MOMENTET MË TË RËNDËSISHME NË HISTORINË E SHKOLLËS

154
Ju lumtë, keni bërë detyrën si skënderbegas e si ushtarakë të Shqipërisë!
“Skënderbegasit ndër vite…” monument i pavdekshëm i autorëve Boriçi e Fejzulla . Vlerësimi fund e krye në këtë libër i LANÇ, i partizanëve trima, nga ai më i thjeshti e deri tek Komandanti i Luftës . Tri momentet më të rëndësishme në historinë e shkollës “Skënderbej”.
Falënderim nga autorët e librit, Kujtim Boriçi & Maksim Fejzulla
Përgatitja e pjesë së tretë të librit “Skënderbegasit ndër vite…”, përveçse një punë voluminoze në arkiva, kërkoi dhe kontakte të shumta me ish-drejtues të kësaj shkolle, protagonistë të ngjarjeve të kohës, brenda e jashtë Shqipërisë. Në këtë ndërmarrje të vështirë, me synimin e përgatitjes sa më dinjitoz të materialeve, u angazhuan një grup i madh kolegësh dhe bashkëpunëtorësh. Kështu, falënderojmë kontribuesit Arben Duka, Rustem Peçi, Ilir Kulla, Pirro Lutaj, Arta Raveli, Thoma

Konduri, Zyhdi Kroj, Dhanil Raveli, Tomorr Lamçe, Bardhyl Hoxha, Agim Bedini, Torez Çiraku, Anastas Gurma, Ferit Fixha, Sali Frangu, Muharrem Dardha, Shpend Topollaj, Kadri Dauti, Përparim Celibashi, Adem Ajdini, Kujtim Drizari, Avenir Kalaja, Suzana Jahollari, Dr. Luan Nikollari, Kudret Salija, Ylli Themeli, Maliq Kullolli, Gjergj Çela, Agim Gjini, Zabit Çuku etj… Pa ndihmën e tyre, nuk mund të kishim arritur në përgatitjen e këtij libri që kemi në duar. Njëkohësisht, shpresojmë që edhe në pjesën e katërt të librit, ky bashkëpunim të vazhdojë. Një falënderim i veçantë dhe për drejtuesit e gazetës Telegraf, zotërinjtë Agim Çiraku dhe Ëngjëll Musai për vlerësimin dhe hapësirën që i kanë kushtuar vëllimeve të librit “Skëndërbegasit ndër vite…”!
“Skënderbegasit ndër vite…”, një libër monument kujtese dhe krenarie

Rustem Peçi*
Një libër i plotë në disa vëllime që sjellë dokumente origjinale të kohës dhe dëshmi të brezave të bashkëkohësve, një monument kujtese dhe krenarie për historinë e shkollës ushtarake “Skënderbej”, një nga shkollat më elitare në Ballkan e më gjerë për kohën, një dokument me vlerë për historianë e lexues të thjeshtë, një gurë i fuqishëm mbijetese e lavdie që bën krenar jo vetëm 36 mijë skënderbegas që mësuan e u përgatitën në këtë vatër, familjet e tyre, por edhe dhjetëra mijë ushtarakë të tjerë që si idealistë e atdhetarë, ruajtën e ruajnë të shenjtë betimin për flamur e atdheun! Kështu do ta përmblidhja në pak fjalë esencën e librit disa volume, “Skënderbegasit ndër vite…”, të dy ish-skënderbegasve, studentëve të mi, Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla.
Ky që kemi në duar, është volumi i tretë i këtij libri që do të pasohet dhe me të tjerë në vazhdim. Për mendimin tim, ky volum, në të njëjtën linjë si dhe dy të parët, në kompozicion e ndërthurje (dokumente-dëshmi-kujtime), ku reflektohet përgjegjësia dhe profesionalizmi, është i kompletuar e sjellë për lexuesin materiale interesante dhe me vlera të shumta në të mirë të historisë së kësaj shkolle e të historisë së ushtrisë shqiptare në dekada. Nuk është rastësi fakti që në hyrje të librit, radha është për kadetët e parë që u ulën në bankat e shkollës, duke ardhur nga formacionet partizane më 25 mars 1945, ditën që kjo shkollë u çel. Flitet me dokumente për këtë fakt, por flasin dhe vetë ata djelmosha dikur të rinj që nuk pranonin të ndaheshin nga pushka, por flinin bashkë me ‘të, ndonëse nuk ishin më përballë pushtuesve e tradhtarëve vendas në frontin e luftës, por në bankat e shkollës për t’u bërë oficerët e parë të pasluftës të ushtrisë që po ngrihej mbi bazën e njësive partizane. Janë këta 300 kadetë të parë, djem e vajza, që në vitet e dekadat në vazhdim, u pasuan me qindra e mijëra të tjerë, që u bënë kuadro të aftë të ushtrisë shqiptare, e cila përmbushi me sukses të plotë misionin e saj fisnik, qenien në gatishmëri të përhershme dhe mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Pikërisht, vlerësimi fund e krye në këtë libër i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, i partizanëve trima, nga ai më i thjeshti e deri tek Komandanti i Luftës, na bën ne veteranëve e brezin pasardhës të tyre krenarë për historinë tonë e lavdishme. E për këtë, si kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës, unë personalisht dua ti falënderoj autorët për këtë libër. Por dua tu them vetëm se: Ju lumtë, keni bërë detyrën si skënderbegas e si ushtarakë të Shqipërisë!
*Rustem Peçi, ish-skënderbegas i viteve 1946-1952, është një nga kuadrot madhorë të Shqipërisë, ku krahas të tjerave, ka qenë për 11 vite rresht edhe komandant i Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë. Aktualisht është kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës. Jetëshkrimi i plotë i Rustem Peçit është përfshirë në volumin e parë të librit “Skënderbegasit ndër vite…”.
Poezia nga Arben Duka


Skënderbegasit ndër vite…”, monument i pavdekshëm i autorëve Boriçi e Fejzulla
Jemi skënderbegas
Tani jemi bërë,
Gjyshër-baballarë,
Po s’harrojmë kurrë,
Strehëzën e parë.
Strehëzën e parë,
Shkollën “Skënderbej”,
Ky emër-si gjaku,
Na rrjedh nëpër dej.
Atdheu-të vegjël,
Na kishte filiza,
Po ai na rriti,
Na bëri lisa.
Dhe na bëri lisa,
Në pyll’ të Lirisë,
Dhe ishim të gjithë,
Djemtë e vegjëlisë.
Djemtë e vegjëlisë,
Punëtorë e fshatarë,
Gati për beteja,
Në vijën e parë.
Plot me ideale,
Dhe me ëndërrime,
Aty more udhë,
Moj rinia ime.
Frymëzim të shenjtë,
Kishim Skënderbeun,
Në sy e në zemër,
Mbanim gjithë Atdheun.
Mbanim fushat-malet,
E gjithë Shqipërisë,
Prag i asaj shkolle,
Si pragu i shtëpisë.
Ai na përkundi,
Në djep dashurie,
Emri “Skëndebegas!”,
Emër krenarie!
Për jetë të gdhendur,
E kemi në ballë,
Jemi skënderbegas,
Sa të jemi gjallë.
Po dhe kur të sosim,
Këtu rrugëtimet,
Kur ne të mos jemi,
Do të jenë kujtimet!
Tri momentet më të rëndësishme në historinë e shkollës “Skënderbej”
Në historikun zyrtar të funksionimit të Shkollës së Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” dhe në kujtesën e bashkëkohësve, drejtuesve të saj gjatë kësaj periudhe, vërehen dhe disa momente kritike që lidhen me fatin e saj. Referuar sa më sipër, ndër momentet delikate të ekzistencës së kësaj shkolle (1945-1992), janë:
Momenti i parë. Hapja e shkollës
Kjo shkollë, u krijua me vendim të posaçëm të qeverisë së kohës, menjëherë pas përfundimit të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, përkatësisht më 28 nëntor të vitit 1945. Motivet e hapjes të kësaj shkolle, jepen shkurtimisht dhe në urdhrin përkatës. 
Urdhri për hapjen e shkollës së kadetëve (që mori emrin Shkolla “Skënderbej”), mbanë datën 8 dhjetor 1944, konceptuar nën okelion “Udhëzim drejtuar Shtabit të Korparmatës së Parë për t’i hequr nga ushtria partizanët në moshë të vogël dhe për t’i dërguar në shkollë dhe është firmosur nga Gjeneral-kolonel Enver Hoxha. Ndër të tjera, në këtë urdhër thuhet: 
Në rreshtat e ushtrisë sonë ndodhen mjaft partizanë me moshë prej 12 deri në 15 vjeç, të cilët kanë luftuar së bashku me shokët e tyre të madhej. Meqenëse për së shpejti çelen shkollat dhe duke marrë parasysh se ajo kategori ka nevojë më shumë se kushdo për arsim, kjo komandë ka vendosur që t’i heqë nga ushtria dhe të interesohet t’i vendosë nëpër shkolla të ndryshme sipas gjendjes arsimore të secilit. Prandaj do të na paraqitni urgjentisht listat e partizaneve dhe partizanëve që përfshijnë kategorinë e mësipërme duke shënuar në të: Emrin e mbiemrin, moshën, vendin e lindjes e të banimit, repartin ku bën pjesë, vjetërsinë si partizan,shkollën që ka bërë, ku, çfarë shkolle, sa klasa, kur është larguar nga shkolla dhe për ç’arsye. Për ata që s’kanë bërë shkollë do të shënohet, nëse kanë marrë pjesë në kurse analfabetizmi dhe në ç’gradë janë (kulturë) ose, nëse janë krejt analfabetë. Listat e përpiluara me kujdes do të na paraqiten sa më parë, sipas reparteve që i dërgojnë, pa pritur që të vijnë të gjithë për t’i dërguar…”
Mbi bazën e këtij urdhri, u operua në të gjitha njësitë e vendit. Me ardhjen e kontingjenteve të para, kur numri i kaloi të 200 partizanët e rinj, më 28 mars 1945, shkolla e kadetëve (që më vonë mori emrin shkolla “Skënderbej”), çeli dyert e saj.
Momenti i dytë. Këshilli i Mbrojtjes, Korrik 1967: Të mbyllet shkolla “Skënderbej”!
Pas 22 vjetësh të funksionimit të saj, nga udhëheqja më e lartë e kohës, merr në analizë ristrukturimin e bazës për furnizimin e ushtrisë me kuadro oficer, e në këtë kuadër, dhe mbylljen e shkollës “Skënderbej” dhe tërheqjen e kontingjenteve për në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, me përzgjedhje nga shkollat e mesme të vendit. Kjo analizë bëhet në Këshillin e Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë më 27.05.1967. Për këtë ishin përgatitur nga sektorët përkatës, përfshi dhe drejtuesit e shkollës, relacionet përkatëse shoqëruar dhe me vendim, që në fakt, ishin dhe me kundërshti. Ja dhe vendimi përkatës, sipas dokumentit origjinal që gjendet në dosjen sekrete të Arkivit Qendror të Shtetit dhe Arkivin Qendror të Ushtrisë. Ja teksti i këtij vendimi: 
“VENDIM Nr. 5, datë 27.05.1967
MBI KOMPLETIMIN E USHTRISË ME KUADRO DHE PERSPEKTIVËN E SHKOLLËS ‘SKËNDERBEJ’
Këshilli i Mbrojtjes, pasi mori në shqyrtim kompletimin e ushtrisë me kuadër dhe perspektivën e Shkollës Ushtarake “Skënderbej”,

V E N D O S I:
Në Shkollën Ushtarake ‘Skënderbej’, duke filluar qysh këtë vit, të mos vinë nxënës të klasës së parë, por kontingjenti ekzistues të mbarojë këtë shkollë dhe në fund të vitit 1970 të mbyllet fare. Kompletimi i ushtrisë me kursantë për oficerë, që deri tani bëhej nga Shkolla Ushtarake “Skënderbej”, të bëhet çdo vit me të rinj që kanë marrë maturën në shkollat e mesme të vendit, në bazë të nomenklaturave përkatëse. Ky problem të merret në dorë nga komitetet e partisë në rrethe e në ushtri, nga Komiteti Qendror i BRPSH, nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës dhe nga komitetet ekzekutive të rretheve. Në ato zona ku nuk ka shkolla të arsimit të mesëm, të merren nga pushteti nxënës konviktorë pranë gjimnazeve, nga ata që mbarojnë arsimin tetëvjeçar, dhe në mbarim të arsimit të mesëm të dërgohen në shkollat ushtarake për oficerë. Shkollën e plotësimit për përgatitjen e oficerëve në rezervë që duhej të hapej sipas vendimit të Qeverisë nr. 297, datë 4.8.1964, të mos hapet. Për përgatitjen e oficerëve në rezervë nga ata që mbarojnë shkollat e larta, të formohen shkollat ushtarake me bazë korpusi e njësie, sipas specialitetit. Koha e vazhdimit të mësimeve të jetë gjashtë muaj, nga e cila, katër muaj të bëhen në shkollë dhe dy muaj praktikë në repart me detyrë komandant toge. Si koha e qëndrimit në shkollë ashtu edhe ajo në repart të shfrytëzohen drejtë, me qëllim që kursantët të fitojnë kalitjen e nevojshme dhe të krijojnë koncepte të drejta për natyrën e detyrave ushtarake. Mësimet me studentët që mbarojnë këtë vit të fillojnë më 1 shtator, kurse në të ardhmen jo më vonë se dy muaj nga data e mbarimit të shkollave të larta./ Ky vendim hynë në fuqi menjëherë.

PËR KËSHILLIN E MBROJTJES TË RPSH
SEKRETARI I PARË I KOMITETI QENDROR TË PPSH
ENVER HOXHA”.
Momenti i tretë. Viti 1992, mbyllja e shkollës “Skënderbej”
Mbyllja e shkollës “Skënderbej” në vitin 1992, u parapri nga një sulm pa precedent dhe të pa moralshëm nga drejtuesit e shtetit të kohës, që jo vetëm hodhën ‘baltë’ mbi historinë dhe traditën e kësaj shkolle elitare, suke e cilësuar “shkollë jeniçerësh”, por në kuadër të të ashtuquajturës reformë, larguan nga puna e hodhën në rrugë një armatë ushtarakësh model, besnikë ndaj atdheut e flamurit, duke afruar dhe në këtë sektor të rëndësishëm, militant e njerëz pa kualifikimin e duhur ushtarak. Ja dhe urdhri përkatës për mbyllja e shkollës “Skënderbej”, (dokument sekret) që gjendet në dosjen nr. 1, viti 1992, 
Titulli i dosjes: “Urdhër i komandës së repartit Nr. 222, mbi mbylljen e aktivitetit të kësaj njësie”, 
Afat i ruajtjes së përhershme të dosjes , sasia e fletëve 2, Filluar më 25.8.1992, mbaruar më 25.8.1992: 
URDHËR PËR MBYLLJEN E AKTIVITETIT TË SHKOLLËS “SKËNDERBEJ”
Për të gjetur zbatim të plotë sipas afateve, Vendimi Nr. 3, datë 14.8.1992 i Këshillit të Mbrojtjes dhe Urdhri Nr. 159 datë 17.8.1992 të Ministrit të Mbrojtjes “Për mbylljen e Shkollës së Mesme Ushtarake ‘Skënderbej’,/

URDHËROJ: 
1-Brenda datës 18.8.1992, të merren në ruajtje ambientet e shkollës nga truproja e Reparti Ushtarak Nr 2350 në Tiranë.
2-Sektori i prapavijës dhe dega mësimore e shkollës të verifikojnë gjendjen fizike të ambienteve, kabineteve, laboratorëve dhe bazës tjetër materiale teknike dhe të dërgoj në Ministri, në Drejtorinë e Logjistikës, evidencën e materialeve.
3-Shefi i personelit, i financave dhe dega mësimore të përgatisin dokumentacionin shkollor(dëftesat, etj,) dhe trajtimin financiar për skënderbegasit dhe brenda datës 10 shtator t’i dërgojnë ato pranë degëve ushtarake të rretheve.
4-Shefi i personelit dhe financës, brenda datës 19.8.1992 të dërgojnë në Ministrinë e Mbrojtjes, Drejtorinë e Personelit dhe Organizimit, listën e kuadrove ushtarakë sipas specialiteteve dhe deri në datën 15.9.1992, të përgatitet dokumentacioni për daljen në asistencë të personelit mësimdhënës dhe punonjësve civilë të shkollës.
5-Ky urdhër të punohet me të gjithë efektivin e shkollës brenda datës 17.8.1992
6-Për ndjekjen dhe zbatimin e këtij urdhri ngarkohet shefi i degës mësimore dhe shefat e shërbimeve sipas përkatësisë.

KOMANDANTI
Kolonel Petrit Malaj
(Firma, vula)”.