Mit’hat Frashëri, debati me ministrat grekë për çështjen shqiptare

908
Leonard VEIZI

ARKIVA III DHE IV / Detaje nga letërkëmbimi i ministrit të parë Fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi

(Vijon nga numri i kaluar)
Nga Athina, në datë 7 nëntor 1925 Mit’hat Frashëri jep një informacion të detajuar lidhur rreth bisedimeve të tij me autoritete të larta të shtetit grek, pikëpamjet e tyre të gabuara për ortodoksët shqiptarë, numrin dhe karakterin etnik, çështjen e shtimit të shkollave greke për minoritetin, kundërshtitë për autoqefalinë e kishës shqiptare.

LETRA
Alarmi i ministrit fuqiplotë
“Z.Ministër! 
Si vazhdim ne telegrafi im i 4 Ct, relatif me konvensionin për nënshtetësinë dhe tendenca që çfaqetë në Ministri Helenike për të bashkuarë këtë çështje me atë të shkollavet greke:
Më 3 Ct, vajçë ne Drejtori Gjeneral të kuvendonj se amiral Haxhi Qiriakoja si axhami dhe provizor nukë mirretë me punët e zyravet. Kisha një tok sende për t’i thënë, midis të tjerave ajo e Maxhar Dinos, e pesë fëmijëvet shqiptarë në Konicë që (veç shtëpivet) u kanë marrë dhe drithët e arësë. Për Maxharin më dha fjalë se të nesërmen do ta thëresë vetë ta pyesë dhe të kupëtojë punën. Edhe me të vërtet kështu bëri. Që me 4 Ct, Maxhar Dinoja u la i lirë në Athinë duke u detyruarë që të paraqitetë çdo ditë në polici. Për Koniciotët më dha fjalë se do të shkrojë në Konicë. Për punën e konvensionit më tha se do jipetë një afat i ri, po shtoj, edhe Shqipërija nukë mban zotimet e saj, dhe duke thirurë Z.Kolokotroni çeli çështjen e shkollavet greke. I thashë se po bisedonj jo zyrtarisht, me qenë se nuk kam no një autorizim, as që Qeverija ime më ka bërë no një komunikim gjer më sot. 

Kupëtova se:
1. Greqia beson që në Shqipëri ka dyqind e tridhjetë mijë ortodoksë-grekër, prej të cilëve vetëm 300 janë shqipëtarë, që duanë Shqipënë; të tjerët janë grekër dhe duanë greqishtenë;

2. Se kisha Shqipëtare duhet të jetë autonome dhe jo autokefale;
3. Se ortodoksët shqipëtarë duanë mprojturë prej Greqisë;
4. Se Z. Ahmet Zogu ka bërë zotime për këtë punë kur ishte në Beligrad;
5. Se tani duhetë që edhe Shqipërija të bëjë një marrëveshje, një konvension për këta sende me Greqinë.

Me një fjalë Zoti Ministër, Greqia kërkon të lozë përkundrejt Shqipërisë atë rol që ka lojtar Rusia e Carëve përkundrejt Tyrqisë së Sulltanëvet. Refuzova pretendimet e Ministrisë Greke, po, me qenë se ishte bërë vonë, prëmë vajta dhe pashë Kolokotronin, në zyrë të tij. Biseduam afro një orë e 15 minuta. I dhashë të kupëtojë se çështja e Minoritetevet, me qenë se kemi 20.000 grekofonë, në Shqipëri nukë duhet të përdoretë si veglë politike, se kështu ka qenë edhe teori e Greqisë (me anë të delegatit të saj Politis) në Shoqëri të Kombevet, më 1924; 

Se, me ingjerencën që po bën Greqija në Shqipëri, po çel udhën për ingjerencën sllave në Maqedoni; 
Se, as në Poloni s’ka më shkolla ruse, as në Maqedoni shkolla bullgare, as në Rumeli Orientale shkolla greke, as në Rumani shkolla greke, as në Çekosllovaki shkolla gjermane për sllavët; 
Se, Shqipëria po mban me të hollat e saja shkolla greqishte për grekofonët, jo për hatërin e Greqisë, po për hatërin e Shoqërisë së Kombevet, me qenë se çështja e Minoriteteve ka të bëjë me S.d.N dhe jo me Greqinë;
Se, Greqia duke u përzierë me punët e brendshme të Shqipërisë, do të bëhet shkak që të ftohen të dy Shtetet dhe mbase Shqipëria të kërkojë një mik tjetër;
Se, Shqipëria nuk do të lejojë që një Shtet i huaj të përzihet në punët e saj të brendshme;
Se, Z.Ahmed Zogu, edhe në ka bërë no një premtim si njeri privat në Beligrad, ky premtim s’ka të bëjë me qeverinë Shqipëtare.

Sa për kishën, për të cilën Z. Kolokotroni thoshte që është gati të verë në shërbim tonë ndërhyrjen e tij, i thashë se Shqipëria është gati të çojë një komision në Patrikanë, ku Patriku të vendosë se do ta njohë autoqefale, gjë e cila duhet t’i vijë mirë edhe Greqisë që është shtet ortodoks, dhe jo të jemi të varur nga patrikana, e cila sot është nënë influencën tyrke, me qenë se Patriku vetë dhe gjithë parësi e Fanarit janë nënshtetas tyrq. Si mbarova këto kuvendova, si pa dashur, e sollëm fjalën mbi situatën e Shqiptarëve në Greqi; mbi shtrëngimet që vuajnë; mbi mënyrën me të cilën qeveria greke i ndalon që të rrojnë, ose i shtrëngon që të ikën; mbi programin sistematik që ndiqet nga ana e qeverisë qendrore greke për këto sjellje, me gjithë deklaratat e bëra në Lausanne dhe në Gjenevë; mbi të përzënët e 35.000 Shqiptarëvet të Kostur dhe Follorinës; qysh tani ata të mjerë vijnë në Shqipëri. Edhe konkludova: Padyshim gjëja më e mirë për Shqipërinë do të jetë të përzërë ata të 20.000 grekofonë që janë në Delvinë; po prapë Greqia do të na ketë hua edhe nja 40.000 frymë të tjera, me qenë se gjer më tani, janë përzërë me pahir, me dru dhe të rrahur, më tepër se 60.000 Shqiptarë.

Argumentet e mija e impresionuan Z-in Kolokotroni. Po këto fjalë dua që t’ia them sot ose nesër, edhe Z-it Pangalos, edhe Z-it Kaftanxhogllu, edhe Ministrit të ri që u emërua dije. Sot ose nesër do të kem një bisedim të gjatë me gjeneral Kondulin, mbi të cilin do të bëj një raport të veçan. Ju lutem, pasi të studiohet ky raporti im, të më rrëfehet kthjelltazi pikëpamja e Qeverisë sonë. Ju lutem prapë të mbahem në korrent të demarsheve, kërkesave dhe pretendimeve që bën Ministri grek, do verbalisht do me nota. Do të qe fort nevojë që të më komunikohen mua kopjet e notave ose teksti i bisedimeve.

Pranoni, ju lutem, Zoti Ministër, të falat e mia me nderime”.
(Vijon në numrin e ardhshëm)
Sigal