Mustafa Koçeri: Historia e familjes sime: Ja si i strehoi babai 2 hebrenj gjatë pushtimit nazist në Vlorë

1317
Sigal

Rrëfimi i Mustafa Koçerit, për ndihmën që i dha familja e tij hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore

Babai im strehoi 2 hebrenj gjatë pushtimit nazist në qytetin e Vlorës

Jakup B. GJOÇA

Populli shqiptar në kohët më të vështira historike, gjithmonë i është gjendur në ndihmë popujve të tjerë, me të cilët ka bashkëjetuar. Populli shqiptar është nga popujt, që në Luftën e Dytë Botërore nuk dorëzoi asnjë hebre, që jetonte në Shqipëri tek nazistët gjermanë, madje, as partizanët dhe as nacionalistët, edhe pse midis tyre ishin në luftë. Në këtë përshkrim, do të rrëfejmë historinë e familjes të Mustafa Koçerit, që strehoi një familje hebre në Luftën e Dytë Botërore nga kërcënimi nazist, lidhjen e tyre familjare.

Labëria njihet që ka qenë një krahinë që ka kontribuar shumë për pavarësinë e Shqipërisë, si edhe në Luftën e madhe Nacionalçlirimtare. Mund të përmendni konkretisht pak histori për fshatin tuaj Vermik?

– Fshati Vermik me banorët e tij ka qenë përkrah njerëzve përparimtarë të kohës, të cilët kontribuan dhe luftuan për një Shqipëri më vete, për t’u bërë një shtet i lirë. Banorët e Vermikut, kanë qenë bazë dhe përkrahës edhe e çetës së Çerçiz Topullit. Edhe në periudhën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, pjesëmarrja e banorëve të Vernikut ishte masive, krijuan çetën partizane të fshatit, si edhe mbushën radhët e formacioneve të Ushtrisë Partizane. Fshati Vermik i ka dhënë Atdheut edhe dëshmorët e vet, midis tyre është edhe Heroi i Popullit Bajram Tushi. Familja e heroit Bajram Tushi, prindërit e tij u bënë një nga bazat e partizanëve në qytetin e Vlorës. Më 18 tetor 1942 Bajram Tushi, së bashku me shokët e tij partizanë, Hiqmet Buzi, Mumin Selami, Hajredin Bylyshi rrethohen nga forca të shumta të ushtrisë italiane dhe në luftë kundër tyre ata bien dëshmorë, duke mos pranuar kurrë që të dorëzohen. Të tillë, si këta dëshmorë luftuan edhe bashkëfshatarët e tyre, duke mos kursyer asgjë për çlirimin e Atdheut.

– Familja Koçeri ka qenë “paria” e fshatit Vermik, dhe burrat janë shquar për fisnikërinë, për mençurinë, për trimërinë, drejtësinë dhe humanizmin. Mund të na përmendi emrat që e bënë fisin tuaj “Të fismë” në krahinë, siç shprehen labët?

– Në këtë kontribut atdhetar të vermikasve ka dhënë edhe familja ime. Entuziazmi për ngritjen e Flamurit të Pavarësisë në Vlorë në 28 nëntor 1912 bëri që edhe gjyshi im, Jakup Kaçeri, së bashku me disa bashkëfshatarë të tjerë, me Abdurrahman Çirakun, Yzeir Hallo, Kalo Çirakun, Abedin Lloi, Halim Mezuri, Ramadan Xhezo, Qamil Tushi, Arif Bleta e Qerim Veshi të marrin pjesë në tubimin e popullit të Vlorës dhe të të gjitha krahinave të tjera shqiptare për ngritjen në Vlorë të Flamurit Kuq e Zi. Edhe më parë, nga fisi im, Sulo Koçeri, së bashku me disa vernikas të tjerë, kanë luftuar kundër grekëve, të cilët, duke përfituar nga tërheqja e ushtrisë turke, synonin të realizonin planet e vjetra të tyre, të aneksimit të trojeve shqiptare nënë mbretërinë greke. Kështu, së bashku me vernikasit e tjerë, si Feim Çelua, Çerçiz Beqiri, Bajram Balua, Zagoll Veshi, Mehmet e Daut Kashta e Shaqo Ania, vriten në luftë kundër forcave greke. Numa Koçeri ka qenë një tjetër pjesëtar i fisit tim, pjesëmarrës në LANÇ, në Brigadën e 6-të Sulmuese, deri në çlirimin e Vishegradit. Por edhe pas çlirimit, do të ishte Lolo Koçeri, pjesëtar i fisit tim, i cili do të plagosej në luftë kundër bandave të diversantëve.

-Cili është kontributi i familjes suaj në LANÇ?

– Familja jonë, për nga gjendja ekonomike, ishte familje e mesme. Babai im kishte pasuri, toka, bagëti dhe bënte edhe tregti. Mirëpo, ngaqë familja jonë ishte patriote, u lidh me komunistët, sepse ata bënin luftë kundër pushtuesve. Për labët patriotë, çdo i huaj, që kishte ardhur në Shqipëri ishte pushtues. Prandaj, babai im u lidh me luftën partizane. Nuk është i drejtë ai koncept, që ndoshta kanë disa, që të pasurit ishin bashkëpunëtorë me të huajt dhe vetëm të varfrit dolën partizanë në LANÇ. Në kohën e Luftës së Dytë Botërore familja jonë ndodhej në Bishisht të Vlorës. Edhe pse në këtë fshat ndodheshin forcat pushtuese italiane, ku në afërsi, në Mifol, ishin depot e ushtrisë italiane, në këtë zonë Lëvizja Nacional Çlirimtare ishte aktive dhe zhvillonte aktivitetin e saj çlirimtar. Babai im, jo vetëm përkrahte, por edhe aktivizohej në këto formacione partizane, si në aksionin partizan kundër depove të ushtrisë italiane, e në tërheqjen e trupave të të vrarëve në këto luftime. Po, kështu, babai ka qenë në gjendje të mirë ekonomike dhe ndihmonte me mallra të shumta ushqimore forcat partizane. Për aktivitetin e tij si përkrahës dhe luftëtar i LANÇ, babai im është veteran i LANÇ-it. Më pas, babai im bleu edhe disa bahçe me ullinj në Babicë të Vlorës, si edhe toka arë dhe pyll në sipërfaqe 250 dynym tokë.

Zoti Kaçorri. Babai juaj ka ndihmuar në kohën e LANÇ një familje hebreje, duke e strehuar nga kërcënimi i nazistëve. Cila është kjo histori?

– Zhvillimi i aktivitetit në bujqësi dhe blegtori, bën që babai të lidhte edhe marrëdhënie tregtare, fillimisht në qytetin e Vlorës me tregtarë të ndryshëm, dhe më pas kjo tregti e ndershme u pasua edhe me interesa reciproke, duke u lidhur miqësisht me familje hebreje tregtare, sikurse ishte ajo e Jakov Solomonit, i cili edhe ky ishte një tregtar me banim në qytetin e Vlorës. Por për familjen hebreje të Jakov Solomonit, para pushtimit të Vlorës nga ushtria gjermane çdo gjë ishte normale, ata jetonin dhe merreshin me tregti të pastër. Njohja reciproke ndaj njëri tjetrit si njerëz punëtorë, të ndershëm e tregtarë bënë që lidhjet midis tyre të vinin duke u forcuar edhe familjarisht. Pushtimi gjerman i Vlorës bën që kjo familje të ishte përpara një rreziku të shfarosjes. Prandaj, i pari i kësaj familjeje, Jakovi, për t’i shpëtuar kësaj tragjedie ndaj popullit të hebrenjve, ku në Vlorë ishin disa familje, mendon si zgjidhje rrugën e shpëtimit të hebrenjve e disa miqve të vet më të afërt të kësaj familjeje, ku midis tyre ishte edhe babai im, Kasëm Koçeri. Pasi takohen në një mbrëmje në shtëpinë e tij, ai i kërkon babait tim, ta ndihmojë në këtë gjendje të vështirë ku ndodheshin përballë kanosjes së gjermanëve, ndërkohë që në qytetin e Vlorës ndodheshin trupat naziste. Të gjitha këto që them, janë të treguara nga babai im. Jakovi, miku hebrenj u tregon momentin e pjesëtarëve të familjes që donin të strehoheshin e të shpëtonin nga përndjekjet e nazistëve.

– Sot mund të duket si diçka e zakonshme. Por, në atë kohë, cilat ishin rreziqet që i kanoseshin edhe familjes suaj, nëse zbulohej nga nazistët, që ju strehonit hebrenj?

– Në ato kohëra lufte, rreziku ishte i madh dhe nga gjithkush. Shumë e dinin, i njihnin njerëzit, miqësitë, marrëdhëniet dhe fare lehtë mund të tregonin tek nazistët. Paskëtaj, rreziku i vdekjes ishte po kaq i madh edhe ndaj familjes që ndihmonin hebrenjtë, sa edhe për hebrenjtë. Babai im, edhe pse e kuptonte rrezikun ndaj familjes së tij, si familje labi, familje me tradita për Mikun, që kurrë nuk mund ta braktiste një mik, përpara çfarëdo rreziku, sepse me mikun ndaj edhe të mirë, por edhe rrezikun, e pranoi në sy të mikut të tij, Jakovit, që do t’i ndihmonte. Midis njerëzve që babai do të strehonte nga miqtë e tij hebrenj, Jakovi i kërkon babait që të marrë djalin dhe nusen e familjes së tij, Mojse e Zhaneta Solomoni,. Babai asokohe jetonte në Boshishtë. Na tregonte babai, i dhamë fjalën të zotit të shtëpisë, se nuk do të merrnin parasysh asnjë lloj rreziku, që mund t’u kanosej nga nazistët dhe ishin të vendosur, fjalë burri, që do të bënin gjithçka, që t’i shpëtonin dhe jeta e tyre ishte e barabartë me jetën e çdo pjesëtari të familjes së babait.

-Çfarë ju ka treguar babai juaj? Si u morën miqtë hebrenj nga qyteti i Vlorës, aso kohe i pushtuar nga nazistët për në strehën e familjes suaj?

– Të nesërmen e atij takimi, babai im, së bashku me një fshatar tjetër, njeri të tij, nisen me dy kuaj nga Bishishti dhe në mbrëmje, në këtë natë dimri, afrohen në afërsi të kodrave me ullinj, tek spitali i Vlorës. Aty, tregonte babai, lashë personin që më shoqëronte dhe, duke shfrytëzuar errësirën, nëpër rrugica shkova në shtëpinë e mikut tim, Jakov Solomonit. Nuk ndenja shumë, pasi u përshëndeta me të zotin e shtëpisë, së bashku me djalin dhe nusen e tij, pa marrë asgjë me vete, asnjë plaçkë trupi, asnjë rrobë dhe ushqim, u nisëm për të dalë jashtë qytetit, ku qyteti i Vlorës ruhej, patrullohej nga forca të shumta naziste dhe balliste. Duhej të mbërrinim në vendin që më priste njeriu dhe 2 kuajt e mi. Edhe veshjen, më tregonte babai, e kishim të rregullt, që të mos binim në sy. Megjithëse ishim të armatosur, për çdo të papritur, arritëm tek vendi, tek kodrat me ullinj të qytetit. I hipëm në kuaj, të dy miqtë tanë hebrenj dhe u nisëm në rrugën më të shkurtër për në Bishishtë, ne e dinim mirë rrugën, por pas 3 orësh rrugëtim në errësirën e asaj nate dimri, arritëm në vendin e strehimit. Ajo ishte një kasolle në një pyll, ku në afërsi jetonte edhe vetë babai. Kuptohet, kushtet e jetesës në këtë kasolle, nuk ishin si të një shtëpie të zakonshme, por edhe ata miqtë tanë hebrenj e kuptonin, prandaj nuk kishin asnjë pretendim. Po çfarë hanin dhe çfarë pinin, ishte kureshtja ime për babain. Babai më thoshte se ata jetonin njësoj si ne, si njerëzit tanë të familjes. Kjo bazë, ku strehonim miqtë tanë hebrenj ishte pjesë e banesave që kishte babai im.

– A ishte rrezik që ndonjë bashkëfshatar mund të spiunonte tek nazistët?

– Babai kishte miqësi me bashkëfshatarët. Kishte fituar edhe besimin e tyre. Në ato kohëra, besa është diçka që lidh njerëzit, familjet më shumë se çdo interes. Kujdeseshin për ata të gjithë, që asgjë të mos merrej vesh, të mos binte asgjë e dyshimtë në sy. Babai im kishte marrëdhënie shumë të mira edhe me banorët e tjerë të fshatit, prandaj asnjë nuk e shiste babain tim tek armiqtë. Pas disa ditësh, babai im arrin të takohet edhe me babain e djalit që mbante strehuar, me mikun e tij, i cili u jep disa rroba për djalin dhe nusen e djalit. Gjatë gjithë kohës së pushtimit nazist, asnjë nuk e mori vesh për miqtë hebrenj që mbante strehuar babai im.

– Çfarë ju ka mbetur e paharruar, nga tregimet e babait tuaj, për ato kohëra lufte?

– Besa, bujaria dhe trimëria e familjeve shqiptare në përgjithësi dhe asaj të familjes sime në veçanti. Sepse siç tregonte babai, unë kisha dhënë fjalën time dhe i kisha marrë parasysh edhe rreziqet, për veten time, por edhe për familjen time, sepse dihej që rreziku ishte i madh po zbuloheshin ku i strehoja miqtë hebrenj, pasi vendi ishte përherë nën mbikëqyrjen e nazistëve dhe ballistëve.

– Cili është detaji, episodi që la mbresa tek babai nga miqtë e tij hebrenj?

– Siç tregonte babai im, pas çlirimit të qytetit të Vlorës, mora masat për t’i çuar miqtë hebrenjtë në shtëpinë e tyre. Por, ajo që ia vlen të tregohet, – thoshte babai, – është dita që do t’i çoja miqtë e mi hebrenj në Vlorë, Zhaneta heq nga dora orën e saj, kuptohet, që ishte një orë e çmuar e asaj kohe, me vlerë të madhe financiare, dhe i thotë babait tim: – Urdhëro, ta fal, për gjithçka bëre për ne! Babai, i thotë njerëzishëm: – Dhurata ime më e madhe, që më bëni, është që ju do të shkoni shëndoshë e mirë në shtëpitë tuaja. Ne jemi miq dhe miqësia e pastër nuk ka çmim as vlerë monetare e materiale. Mbaje orën, që të kujtosh kohën e vështirë që jetove. Por edhe miqësinë tonë! Babai i çon miqtë në shtëpinë e tyre në Vlorë. Nuk mund të përshkruante lumturinë e miqve të tij, kur ata u bashkuan sërish. Por e shtrenjtë dhe mbresëlënëse është ende edhe dashuria, respekti mirënjohja e familjes Solomon për babain tim, që e shikonin si shpëtimtarin e familjes! Pas disa ditësh, që u qetësuan shpirtrat e njerëzve, Jakovi e fton babain për darkë në shtëpinë e tij.

-Miqësia juaj familjare me familjen e hebrenjve, pas lufte vazhdoi?

– Marrëdhëniet familjare midis familjeve tona u forcuan edhe pas çlirimit edhe më shumë. Ne familjarisht, kishim vizitë reciproke jo vetëm për sebepe e gëzime e hidhërime familjare, por edhe vizita të çastit, për mall, si i themi ne. Mojsia dhe Zhaneta ishin bërë për familjen tonë, pjesëtarë të familjes. Ata mësuan edhe dollitë e ritet tona labe, në gëzimet familjare, ku rakia, pija tradicionale e shqiptarëve pihej sipas dëshirës, por edhe me dolli, e shoqëruar me shijen e veçantë të mishit të pjekur në hell, që lebërit e pjekin më mirë se kushdo popull tjetër, apo gjelit të detit të pjekur me lezet në saç nga nëna ime. Mojsia dhe Zhaneta pas çlirimit punuan në tregti. Të gjitha kamishat dhe kapelet babai i çonte tek Zhaneta, e cila ishte një rrobaqepëse profesioniste. Ndërsa Mojsia shërbente në një dyqan me artikuj të ndryshëm në qendër të qytetit të Vlorës, ku ne shkonim dhe blinim çdo gjë që na duhej. Edhe unë, sa herë shkoja në shtëpitë e tyre, ndihesha si në familjen time. Kjo miqësi vazhdoi deri në ndryshimin e sistemit në Shqipëri.

-Kur iku nga Shqipëria për në Izrael, familja Solomon, që ndihmoi babai juaj gjatë LANÇ-it? A keni mbajtur më lidhje me këtë familje?

– Në fillim të viteve 1990, familja Solomon u largua për në Izrael. Por lidhjet familjare midis familjes tonë dhe familjes së Solomon nuk u harruan. Para disa vitesh, djali i tyre Sami Solomoi, i cili kishte ardhur në Shqipëri, erdhi edhe në familjen tonë për vizitë, ku rastësisht, u ndodha edhe unë dhe u takuam.

– Shteti i Izraelit a e ka njohur kontributin e familjes tuaj në ndihmë të hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore?

– Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Hebrejtë formuan edhe shtetin e tyre të ëndërruar, Izraelin. Babai im, u interesua edhe tek shteti i Izraelit, që të njihej kontributi i tij në mbrojtje të popullit hebrenj nga kërcënimi i shfarosjes naziste. Midis dokumentacioneve të ndryshme që duheshin, u bë edhe një letër që i drejtohej Institutit, i cili merrej me problemet e Historisë në Izrael, ku përshkruhej ndihma e dhënë në strehimin e dy hebrenjve, vendi, koha, rreziqet, që mund të kishte familja jonë, nëse diktoheshin nga nazistët. Kjo letër është bërë rreth vitit 1995 në kohën që babai im ishte 80 vjeç. Por ajo që unë dua të them, është se në fund të kësaj letre, babai është shprehur: “Megjithëse sot nuk i kam kushtet ekonomike, si në ato kohëra, që ndihmova duke strehuar dy hebrenjtë, por përsëri, nëse do të vijë puna, gjë të cilën unë nuk e dëshiroj për popullin hebre dhe për shtetin e Izraelit kurrë, unë dhe familja ime jemi sërish të gatshëm me zemër që t’u gjendemi pranë. Këto dokumente u vlerësuan nga Shteti i Izraelit, duke e nderuar babain me dekoratë, të cilin ia dha ambasadori i Izraelit në një ceremoni që u mbajt në Tiranë. Po kështu, edhe Presidenti i Shqipërisë e ka vlerësuar ndihmën e babait dhe të gjithë familjes sonë, për hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore në një ceremoni që u mbajt në Presidencën e Republikës së Shqipërisë në 24 Janar 2017, duke i dhënë dekoratën e lartë “Nder i Kombit” babait me motivacionin: “Në vlerësim të aktit heroik dhe të pashembullt njerëzor për shpëtimin e hebrenjve nga përndjekja naziste në Shqipëri, për rolin dhe kontributin e paçmuar në lartësimin e vlerave të rralla e tradicionale shqiptare të mikpritjes, bujarisë dhe Besës, si edhe për konsolidimin e harmonisë dhe bashkëjetesës shumëshekullore fetare të kombit tonë”.