Muntaz Dhrami/ E vërteta e maskës së Enver Hoxhës dhe fotoja orgjinale

1121
Në ecejket e shumta të “Skulptorit të Popullit” Muntaz Dhrami në Pogradec gjatë sjelljes së bocetave që ai përgatiste për monumentet e Lasgush Poradecit dhe të Mitrush Kutelit kemi pasur mundësinë që të takoheshim me të. Disa herë Muntazi, gjatë kohës që pinim kafe buzë liqenit, na kishte filluar të tregonte për maskën e përgatitur të Enver Hoxhës pas vdekjes së tij, por bisedën na i kishin ndërperë persona të tjerë dhe Muntaz Dhrami nuk kishte dëshirë të fliste në prezencë të njerëzve të tjerë.
Një ditë më drejtohet: 
– A e di ti, o gazetar, se unë nuk bëj vetëm monumente, por sëbashku me dy kolegë të tjerë i kemi përgatitur Enver Hoxhës maskën e fytyrës dhe dorën e djathtë pas vdekjes së tij, në prillin e vitit 1985? Po po, theksoi Muntaz Dhrami, ja edhe Kutelit i ka bërë Petraq Kolevica një maskë…
– Tek ne, thekson Muntaz Dhrami, bërja e maskës ka qenë një kulturë relativisht e re. Bërja e maskës të një personi të rëndësishëm pas vdekjes ka qenë shumë e rëndësishme për të gjitha qytetërimet ku kultura e varrimit ka qënë e rëndësishme. Maskat antropomorfike kanë qenë të përdorura shpesh në ceremonitë që shoqëronin vdekjen dhe ikjen e shpirtit. Realisht maskat funerale bëheshin menjëherë sa vdiste ndonjë personalitet i shquar apo ndonjë udhëheqës.
– Një gjë, thotë Dhrami, nuk e di mirë, një gjë që a mund ta ketë lënë amanet Enver Hoxha apo ka qënë ndonjë ritual i sforcuar i njerëzve që rrethonin Enver Hoxhën? Por, thekson Muntaz Dhrami, askujt nuk i ka hyrë në punë kjo maskë, madje as artit.
Po si u realizua konkretisht maska e Enver Hoxhës?
Muntazi kujton se fill pas vdekjes kishin filluar homazhet dhe një ditë atë e ka thirrur me urgjencë Sulo Gradeci dhe i ka thënë: 
– Muntaz duhet që t’ia bësh shumë shpejt maskën shokut Enver. 
– Nuk ramë dakort për momentin, shton Muntazi, se aty ishte Nexhmija dhe na tha se i prishej lëkura gjatë kryerjes së procesit të marrjes së maskës. Por ne i thamë se që të realizohej maska duhej të kishim patjetër kontakt me të. Unë iu thashë se nuk prishej lëkura, ndërsa Nexhmija këmbëngulte.
Pas pak minutash na thërret Sulua dhe na thotë se maska do t’i bëhej patjetër shokut Enver…Por kaloi një javë që bëheshin homazhe, ndërkohë që trupi degradohej dhe fytyra po i humbiste karakteristikat. Më në fund erdhi çasti që në filluam që të marrim maskën e Enver Hoxhës. Për hir të së vërtetës, thotë Muntazi, format e fytyrës kishin ndryshuar. Hunda për shembull e kishte humbur profilin e vet dhe ishte jashtë karakterit. Megjithatë nën drejtimin tim sëbshku me dy mjeshtrat Agim Zelën dhe Dilaver Kamberin punuam me kujdes dhe ia morëm maskën. Për hir të së vërtetës unë isha në rolin e mbikqyrësit, thotë Muntazi, pasi Agimi dhe Dilaveri ishin mjeshtra të vërtetë dhe kishin bërë edhe maska të tjera më përpara. Kështu doli maska e Enverit nga dora e këtyre formatorëve prej allçie. Se ku iku kjo maskë që ne përgatitëm, nuk u interesova më tej. Por ajo maskë ashtu siç u mor nuk kishte vlerën e duhur dhe nuk mund të shfrytëzohej, qoftë edhe nga skulptorët. Atë maskë, thotë Muntazi, i pari që duhej ta kërkoja isha unë që do të bëja monumentin e Enverit, por nuk më hyri në punë pasi unë e kisha vizatuar për së gjalli Enverin.
– Ja shikoje këtë fotografi, Kjo është maska orgjinale e Enverit, e fotografuar pak çaste pasi e kisha përfunduar. Kjo është e vërteta e kësaj maske që është bërë që shumë zhurmë në shtyp, thotë mjeshtri i skulpturës. 
Kush është “Skulptori i Popullit” Muntaz Dhrami
Muntaz Dhrami lindi në Gjirokastër më 10 nëntor të vitit 1936. Shkollën -tetëvjecare dhe dy vjet të mesme i mbaroi në Gjirokastër. Në vitet 1953 – 1956 mbaroi Liceun Artistik “J. Misja”, ndërsa në vitet 1956 – 1957 punoi si modelist në Porcelan. Në vite 1957 – 1961 mbaroi studimet e larta për skulpturë në Akademinë e Artit në San-Peteburg (Rusi). Në 1961 mbrojti diplomën në Institutin e Lartë të Arteve (ILA) në Tiranë me grupin monumental “Çerçiz Topulli” e “Mihal Grameno”. Në vitet 1961 – 1976 punoi si pedagog dhe Dekan në Fakultetin e Arteve Figurativë në ILA në Tiranë. Në bashkëautorësi ka realizuar: Monumentin e Kristoforidhit në Elbasan (1962), Monumentin e Pavarësisë në Vlorë (1970), Monumentin e “Nënës Shqipëri” në Tiranë (1971), Reliefi monumental në ndërtesën e Kryeministrisë Tiranë, Monumenti i Drashovicës, Monumenti e Pezës, Obeliskun i Arsimit në Gjirokastër. Autor i shumë veprave personale, mes të cilave: Busti i Shkurte Pal Vatës në Lushnje, Busti i Liri Gegos në Galerinë e Arteve Tiranë, Portret i Rugovasit në Galerinë e Arteve Tiranë, Busti i Jani Vretos në Leskovik, Portret i nënë Terezës, Monumenti i Ali Pashë Tepelenës, Monumenti i Lasgush Poradecit, Monumenti i Mitrush Kutelit, etj. 
Muntaz Dhrami, është autor i disa ekspozitave individuale, mes të cilave: Ekspozitë me vizatime në Universitetin e Amanit –Jordani, «Parmi les hommes» në Palaltin e Kulturës Tiranë, «Pour une commémoration de l’Indépendance» në Muzeun Historik Kombëtar Tiranë, “Frymëzime nga Bethoven” Tiranë, «Motiva muzikore» në Qëndrën Ndërkombëtare të Kulturës, Tiranë, etj. Kompozimi «Puthja» (bronz) është ekspozuar në galerinë «Le Miroir des Maîtres», Gjenevë (Zvicër). Muntaz Dhrami laureat i çmimit të nderit në Bienalen e Aleksandrisë (1964) dhe laureat i disa çmimeve kombëtare në Shqipëri.
Bardhyl Berberi
Sigal