Murgu Nektar Terpo, shkrimet e tij të para në Manastirin e Ardenicës në fillimet e shekullit të XVIII-të

1141
Sigal

Jovan Bizhyti

Ishin vitet 1720-1731, kur murgu nga Voskopoja Nektar Terpo, mori përsipër një mision të rëndësishëm në mbrojtje të krishterimit në trevat shqiptare dhe kryesisht në Myzeqe. Ai ishte një personalitet i krishterimit, i shkolluar dhe tepër i ngritur intelektualisht, shkruan studiuesi shqiptar Kurilla. Jetën e tij e kaloi fillimisht në Voskopojë, në vendlindjen e tij dhe pas mbarimit të studimeve, u aktivizua në disa manastire, si ai i Skitit të Shën Anës, në Malin e Shenjtë të Greqisë, në Shën Prodhomin e Voskopojës, në Shën Naum dhe së fundi në Manastirin e Ardenicës në Myzeqe. Është folur dhe është shkruar pak për këtë murg misionar të mbrojtjes së krishterimit në trevat shqiptare disa dekada para murgut Kozma Etolli (Shën Kozmait). Nektar Terpo ishte misionar shqiptar, nuk u autorizua as nga Patriarkana e Kostandinopojës dhe as nga ndonjë Sulltan i Portës së Lartë për misionin e tij, por nisur thjeshtë nga besnikëria ndaj krishterimit dhe patriotizmit ndaj kombit të tij shqiptarë. Nga të dhënat historike, thuhet se murgu Nektar Terpo për mbrojtjen e krishterimit, u shqua kryesisht në trevat shqiptare nga Voskopoja në Manastir, në Shqipërinë e Mesme dhe në trevat perëndimore të Shqipërisë, në Myzeqe. Në gjithë veprimtarinë e tij, ai është vlerësuar nga historia si: “Voskopojari që u ndesh shumë herët me dhunën e konvertimit islam në trevat e Ballkanit Perëndimorë në fillimet e shekullit të XVIII-të”. Ai u angazhua në krye të kësaj qëndrese për të penguar përhapjen e mëtejshme të konvertimit islam të popullsisë së krishterë, duke sakrifikuar gjithçka në jetën e tij. Murgu Terpo u shqua si pararendës i misionit të Shën Kozma Etollit, që erdhi disa dekada më vonë.

Është për të ardhur keq, që kontributi i tij si misionar shqiptar që punoi e luftoi në trojet e tij, për popullin shqiptarë e atë vllah, për gjuhën shqipe dhe për krishterimin, nuk është vlerësuar, nuk është shkruar për jetën e tij dhe nuk i është dhënë vendi që meriton nga kisha e jonë ortodokse. Nëse për grekun Kozma Etolli, murgun e shenjtëruar shekuj më pas nga kisha greke si Shën Kozmai i Kolkondasit, për të cilin ka vite e dekada të tëra që shkruhet e flitet pro dhe kundra për misionin e tij në mbrojtje të krishterimit duke përfshirë dhe trojet shqiptare, për murgun Nektar Terpo, shqiptarin voskopojar që kontribuoi në këtë mision disa dekada më parë se Shën Kozmai, heshtet, figurën e tij e ka mbuluar një heshtje totale si nga Kisha e jonë Ortodokse dhe nga historia e krishterimit shqiptarë. Murgu shqiptar Terpo, që në hierotonin e tij u quajt dhe Hieremonak, jo vetëm është shquar si misionar në mbrojtje të krishterimit nga konvertimi islam në fillimet e shekullit të XVIII-të, por ai punoi e jetoi jo pak, por mbi 6 vjet në Myzeqe, e kryesisht në Shën Marinë e Ardenicës, duke lënë të shkruar dhe veprat e tij të para në gjuhën shqipe dhe shumë kontribute për ngritjen e ristrukturimin e kishave në Myzeqe dhe konkretisht në Manastirin e Ardenicës. Ishte periudha kur Perandoria Osmane e lodhur nga sundimi i gjatë në trevat e Ballkanit Perëndimor, zhvillonte në trojet shqiptare një dhunë të egër për konvertimin e popullsisë së krishterë në fenë islame. Kisha ortodokse në atë periudhë të rënies së Kostandinopojës bënte përpjekje për të mbijetuar, ku klerik të veçantë, besnik të krishterimit si Nektar Terpo e të tjerë, u vunë në krye të kësaj qëndrese, duke u ndeshur me dhunën e atij pushteti deri dhe në vetëmohim. Është ende mister viti i lindjes së tij. Dihet vetëm se ai ka shërbyer në disa qendra më në zë të besimit të krishterë të viseve shqiptare të Voskopojës, Ohrit, Elbasanit dhe në Myzeqe, në Manastirin e Ardenicës, ku kaloi një pjesë të mirë të jetës së tij. Shkollimi i tij është kryer në Institutin Flangian të Venedikut. Sipas të dhënave nga jeta e tij, thuhet se Hieremonaku voskopojar Nektar Terpo, pas shkollimit, u përgatit si klerik në manastiret e Malit të Shenjtë të Greqisë për misionin e mbrojtjes së krishterimit. Ai u shqua jo thjesht në cilësinë e tij murgërore, por në mënyrën e ushtrimit të aktivitetit hierepostullor, i cili konsistonte kryesisht në ndalimin e valës së islamizimit të krishterëve dhe inkurajimin e tyre në kushtet e një trysnie të gjithanshme. Igumeni Terpo është shquar për zellin e përkushtimin e tij në mbrojtje të krishterimit, duke predikuar tek besimtarët ortodoks shpresën, dashurinë dhe besnikërinë ndaj besimit të krishterë në trojet shqiptare. Nga arkivat dhe të dhënat e zbuluara, del se Nektar Terpo ishte një misionar dinamik, i cili përballoi me sukses si udhëtimet e gjata e të vështira nëpër viset shqiptare, por dhe keqtrajtimet e dhunshme nga ata që acaroheshin kur dëgjonin predikimet e tij të zjarrta për krishterimin. Për lindjen e tij janë dhënë versione të ndryshme, që mohojnë njëra-tjetrën. Një historian i njohur grek, me origjinë arvanitas, K. Vakalopulos që ka shkruar dhe një monografi për të, e lidh vitin e lindjes së tij me vitin e lindjes së shokut e moshatarit të tij, Johan Halqeun nga Voskopoja, që kanë pasur miqësi të ngushtë midis tyre. Halqeu ishte dhe ai hierodhaskal dhe njohës i mirë i greqishtes, italishtes dhe latinishtes, ku u shqua për një kohë dhe si drejtor i Institutit Flangian të Venedikut. Sipas historianit Vakalopulos, Nektar Terpo dhe Johan Halqeu kanë qenë moshatarë, shokë të ngushtë që në bankat e shkollës në Voskopojë. Johanit i dihet data e pagëzimit, 31 janar 1667 dhe për analogji edhe lindja e Terpos mund të vërtitet aty rreth viteve 1665-67. Formimi si klerik dhe aktiviteti i Nektar Terpos. Pas përfundimit të studimeve teologjike në Institutin Flangian të Venedikut, formimi i tij si klerik është bërë në manastirin e Skitit të Shën Anës në Malin e Shenjtë, Atos, të Greqisë. Sipas studiuesit shqiptar E. Kurilla thuhet se, pas kthimit nga Mali i Shenjtë, Naktar Terpo fillimisht u vendos për pak kohë në Manastirin e Shën Prodhomit të Voskopojës, pastaj në Manastirin e Shën Naumit, ku zhvilloi misionin e tij në ato treva dhe më pas për një kohë më të gjatë, për rreth 6 vjet, jetoi në Manastirin e Ardenicës të Myzeqesë, ku dha kontribut dhe në trevat për rreth. Në Shën Marinë e Ardenicës ai ka kryer një aktivitet të gjerë e të gjithanshëm. Midis të tjerave ka lënë të shkruar në shqip dhe një testament, apo lutje në formë afresku në vitin 1731, që ndodhet në kishën e Shën Marisë së këtij Manastiri. Kjo lutje është e shkruar në 4 gjuhë: latinisht, greqisht, vllahisht dhe shqip. Është shumë i rëndësishëm fakti, se ky tekst përmban shkrimin e parë të shqipes së shkruar në alfabetin grek:”Vigjin dhe mame e Perendis uro pren fajtorete”. Në fund të kësaj lutje, ndodhet dhe nënshkrimi i autorit, ”Hieremonah murgu Nektarit”. Ky igumen ka shkruar dhe një vepër me përmbajtje të fesë kristiane e titulluar, “Pistis” (Besimi), ku paraqit një nivel dijesh, kulturë filozofike në përgjithësi dhe teologjike në veçanti, që është për tu admiruar. Këtë vepër ai e shkroi në vitin 1731 dhe u ribotua në Venedik shumë vite më vonë. Mendohet që kjo vepër është ndër të parat vepra shqipe iluministe të shkëlqyera të shkruara deri në atë kohë. Në këtë libër midis të tjerave, ai shkruan dhe për një ngjarje që i ka ndodhur ditën e Krishtlindjeve të vitit 1724, ku kish shkuar për të predikuar misionin e tij në fshatin Dragot të Elbasanit. Në atë predikim, në kishën e fshatit ishin mbledhur vetëm gra, pasi shumë nga burrat ishin kthyer në myslimanë. Ai filloi të predikonte kundër konvertimit në fenë islame. Dy vëllezër subash të konvertuar në islam në atë fshat, pasi morën informatat e nevojshme, pas ceremonisë së kishës, shkuan në shtëpinë e priftit të fshatit ku kish bujtur murgu Nektari pas meshës dhe e dhunuan keq, sa që edhe në vitet kur ai shkroi librin “Besimi”, ankohej se krahu i majtë i dhembte ende dhe se nuk mundej të prehej në atë anë. Aktiviteti i tij në vitet e fundit ishte përqendruar për rreth 6 vjet në Manastirin e Ardenicës, në “Shën Marinë Freskuese”, siç shkruan ai në librin e tij. Emri “Ardenica”, vjen nga greqishtja e vjetër, “Ardhevusa”, që do të thotë, “Freskuese”. Në vitin 1731 ai largohet përfundimisht në Venedik. Dedikimin e veprës së tij ai ia ka kushtuar prehrit të shenjtëruar të Zonjës Hyjlindëse, të mbiquajtur, “Shën Maria e Ardenicës”. Në mbishkrimin lutësor të ikonës së Shën Marisë thuhet:“Nënë e virgjër Mbretëronjëse, ndihmoi shërbëtorët e tu”. Ku më tej shton,- “edhe Nektarin”. Rindërtimet në Manastirin e Ardenicës në kohën e Nektar Terpos. Kjo i përket periudhës së fillimeve të shekullit të XVIII-të. Në librin “Besimi” shkruhet se: ”Në kohën e tij u rindërtua rreth gjysma e këtij Manastiri. Në kohën e tij ky Manastir u bë dhe me toka, me pyje, me vreshta dhe ullishta, me Kryqe dhe Ungjij të art dhe enë e pajisje të tjera të shenjta”. Pra, siç shihet nga kujtimet, ai ka dhënë një kontribut shumë të madh për ndërtimin dhe ristrukturimin e këtij Manastiri, për misionin e tij në mbrojtje të krishterimit dhe për aktivitetin në shërbim të besimtarëve ortodoks të trevës së Myzeqesë. Kontributi i tij është ndier dhe në kishat e tjera të kësaj treve, veçanërisht në kishën e Shën Gjergjit të Libofshës, që ndodhet shumë pranë Manastirit të Ardenicës. Emri i Nektar Terpos ka mbetur në dokumentet e vjetra të kësaj kishe, ku thuhet se: ”Ai është vënë në krye të një komisioni me besimtarë vendas, ku u angazhuan për të mbledhur ndihma në popull për ndërtimin e kësaj kishe, që u realizua shumë vite më vonë”. Vështirësitë dhe kontradiktat e Terpos me klerin vendas. Jeta e tij në këtë Manastir nuk ishte e lehtë. Me gjithë punën e madhe e të pa lodhur që kreu në shërbim të këtij kulti të shenjtë, injoranca, varfëria shpirtërore dhe interesat e ngushta vetjake të klerit vendas, i krijuan atij mjaft probleme. Nektar Terpo në kujtimet e tij shkruan se: ”Në Manastirin e Ardenicës kam pasur disa kontradikta me klerik e murgj të manastirit”. Dhe më tej thekson se, “nxitësi kryesor i këtyre kontradiktave e mosmarrëveshjeve, ishte një farë Arseni, hieromonak dhe ai”, i cili ka të ngjarë që pas largimit ta ketë zëvendësuar për një farë kohe në detyrën e Igumenit. Hieremonaku Nektar Terpo nga Voskopoja, nuk i ktheu kurrë shpinën Shën Marisë së Ardenicës për hir të një manastiri tjetër. Në librin e tij ai shkruan: ”Është e vërtetë që u largova një ditë nga Shën Maria e Ardenicës, por me zemër të thyer, pa mundur të mbush kurrë vakuumin që më krijoi mungesa e Shën Marisë Freskuese (Ardenicës). Largimi prej Ardenicës, është shumë më tepër se largimi nga manastiri i im i dashur. Madje, është shumë më tepër dhe se largimi nga trojet e vendit tim. Nga ky largim, pengu më i madh i im është shkëputja përfundimtare nga Kisha Ortodokse Lindore e Kostandinopojës”. Kështu është shprehur ai me shumë dhimbje shpirtërore në librin e tij. Pasi iku nga Ardenica, ai u vendos në Venedik në gusht 1731. Para largimit, predikoi në fshatin Shpat të Elbasanit, si dhe në Grabovë, provincë kishtare e Belegradit (Beratit), ku u foli besimtarëve të kësaj krahine në të kremten e Shën Marisë, për rëndësinë e Pagëzimit dhe frytet e Shpirtit të Shenjtë. Siç vërtetohet nga mbishkrimi katër gjuhësh i afreskut të Shën Marisë së Manastirit të Ardenicës, i cili daton vitin 1731 dhe mban emrin e tij, tregon se ai deri në atë kohë vazhdonte të jetonte aty. Për gjithë këtë aktivitet e kontribut të tij, jo vetëm nuk flitet e nuk shkruhet për këtë personalitet, por në Manastirin e Shën Marisë së Ardenicës nuk ka as dhe një pllakë të shkruar me emrin dhe kontributin e çmuar të tij. Kujtimet e arkeologut francez, Leon Rey. Në fillimet e shekullit të XX-të, Manastirin e Ardenicës e ka vizituar një arkeolog francez, Leon Rey, i cili në librin e tij “Udhëtime nëpër Shqipëri”, ka shkruar edhe për veprimtarinë e murgut Nektar Terpo, për udhëtimet e tij në viset shqiptare, si dhe për aktivitetin e tij në kishat e Myzeqesë dhe veçanërisht në Manastirin e Ardenicës, ku ai e quan atë një misionar shqiptar i përkushtuar i besimit ortodoks në trevat shqiptare.