Muharrem Xhaferi: Si u krijua Balli Kombëtar në prill të 1939-s

1487
Sigal

Flet ish-Sekretari Organizativ dhe ish-Anëtari i Kryesisë së partisësë Ballit Kombëtar, Muharrem Xhaferi;

 

(Kjo intervistë shpreh qëndrimin dhe opinionin e të intervistuarit dhe jo opinionin dhe qëndrimin e redaksisë)

 

– Edhe vetë komunistët hedhin poshtë shpifjet e Enver Hoxhës, se Balli Kombëtar është krijuar më 1942

Si erdhi krijimi i Ballit Kombëtar Shqiptar në prill të 1939-s

 

Kur dalëngadalë u shua vala e demonstratave, u ngelej radha italianëve për të vepruar. Ata me lehtësi hodhën në dorë, gjithë administratën e vendit. Për të siguruar pushtimin pa telashe të vendit tonë, në fillim arrestuan krerët kryesorë të organizimit të qëndresës, të cilët u panë në krye të demonstruesve. Më vonë arrestuan edhe të tjerë të cilët paraqisnin rrezik për ta. Burgjet e Shqipërisë u mbushën me patriotë. Megjithëse të burgosur këta, paraqesin rrezik të madh për italianët, mbasi zëri i tyre do të dëgjohej edhe jashtë mureve të burgjeve. Për këto dhe arsye të tjera, italianët vendosën që të arrestuarit t’i internonin në Itali, ku do t’i kishin nën kontrollin e tyre të plotë. Në kushtet e një kontrolli të rreptë nga forca të shumta të xhandarmërisë, shoqëruan për në portin e Durrësit 400 bijtë më të mirë të Shqipërisë. I hipën nëpër anijet e ardhura nga Italia për këtë qëllim duke i nisur në kampet e përgatitur për ta, në ishujt e Italisë. Krerët e të internuarve i mbajtën në burgjet e tyre për ti pasur më mirë nën kontroll.

Nga kushtet e krijuara, patriotët shqiptarë e kuptonin se pa një organizim të mirë të masave popullore që kërkonin të luftonin pushtuesin, nuk mund të çliroheshin lehtë nga një ushtri e tillë. Mid’hat Frashëri me shumë patriotë të tjerë filluan organizimin hap pas hapi për drejtimin e aktivitetit kundër pushtuesit. Italianët dhe përkrahësit e tyre, këtë qëndresë të shqiptarëve e përmendën si “Fronti Nacional”, që në shqip do të thotë “Balli Kombëtar”. Kjo ishte organizatë që përfshinte, të gjithë patriotët nacionalistë, pavarësisht nga bindjet e tyre politike.

Kusht i vetëm për t’u pranuar ishte: Të pranojë programin e saj për të luftuar kundër okupatorit dhe për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Kjo u konkretizua në traktin e parë me tetë pika që u shpërnda nga këta patriotë në gjithë vendin. Pa asnjë interpretim dhe pa asnjë korrigjim, këtu poshtë po jap thirrjen e parë që lëshoi “Balli Kombëtar” më 1939. Kjo qarkulloi disa muaj pas pushtimit të Shqipërisë në 1939. Ky dokument pasqyron qëllimet e larta dhe dëshirat e pastra të organizatës “Balli Kombëtar”. Kjo thirrje e skalitur me dorën e Lumo Skëndos qëndron e mbërthyer mirë ndër zemra dhe frymëzon gjithnjë: …patriotizëm, liri, vëllazëri, përpjekje, besim, urti, dinjitet, përparim dhe mëson që të vihen interesat e Atdheut përmbi çdo parti, e çdo ideologji

Shqipëria e Shqiptarëve!

Vdekje tradhtarëve!

NACIONALIZMA SHQIPTARE

“Balli Kombëtar”

Në këtë kohë të sotme kaq me rëndësi të madhe, duhet që edhe shqiptarët të ndjejnë në ndërgjegje të thellë përgjegjësinë e tyre. Bota an` e mban` gjendet në flakë, ne nuk mundemi të rrimë indiferentë.

Nacionalizma Shqiptare ngre zanin dhe ky za duhet të tingullojë thellë në zemër të çdo shqiptari. Themi “të çdo shqiptari” se Nacionalizma e jonë nuk ashtë një parti. Nuk është një grup. Ashtë grumbulli i madh i të gjithë Kombit Shqiptar, asht lidhja e të tanë RACËS SHQIPTARE e krejt popullit qi flet gjuhën shqipe. Kjo racë, ky komb, ky popull e ndien veten vëlla dhe të pandar prej shoku – shokut. Dhe ka një të vetëm qëllim. Ky qëllim asht:

  1. Të ketë një Shqipni të lirë dhe indipendente.
  2. Të sigurojë një Shqipni të përparueme, të zgjuet, të zonjën për me jetuem, të nderuem e të vllazërueme.

3.Të ruej kufijtë e saj etnike, të mbështjellë në një ATDHE djelmt e saj.

  1. Të jenë gati djelmt e këtij Kombi për çdo sakrificë për të arritur qëllimin e përbashkët.
  2. Për të arritur këtë qëllim duhet gjithë shpresën t`a kemi me përpara ke vetja e jonë.Vehten t`onë do t`a shpëtojmë ne vetë, me sakrificat t`ona me përpjekjet t`onë, me vullnetin t’onë me dëshirën t`onë. Dhe Zoti na ka për t’na ndihmue.
  3. Nacionalizma Shqiptare dëshiron që me kombet dhe me shtetet fqinj (fqinje me kufi toke dhe me kufi deti) të ketë marrdhënje miqësore,të rrojë n`armoni me t`a. Kjo miqësi lypset të jetë e themelueme mbi respektin e të drejtave të të dy palëve.
  4. Nacionalizma Shqiptare nuk qëllon t’i bajë keq kërkuj por edhe don qi as kurrkush mos i bajë të keqe Kombit Shqiptar; don qi të mbrojë vetëvehten.
  5. Nacionalizma Shqiptare nuk ban asnji luftim ideologjik. Parimet e saj janë patriotike, dhe mundohet t`a shtrojë dhe t`a forcojë këtë patriotizmë. Nacionalizma Shqiptare i këshillon krejt popullit t`onë të lerë mbë nj`an ideollogjinat dhe të përpiqet vetëm për Shqipninë, rreth FLAMURIT TË SKËNDËRBEUT, me patriotizmë të pa tundur.

Ky asht qëllimi i shenjtë i Nacionalizmës Shqiptare. Ky është sot dhe ky ka me qenë edhe nesër, edhe gjithmonë. Kjo rrugë duhet ndjekur me entusiazmë e me energji; se për këtë kanë punue, janë mundue dhe kanë shkrime vehten e tyne ata që na kanë lanë amanet këtë tokë.

Për me ndjek këtë rrugë sot po japim besën Shqiptare

Shqipëri 1939

E shoh të udhës me këtë rast të sjellim edhe një dëshmi, nga një veteran i orëve të para të kësaj organizate, Xhemal Alimemeti, i cili midis të tjerave ka thënë: “… nga fundi shtatorit 1942 unë, Arif Peza, Rexhep Spahiu me në krye Halim Begën, në mbrëmje shkuam në një mbledhje nacionalistësh me shumë rëndësi. Mbledhja mbahesh në një shtëpi, pas postës te rruga e Pishës. Shtëpia ishte e një tiranasi që quhej Rexhep Bulku. Ai na hapi portën dhe na futi në një dhomë ku ishin më tepër se 20 burra. Disa prej tyre i njihja si: Ramazan Jarani, Kamber Qafmolla, Azis Çami, Skënder Muçua, Nexhat Peshkëpia, Halil Maçi, Halil Meniku, Et’hem Haxhiademi e shumë të tjerë…… Ramazan Jarani që kishte fjalën po shpjegonte me fakte, se Konferenca e Pezës ishte shkelur nga komunistët. Në Pezë,- po thoshte Ramazan Jarani,- ramë dakord të kishim një redaksi dhe një shtyp të përbashkët. Në redaksi bëja pjesë edhe unë me Halim Begën. Megjithëse hidheshin trakte dy tre net me radhë, unë e Halimi nuk dinim gjë për to. I bëmë për këtë gjë, disa vërejtje Enverit me letra, por nuk morëm përgjigje. Takimin e fundit me të e pata në shtëpinë e Manush dhe Nexhat Peshkopisë. Diskutimi qe i ashpër nga ana ime. M’u përgjigj se ishte ilegal dhe nuk mund të na gjente. Unë i thashë se ne jemi në shtëpitë tona dhe për shtypin mund të na lajmëronte me korier. …Pastaj u diskutua emri i organizatës. Këtu ndërhyri i ndjeri Fazlli Frashëri, i cili deklaroi se ne e kemi emrin që nga 7 Prilli 1939 dhe s‘kemi arsye ta ndërrojmë pastaj e tha më parë italisht “Fronte Nazionale”. Pra “Balli Kombëtar”. korrik 1993

ORGANET E SHTYPIT TË BALLIT KOMBËTARE NË KOHËN KUR SHQIPËRIA ISHTE E OKUPUAR

Nacionalistët tashmë të grupuar rreth “Ballit Kombëtar”, filluan të organizonin demonstrata nëpër qytete kundër italianëve. Po kështu nisën qëndresën me armë, në disa krahina të Shqipërisë. Në krye të kësaj organizate patriotike, u vu i biri Avdyl Bej Frashërit, një patriot i sprovuar për çështjen Shqiptare, Mid’hat Bej Frashëri. Në shumë qytete të vendit filloi dhe organizimi i shtypit për të propaganduar idetë e organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”. Kjo propagandë, nuk lë shteg për të hedhur mjegullnaja për kohën e krijimit të “Ballit Kombëtar”.

REVISTA “ZËRI I LIRISË”: (2)

E para gazetë për të gjitha forcat politike të asaj kohe, e dalë me datën 8 maj 1942 ( viti I Nr,1) është revista “Zëri i Lirisë” organ i Rinisë të Ballit Kombëtar, Shkodër. Në të parin artikull të saj, midis të tjerave thuhet: “Revista jonë do të përmbajë artikuj me përmbajtje thjesht kombëtare duke përjashtu shërbimin e çdo psikologjie tjetër…..sot Italia Fashiste është armiku ma kryesor dhe më aktual yni”. Balli kështu nxori të parin organ propagandistik antifashist në Shqipëri.

GAZETAT “LUFTA E ÇLIRIMIT KOMBËTAR” dhe “LUFTËTARI” (3)

Në Tiranë në shtatorin e vitit 1942 doli gazeta “Lufta e Çlirimit Kombëtar”, organ i Ballit Kombëtar, gazeta e kësaj organizate ishte edhe ajo me emrin “Luftëtari” dalë më 1943 në Berat. Nga shtypi i asaj kohe na vijnë të dhëna të tjera për kohën se kur është krijuar Balli Kombëtar.

Nga diplomati i shquar Lec Kurti, kryetar i Ballit Kombëtar për Shkodrën, me një artikull të titulluar “Bashkim”, botuar në revistën “Robni o Liri”në vjetin e II-të Nr. 1-2, Shkodër, me 20 mars 1944, thuhet: “Robnisë të 400 vjetëve i përgjigjet data 28 e vjeshtës së tretë, tradhëtisë të Esat Pashës i përgjigjet kallnori i 1920 me Kongresin e Lushnjës e me luftën e Vlonës Kreshnike; e sulmin e turpshëm grabitqar të 7 prillit 1939, ashtë dita e 31 gushtit të po atij viti që i përgjigjet me krijimin e organizatës të “Ballit Kombëtar”.

GAZETA “OSHTIMA E KORÇËS” (4) Edhe organi i “Ballit Kombëtar” për Korçën, “Oshtima e Korçës”, viti i parë i botimit Nr.1 mars 1944 jep datën 31 gusht 1939 për krijimin e Ballit për Korçën. GAZETA “MBROJTJA KOMBËTARE” Po kështu edhe gazeta organi i Ballit Kombëtar për Vlorën “Mbrojtja Kombëtare” në një artikull (“Patriotizma Vlonjate” me autor “Barcallai”, e diel 12 dhjetor 1943, viti i I-rë Nr,2, f.3.) shkruan: “Mw 25 gusht të

vitit 1939, në marreveshje me komitetin qëndror, që është formuar në Tiranë, u krijua një komitet qarkor këtu në Vlorë prej 5 personave të zgjedhur në formë demokratike. Pra siç del edhe nga dëshmitë e kohës se në Vlorë, Balli Kombëtar është krijuar më 25 gusht 1939, në Shkodër dhe në Korçë më 31 gusht 1939. Pra s’mbeten iluzione për krijimin e Ballit Kombëtar në prill të vitit 1939.

Por edhe vetë komunistët hedhin poshtë shpifjet e Enver Hoxhës se Balli Kombëtar është krijuar me 1942. Në pleniumin e 2-të të P.K.SH, në Berat një nga komunistët më me emër, Nako Spiru pohon se: “Dalja e Ballit Kombëtar ishte pjekur prej kohësh. Ai s’doli në dy minuta…”(Plasari- Malltezi, “Politik”, f. 115.) Një nga emisaret me rëndësi Vukmanoviç Tempo i dërguar nga Titua, në shkrimet e tij pohon se: “Balli Kombëtar” në Shqipëri është krijuar më 1939-n. (Munchen Zyrich, f. 402.) (6) Përveç të tjerash veprimet që nga krijimi tij e mbrapa nuk lënë asnjë hije dyshimi mbi krijimin e “Ballit Kombëtar” më 1939. Edhe veprimet nga italianët që mundësoheshin me çdo kusht për ta qetësuar popullin shqiptar, i cili po i nxirrte pengesa të herpas’herëshme, me aksione luftarake, tregon se shqiptarët ishin të organizuar kundër tyre. Atëhere kur Partia Komuniste nuk ishte krijuar kush i drejtonte këta luftëtarë?

Për këto arsye italianët organizuan disa herë të ashtuquajtura qeveri shqiptare, por pa ndonjë sukses. Kur u orvatën për të vendosur si kryeministër një nga figurat e njohura, Mustafa Krujën, ai për të fituar simpatinë e popullit u sugjeroi italianëve që ata të lironin të gjithë patriotët e internuar prej tyre. Kjo sipas Krujës, do të shpinte në qetësimin e gjendjes të vendit. Pas krijimit të qeverisë kuislinge të Mustafa Krujës të gjithë të internuarit e para dy vjetëve u lejuan të kthehen në Shqipëri. Nacionalistët shqiptarë me tu kthyer në atdhe, shkuan në vendet e lindjes të tyre. Aty u bashkuan me nacionalistët e tjerë për të vazhduar luftën kundër pushtuesit. Që nga kjo kohë luftimet e Ballit Kombëtar do të merrnin përmasa edhe më të mëdha.

***

Nesër do të lexoni

  • Në një letër të Tajar Zavalanit drejtuar Fan Nolit, thuhet se Hysni Lepenica po luan një rol gjithnjë e më të madh në Lëvizjen Antifashiste
  • Kolonel Franko Klementini u luftua nga luftëtarët nën komandën e Hysni Lepenicës që përbëheshin nga 1600 vetë fshatarë të zonës të armatosur me armë të lehta.

-Si e ndoqi Hysni Kapo këtë betejë