fillimit të masakrave në Jug të Shqipërisë, në 17 shkurt 1914, ku u shpall kryengritja ‘Vorio Epiriote’. Këto përkujtime dhe rregullime të historisë, të transformuara, i kemi bërë me ndihmën e komunitetit vendas dhe jo nga Shteti që e ka për detyre t’i kryejë me të vetmin qëllim që ato barbari të kujtohen dhe të mos ndodhin më kurrë. Por ne po shikojmë se qarqe të caktuara po na i shfaqin kriminelet si heronj nëpër muze, të bëra nga vetë institucionet shtetërore shqiptare, por përderisa shikon që 25 vjet lufta me ‘penë’ nga qarqet greke dhe me ‘pushkën’ nga Agimi i Artë dhe Mavi (1994-‘95) dhe qarqe të tjera të fshehta kanë po të njëjtin qëllim, nuk të ngelet gjë tjetër të mendosh veçse shovinizmi grek po ujit rrënjët e ferrës Vorio-Epiriote. E njëjta gjë po ndodh në Gegëri, ku imamë të veshur me petkun e besimtarit mërmërisin se lufta e shenjtë për Shtetin Islamik në trojet shqiptare me penë dhe me pushkë, të bën që të kujtosh se 1914-a po rikthehet dhe e gjithë kjo ndodh nën hundën tonë, nën varfërinë tonë. Fati i shqiptarëve dhe e gonxhes së zezë të 1914-s e shpëtoi dikur fillimi i Luftës së Parë Botërore që thau trëndafilin e shkatërrimit kombëtar, por tani, pas 100 vjetësh, kush do ta thajë trëndafilin e zi të riçelur ?! Kjo detyrë i përket vetëm shqiptarëve, apo duhet të presim Luftën e Tretë Botërore të fillojë? Ndoshta, kjo mund të jetë shpëtimi i shqiptarëve… Ndaj, ne, Forumi “Djemtë e Gjirokastrës’ sot kërkojmë largimin e menjëhershëm të fotografisë që përkujton kriminelet e 1914-s, që në sytë e turistëve, që vizitojnë muzeun më të ri në qytetin tonë, serviren si heronj.

Albi KOÇI