Muharrem Xhafa: 11 Janari 1946

-Zoti Xhafa, çfarë është 11 Janari 1946?  Në artikullin 1 të Statutit të Asamblesë Kushtetuese thuhet, se Shqipëria është Republikë Popullore dhe se pushteti buron nga populli.

-11 janari është Dita e Republikës Popullore të Shqipërisë, është emërtimi i shtetit të ri demokratik shqiptar pas fitores së LANC-it mbi pushtuesit nazifashistë e bashkëpunëtorët e tyre, është dita e vendosjes edhe me ligj e pushtetit popullor. Ky emërtim, Republika Popullore e Shqipërisë, u ruajt deri kur, më 28 dhjetor 1976, emërtimi i shtetit shqiptar u ndryshua me ligj në Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, ndryshim që nuk e preku fare formën e regjimit politik të vendit, po pasqyronte më saktë e më plote si përmbajtjen e shtetit shqiptar socialist, ashtu edhe përparimin e ndryshimet e gjithanshme që vendi ynë kishte bërë në tri dekada socializëm. Po kështu, 11 janari shënon dhe ditën e triumfit të popullit shqiptar mbi monarkinë, mbi zogistët, mbi ballistët dhe mbi bajraktarët. Në vitet e pushtetit popullor, 11 janari ishte ditë feste zyrtare dhe përkujtohej siç ajo e meritonte. Që prej vendosjes së kapitalizmit, festa e Republikës as festohet e as nderohet nga politika e shteti të borgjezisë. Po, jo vetëm kaq : 11 janari është hequr nga të gjitha objektet e institucionet e vendit, sepse Republika Popullore e Shqipërisë është një fitore historike dhe një ngjarje e madhe e shquar, që i ka rrënjët e saj në LANÇ dhe u bë realitet pas çlirimit të vendit, në socializëm. Pushteti borgjez në Shqipëri, në thelb, është pozicionuar kundër Republikës për Monarkinë, tjetër se hidhet ndonjë tullumbace për Republikën, kur ia do puna. Për këtë tregojnë gjithë ato nderime e temenara, që i janë bërë Ahmet Zogut dhe regjimit të tij? Ne do të uronim që, të mos ndodhe më kështu, tani që në pushtet është PS-ja me aleatët e saj të ngushtë. Përse nuk nderohet e përkujtohet 11 janari 1946 kjo dihet. Po është "e habitshme" që, në këto 26 vjet kapitalizëm, nuk kemi dëgjuar të flitet as për ndonjë ditë tjetër të Republikës së Shqipërisë nga shteti shqiptar?! Pa dyshim, edhe kjo merret me mend. Sepse nuk ka se për çfarë republike të flitet, veçse për republikën e Ahmet Zogut, e cila i shërbeu atij për nja 3 vjet si urë kalimi për në Monarki! Nëse Shqipëria është Republikë, kjo duhet të ketë një ditë të saj. Nëse thjeshtë ti shqiptar pranon si ditë të Republikës ditën e Republikës së shpallur nga monarku Ahmet Zogu, edhe kjo i duhet thënë popullit? Për shqiptaret, 11 janari 1946 është Dita e Shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë, është Dita e Republikës, e sanksionuar qartë në Nenin 1 të Statutit të Asamblesë Kushtetuese në të cilin thuhet se Shqipëria është Republikë Popullore dhe se pushteti buron nga populli.

-A bie në kundërshtim ky parim i pushtetit popullor me faktin, që ne ishim shtet mbretëror dhe a ishte e drejtë shpërbërja e mbretërisë?

-Jo, aspak! Ky parim i pushtetit popullor nuk bie në kundërshtim me faktin që vendi ynë edhe gjatë LANÇ-it ishte monarki, shtet mbretëror! Enver Hoxha dhe PKSH, ndonëse hodhën themelet dhe ndërtuan një pushtet të ri popullor, që gjatë Luftës, duke filluar nga 8 Nëntori 1941 e me radhë në Pezë, në Labinot, në Përmet, në Berat, deri më 29 Nëntor 1944, nuk e ndryshuan formën monarkike të regjimit. Për interesat e LANÇ, ata i premtuan popullit se forma e regjimit shtetëror, monarki a republikë, do të zgjidhej pas fitores së Luftës mbi pushtuesit e huaj. Dhe kështu u be. Kjo nuk u zgjidh me ndonjë urdhër apo në mënyrë subjektive, voluntariste, po u zgjidh në bazë të vullnetit të popullit, me votën e tij, me zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945, që ishin demokratike e të lira, të përgjithshme, të drejtpërdrejta, të barabarta e të fshehta. Në zgjedhjet e 2 Dhjetorit, të parat zgjedhje në gjithë vendin e me të gjitha tiparet demokratike, morën pjesë rreth 90 përqind e votuesve dhe votuan për kandidatët e Frontit Demokratik  93 përqind. Përforcoj se më 11 Janar 1946 Asambleja Kushtetuese, i pari organ i lartë përfaqësues i popullit pas Çlirimit të vendit, i formuar me zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, duke shprehur vullnetin e popullit, e shpalli njëzëri Shqipërinë Republikë Popullore dhe krijoi qeverinë e re me shokun Enver Hoxha në krye. Kështu u zgjidh përfundimisht de jure çështja e formës së qeverisjes dhe u sanksionua ligjërisht një fitore e madhe e LANÇ, vendosja e pushtetit popullor. Asambleja Kushtetuese miratoi përfundimisht më 14 mars 1946  Statutin (Kushtetutën) e Republikës Popullore të Shqipërisë, projekti i së cilës ishte diskutuar më parë në masat e popullit. Me miratimin e Statutit, Asambleja Kushtetuese e përfundoi detyrën e vet dhe vendosi të kthehej në Kuvend Popullor. Me pranimin e Kushtetutës u përkrye procesi i organizimit politik të shtetit të demokracisë popullore si shtet i diktaturës së proletariatit. Për të gjitha këto ishte krejt e drejtë shpërndarja e mbretërisë si formë e qeverisjes së vendit. Pas fitores së LANÇ-it dhe futjes së Shqipërisë në rrugën e socializmit, monarkia nuk mund të ekzistonte e të vepronte më tej. Është vendi për të theksuar se LANC-i kundër pushtuesve italianë e gjermane dhe kundër tradhtarëve të vendit, që vazhdoi më se pesë vjet e gjysmë, është lufta më burrërore e më ngadhënjimtare që kanë bërë shqiptarët gjatë historisë së tyre. Më 29 Nëntor 1944, me çlirimin e plotë të atdheut dhe me triumfin e pushtetit popullor, Në Shqipëri mori fund sundimi fashist, populli shqiptar fitoi pavarësinë e plotë kombëtare, u përmbys sundimi politik i çifligareve dhe i borgjezisë.

-A mendoni se edhe Enver Hoxha veproi njëlloj si Ahmet Zogu, në mënyrë të njëanshme dhe a mundet ta quajmë dhënien e pushtetit popullit dhe shpërndarjen e tokave si një veprim antikushtetues nga Hoxha?

-Aspak, asnjë krahasim nuk mund të bëhet mes Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhës. Se Ahmet Zogu erdhi në pushtet me puç, i mbështetur nga forcat serbe të Pashiçit, kundrejt dhënies këtij si shpërblim të pjesëve të truallit të vendit, ndërsa Enver Hoxha erdhi në pushtet në krye te LANÇ-it, i mbështetur në popullin e në Ushtrinë Nacionalçlirimtare. Enveri, ndryshe nga Zogu, erdhi në krye të vendit, të Partisë, të ushtrisë e të shtetit përmes zgjedhjeve, në rrugë kolegjiale e aspak në mënyrë të njëanshme. Ai s'e shpalli veten as mbret, as sundimtar! Dhënien e pushtetit popullit dhe shpërndarjen e tokave popullit, atyre që ishin të zhveshur nga pushteti e nga pronësia mbi tokën, ishte një veprim krejt i ligjshëm, aspak antikushtetues! LANC-i me Enver Hoxhën në krye solli popullin në pushtet, duke përmbysur pushtetin e borgjezisë e të çifligarëve, ia dha në dore fatet e vendit popullit me pushtetin e tij popullor, ndryshe nga Zogu që kishte bërë krejt të kundërtën! Është absurditet të vlerësohet e të thuhet se marrja e tokave çifligarëve e latifondistëve dhe dhënia masave popullore të fshatit, atyre që nuk kishin tokë, përbën një veprim antidemokratik, antikushtetues; e kundërta është antidemokratike, antikushtetuese! Kjo që po ndodh sot është antidemokratike, kundër-popullore, proborgjeze!

-Në nenin 5 të Statutit të Asamblesë Kushtetuese thuhet, se sekuestrohen apo kalojnë në pronësi të shtetit ujërat, minierat, prodhimet e nëntokës, radiostacionet, komunikacioni ajror, pyjet, kullotat. Si e komentoni këtë akt, kur sot qeveritë këtë pasuri kombëtare ua kanë dhënë të huajve dhe njerëzve të tyre me konçension? –

Këtu duhen thënë dy gjëra : Së pari, sekuestrimi ose kalimi në pronësi të shtetit në përputhje me Statutin e Asamblesë Kombëtare i pasurive kombëtare dhe i sektorëve strategjikë të ekonomisë e të vendit në socializëm, ka qenë një veprim shumë i drejtë i ndërmarrë dhe i zbatuar nga pushteti popullor. Njerëzit duhet të dinë se pasuritë kombëtare e sektorët strategjikë të vendit i përkasin gjithë popullit, jo disave! Se për to, për çdo ndryshim, duhet të pyetet populli, ashtu si edhe populli vetë duhet të ndjejë, të mbajë përgjegjësi e të kërkojë llogari. Së dyti, dhënia sot nga qeveritë e borgjezisë e këtyre pasurive kombëtare të huajve e njerëzve të vet me konçension e në forma të tjera korruptive, përbën një shkelje kriminale, një dhunim të së drejtës natyrore të popullit, një nëpërkëmbje të vullnetit të masave popullore! Shqipëria borgjeze mund të jetë modeli më shkatërrues në botë i sektorëve strategjikë të ekonomisë, modeli më shkatërrues në botë i dhënies me konçension të pronës së shtetit, të popullit. Populli nuk duhet të heshtë para këtyre veprimeve kriminale të borgjezisë e të shtetit të saj. Për të reaguar ka shumë forma, njëra prej të cilave është ndëshkimi i rreptë i borgjezisë dhe i shtetit të saj me anë të votës. Ka shtete të vjetra kapitaliste të fuqishme që edhe sot e kësaj dite i kanë mbajtur në pronësi të vet sektorët strategjikë të ekonomisë ose kanë gjetur forma të ndryshme për të mos hequr dorë prej tyre. Kurse shteti shqiptar antipopullor ka nxituar t'ua shesë e t'ua japë të huajve e njerëzve të vet badihava, për një euro!

 

-Gjithashtu Asambleja Kushtetuese garantonte besimin e fesë me kusht që ajo të mos përzihej me politikë. A mund të na thoni pse u mbyllën institucionet fetare dhe me që jemi këtu a mendoni se një pjesë e klerikëve janë dënuar dhe pushkatuar padrejtësisht, ndërkohë që sot një pjesë e bashkëpunëtorëve të nazizmit janë dekoruar. A ju duken të drejta këto dy momente?

-Kjo është një pyetje që kërkon një analizë me vete, por po them shkurt tri gjëra :

Së pari, Kushtetuta e 1946 u garantonte qytetarëve lirinë e besimit dhe sanksiononte se feja ishte e ndarë nga shteti dhe shkolla, dhe se ajo nuk duhej të përzihej në politikë. Kjo është zbatuar, mund të themi, mjaft mirë! Shteti ka respektuar çfarë ishte vendosur në Kushtetutë, po edhe feja, institucionet e saj, përjashtuar veprimtarinë armiqësore, ka mbajtur vendin e vet.

Së dyti, mbyllja e institucioneve fetare ishte një kërkesë e bazës, e frymëzuar nga shumë faktorë, që, për hir të së vërtetës, i dha një hov të madh përpara emancipimit të shoqërisë shqiptare, gruas e rinisë në veçanti, sidomos në fushën e luftës kundër zakoneve prapanike, ku feja i kishte futur keq hundët! Pa përjashtuar ndonjë teprim a veprim voluntarist, dënimi me gjyq i klerikëve është bërë në bazë të ligjit.

Së treti, kjo që po ndodh sot, d m th rehabilitimi e dekorimi i tyre nga Presidenti i Republikës, është një veprim i dënueshëm, antishqiptar, profashist, se shumë klerikë kanë qenë në shërbim hapur të agjenturave të huaja. S'po ndalem në çështjen e fesë sot, por vë në dukje se besimet fetare, fetë e ndryshme, përmasat e veprimtaria e tyre, nuk kanë asgjë shqiptare dhe jo larg në kohe fetë në vendin tonë do ta shfaqin publikisht rolin përçarës e antikombëtar. Shteti i borgjezisë u ka lënë terren për të vepruar, i përdor për qëllimet e tij dhe nuk zbaton ligjet si shtet laik, i ndarë nga feja!

 -Flitet gjithashtu ,se liria e fjalës është e garantuar. A mund të na thoni pse u dënuan politikisht për agjitacion dhe propagandë një pjesë e mirë e shqiptarëve deri në vitet 1990?

-Në socializëm liria e fjalës ka qenë e garantuar dhe qytetari kishte të gjitha mundësitë për ta shprehur e për ta vënë në jetë. Po, kishte disa gjëra për të cilat qytetari nuk mund të shprehej, por ato ishin të përcaktuara me ligj dhe duheshin respektuar. Kush nuk i ka zbatuar edhe është ndëshkuar e dënuar në bazë të ligjit e me vendim gjykate. Sot i fryhet fort këtij problemi, me qëllim që të spostohet vëmendja nga varfëria, uria, kriminaliteti, shitja e atdheut, korrupsioni, trafiqet, gjakmarrja, analfabetizmi etj

-Thuhej, që gjykatat gjykojnë në bazë të ligjit, por vendimet jepeshin në emër të popullit. A mund të krahasojmë gjykatat e atëhershme popullore me gjykatat e sotme ligjore ?

-Sigurisht që gjykatat në vitet e pushtetit popullor gjykonin në bazë te ligjit dhe vendimet jepeshin në emër të popullit, po këtu nuk ka asnjë kontradiktë, asnjë mospërputhje. Midis të tjerave kjo ndodhte edhe sepse në atë kohë gjyqtarët zgjidheshin nga populli drejtpërdrejtë! Pra, gjykatat zgjidheshin nga populli, jo si sot, që popullin nuk e pyet kush! Po kështu edhe ligjet atëherë ishin ligje të popullit! Asnjë krahasim nuk mund të vihet midis gjykatave të sotme të korruptuara, thuaj ti sa të duash ligjore, me gjykatat e socializmit, shaj ti sa të duash popullore. Unë nuk mund të them se s'ka pasur asnjë vendim të padrejtë ose asnjë gjyqtar që s'ka gabuar në vendimet e dhëna, por atëherë bëhej drejtësi dhe gjykatat kontrolloheshin nga populli që i zgjidhte.

- Si e shpjegoni parimin e atëhershëm " Përpara Ligjit të gjithë janë të barabartë" . A ishin vërtetë të barabartë ?

 -Atëherë njerëzit si i thjeshti, punëtori, fshatari, nëpunësi e ministri ishin të barabartë para ligjit dhe në praktikën e zbatimit të tij. Unë nuk marr përsipër të them se asnjëherë e nga askush s'është bërë ndonjë ndërhyrje, por them me garanci se kurrkush nuk guxonte të bënte presion e të ndërhynte në punët e gjykatave.

 -Po sot a ka vend ky parim në shtetin e së drejtës dhe një mendim tuajin për reformën në drejtësi dhe pse shkelet hapur kushtetuta vetëm, se këtë e kërkojnë dy ambasadorë Donald Lu dhe Vlautin ?

-Sot nuk vepron shteti i së drejtës, sepse në fuqi është shteti i borgjezisë, vepron shteti i saj, pra shteti i kundërt me të drejtën! Si mund të thuhet që vepron shteti i së drejtës, kur jo vetëm shkelet Kushtetuta siç thoni ju, por ajo as përfillet! Ke parë ti të dënohet sot në shtetin e së drejtës borgjeze ministri, deputeti a një tjetër drejtues kriminel, hajdut, trafikant etj? Mbase mund të bëhet ndonjë përmirësim me reformën në drejtësi, po qe se kjo arrihet, por nuk duhet harruar se borgjezia nuk ia fut vetes! A nuk ke vënë re që gjyqtarët e të tjerë, po të deklarojnë pasuritë e të kërkojnë dorëheqjen, atyre kapitalet nuk u preken! Çështje e thellë kjo, veç kjo do të jetë reforma e padrejtësisë nëse kriminelëve në pushtet e në biznes nuk do t'u konfiskohet pasuria me ligj!

Është folur që në Shqipëri një klan i fuqishëm prej 15 vjetësh ka investuar në politikë dhe e ka zaptuar politikën dhe ekonominë. Ai është klani Soros me shkolla, specializime dhe investime politike. Cili është mendimi juaj uzurpimin e pushtetit nga këto qarqe ?

-Unë nuk e njoh veprimtarinë e Sorosit, po mund të them se vendin tonë e drejtojnë prej 25 vjetësh klane të ndryshme të borgjezisë shqiptare e ndërkombëtare, klane të opozitës e të mazhorancës të lidhur fort midis tyre, që, për t'i zbritur nga pushteti e për të shkatërruar veprimtarinë e tyre, nuk mjafton një revolucion!