Miti NITO/ Beteja legjendare e Margëlliçit ku ranë heroikisht 4 “Heronj të Popullit”

2240
Një ndër kulmet më të larta në kalendarin e LANÇ në rrethin e Fierit është beteja e Margëlliçit, që u zhvillua më 29 mars 1944. Të rralla janë betejat partizane të përmasave të tilla, ku brenda 24 orëve ranë katër Heronj të Popullit: Mustafa Matohiti, Dino Kalenja, Meleq Gosnishti e Lefter Talo, si dhe dëshmorët e atdheut: Damir Koro, Lutfi Tolari, Hajrulla Papa, Ndreko Zhaka, Faik Corogunji, Stefan Zhaka, Abedin Shkëmbi, Mikele Trali (italian) dhe Josif Vodoviç (sllav). Në fillim të marsit 1944 Grupi i Tretë Fier-Mallakastër, pas riorganizimit, nisi një varg sulmesh kundër forcave gjermano-balliste dhe arriti të çlirojë shumicën e fshatrave të Mallakastrës. Nga fundi i muajit mars lufta po ashpërsohej së tepërmi në kodrat e Belishovës dhe Kasnicës, sepse pushtuesit gjermanë këmbëngulnin për të mos lëshuar zonën naftëmbajtëse të Patosit dhe rrugëkalimin Fier-Berat. Në këto rrethana, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, u nis për të ndihmuar Luftën në rrethin e Fierit batalioni “Naim Frashëri” i Brigadës së 6 Sulmuese, me në krye bilbilin e Labërisë, komisarin e brigadës, Mustafa Matohiti. Batalioni ndoqi itinerarin Buz, qafa e Kiçokut, Gllavë, Osmënzezë, Ngraçan dhe, më 27 mars, u pozicionua në krahun e djathtë të lumit Gjanicë, përballë kalasë së Margëlliçit. Në krahun e majtë të tij ishin vendosur në pozicione lufte tre batalionet e Grupit të Tretë Fier-Mallakastër. Përballë tyre, në llogore, ishin forcat gjermane e balliste, me epërsi në numër dhe në armatime. Ata përpunonin gjithë zonën me artileri.
Tre ditë e netë, 27, 28 e 29 mars 1944, ishin luftë e ashpër dhe e përgjakshme, deri trup me trup. Për herë të parë shumë elementë të luftës frontale po gjenin zbatim. Fronti i luftës herë shpërbëhej, herë riformohej. Kodrat kalonin nga njera palë në tjetrën. Më 27 mars u plagos komandanti trim i Grupit të Tretë, Qamil Hamzo. Më 28 mars komisari i batalionit të parë të Grupit të Tretë, poeti nga Mallakastra Dino Kalenja, bashkë me shokët, po luftonte heroikisht për marrjen e një kodre në Kasnicë. Fillimisht hodhi disa granata kundër forcave gjermane, pastaj luftoi me automatik, me revolver e, së fundi, me thikë kundër të parit gjerman që guxoi të kapej me të trup me trup. Por u qëllua nga pas me automatik nga një tjetër gjerman dhe ra, siç bjenë trimat. Në ato luftime ranë dëshmorë edhe shokët e tij, Sabri Merkaj e Ibrahim Zenelaj. Në mbrëmjen e datës 28 mars batalioni “Naim Frashëri”, pasi koordinoi veprimet me komandën e Grupit të Tretë, u nis për marrjen e kalasë së Margëlliçit, ku ishin përqendruar forca të shumta gjermano-balliste. Grupi i Tretë dha në ndihmë të këtij batalioni një njesit prej 40 partizanësh, nën komandën e Qemal Klosit,komisar batalioni. Një orë pa gdhirë dita e 29 marsit u dha urdhëri i sulmit për marrjen e kalasë së Margëlliçit. Mirëpo roja gjermane i diktoi e hapi zjarr të pandërprerë. Komandanti i batalionit “Naim Frashëri”, djaloshi simpatik përmetar, që ishte kthyer nga Parisi për të marrë pjesë në LANÇ, Meleq Gosnishti, po çante përpara, së bashku me një grup partizanësh të zgjedhur. Meleqi,duke luftuar me trimëri,arriti i pari në majën e kalasë. Ai dha shenjën e fitores, dhe hodhi bomba mbi armiqtë në llogore. Në këtë moment goditet për vdekje në gjoks nga plumbat e armikut. Në të majtë sulmonte kompania e katërt, me komisar Lefter Talon, këtë mësues e artist, bir i denjë i minoritetit grek. Armiku i përgjigjej fort sulmit partizan. Mandej i erdhi radha luftimit trup me trup nëpër llogoret e asaj kalaje. Aty ra, duke luftuar me trimëri të rrallë, Lefter Talo. Ndërkohë Mustafa Matohiti e Qemal Klosi po i afroheshin me luftim zjarrit armik. Përmes shqopës e shkurreve të dëndura, si dhe predhave të mortajave, ata po avanconin, duke luftuar me guxim të pa parë. Mirëpo diku ranë njëherësh të dy. Mustafa Matohiti kishte marrë tre plumba vdekjeprurës në gjoks, kurse Qemal Klosi ishte plagosur rëndë ne shpatull.
Në betejën e Margëlliçit mbetën të vrarë shumë gjermanë e ballistë, mes tyre edhe një kapiten SS. U kap një marshall dhe 24 ballistë robër. Gjithashtu, u kapën 2 mitrolozë të rëndë dhe shumë materiale të tjera lufte. Gjatë muajit prill e fillimit të majit u intensifikuan sulmet, derisa më 9 maj 1944 forcat partizane e çliruan përfundimisht Patosin dhe Margëlliçin.
Të katër Heronjtë e Popullit, që ranë në betejën e Margëlliçit, Mustafa Matohiti, Dino Kalenja, Meleq Gosnishti e Lefter Talo, ishin me shkollë, me kulturë të gjerë për kohën, dinin gjuhë të huaja e, mbi të gjitha, ishin atdhetarë të flaktë, të vendosur për të bërë edhe sakrificën më sublime për lirinë e Shqipërisë. Dhe e bënë. Ata janë përjetësuar në buste, monumente, lapidarë, në emra lagjesh, rrugësh e shkollash. Atdhetarizmi, antifashizmi dhe përkushtimi i tyre janë modele frymëzimi e krenarie ndër breza.
Sigal