Mustafa Asllani, zv/komandanti i batalionit “BABA ABAZ”, Brigada VI Sulmuese

Xhenet Sula

Mustafa Asllani ra heroikisht në betejën më të madhe kundër forcave gjermano- balliste të Mavrovës, në marsin e vitit 1944. U bënë plot 74 vite nga dita e vrasjes së dëshmorit të atdheut, zv/komandantit të batalionit “Baba Abaz” i Brigadës VI Sulmese, Mustafa Asllan Hyskaj, e asgjë s’harrohet nga ajo epope e lavdishme! Përkundrazi, populli më shumë i nderon dhe respekton këta bij e bija që luftuan kundër armiqve e derdhën gjakun për themelet e kësaj Republike. Njeri nga këta qe dhe Mustafa Asllani, i cili më 29 mars të vitit 1944 ra duke luftuar në betejën e përgjakshme kundër gjermano-ballistëve në Mavrovë. I edukuar e i brumosur me patriotizëm dhe atdhetari nga familja nga njëra anë dhe nga ana tjetër si bashkëpunëtor i ngushtë me heronjtë e popullit; Abaz Shehu, Mustafa Matohiti dhe Haki Toska, nën ndikimin e të cilëve u formua si një bir atdhetar dhe luftëtar i vendosur për kauzën, po edhe si urrejtës i pushtuesve nazi – fashistë, ky njeri nuk reshti kurrë, qoftë edhe një ditë të vetme pa propaganduar idetë revolucionare qysh nga ’36-ta e derisa dha jetën duke luftuar pranverën e vitit 1944. Ngritja e zërit ndaj padrejtesisë s’ishte veçse një detyrë njerëzore e këtij aktivisti që aso kohe i çirrte maskën, jo vetëm regjimit mjeran dhe prapambetjes shumëshekullore e skamjes, por edhe ndezi urrejtjen ndaj fashizmit, që sa vinte dhe depërtonte dhe kërcënonte në çdo qelize të vendit tonë, njëherazi edhe në popullsinë patriote të Lopësit. Moment me rëndësi në jetën e Mustafait ishte takimi dhe njohja me Abaz Shehun e Mustafa Matohitin. Më 1940 Mustafa Asllani emërohet sekretar i komunës Lopës, ku njihet me Abaz Shehun që ishte kryetar i Komunës Lopës. Ishte ideali që i lidhi dhe bëri miq të ngushtë dhe për katër vjet këta militantë nuk lanë shtëpi e derë pa shkelur, jo vetëm në gjashtë fshatrat e krahinës së Lopësit, por dhe në krahinat e tjera të rrethit Tepelenë, Mallakastër, Vlorë e Delvinë, duke punuar si agjitatorë të flaktë të luftës kundër okupatorit pushtues. Gjatë viteve ’37 dhe ’38 Mustafai përndiqet nga qeveria për ta arrestuar. Në prillin e vitit 1939 së bashku me popullin e kësaj krahine u mblodhën para xhandarmërisë në Sinanaj dhe me urrejtjen më të madhe për okupatorin kërkuan që t’iu jepnin armë për të luftuar kundër armikut. Me shembullin e tij dhe aftësitë prej atdhedashësi përgatiti dhe aktivizoi shumë njerëz në radhët partizane. Me krijimin e njësiteve guerile të krahinës së Lopësit, Mustafa Asllan Hyskaj zgjidhet kryetar i njësitit të fshatit Sinanaj, dhe me krijimin e çetës partizane “Selam Musai”, në 29 qershor 1942 Mustafai bëhet luftëtar i çetës. Në atë kohë shquhej për gojëtarinë dhe zgjuarsinë e tij si propagandues e përçues i direktivave që jepeshin ë nga Partia Komuniste. Në gushtin e vitit 1942 emërohet komandat i çetës territoriale, si dhe zgjidhet anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar të Lopësit. Më 30 mars 1944 batalioni “Baba Abaz”, që ishte i inkuadruar në këtë kohë në Brigadën VI Sulmuese, urdhërohet të marrë pjesë në sulmin mbi Mavrovë, ku ishin përqendruar; batalioni i tretë i Regjimentit 253 nazist dhe mbi 300 ballistë. Në këtë aksion çetës “Selam Musai” i qe ngarkuar detyra më e vështirë, ajo e sulmit të drejtpërdrejtë. Në këtë çetë shkoi zv/komandanti i batalionit Mustafa Asllani. Çeta sulmoi me bomba dore. Lufta qe e ashpër, e përgjakshme. Që në fillim të betejës Mustafai priu me shembullin e tij personal. Gjatë përpjekjes një britmë e fortë u dëgjua: “O burra përmbi ta!”. Këto ishin fjalët e fundit të Mustafa Asllan Hyskajt. Pranë tij ranë edhe Mitat Gjoliku, zv/komisari i batalionit nga Kuçi i Vlorës dhe komandanti i togës, Veiz Mane nga fshati Dhëmblan i Tepelenës etj. Plumbi armik së bashku me trupin e Mustafait shpoi përmes edhe librin mbi jetën e Stalinit, më vonë Enver Hoxha këtë libër ia dhuroi udhëheqësit sovjetik Stalinit si shënjë dashurie. Vitet largohen por vepra dhe heroizmi i Mustafa Asllanit për çlirimin e vendit do të jenë burim frymëzimi në shekuj.