Muharrem Xhafa/ 70 vjet Republikë!

884
Më 11 janar 2016, mbushen 70 vjet që Shqipëria u shpall Republikë Popullore! E dalë fituese nga Lufta e dytë Botërore, Shqipëria organizoi për herë të parë në historinë e saj, më 2 dhjetor 1945, zgjedhjet e përgjithshme për Asamblenë Kushtetuese. Duke shprehur vullnetin e popullit sovran të sapo çliruar nga nazifashistët e të sapo hyrë në rrugën e ndërtimit të socializmit, Asambleja Kushtetuese e shpalli Shqipërinë Republikë Popullore, u zgjidh kështu edhe de jure çështja e formës së qeverisjes, iu dha fund monarkisë dhe u sanksionua ligjërisht një tjetër fitore e madhe e LANÇ të popullit shqiptar. Republika Popullore e Shqipërisë u bë emri i shtetit të ri demokratik shqiptar pas fitores së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ky emërtim u ruajt deri kur, me miratimin e Kushtetutës së re nga Kuvendi Popullor, më 28 dhjetor 1976, u ndryshua në Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Këtë ndryshim e kërkonin kushtet e reja ekonomike, politike e shoqërore që kalonte shoqëria shqiptare dhe sepse emërtimi i ri, Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë pasqyronte më saktë e më plotë përmbajtjen e shtetit socialist shqiptar dhe përparimin e madh që kishte bërë vendi ynë në vendosjen e ndërtimin e marrëdhënieve socialiste në prodhim gjatë 30 viteve, që nga miratimi i Kushtetutës së parë të Republikës Popullore të Shqipërisë, më 14 mars 1946. Brezi i ri i sotëm, po edhe të tjerë, që nuk i njohin ose i njohin të deformuara nga pushteti borgjez arritjet e së kaluarës socialiste të vendit tonë, pyesin se çfarë përfaqëson 11 janari, a ishte në vitet e pushtetit popullor festë zyrtare dhe përse nuk është sot e tillë, siç ndodh në vendet e zhvilluara, që e kanë të shenjtë festën e Republikës?! Sigurisht që 11 janari ishte Festa e Republikës së Shqipërisë dhe përbente njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare, e cila nderohej e respektohej nga populli, PPSH e shteti shqiptar, po edhe nga gjithë bota demokratike anembanë globit! Sot ndodh ndryshe: Shteti borgjez e partitë politike të borgjezisë e kanë mohuar dhe e kanë fshirë 11 janarin, ditën e shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë, ashtu siç kanë bërë edhe me ngjarjet e tjera të mëdha të LANÇ-it e të ndërtimit socialist. Përse kështu? Sepse, së pari, Republika Popullore e Shqipërisë i ka rrënjët e saj në LANÇ dhe u bë realitet menjëherë pas saj, në fillim të viteve të ndërtimit socialist. Së dyti, se ajo ishte Republikë e popullit, Popullore, jo e borgjezisë. Dhe e treta, se pushteti borgjez në Shqipëri është, në thelb, për Monarkinë! Një turp i madh për shtetin shqiptar! Dhe them se është një rast unikal në botë që, ndonëse thirret Republikë, u bënë 25 vjet, që Shqipëria nuk ka një ditë të saj! Po është edhe një paradoks i turpshëm: 11 janari nuk pranohet, sepse është dita, festa e Republikës Popullore të Shqipërisë! Po, ama, nuk është parë të flitet as për ndonjë datë tjetër të Republikës! Ndodh kështu se, në fakt, nuk kanë tjetër datë! Po s’është çudi që mund të jenë duke menduar për të gjetur ndonjë datë të republikës së Ahmet Zogut dhe kështu, për inat të Enver Hoxhës, të shpallin mbretin Zog edhe republikan?! Një gjë është e sigurt që populli e komunistët e njohin e do ta njohin 11 janarin, Ditë të Shpalljes së Republikës së Shqipërisë dhe do ta kujtojnë e do ta nderojnë si të tillë!
Që nga krijimi i shtetit shqiptar, më 28 nëntor 1912, Shqipëria ka provuar disa modele qeverisjeje 
Një historik i shkurtër i Institucionit të Presidentit të Republikës
Që nga krijimi i shtetit shqiptar, më 28 nëntor 1912, Shqipëria ka provuar disa modele qeverisjeje, përfshirë protektoratin ndërkombëtar, monarkinë, regjimin e partisë-shtet, si dhe republikën parlamentare. Gjatë kësaj periudhe funksioni i Presidentit të Republikës dhe i Kryetarit të Shtetit është ushtruar në forma të ndryshme. Më 1912 u krijua qeveria e parë me Ismail Qemalin në krye, e cila kishte edhe kompetencat e Kryetarit të Shtetit. Më 6 shkurt 1914 Konferenca e Ambasadorëve emëroi Princin Vilhelm Vid si Kryetar të Shtetit shqiptar. Në periudhën shtator 1914-janar 1920 Shqipëria u bë shesh lufte duke ndërruar disa qeveri, ku detyra e Kryetarit të Shtetit u mbulua nga qeveri-regjenca të ndryshme. Më 8 janar 1920, Kongresi i Lushnjës, zgjodhi Këshillin e Lartë prej 4 vetash, i cili do të kryente funksionet e Kryetarit të Shtetit duke rikthyer parlamentarizmin. Në vitin 1924 Fan Noli u zgjodh kryetar i qeverisë, duke ushtruar edhe funksionet e Kryetarit të Shtetit. Pas ndryshimeve të shpeshta në qeverisje, më 31 janar 1925 Asambleja Kombëtare miratoi formën republikane të regjimit dhe votoi Ahmet Zogun si President të Republikës. Më 1 shtator 1928 Shqipëria u shpall Monarki dhe Ahmet Zogu u shpall Mbret i Shqiptarëve. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia në prill 1939 dhe bashkimit të dy vendeve, Viktor Emanueli III u bë Mbret i Shqipërisë. Vitet 1943-‘44 nën pushtimin gjerman rikthejnë qeverisjet – regjenca. Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe çlirimi i Shqipërisë më 1944 u shoqërua me zgjedhjet e para parlamentare të dhjetorit vitit 1945 dhe me kalimin e funksionit të Kryetarit të Shtetit në organ kolegjial, si Presidium i Kuvendit Popullor. Në periudhën 11 janar 1946 –12 dhjetor 1990, gjatë të cilës Shqipëria përjetoi diktaturën komuniste, funksionet e Kryetarit të Shtetit u kryen nga Omer Nishani (10 janar 1946 – 1 gusht 1953), Haxhi Lleshi (1 gusht 1953 – 22 nëntor 1982) dhe Ramiz Alia (22 nëntor 1982 – 22 shkurt 1991). Më 22 shkurt 1991 u krijua Këshilli Presidencial i drejtuar nga Ramiz Alia, i cili i ushtroi funksionet deri më 30 prill 1991. Më 30 prill 1991 me zgjedhjen e Presidentit të parë të Republikës Parlamentare nga ana e një parlamenti shumëpartiak, krijohet Institucioni Kushtetues i Presidentit të Republikës.
Sigal