Musa Ali Fratari, dëshmori i lirisë së njerëzimit në Luftën historike të Spanjës

2452
Sigal

Prof. Kastriot Bezati

“Ç’do të më sjellësh nga Spanja?”.

“Emrin”, – iu përgjigj Musa Ali Fratari  të vëllait, Kame Aliut, kur u largua nga Shqipëria.                                                                       

Kombin e lartësojnë heronjtë dhe, të mblidhesh e të nderosh  heronjtë, do të thotë të mblidhesh e të nderosh kombin. 19 nëntori i 1911-s dhe 29 shtatori i 1938-ës përcaktojnë hapësirën kohore të jetës së heroit Musa Fratari. Është e vërtetë se trupi i takon tokës, por është po kaq e vërtetë se edhe vepra i takon njerëzimit. “Rrojnë vetëm ata që luftojnë”, – ka thënë Viktor Hygoi. Musa Fratari që erdhi në jetë në Fratar të Shqipërisë u nda nga jeta në Ebro të Spanjës. Shileri ka thënë: “Lufta jeton me luftë”. Edhe jeta e Musa Fratarit ka qenë luftë që ka jetuar në luftë, luftë për të mposhtur të keqen e mbrojtur të mirën, luftë për progresin,  demokratizimin e lartësimin e Shqipërisë dhe luftë për lirinë e Spanjës. Dokumentacioni shkollor i Liceut të Korçës na jep tri data të ndryshme të lindjes së Musait: 19 nëntor 1911, 5 dhjetor 1910 dhe 12 shtator 1912.  Duke i dhënë parësi librit të parë të regjistrimit, i cili mban datën 27.08.1924 dhe, për më tepër, që vetëm në këtë dokument shkollor të Liceut si kujdestar i Musait na del apo shënohet i ati, Ali Fratari, ndërsa në dy librat e tjerë të mëvonshëm të regjistrit të shkollës, kujdestar cilësohet Xhafer Luarasi, konsiderojmë si datë të lindjes së Musa Fratarit, 19 nëntorin e vitit 1911. Musai, në vitet 1918 – 1922, kryen shkollën fillore në vendlindje, në Fratar të Dëshnicës, ndërsa më tej, në vitet 1922 – 1924, vazhdon e përfundon shkollën plotore në lagjen Shën-Kolli të qytetit të Përmetit, duke qëndruar për dy vjet rresht në një nga familjet me të cilën kishte miqësi Ali Fratari. Më 27 gusht 1924, kur nuk kishte as dy muaj që Shqipëria qeverisej nga Fan Noli, regjistrohet e fillon studimet në Liceun e Korçës. Mbasi kreu vitin e parë, më 6 nëntor 1925 regjistrohet në vitin e dytë dhe mbasi mbaron edhe këtë vit, më 16 tetor 1926 regjistrohet e vazhdon studimet në vitin e tretë të Liceut të Korçës. Më vonë, kur Shqipëria ka kaluar në mbretëri dhe qeverisej nga Ahmet Zogu, Musait i hiqet e drejta  e bursës, dhënë më 1927, madje nuk iu dha as gjysmë burse, të dhënë në fillim të shkollës, më 1924, ndaj Musai ndërpret studimet në Lice dhe, pas disa muajsh, më 1928, emërohet mësues në Pojan të Korçës, ku qëndroi vetëm 9 ditë, mbasi ditën e 10-të largohet dhe kërkon e përpiqet të vazhdojë studimet më tej në Shkollën Mbretërore Ushtarake të Tiranës. Musai, më 6 nëntor 1928, me shkresën Nr.8184/I të Komandës së Mbrojtjes Kombëtare, regjistrohet në Shkollën Mbretërore Ushtarake dhe, 17 ditë më vonë, më 23.11.1928, fillon mësimet në Klasën III të Shkollës Mbretërore Ushtarake në Tiranë,  duke qëndruar në  konviktin “Vaso Pasha”. Kalon  një klasë më lartë (Klasa V) mbasi jep provimet më 28.06.1929 dhe në klasën më të lartë,  të fundit, (Klasa VI) mbasi jep provimet më 30.06.1930. Në bazë të Urdhrit të  Komandës së Mbrojtjes Nr.21227/I të datës 13.12.1930 transferohet, si cilësohet në këtë urdhër, në Akademinë Ushtarake të Modenës në Itali. Si student, në Akademinë e Modenës, Musai, qëndroi vetëm disa muaj, lart- poshtë  4 muaj, mbasi më 25.04.1931 ai është në Tiranë dhe, po atë ditë, i drejtohet me letër Komandës së Gjindarmërisë në Tiranë  që atij t’i jepeshin dokumentet shkollore “mbasi, – si  shkruan në këtë kërkesë Musai, – do të shkojë për zgjerimin e studimeve  të mija në Francë”. Në këtë kërkesë, Musai, para se ta firmosë atë, në fund vë shënimin: “Ish student në Akademinë Ushtarake të Modenës”.  Musait, me Urdhrin Nr.2467 të datës 17.12.1932 të Ministrisë së Brendshme,  i ndalohet qëndrimi madje as nuk lejohet të shkojë qoftë edhe për pak ditë në Tiranë.

Po cilët janë ata faktorë që ndikuan në formimin atdhetar të Musa Fratarit?

Së pari, traditat dhe mjedisi jetësor i favorshëm atdhetar i familjes ku u lind dhe u rrit Musai si dhe traditat atdhetare e kulturore të Fratarit, Dëshnicës dhe gjithë viseve të trevës së Përmetit. Musai ishte fëmija i katërt ndër tetë fëmijët që kishin Aliu e Xhemilja, babai dhe nëna e Musait, të dy nga Fratari. Ishte më i vogël nga Kamia, Hysnia e Sulua dhe më i madh nga Fadili, Skënderi, Dituria e Tushia. Kohën dhe qëndrimet atdhetare të gjyshit, Kamës, Musai i mësoi nga i ati, Aliu, i cili edhe pse pa shkollë, por që ishte burrë që i peshonte fjala, i orientoi fëmijët nga shkolla, veçanërisht u kujdes në këtë drejtim për Musanë. Aliu ishte djali i vetëm i Kames dhe Dylikos, kishte vetëm një motër, Mihanën, ndërsa e shoqja, Xhemilja,  ishte vajza e Tahirit dhe Qamiles, të dy edhe këta nga Fratari. Ali Kame Fratari, në vitet 1906 – 1912, e ktheu shtëpinë në  jatak  të çetave patriotike dhe vetë u rreshtua si luftëtar i lirisë e luftoi në rradhët e këtyre çetave atdhetare për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Aliu, më 14 gusht 1912,  qëndroi në krye të luftëtarëve të lirisë dhe, së bashku me Spiro Bellkamenin, Nexhip Bënjën dhe Xhemal Malindin, hynë nga muret brenda në sarajin e Xhemal bej Goroshianit në qytetin e Përmetit, kapën të gjallë  kajmekamin turk dhe e nisën për në Janinë. Ishte ky një aksion i madh i luftës së çetave patriotike  të Mendu Zavalanit, Mehmet Pavarit, Spiro Bellkamenit e Nexhip Bënjes, që solli çlirimin  e qytetit të Përmetit nga pushtimi  i Turqisë, i cili  shënon njëherësh  edhe çlirimin nga ky pushtues shekullor të gjithë trevës së Përmetit. Aliu, në vitet 1912 – 1916, veçanërisht në vitin 1914, së bashku me luftëtarë të tjerë të organizuar në çeta, luftoi kundër bandave të andartëve dhe reparteve të ushtrisë së rregullt të Athinës, ndërsa në vitet 1916 – 1920, kundërshton pushtimin e vendit nga Italia dhe, më 1920, së bashku me patriotë të tjerë të organizuar nga Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare të Përmetit, lufton pushtuesit italianë në fillim në Tepelenë e pastaj në Vlorë, ndërsa 4 vite më vonë, merr pjesë në Lëvizjen e Qershorit të 1924-ës dhe mbështet Qeverinë e Fan Nolit. Ishte kjo rruga e Aliut në këtë kohë dhe në këtë rrugë ai i drejtoi edhe fëmijët, kërkoi të ecte në këtë rrugë si dhe eci edhe Musa Ali Fratari. “Çdo njeri ka diçka nga të gjithë njerëzit”, – thotë Lihtenbergu, ndërsa “Në shpirtin e çdo njeriu gjendet portreti në miniaturë i popullit të vet”, – thotë Frojtangu. Musai është pjesë e ndërgjegjes së shqiptarit. Ai qëndroi, mësoi, eci dhe lartësoi traditat atdhetare të lirisë së Fratarit, Dëshnicës, Përmetit e Shqipërisë. Vendlindja e Musait, Fratari, është një fshat i lashtë, i ngritur pranë dhe përreth vëndeve të quajtura Shpella e Hulerës, Shpella e Guçit, Shpella e Maxharit dhe Sheshi i Kalorësit, të gjitha këto vendbanime ilire , që ngrihen 800 m mbi nivelin e detit, rrëzë malit te Qarrishtës, të cilat i takojnë Shekullit III para lindjes së Krishtit dhe që kontaktojnë në vijë të drejtë hapësire me kalanë ilire të Këlcyrës, që mendohet të ketë qenë kryeqendra politike e ilirëve në trevën e Përmetit. Më 1431-32, sipas dokumenteve osmane (Suret-i Defterani-i Arvanid dhe Regjistrit të Përmetit dhe të Korçës), Fratari jepet me 103 shtëpi, në një kohë kur qyteti i Përmetit kishte 46 shtëpi. Ishte një nga dy fshatrat më të mëdhenj të trevës së Përmetit. Sipas këtyre defterëve mufasal që përpiluan turqit më 1431-32, Fratari  cilësohet fshat rebeli, popullsia e këtij fshati kundërshtoi me armë ashtu si dhe popullsia e dhjetëra fshatrave të tjerë të Përmetit vendosjen e regjimit feudal-ushtarak të Turqisë. Gjatë ecurisë historike, Fratari, Dëshnica, ashtu si dhe gjithë viset e Përmetit, kontribuan në fitoren e lirisë dhe të Pavarësisë së Atdheut.  Në vitin 1856 Fratari kishte 65 shtëpi, ndërsa në  vitet 1913-1914, nga pushtuesit  grekë, nga andartët e Gjiritit dhe ushtria e rregullt e Athinës,  u dogjën 32 shtëpi dhe u lanë pa strehë 125 banorë të  Fratarit. Lufta për jetesë, për ekzistencë, lufta për forcimin e shtetit dhe ruajtjen e hapësirës territoriale të këtij shteti, lufta me pushtuesit e Athinës në vitet 1912-1916 dhe me pushtuesit e Romës më 1916-1920, lufta për demokratizimin e jetës së vendit sidomos në vitet 1924-1939 dhe lufta kundër fashistëve italianë e nazistëve për çlirimin e Atdheut e ripohimin e Pavarësisë në vitet 1939-1944, përbëjnë jetën gjatë ecurisë historike të kësaj kohe të Fratarit, Dëshnicës  dhe trevës së Përmetit. Me këtë histori të popullit të para vitit 1939 u rrit dhe u brumos bota e brendshme  dhe u formua ndërgjegjja e Musa Ali Fratarit.

Së dyti, pajisja e Musait me arsim e kulturë të gjerë. Si cilësuam, Musai sapo përfundoi shkollën fillore në Fratar, vazhdoi mësimet në Plotoren e Përmetit, qysh në vitin e parë që ajo u hap, më 1922. Studioi pastaj në Liceun francez të Korçës dhe më tej në Shkollën Mbretërore Ushtarake të Tiranës, që ishin në planin arsimor e kulturor nga shkollat e mesme ndër më të mirat në mos më të mirat në Shqipëri. Jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë atdheut, Musai studioi edhe në Akademinë e Modenës, që  ishte një ndër akademitë më me emër në Itali.

Vijon nesër…