Mr.sc Besim DERVISHI/ Asgjë nuk harrohet!

1031
Sigal

Në memorie të 100 -vjetorit të masakrave greke në zonën Skrapar-Berat!

 Këtë vit u mbushen plot 100 vjet nga masakrat e bandave greke në jugun e Shqipërisë. Këto masakra patën si pikësynim zbatimin në terren të platformës famëkeqe “Megali Idhea”, projektuar nga Jani Koleti në vitin 1844. Kjo platformë në sinkron me platformën tjetër antishqiptare, “Nacertania” të ideuar nga Ilia Gracanini të po këtij viti, synonte zhdukjen përfundimtare të kombit shqiptarë (shih “Çështja Shqiptare”, R. Qosja. Prishtinë 1994). Për realizimin e kësaj platforme djallëzore, në shërbim të shovinistëve grekë u vunë dhe disa shqipfolës si: Kristaq Zografo nga Qesarati i Gjirokastrës. Në zonat e Jugut të Shqipërisë nuk do të harrohen kurrë masakrat si ajo e Kosinës në Përmet, Hormovës në Tepelenë, Panaritit në Korçë, Borshit në Sarandë. Bandat shoviniste, të cilët hynë nga Greqia, bënë dhe shumë masakra dhe reprezalje në zonën Skrapar- Berat. Ngjarjet e kobshme të 1914 na vijnë përmes tregimeve të autorit Kosta Papa Tomorri, i cili i ka parë me sytë e tij disa nga masakrat e lartpërmendura. Ja si shkruan ai midis të tjerave në librin e tij me titull “Barbarit Greke Në Shqipëri”, botuar në USA 1917:

“…Andartët bënë përgatitje për ofensivën kundër Këlcyrës dhe Çepanit, e cila nisi ditën e Hënë, 29 maj, 1914. Plani i ofensivës u bë kësisoj: Fjorgakaqi, Jorgollaqi, Qiro Vaso, në Mican do t’i binin Backës. Kapedan Farmaqi në Malind do t’i binte Koprenckës. Sotir Bubuna në Sevran, do t’i binte Qafës së Rogut. Kapedan Niko Aristidhi dhe trupat e Kocifaqit në Qarishtë, do t’i binin Muzhakës. Në ofensivë do të merrnin pjesë dhe Kapedan Psaroj, Papa Jani, Kapedan Zerva, Kapedan Kollovoj, trupat e Karaxhajt me gjithë topa. Ofensiva zuri në orën 2 në mëngjes në Qarishtë. Dyfeku u ndez në të tërë vijën, topi nga Brezhdani po bombardonte pa pushim Këlcyrën, topi nga Micani po bombardonte Backën (shih fq. 66).
Në pyllin e Qarishtës u përleshën trup më trup andartët dhe shqiptarët, ku u vranë 4 andartë dhe 4 u plagosën. Shqiptarët u tërhoqën pas disa orë luftimesh të përgjakshme kjo falë epërsisë numerike të armikut dhe armëve të rënda, të cilat zotëronte. Atëherë, andartët hynë në Backë, duke i vënë zjarrin gjithë fshatit, më vonë hynë në Çorovodë, duke e djegur dhe atë. Trupat gjakatare andarte, të cilat ishin në Sevran, hynë në fshatin Rog duke e djegur dhe atë plotësisht, pasi dogjën Rogun barbarët dogjën edhe fshatrat Muzhake dhe Çepan. Trupat andarte të Qarrishtës dogjën në shenjë hakmarrje ndaj rezistencës së armatosur të skraparllinjve fshatin Prishtë (shih fq.67). Bandat e shovinistëve greke hynë dhe në fshatrat Turbohovë, pasi masakruan 7-8 pleq dhe fëmijë, të cilët nuk kishin mundur dot të largoheshin, andartët dogjën gati të gjithë fshatin, masakra dhe djegie pati dhe në Vlushë si dhe në fshatin Gjerbes. Plaçka që zunë andartët në këto fshatra nuk kishte të numëruar. 300 barrë me kuaj dhe karroca i dërguan në Janinë. Me mijëra krerë gjedh të gjallë shkuan në Greqi. Në Backë u therën 30 gra dhe foshnje, të cilët nuk arritën të shkonin në Zhepovë. 15 gra me djep në krahë i zunë dhe i therën me gjithë foshnjat që kishin. Shqiptarët u demoralizuan se nga një anë kishin andartët kurse nga ana tjetër bandat esadiste, të cilat zunë Beratin. Shumë banorë të zonës së Skraparit shkuan “muhaxhirë” në Berat dhe rrethinat e tij, por dhe atje mundoheshin nga bandat esadiste, shumë nga këta persona vdiqën nga mosushqyerja dhe kushtet e këqija, por ata që mbijetuan vendosën që të ktheheshin. Mbi 400 fëmijë u kthyen në Skrapar, të cilët ranë në pabesinë e andartëve (shih fq.67-68). Autori tregon një episod:” Një grek i quajtur Koqino nga Lefkadha e Greqisë me tre shokë të tjerë u nis nga Çepani dhe vajti në fshatin Rehovicë, pasi hëngrën dhe pinë, lidhen të gjithë burrat e fshatit, morën dy mushka që i kishin pëlqyer. Rrëmbyen një vajzë të re nga fshati, të cilën e morën me vete dhe u nisën për në Çepan. Kur u afruan afër Çepanit qëndruan pak të pushonin. Këtu vendosën ti lëshonin burrat që kishin marrë se meqenëse ishin afër Çepanit nuk kishte ndonjë rrezik. Burrat si u lëshuan nuk vajtën në fshatin e tyre, por vajtën në një fshat tjetër për të kërkuar ndihmë. Burrat e atij fshati nuk pritën gjatë, por rrëmbyen dyfekët dhe u nisën në drejtim të Çepanit për t’u zënë pritë andartëve, të cilët kishin marrë vajzën e re. Gjakësorët si përdhunuan vajzën që kishin marrë me vete, e lëshuan atë, por sa u afruan afër një përroje ju erdhën bataretë breshëri nga gjithë banorët e zonës. Të gjithë kriminelët ngelën të vdekur në vend, përveçse njërit që i plagosur mundi të futej në pyllin aty pranë (shih fq.68). Në fshatin Rog, ishte një banorë që quhej Rakip, ai kishte një vajzë 12 vjeçe. Një ditë vajtën disa andartë për të dëfryer me vajzën e vogël. Rakipi vuri ulërimën, por andartët të frikësuar e therën atë së bashku me vajzën 12 vjeçe dhe gjithë fëmijët e tjerë (shih fq.69).
Beteja heroike e “Qafës së Vëndreshës”.
Andartët e trupave të Zervës shkuan në fshatin Vëndreshë dhe zunë 7 burra dhe një djalë. Shkaku i tyre qe se gjoja kishin parë shqiptarët të hynin në Vëndreshë. Pasi i lidhën të gjithë i dërguan në Qafën e Vëndreshës  dhe atje i therën në mënyrën më makabre dhe më çnjerëzore, të gjithë me radhë. Kur i erdhi radha djalit, ai qëndroi sypatrembur dhe tha: Doni ore barbarë duke therur shqiptarët ti shuani, por edhe një shqiptar të mbetet nuk do ju lejë të qetë. Rroftë Mbreti i Shqipërisë!
Pa mbaruar këtë fjalë, duart e katilëve i ranë me thika, kama dhe bajoneta në zverk dhe gjithë trupin, djali u shtri përdhe dhe i gjakosur vdiq me fjalët “Rroftë Mbreti”. Shqiptarët, të cilët ishin shpërndarë, me të mësuar këtë ngjarje, u mblodhën të gjithë në fshatin Vëndreshë dhe vendosën të bënin një ofensivë kundër bandave andarte. Ditën e martë ora 12:00, shqiptarët sulmuan vendin e quajtur “Qafa e Vëndreshës”, e cila mbrohej prej 300 andartësh. Çetat shqiptare që morën pjesë në këtë betejë ishin: Çeta e Sulejman Spatharës nga fshati Spatharë i Skraparit, çeta e Tajar Vëndreshës nga fshati Vëndreshë si dhe shumë banorë nga fshatrat Therepelë dhe Valë, të cilët udhëhiqeshin nga patrioti Riza Vala. Lufta nisi e rreptë nga të dyja palët, por shqiptarët luftuan heroikisht kundër andartëve grekë. Flitet se të dy palët pas disa orë luftimesh të përgjakshme lanë mënjan armët e zjarrit dhe u përleshën trup më trup me thika, hanxhar dhe bajoneta. Andartët duke mos patur asnjë rrugë shpëtimi vendosën të linin “Qafën e Vëndreshës”. Çetat patriotike shqiptare i ndoqën deri në vendin e quajtur “Qafa e Kajcës”, duke ju shkaktuar dëme të mëdha si në njerëz dhe material. Kur mori veshë Komandanti i grekëve në Përmet për ofensivën e shqiptarëve, u tërbua dhe u nis në drejtim të Këlcyrës me një ushtri të madhe të pajisur me topa duke e bombarduar “Qafën e Kajcës”. Andartët në shenjë hakmarrje për humbjen që pësuan nga çetat patriotike në Vëndreshë u hakmorën barbarisht , të gjithë fëmijët e këtyre fshatrave që zunë në pyll, i therën. Ata në shenjë hakmarrje shkuan deri në Ujin e Zi dhe dogjën të gjithë fshatrat që qenë rreth e rrotull. 180 fëmijë therën andartët në Lumin e Skraparit(shih fq. 71). Makabritete e gjaksorëve nuk kishin kufij. Këta kriminelë pasi u thyen në Vëndreshë nga çeta e Sulejman Spatharës u nisën në drejtim të fshatit Spatharë dhe dogjën lagjen Odobash, Kushovalli dhe gati komplet fshatin. Banorët ishin larguar më parë në drejtim të Beratit. Të vetmin njeri që gjetën në fshat ishte një grua plakë e sëmurë, të cilët andartët e shkuan në hell dhe e poqën për së gjalli.
Forcat andarte nuk lanë pa djegur dhe shkatërruar dhe objektet e kulteve në zonën e Skraparit dhe më gjerë. Autori F. W. Hasluck në librin “Chrstianity And Islam Under The Sultans”, Vol II (1929), raporton për qindra objekte kulti të shkatërruar, djegur, plaçkitur apo dëmtuar. Të gjitha të besimit “Bektashi”(shih fq. 539). Shkaku i këtij persekutimi ishte se, Teqetë bektashiane në këtë zonë ishin vatra të patriotizmit shqiptarë.
Beteja legjendare e “Qafës së Martës”
Konsiderohet si më e madhja dhe më historikja. Ajo u zhvillua në qershor të vitit 1914. Prof. Skënder Luarasi e ka quajtur me të drejt dhe “Beteja e Termopileve”, ashtu si 300 spartanë nën udhëheqjen e mbretit Leonidhas, luftuan heroikisht kundër ushtrisë Perse, ashtu dhe 150 skraparllinj dhe kolonjarë, nën udhëheqjen e komandantëve legjendar Lace Backa dhe Sali Butka pas luftimesh të përgjakshme që zgjatën disa ditë gozhduan mbi 500 forca kriminale andartësh, duke ju shkaktuar humbje të mëdha. Kjo betejë ishte dhe një fitore strategjike sepse andartët greke, të cilët hynë nga Marjani i Korçës, kishin si pikësynim pushtimin e qytetit të Beratit dhe atëherë mundet të quhej gati e realizuar ëndrra e tyre gati shekullore e “Megali Idesë”.
Në ndihmë të Lace Backës vajti Sali Butka, i cili si fillim shkoi dhe u këshillua me “beun e Melovës” dhe vendosën të mblidheshin në Turbohovë, në atë që u quajt “Kuvendi i Burrave” të gjithë zonës. Në këtë Kuvend morën pjesë banorët e Tomorricës, Gjerbesit, Grevës, Melovës, Gremshit, Kuçit e tjerë. Kuvendi u mbajt në shtëpinë e Fetah Ymer Koxhabellitu. 58 luftëtarë të lirisë u regjistruan menjëherë në çetën e Sali Butkës, e cila u nis pa humbur kohë në drejtim të “Qafës së Martës” me qëllim që t’i shkonte në ndihmë çetës së Lace Backës, e cila po luftonte heroikisht atje. Në këtë betejë morën pjesë dhe Çeta e Servet Zaloshnjës, Çeta e Abedin Kuçit dhe Çeta e Muco Kapinovën.
Në vitin 1913 treva e zonës Tozhan- Terpan u pushtua nga andartët grekë. Ata përshkruan itinerarin Përmet- Skrapar në drejtim të Tendës së Qypit, Qafa e Shkozës, Tozhar, Malinat, Berat. Ata kudo që kaluan bënë masakra të mëdha, sidomos tek banorët e besimit mysliman. Pleqtë tregonin për krime monstruoze sa kur shikon gra shtatzënë u çanin barkun me bajonetë dhe u nxirrnin fëmijën jashtë. Por populli i kësaj treve nuk ndenji duarkryq. Sipas të dhënave një ndër luftëtarët, i cili ka marrë pjesë në luftime kundër andartëve ishte Mane Shehu nga Corrogjafi. Banorët e zonës ju bënë grekëve shumë kurthe dhe prita, duke ju shkaktuar humbje të mëdha. Pak nga këta mbërritën në kufi, por i lanë kockat maleve të Temanit, Terrovës,Tozharit, Paraspuarit, Grykës së Ujit të Zi, Qafës së Shkozës. Sipas Veteranit Qemal Hyseni banorët e Terrovës të organizuar nga trimat Sulo Terrova dhe Zaim Terrova i goditën grekët në vendin e quajtur “Qafa e Terrovës”, ku u vranë disa grekë. Nga banorët u vra Dervish Cenollari. Robërit grekë, të cilët u kapën ju bë gjyqi dhe i ekzekutoi të gjithë trimi Ali Nuredini duke i hedhur në greminën e Terrovës.

Vrasja e Kostë Becorit. Si u vra krimineli më i madh i andartëve grekë në fshatin Vërzhezhë?
Qeveria greke kishte liruar dhe shumë kriminelë nga burgjet e Greqisë si burgu i Kretës, të cilët pasi i kishte armatosur i kishte hedhur në Shqipëri me të vetmin qëllim për të bërë terror. Një nga këta ishte dhe kryekrimineli Kosta Becori. Ky katil qëndroi në Mican së bashku me trupat e tij. Ky dinak zuri miqësi me shqiptarët dhe ju zotohej që të vinin te vendi i tij, ku rrinte se nuk do të pësonin asgjë. Një ditë shqiptarët i bënë një gosti në Koprenckë, ku e ftuan. Ky shkoi së bashku me disa shokë të tij. U prit mirë prej shqiptarëve aq sa shkëmbeu dhe dyfekun me një shqiptar. Si mbaroi gostia, i ftoi dhe ky shqiptarët për një gosti, të cilët i dhanë fjalën se do të shkonin. Por ky nuk kishte ndërmend që t’i gostiste shqiptarët, por t’i vriste në pabesi. Ky katil kishte ndërmend që shqiptarët pasi të vinin për të ngrënë gostinë t’i vriste të gjithë. Ky plan i vajti në veshë komandantit grek Papa Gjeorgjiut, i cili e ndaloi të bënte këtë veprim. Një ditë tjetër vajti në fshatin Vërzhezhë, ku u prit prej banorëve të fshatit, hëngrën dhe pinë me tërë të mirat. Por Kosta kishte si qëllim të merrte vajzën e të zotit të shtëpisë. I ati i vajzës ja kuptoi planin dhe lajmëroi shokët e fshatit me kujdes, duke dërguar djalin e tij të vogël. Kur u ngritën për të ikur, ky kriminel u shkeli syrin shokëve, si shenjë që ata të rrëmbenin vajzën, por më parë doli te dera për të parë nëse kishte njeri. Sapo doli te dera u ekzekutua me një plumb në ballë nga banorët e fshatit Vërzhezhë, të cilët kishin rrethuar shtëpinë. Becori ra, por si një ka dhe thirri: “me efagan I alvani” (më vranë shqiptarët). Pasi vranë dhe shokët e tij banorët ua shtypën kokën me gurë dhe i hodhën në një gropë. Ky qe dhe fundi i Kosta Becorit, kriminelit të lëshuar nga burgjet greke me qëllim për të bërë masakra ndaj popullsisë së pambrojtur shqiptare (shih K.Papa fq. 58-59).

Sot në 100 -vjetorin e masakrave greke në Shqipëri, por dhe në trevën e Skraparit dhe Beratit. Shpirtrat e qindra shqiptarëve të vrarë barbarisht nga bandat shoviniste greke kërkojnë drejtësi. Thonë se përgjatë Grykës së Osumit, Grykës së Ujit të ZI, Qafës së Martës, Qafës së Vëndreshës, akoma dëgjohen britmat e grave dhe vajzave të përdhunuara, të vrara e torturuara nga këta gjakësorë. Thonë se në Vëndreshë, Spatharë, Çepan, Prishtë, Muzhak, Rog, Backë, Turbohovë, Gjerbes,Sirakë,Vlushë e tjerë, akoma dëgjohen ulërimat e qindra e qindra foshnjave të vogla të masakruar me bajoneta dhe hanxharë nga gjakësorët e pabesë. Thonë se në këto gryka, shkrepa dhe male akoma ndihet era e barutit dhe shtëpive të djegura. Këto britma dhe ulërima kërkojnë drejtësi, por dhe qetësi. Asgjë nuk është bërë për qetësimin e shpirtrave të tyre, ka 100 vjet nga këto masakra për ironi të fatit asnjë memorial, asnjë lapidar, asnjë pllakat. Vallë, kjo është e qëllimshme?! Politikanë të të gjitha ngjyrave dalin në këto anë vetëm në kohë fushate më qëllimin e vetëm për të marrë vota, ndërsa harrojnë të ngrenë një memorial për viktimat e masakrave të 1914-s, harrojnë të bëjnë një përkujtimore për ta, harrojnë të vendosin një buqetë me lule në lapidarin e Lace Backës në Qafë të Martës. Zotërinj dhe nëse harroni ju, ne nipërit dhe mbesat e luftëtarëve të 1914-s nuk harrojmë.

Mr.Sc. BESIM DERVISHI, Michigan, Detroit, USA

BURIMET E PËRDORURA

1. Kosta Papa Tomori (1917) “Barbaritë greke në Shqipëri” Massachusetts, SHBA
2. Prof. Dr. Adem Salillari (2004) “Treva e Tërpanit” Berat Shqipëri
3. Haxhi Çemerica, Ilir Buzali (1984) “Riza Kodheli” Tiranë, Shqipëri.
4. F.W. Hascluk (1929) “Cristianity and islam under the sultans” Oxford SHBA
5. Kontribuan me të dhëna A. Guri, Z. Gode, B. Hysi dhe Nj. Dervishi…