Mit’hat bej Frashëri Ministër i Punëve Botore dhe çështja Çame

1825
Hilë Lushaku 
U lind më 25 mars 1879 në Janinë. Ishte i biri i patriotit të madh, rilindësit Abdyl bej Frashëri, nipi i enciklopedistit Sami Frashëri dhe poetit të mallit për vendlindjen, Naim Frashëri. Mit’hati e njohu shumë pak të atin e tij, ngaqë i vdiq i ri 47 vjeç, duke mbetur në kujdestarinë e xhaxhallarëve, Sami dhe Naim Frashëri. Duke qëndruar pranë tyre, mori edukimin të plotë akademik në Stamboll. Abdyl Frashëri, kur u pyet para ekzekutimit, nëse dëshironte të thoshte diçka, ai është përgjigjur: “Po, unë kam një djalë të vogël. I thoni atij se në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdojë punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund dhe të sillet kështu siç po sillem unë”. Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905, Mit’hati punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore, i emëruar drejtor për punë politike të vilajetit të Selanikut. Filloi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX dhe u bë një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX Ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut, madje aty dominonte influenca e tij. Asokohe në Manastir mbaheshin takime të patriotëve shqiptarë, të kryesuar nga Çerçiz Topulli dhe Adem Emini, të cilët punonin për të përgatitur një kongres dhe një revistë të përjavshme. Udhëzimet për krejt organizimin, do të merreshin prej Mit’hat bej Frashërit në Selanik. Mit’hati ka qenë për një politikë më të moderuar me xhonturqit, pse ai gjithmonë ka qenë mefiant kundrejt ndihmës së huaj, e sidomos të ndihmës së Austrisë. Të këtij mendimi kanë qenë në mbështetje të tij edhe Bajo e Çerçiz Topulli. Ka pasur rol të ndjeshëm në ruajtjen e kompaktësisë së klubit “Bashkimi” të Manastirit, pas mosmarrëveshjeve ndërmjet gegëve (në pjesën më të madhe dibranë) dhe toskëve, të cilën e ka zgjidhur duke shkuar në Manastir, më 20 shtator 1908, duke shkrirë kryesinë e mëparshme, të cilën e zëvendësoi me Rexhep Hoxhën prej Kallkandelene (Tetovë), zgjedhur kryetar, ish-kryetari Fehmi bej Zavalani kaloi zv/kryetar, ish-zv/kryetari Gjergj Qiriazi u zgjodh anëtar dhe kryesia u përbë nga pesë gegë e pesë toskë. Mit’hati nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte “Kalendarin Kombiar”, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Më 1901, botoi biografinë e parë kushtuar Naim Frashërit. Në shkrimet publicistike ai përdori pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka, ndërsa në botimet e ndryshme përdori pseudonimin Ismail Malosmani. Në vitin 1908, filloi të botojë gazetën “Liria”, në Selanik. Gjatë kësaj periudhe bashkëpunoi ngushtë me mikun e tij, Kristo Luarasin, i cili drejtonte shtypshkronjën “Mbrothësia”. Mit’hat Frashëri ishte xhonturk, nuk pëlqeu ardhjen e Ismail Qemalit, më 1908 në Vlorë, madje shkroi një shkrim kritik për Ismail beun, në gazetën “Lirija”. Çajupi ka shkruar me nota demaskuese pamfletin “Klubi i Selanikut”, duke kritikuar

fletoren “Liria”, e drejtuesin e saj Lumo Skëndua ose Mit’hat Frashëri. Çajupi shprehet se, kisha dëgjuar që: “Klub’ i Selanikut mpron të drejtat e kombit shqipëtar. Vërtet kisha mësuar se Klub’ i Manastirit paskej bërë një Kongres, u mbajt më 1909 dhe nuk vendosi dot për një alfabet të vetëm. Midis dy alfabeteve që pranoi, njëri qe ai i Stambollit, tjetri qe alfabeti i sotëm.) (ç’domethënë prapë kjo fjalë? për punë të abetit) dhe paskej gjetur për mbarë të përdoren dy soje shkronja për gjuhën tonë”. Në këtë rast poeti i rilindjes aludon se këto klube të shqiptarëve punonin për të mbajtur premtimet që u kishin bërë xhonturqit shqiptarëve. Artikulli kritikoi hapur kryetarin e klubit dhe drejtorin e gazetës “Liria”, Mit’hat Frashërin, i cili menjëherë botoi një artikull si kundërpërgjigje në gazetën e vet. Replikat ndërmjet palëve, në gazetat e tyre, vijuan duke pasqyruar luftën e ashpër ndërmjet shqiptarëve në ato kohë delikate për fatet e kombit. Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit, i njohur ndryshe edhe me emrin Kongresi i alfabetit, më 14 nëntor-22 nëntor 1908. Mit’hat Bej Frashëri u zgjodh kryetar i kongresit dhe nënkryetar i komisionit të hartimit të alfabetit (kryetar i komisionit ishte At Gjergj Fishta). Më 1 janar 1909, në revistën “Diturija”, botoi një fotografi të delegatëve në kongresin e Manastirit, ku ka dhënë imtësisht shpjegime për secilin prej tyre, madje ka sqaruar edhe për ata që nuk dolën në fotografi, ku mungojnë Hilë Mosi (delegat i Shkodrës), G. Cilika (delegat i Korçës), Hafëz Ibrahimi dhe Emin Beu (delegatë të Shkupit), Rauf beu (Fico, delegat i Gjirokastrës-H.L.) dhe Selaheddin beu (nga Prizreni, delegat i Manastirit). Më 2 shtator 1909 mori pjesë në kongresin e Elbasanit, ku qëndroi shtatë ditë, deri në përfundimin e punimeve të tij. Në këtë kongres u zgjodh nënkryetar, duke pasur për kryetar Dervish beun (Himën) dhe sekretar Simon Shuteriqi e Josif Haxhimima. Kongresi vendosi për përdorimin e alfabetit latin për mësimin e gjuhës shqipe si i vetmi alfabet, hapja e shkollës së parë normale në Elbasan dhe formimi i Shoqërisë Qendrore “Përparimi”, që do të merrej me drejtimin e shkollave shqipe. Kongresi e caktoi në komisionin e përbërë nga Dervish Biçaku, Ahmet Dakli, Kristo Dako, Gjerasim Qiriazi, për të zgjedhur pleqësinë e Shqipërisë qendrore “Përparimi”, në Korçë, me qëllim për të siguruar ndihma për çeljen e shkollave shqipe. Në moshën 32-vjeçare largohet përfundimisht nga Stambolli dhe udhëtoi për në Shqipëri duke kaluar nga Kosova në Shkup dhe pastaj në Elbasan. Referuar kujtimeve të Eqrem bej Vlorës, evidentohet se Mit’hat bej Frashëri, kishte qenë në postin “shef i zyrës së marrëdhënieve me konsullatat e huaja”, në Selanik, dhe duke qenë i biri i Abdyl bej Frashërit, në respekt të tij për shërbimet që i kishte bërë Lidhjes së Prizrenit, më 1878, ai, i biri, “u zgjodh përfaqësues i Kosovës”, për kuvendin kombëtar të Vlorës. Në shpalljen e pavarësisë ka qenë i zgjedhur delegat i Elbasanit, Ipekut, (Gjakovës, Plavës, Gucisë) dhe Përmetit. Nga Elbasani ka njoftuar telegrafisht Syrja beun e Xhemil beun: “Pasi bashkë me përfaqësuesit e Dibrës do të vijnë edhe Mehmet pashë Dëralla, Ajdin Draga e Isa bej Buletini, e nisma e jonë u shty. Të hënën do të nisemi së bashku”. Kur u zgjodh ministër, në votim u rendit i pesti, duke fituar 35 vota, dhe merituar postin e ministrit që në raundin e parë. Në vitin 1912, në qeverinë e pavarësisë, të krijuar nga Ismail Qemali, ai zgjidhet ministër i Punëve Botore. Referuar dokumenteve arkivore mësohet se Mit’hat Frashërit, kur ishte në Vlorë i ka drejtuar një letër një personi të quajtur Kristo, nga e cila mësohet se ai u nis nga Shkupi më 3/16 tetor 1912, duke dëshmuar se ka qenë në Mitrovicë, Pejë (Ipek), Gjakovë, Has, Tejdrin, Mirditë, Kurbin, Tiranë, Durrës, Elbasan. Kur ka mbërritur në Tiranë ka pasur si qëllim të bashkohet me grupin e Abdi Toptanit për të zhvilluar një kongres aty, mbasi pohon se kishin biseduar edhe me abatin e Mirditës. Nuk e fsheh qëllimin se ka dëshiruar të bëhej mbledhja në Elbasan, por telegrami i Syrja bej Vlorës njoftonte se duhej shkuar në Vlorë, ku ishte nisur edhe I. Qemali. Letra informuese mban datën 10 dhjetor 1912. Disa shkrues, padrejtësisht dhe me tendencë, shprehen se: “…kur Ismail Qemali ftoi gjithë oficerët dhe patriotët shqiptarë që ndodheshin në fronte të ndryshme në Luftën Ballkanike të ktheheshin në shtëpitë e tyre, Mit’hat beu ka qenë kundër këtij mendimi dhe ka shkuar dy herë nga Vlora në Janinë për të inkurajuar rezervistët shqiptarë të vazhdonin luftën gjer në fund, duke menduar se kjo mund të sillte shanse që Çamëria do të mund t’i mbetej Shqipërisë”. Faktoj se është e vërtetë që ministri Mit’hat Frashëri kërkoi leje për të shkuar në Janinë, gjë e cila u pëlqye nga qeveria e Vlorës, por me kusht që ai të prezantohej atje jo si ministër që përfaqëson qeverinë e Vlorës, por individualisht, si patriot. Sipas miqve të tij, ky ka qenë një nga shkaqet e ndarjes së Mit’hat Frashërit me Ismail Qemalin. E vërteta mbase qëndron ndryshe, sepse sipas dokumenteve arkivore, më 20 dhjetor 1912, Ismail Qemali përshëndeti me një letër mbrojtjen që po i bëhej Janinës nga komandanti i saj, duke u shprehur në dobi të kësaj lufte. Dikush tjetër ka pohuar të vërtetën se: “…më 30 mars 1913, Mit’hati jep dorëheqjen nga detyra” dhe në kë rast është gazeta “Atdheu”, e cila jep si shkak të ndarjes: “Kur Ismail Qemal Vlora shkoi në Britani me dukën Montpensier, japin dorëheqjen e nga qeveria Don Kaçorri e Mit’hat bej Frashëri.

‘Besa Shqyptare’ përshëndeti Mit’hat bej Frashërin, për vizitën në Shkodër, në maj 1913, duke u shprehur: “nji ndër komtarë ma të t’flaktit e t’nderueshmit qi diftoi gjith herë dashtnin e zemrës vet për gjith ç’i flet për shqyptar”. Më 20 janar 1914, në një letër që i dërgoi gazetës “Përlindj’ e Shqipëniës”, së bashku me G. Cilka e Taq Buda, shkruanin: “…duam të blejmë një kalem të florinjtë që t’ia dhurojmë zj. Edith Durham si kujtim për shërbimet që i ka bërë kombit tonë me shkrimet dhe botimet e saj” Këtë nismë të Mit’hat Frashërit, për blerjen e kalemit të artë, kjo gazetë e pati botuar më herët, në dy letra, përkatësisht më 7 dhe 10 janar. Mit’hat Frashëri mirëpriti ardhjen e Princ Wied-it në Shqipëri dhe ndihmoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në janar 1914, u përzgjodh nga KNK, së bashku me Mihal Turtullin e disa të tjerë të kontaktonin me Dervish Biçakçiun për të marrë prej tij kërkesat e esadistëve, duke provuar edhe një herë se ai organizëm ia kishte pasur me hile qeverisë së Vlorës dhe Ismail Qemalit. Mit’hati ka qenë i papajtueshëm me Esad Toptanin dhe kundër veprimeve të tij antishqiptare. Në atë kohë ai shkroi shkrimin e titulluar “Tre gjarpërinjtë që udhëhoqën rebelimin”, ku akuzon Esad Toptanin, Musa Qazimin e Haxhi Qamilin. Më tej ka shkruar: “Esadizma mori trup dhe formë nën një trini apokaliptike: Esad Toptani, myftiu Musa Qazimi, Haxhi Qamili, tre krerë të një hire që përfytyronin ambicionin, tradhtinë dhe lakmimin, fanatizmin e verbër dhe injorantë nën maskën e fesë, marrëzinë brutale jo në figurë letrare po reale”. Më pas, Mit’hat Frashëri u caktua konsull gjeneral i Shqipërisë në Beligrad, emërim sipas disa miqve të tij për ta larguar nga Shqipëria, atë dhe gjithë të aftit, por në vijim njoftohet nga shtypi se: “Më 20 maj, kur u riformua kabineti i Turhan Pashës, u emërua ministër i Arsimit e i Postë-Telegrafëve”, çfarë qëndron e vërtetë. Pas largimit të Wied-it shkoi në Lozanë, ku qëndruan edhe Mehdi Frashëri, Pandeli Cale, Dr. Mihal Turtulli, Ahmet Resuli, Hivzi Korça, vëllezërit Gode. Në vitin 1916 vendoset në Bukuresht ku arrestohet nga policia dhe internohet në Moldavi. Deri në vitin 1918 jetoi në disa

shtete të Ballkanit. Në vitin 1918, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, lejohet të largohet dhe vendoset përsëri në Lozanë, Zvicër. Aty, ai, i drejtohet me një promemorie konferencës në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Në promemorje ka deklaruar se: “Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufijve në Ballkan”. Në kongresin e Durrësit, Mit’hat Frashëri, u emërua ministër pa portofol dhe u caktua delegat në delegacionin e parë, në konferencën e Paqes, Paris më 1919, së bashku me Turhan pashën, monsinjor Bumçin, Mihal Turtullin, Luigj Gurakuqin, Mustafa Krujën. Më pas ka qenë i emëruar delegat pranë Konferencës, së bashku me Mehmet Konicën dhe Pandeli Evangjelin. Më 1919 ka qenë kryetar i delegacionit shqiptar në Paris “në mbrojtje të të drejtave të Shqipërisë”, së bashku me Dhimitër Beratin. Mit’hatit, kur ishte në Konferencën e Paqes në Paris, i është bërë thirrje nga kryesia e “Vatrës” që të punojë “për bashkimin e gjithë shqiptarëve për një Shqipëri independence pa asnjë protektorat”. Kur qe aty, me mision, shkroi: “Indipendenca morale”498, po kështu edhe punimin tjetër “Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë”. Pas përfundimit të misionit në Paris, në vitin 1920, njoftohet se “Mit’hat Frashëri u emnua përfaqësues në Uashington”, niset sapo të përgatiten pasaportat. Ai u vendos në SHBA dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1922, por sipas shënimeve të Sejfi Vllamasit, në librin me kujtime “Ballafaqime politike në Shqipëri 1897-1942”, është i shënuar në listën e deputeteve të prillit 1921 edhe Mit’hat Frashëri, i zëvendësuar më vonë nga Rasim Babameto, gjë e cila rezulton edhe në dokumentet e Kuvendit të Shqipërisë. Po kështu, sipas kujtimeve të Mehdi Frashërit, në maj 1922, Mit’hati, ka zëvendësuar Mehdi Frashërin në mbledhjen e Firences, ku Komisioni Ndërkombëtar diskutonte për caktimin e kufijve. Edhe në “Bisedimet e Kuvendit”, Mit’hat Frashëri, rezulton deputet i Gjirokastrës, madje shënohet se qëndroi deputet deri më 4 shtator 1922. Në janar 1923 filloi detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë, ku qëndroi deri në dhjetor 1925. I zhgënjyer nga zhvillimet politike në Shqipëri ai jep dorëheqjen dhe deklaron largimin e tij nga aktiviteti politik. Sipas Mehdi Frashërit: “Më 1924-1925 ka qenë përfaqësues i Shqipërisë në Athinë, i cili interesohej tepër për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Çamëri”. Në vitin 1923, kur kriza politike kishte arritur kulmin nga sjellja egoiste e karrieriste e Ahmet Zogut, i cili pati humbur besimin dhe qe arritur oportuniteti ndërmjet ministrave të kabinetit qeveritar që ai të mos ishte as kryeministër e as ministër i Brendshëm, iu ofrua Mit’hatit krijimi i kabinetit qeveritar. Në këtë rast ai ka refuzuar duke thënë: “Unë nuk mund të çnderoj shtëpinë time”, ku ka dashur të thoshte se, pasi dështimin e quante të sigurt, këtë gjë e konsideronte diskreditim për shtëpinë e tij. Në vitin 1926 hapi në Tiranë librarinë e tij personale “Lumo Skëndo”. Një vit më pas, më 1927, filloi të botojë në Tiranë, revistën “Diturija”. Në 4 prill 1929, Mit’hat Frashëri, në testamentin e tij i lë shtetit shqiptar pasurinë e vet, të tundshme dhe të patundshme me qëllim krijimin e një instituti albanologjik në Tiranë, i cili do të merrej me studime në fushën e historisë së Shqipërisë. Testamenti ka pasur dymbëdhjetë pika. Në pikën 6, të testamentit ka shënuar: “Libravet të Institutit t’u vihetë vula ime “Biblioteka Lumo Skëndo 1897” dhe t’u ngjitetë Ex-libris. Vula do të gjendetë në tryezën’ t’ime, në shtëpi, e gatijtë, kur se ex-libris është vetëm një skicë bërë prej Hyshref Frashërit”, ndërsa në pikën tetë; “Për të zbatuarë testamentin t’im dhe për të ngrehurit e Institutit lë si të ngarkuarë prej meje këta Zotërinj: Niazi Tirana, Sotir Kolea, Dimitri Berati, Mehdi Frashëri dhe Edhem Fuad Frashëri. Zotit Niazi Tirana i ap barrënë që të kujdesetë edhe si një notabl i Kryeqytetitë”. Mit’hat Frashëri ka qenë optimist për Mehdi Frashërin tek sa shprehej: “…Pavarësia kombëtare…e humbur prej katër vjetësh dhe e rikthyer me ndihmën e gjermanëve…ka për të qenë ashtu si në vitin 1939, d.m.th me regjimin monarkik nën mbretin Zog”. Mit’hat Frashëri ka pasur mosmarrëveshje me patriotin Sotir Kolea lidhur me zbatimin e një procedure për blerjen e disa librave të tij, me urdhër të ministrit të Arsimit të asaj kohe, Abdurrahman Dibra. Po kështu, referuar një korrespondence ndërmjet tyre, bëhet e njohur se Lumo Skëndo i ka marrë disa herë para borxh, duke mos ia kthyer Koleas, aq sa Kolea i shkroi “Mit’hat, pushoje këtë lodër sa pa u kthyer në tragjedi”. Po kështu, sipas shkrimeve të Koleas, Mit’hati bënte pajtime për libra në Bibliotekën Kombëtare dhe nuk i paguante detyrimet ndaj saj. Në vitin 1939, pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste vendosi t’i rikthehet aktivitetit politik. Në vitin 1941, ai është ideologu kryesor dhe një nga themeluesit e Partisë Nacionaliste, e njohur më shumë me emrin Partia e Ballit Kombëtar. Mit’hat Frashëri është autori i “Dekalogut”, vlerësuar nga përkrahësit e tij si “kontribut i madh teoriko-politik”, shkruar më 1942, në Tiranë. Në krye të dekalogut shkruhej: “Në robëri puna e jonë është lufta, në liri lufta e jonë është puna”, pastaj në pikën e parë shënohej: “Luftojmë për flamurin kuq e zi, për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar”, në pikën e dytë “Luftojmë për një Shqipni të lirë, etnike, demokratike, me baza shoqënore moderne”, ndërsa në pikën e tretë: “Luftojmë për një Shqipni ku do të mbretënojë lirija e fjalës dhe e mendimit”. Letër e KQ të Ballit Kombëtar nënshkruar nga Mit’hat Frashëri, nr. 66, nëntor 1943 507) Në kohën e monarkisë Sotir Kolea ka qenë drejtor i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë 508) Në vitin 1928, ministri Dibra, urdhëroi drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, që të merrte në dorëzim 98 libra të Frashërit, Kolea vërtetoi se librat ishin pa asnjë vleftë dhe se Mit’hat Frashëri kishte gënjyer dhe po vidhte shtetin, por protestës së tij askush s’i vuri vëmendje, ndaj ai i shkroi Mit’hatit duke e cilësuar si një kusar që vjedh Shqipërinë) Mit’hat Frashëri i ka marrë borxhe Koleas, nga viti 1930 deri më 1936. 

Vijon…


Sigal