Misioni sekret i nëndetëses gjermane NR.234 (U-Boti 234) dhe dorëzimi pa kushte i Japonisë

1509
Prof. Ass. Dr. Spiro V. Mëhilli
Gjenerali SS Obergruppen Furher Hans Kammler ishte përgjegjësi i drejtpërdrejt nën urdhrat e Hitlerit për të gjithë aktivitetin nazist mbi kërkimet e armës sekrete. Laboratorët gjigantë amerikanë të projektit “Manhatan” ishin me shumë vonesë në përgatitjen e bombës së parë atomike. Ata në maj të vitit 1945 kishin të gatshëm 32 kg uranium-235 dhe diçka më pak arritën të siguronin 3 muajt pasardhës, që tregonte se forcat e armatosura amerikane nuk kishin kurrë mundësi të siguronin një sasi të mjaftueshme materiali shpërthyes që ta vendosnin brenda bombës që do të hidhej në qytetin e Hiroshimës, bombë e cila për të funksionuar siç duhej, kishte nevojë për të paktën 100 kg uranium-235. Ku e siguruan amerikanët këtë sasi të domosdoshme në mesin e vitit 1945? Sipas Joseph M. Scalia në librin: “Germany’s Last Mission to Japan”: “The failed voyage of U-234” bazuar në dëshmitë e shefit radiotelegrafist të U-234 Volfang Hirschfeld dhe komandantit të fregatës së Marinës Mbretërore Kanadeze James Lamb, rezulton: Në shkurt të vitit 1945, kur Lufta II Botërore për Gjermaninë e Hitlerit ishte në pikën e fundit dhe Japonia vazhdonte të rezistonte, kapitenleitenanti nazist Johan Heinrich Fehler (1910-1993) në krye të nëndetëses gjermane U-234 u ngarkua të kryente një mision të rrezikshëm dhe tepër sekret në Lindjen e Largët. Sipas urdhrave të marra direkt nga admirali Karl Denitz, “Delfini i Hitlerit”, njësia e tij nënujore me bazë në Kiel, duhej të kalonte me mision Detin e Veriut, Oqeanin Atlantik nga veriu drejt jugut, Kepin e Shpresës së Mirë dhe të futej në Oqeanin Indian me drejtim lindjen deri sa të arrinte në bazën japoneze Penang në Malajzi ose në bazën e Xhakartës në ishullin Giava. Oficeri nazist duhej të dorëzonte pranë autoriteteve japoneze rreth 150 tonë ngarkesë speciale, pajisje ushtarake të përpunuara, me një fjalë, materiale të domosdoshme për të bërë të mundur vazhdimin e luftës së pashpresë të ushtrisë japoneze kundër forcave që kishin marrë dhenë aerodetare e tokësore anglo-amerikane për të sulmuar tokën japoneze. Në nëndetëse u ngarkuan tre gjuajtës modernë reaktiv Messerschmitt “Me.262” dhe “Me.163” të çmontuar dhe të futur në arka, një Planer bombardues “Henschell Hs.293”, motorë aeronautik të ndryshëm reaktiv “Junkers”, një ton postë rezervate me dokumente sekrete, disa qindra kg. plane për ndërtimin e armëve të telekomanduara (vdekjeprurësit V1 dhe V2), kaçatorpedinerë të klasit “36 C” dhe “Z 51”, njësi sulmuese “M” dhe “S” nëndetësesh të tipit II, IX, X, XI, XXI dhe XXIII, projekte për bomba të telekomanduara “Lorenz 7H2”, mekanizma lufte “7 D” dhe radarë “FUG 200 Hohehtrvveil” për avionë sulmues nate. Mbi të gjitha e plotësonin këtë ngarkesë shumë fuçi me Ujë të Rëndë të gatshëm për përdorim si dhe 80 kuti të arta dhe kontejnerë të korracuar me një peshë të përgjithshme 560 kg të oksidit të urani (U 235), material i domosdoshëm për të bërë që të shpërthente bomba atomike.

Natën e 25 marsit të vitit 1945, pasi në bordin e nëndetëses ishin ngarkuar materiale të një rëndësie të jashtëzakonshme, komandanti gjerman Fehler mori në bord edhe 12 pasagjerë që do të shkonin në cilësinë e konsulentëve për shkencëtarët dhe ushtarakët japonezë. Ata ishin: gjenerali i Luftvaffes, Urlich Kessler, që të instruktonte pilotët japonezë mbi avionët e rinj “Me. 262” dhe “Me. 163”; Oberstleitenanti Erich Menzel, po nga Luftvaffe, si ekspert i impianteve radar dhe i navigimit natën; Oberstleitenanti Fritz fon Sandrart i “Flack”, projektues i sistemeve të sofistikuara të veprimeve ajrore; Oberstleitenanti Heinrich Hallen i “Flokut”; kapitenfregate Gerhard Flacke, inxhinier dhe arkitekt detar, si dhe kapiteni Richard Bulla, ekspert në armatimet ajrore dhe detare. Në nëndetëse hipi dhe Kay Neischeling, agjent i shërbimeve sekrete të Kriegsmarinës, të cilit nazistët i besuan detyrën të diskreditonte rrjetin e organizatës së spiunazhit sovjetik të Richard Sorges, që në vite kishte vepruar në Japoni duke furnizuar me informata të rëndësishme sovjetikët dhe Aleatët anglo-amerikan. Më në fund, ata morën edhe disa shkencëtarë civilë të impenjuar në projekte të rëndësishme ushtarake. Në nëndetëse ishte edhe doktor Heinz Schlicke, shpikësi i “fuzionit” me infra të kuqe që funksiononte në mënyrë perfekte, përgatitur nga nazistët për bombën atomike të tyre. Mesnatën e 25 marsit të vitit 1945, U-234 la portin e Kielit dhe mori kursin drejt bazës gjermane të Kristiansandit në Norvegji, ku do të merrte disa fustime përmbajtje të një “preparati kimik” të veçantë, të destinuar për laboratorët e fizikës japoneze. Pas një lundrimi të qetë, U-Boti arriti në portin norvegjez dhe ngarkoi fustet speciale. Pasi u furnizua me naftë, natën e 15-16 prillit të vitit 1945, U-234 la portin e Kristiansandit dhe vetëm pas 25 ditë udhëtimi, çuditërisht të qeta në Oqeanin Atlantik, nëndetësja nga Komanda Qendrore mori me radio një mesazh që i bënte të ditur se më 8 maj të vitit 1945 Hitleri kishte vrarë veten dhe se Gjermania ishte dorëzuar pa kushte tek anglo-amerikanët. Dy ditë më pas, ndërsa nëndetësja vazhdonte udhëtimin në Oqeanin Atlantik, komandanti Fehler mori një mesazh të dytë, këtë herë nga Admirali i Madh Karl Denitz, që e urdhëronte komandantin e Delfinit të Hitlerit, U-Botin 234, t’i dorëzohej pa kushte amerikanëve. Fehler ndërpreu udhëtimin e qetë në kursin që kishte marrë drejt Japonisë dhe u drejtua me të gjitha forcat për në pikën më të afërt të bregut veriperëndimor amerikan, për të ndaluar dhe për të dorëzuar ngarkesën e çmuar. Dy miqtë japonezë që ai kishte marrë me vete, pasi u mbyllën në kabinën e tyre, preferuan të vetëvriteshin me luminal. Këto janë të dhëna e versionit zyrtar për të përligjur vrasjen e tyre, sepse ata pasi kishin kuptuar çfarë po ndodhte, donin të shtinin në dorë nëndetësen, por u vranë nga gjermanët. Ka të dhëna që oficerët japonezë i arrestoi komandanti i U- Botit që i mbylli në dhomat e tyre dhe i ofroi në shenjë “mirësjelljeje” helmin me të cilin të helmoheshin si “rastësisht”. Komandanti i nëndetëses arriti të komunikonte me një bazë tokësore amerikane dhe i bëri të ditur se ishte duke u drejtuar drejt bregut për t’u dorëzuar. Lidhja u kap edhe nga një anije luftarake kanadeze që u ndodh mjaft afër dhe u drejtua menjëherë nga nëndetësja për ta shoqëruar në portin më të afërt që ishte në Kanada. Kur anija kanadeze iu afrua nëndetëses gjermane, kapiteni i saj Fehler refuzoi të shoqërohej dhe tha se ishte i gatshëm të përdorte armët, dhe mbas shumë përpjekjesh arriti të shoqërohej nga një anije e madhe amerikane. Kështu filluan kontaktet frenetike me radio që çoi në një krizë në mes të komandave të zonës amerikane dhe asaj kanadeze, ku këta të fundit nuk e kuptuan pse U-Boti 234 donte të ndalonte vetëm tek amerikanët dhe jo tek ata, megjithëse bënin pjesë në Aleancën Perëndimore. Për çdo rast u vendos që të merrte pjesë në shoqërim edhe anija e tyre që U-Boti 234 nazist të arrinte i qetë në brigjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu, më 15 maj të vitit 1945, U-234 i Fohlerit u ankorua paqësisht afër Terranova nga anija amerikane “Sutton” dhe u shoqërua për 4 ditë duke iu besuar në ruajtje del Cutterit “Argo” që e shoqëroi nëndetësen gjermane deri në Portsmuth, në Nju Hempshir, ku tashmë kishin arritur edhe tre nëndetëse të tjera gjermane: U-1305, U-873 dhe U-1223. Në port, U- Boti 234 u izolua në një zonë speciale në ruajtje të veçantë dhe pasi u mbulua me rrjetë imituese e të papërshkueshme, u vu në dispozicion të një grupi inxhinierësh dhe shkencëtarësh amerikanë, që shkuan me urdhër të Komandës së Përgjithshme. Aty shkoi dhe kryetari i “Projektit Manhatan” gjeneral Leslie Groves. Materiali i gjetur tek U-234 u mbart nga një kolonë makinash dhe u shoqërua me autoblinda e tanke për në laboratorët e “Projektit Manhatan”. Sasia prej 560 kg oksid uraniumi shërbeu për të plotësuar dy bombat atomike që do hidheshin në Japoni, ndërsa doktor Heinz Schlickes iu dha detyrë të punonte për të aplikuar “FUZIONIN” e shkrehjes së bombës, sepse ajo ishte në gjendje të shpërthente ashtu sikundër e kishin sjellë. Nëndetësja naziste U-234 u fundos nga amerikanët më 19 nëntor 1947, 40 milje në lindje të Provincetos në Massachussetts e siluruar nga luftanija amerikane “USS Greenfish”. Gjithçka në vite mbeti “Sekret Ushtarak”. Për të gjithë shkencëtarët e bazës sekrete të Los Alamosit ishtë e qartë se 560 kg oksid uranium ishin të destinuar për shkencëtarët japonezë që të prodhonin bombën e tyre të parë atomike. Për SHBA-të dhe teknikët e “Projektit Manhatan” ngarkesa e sjellë nga U-Boti 234 ishte si një “Dhuratë nga Providenca Hyjnore”.
***
Si qëndron e vërteta mbi “dhuratën hyjnore” gjermane për SHBA-të? Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjermania ishte tmerri i deteve dhe i oqeaneve. Ajo kishte gjithsej 863 nëndetëse. Nga janari deri në korrik të vitit 1942, në brigjet e Amerikës, ato arritën të fundosin 498 anije tregtare aleate. Nuk bëhet fjalë për anije luftarake. Flota aerodetare e aleatëve nga ana e saj fundosi 754 nëndetëse dhe 27.491 oficerë e marinarë gjermanë gjetën vdekjen, ku sipas Çurçillit, 594 nëndetëse u asgjësuan nga forcat aerodetare britanike. Në shkrimin e mësipërm del një problem i vështirë për t’u besuar. Nëndetëset i kemi parë nëpër filma. Edhe nëndetëset sovjetike që erdhën në Bazën e Vlorës ishin projekt gjerman i modifikuar dhe i prodhuar në kantieret detare sovjetike si projekt C-613 i tonazhit të mesëm 1100 tonësh, 76 metra të gjatë dhe 3,6 metra të gjerë. Në atë mjedis mendoj se është e vështirë të mbartet e të transportohet një ngarkesë e tillë ku rëndësi të veçantë merrte sasia e Uraniumit që do shërbente për mbushjen bërthamore. Josif Stalini ishte në dijeni që amerikanët në fshehtësi po përgatisnin Bombën Bërthamore dhe nuk i tregonin aleatit të saj të madh. 

Trumani sapo u zgjodh president i SHBA-ve pasi u informua nga zëvendësministri i luftës Stimson se deri ku kishte arritur “Projektit Manhatan” krijoi një komision të udhëhequr nga Byrnes dhe të përbër nga shkencëtarët A.H.Kamptën, Enriko Fermi, Lorenc, Robert Openheimer. Më 1 qershor 1945 në Los Alamos komisioni u shpreh se bomba duhet të përdorej sa më shpejt kundër japonezëve; duhej të hidhej mbi një objekt ku përveç popullatës civile edhe instalimeve ushtarake pranë qendrave të banuara, të kishte dhe përqendrime ushtarake, në mënyrë që efektiviteti i bombës të ishte më i madh, dhe hedhja duhej të bëhej në mënyrë sekrete pa bërë të ditur mbi efektin e saj shkatërrues. Më 16 korrik 1945 në ora 530 u eksperimentua shpërthimi i bombës së parë bërthamore në një kullë 100 UFD të lartë në shkretëtirën e Alamagordos në Nju Meksiko, që e realizoi kapiteni Villjam Parsons. Kulla ku ishte vendosur mbushja bërthamore u zhduk nga temperatura e lartë. Në një rreze prej 1,5 km çdo jetë kafshe dhe bimësh u zhduk. Në largësi 30 km u thyen xhamat e dritareve. Më 17 korrik, bombardues të ngritur nga aeroplanmbajtëset amerikane dhe angleze sulmuan instalimet ushtarake dhe aeroportet rreth Tokios, ndërsa bombardues amerikanë sulmuan qytetet industriale Mito dhe Hitaçi në ishullin Honshu. Më 30 korrik 1945 u rishikua plani i hedhjes së bombës dhe u zgjodhën 4 qytete. Gjenerali Carl Spaatz telegrafoi në Uashington se Hiroshima ishte e vetmja nga katër qytetet e përzgjedhur që nuk kishte kampe përqendrimi për ushtarë aleatë. Megjithatë, avionë amerikanë më 4 gusht 1945 hodhën 750.000 fletushka paralajmëruese mbi efektin shkatërrues të bombës për të detyruar qeverinë japoneze të ndërpriste luftën. Natën e 5 gushtit, 7 grupe avionësh amerikanë bombarduan territorin japonez. 70 avionë hodhën mina në detin e brendshëm, 65 avionë u drejtuan për të bombarduar Agan, 102 në Maebashi, 261 për të goditur zonën midis Nishinomija dhe Mikage; 111 në Ube; 66 në Imabari dhe 2 avionë gati për t’u kthyer në Hiroshima. Në ora 245 të natës së 6 gushtit 1945 filloi operacioni “Centreboard” kur skuadrilja e përbërë nga 3 avionë superfortesa B-29, njëra prej tyre që pilotohej nga kolonel Paolo V. Tibes me ekuipazh prej 11 veta nisi fluturimin nga ishulli Tinian në Mariane drejt qytetit të Hiroshimës, aty ku ishte qendra e Shtabit të Përgjithshëm të Korpusit të dytë dhe përfaqësonte ajkën e trurit që drejtonte gjithë veprimet e ushtrisë japoneze. Në 815 të mëngjesit sipas orës së Japonisë nga lartësi 10.000 metra u lëshua me parashutë bomba e parë bërthamore e quajtur “Enola Gei” ose “Vogëlushja”, që mbante emrin e vajzës së kolonel Paolo V. Tibes. Ajo kishte mbushje me Uranium 235, e gjatë 3 metra, me diametër 62 cm, me peshë 4,1 tonë dhe shpërtheu 600 metra mbi sipërfaqe të tokës. 12 km2 sipërfaqe u rrafshuan tërësisht. I gjithë qyteti u përfshi nga tymi dhe flaka. Nga 76.000 – 90.000 ndërtesa që kishte qyteti, 55.000 – 65.000 prej tyre u bënë shkrumb e hi. Nga 250.000 banorë, atë ditë vdiqën afërsisht 100.000, ku 20.000 ishin ushtarakë dhe 35.000 u plagosën. Nga 200 mjekë, 180 u vranë ose u plagosën rëndë; nga 55 spitale dhe qendra të ndihmës së shpejtë, 3 mbetën në gjendje pune; nga 1780 infermiere, vetëm 150 mundën t’u shërbenin të plagosurve dhe kafshëve. 

Para se bomba e dytë bërthamore të hidhej në Nagasaki, u mblodh këshilli drejtues suprem i luftës së Japonisë. Tre gjeneralë ishin për dorëzim dhe tre për të vazhduar luftën. Kryeministri Suzuki që mbante gradën e admiralit dhe Ministri i Punëve të Jashtme Shigeri Togo votuan në favor të dorëzimit. Ministri i Luftës, gjeneral Anami ishte për të vazhduar luftën. Togo dhe Suzuki në një takim sekret me Perandorin Hirohito bënë që ai të shkonte vetë në këshill dhe të thoshte: “Nëse do të vazhdojmë luftën mund të çojmë në asgjësimin e popullit japonez dhe të zgjasim vuajtjet e gjithë natyrës njerëzore. Duket qartë që vendi ynë nuk është në gjendje të përballojë luftën dhe vihet në dyshim aftësia për të mbrojtur brigjet e tij”. Katër minuta para orës 2 të mëngjesit të 9 gushtit 1945, kur qindra bombardues amerikanë sulmuan ishullin Honshu, një bombardues B-29 u nis nga ishulli Tinian me bombë të mbushur me Plutoni 239 që u quajt “Bock’s Car” ose “Trashaluqia”. Ajo kishte përmasat: 3,2 metra e gjatë, me diametër 1,5 metra dhe peshë 4,5 ton. Bock ishte emri i komandantit të bombarduesit Frederick Bock, por në të vërtetë avionin e drejtoi majori Charles V. Sveney. Objektivi ishte qyteti Kokura, i cilin për momentin ishte i mbuluar me mjegull dhe tym industrial. Urdhër i marrë ishte që bomba të hidhej vetëm mbi objektiv të dukshëm, kështu që avioni vazhdoi fluturimin drejt Nagasakit. Dy minuta pas orës 11, ose 9 orë pasi avioni ishte larguar nga ishulli Tinian, bomba shpërtheu 600 metra mbi qytet dhe rezultoi 15% më e fuqishme se ajo që u hodh mbi Hiroshima. Nga 57.000 shtëpi që kishte qytetit, 20.000 u shkatërruan apo u dëmtuan rëndë. Numri i viktimave shkoi në 70.000, ku 15.000 ishin ushtarakë. Qyteti Nagasakit ishte i ngritur në disa kodra që bëri të mundur amortizimin e dëmtimeve më të shumta në ndërtesa dhe në njerëz. Amerikanët kishin dhe dy bomba rezervë që sipas parashikimeve do t’i hidhnin me 13 dhe 16 gusht.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar luftuan pothuaj tërësisht të vetëm me Japoninë kokëfortë për 3 vjet, 7 muaj e 25 ditë duke i shkaktuar rreth 3.000.000 ushtarakë e civilë të vrarë dhe nga 130 anije luftarake i mbytën 110. Më 15 gusht 1945 Japonia ra dakord të pranonte ultimatumin me kusht që SHBA-të mos të preknin të drejtat e ligjshme të Perandorit si Sundimtar Supreme i Japonisë. Flota aleate hyri në portin e Tokios, dhe në mëngjesin e 2 shtatorit 1945 u nënshkrua dokumenti zyrtar mbi kapitullimin e Japonisë në bordin e korracatës “Misuri”. Japonia kishte hyrë në luftë duke pasur një flotë me tonazh të përgjithshëm prej mëse 5,5 milionë tonësh, më vonë e rriti atë duke rrëmbyer e ndërtuar anije të tjera të reja. Tonazhi i anijeve japoneze të mbytura arriti në 8,5 milionë tonë, prej kësaj sasie 5 milionë mund të regjistrohen për llogari të nëndetëseve.

Sipas marrëveshjes Stalin – Rusvelt në Jaltë, B.S do të futej në luftë me Japoninë në Lindjen e Largët brenda 3 muajve pas kapitullimit të Gjermanisë dhe përfundimit të luftës në Evropë, me kusht që t’i njihej Mongolia e Poshtme, Sahalini Jugor, dhënia me qira e Port Arturit, administrimi i ishujve Kurilie dhe shfrytëzimi i përbashkët me kinezët i shoqërisë hekurudhore të Kinës Lindore dhe Mançurisë Jugore, që mundësonte një rrugëdalje për në portin e Dairenit, dhe të drejtoheshin nga një komision sovjeto-kinez me përparësi ruajtjen e interesave sovjetike, kurse Kina të gëzonte sërish pavarësinë e plotë të Mançurisë. Më 8 gusht 1945, trupat sovjetike sulmuan Mançurinë Lindore nga territori Siberian të komanduara nga marshall Malinovski në drejtim të Mugdenit, nga Malenkovi në drejtim të Harbinit dhe nga marshall Vasiljevski, i cili ishte edhe Komandant i Përgjithshëm i Frontin në Lindjen e Largët, në drejtim të Citisihanit. Ushtria sovjetike prej 1.600.000 trupash më 25 gusht 1945 pushtoi Port-Arturin dhe shpartalloi ushtrinë japoneze të dislokuar në atë territor duke vrarë 80.000 veta, kapur robër 500.000 ushtarë e oficerë, 148 gjeneralë, dhe plaçkë lufte 925 avionë, 369 tanke, 1226 topa, 1340 mortaja, 4836 mitrolozë, 300.000 pushkë dhe fundosur 50 anije. Ushtria e Kuqe nga ana e saj pati 8000 të vrarë dhe 20.000 të plagosur. Bashkimi Sovjetik mori të gjithë territoret që i takonin dhe më 1 shtator pushtoi ishujt Kurile që shtriheshin nga ishulli më verior i Japonisë deri në gadishullin e Kamçatkës dhe ishullin Palau që ia dorëzoi amerikanëve, duke çuar në një konflikt ndërshtetëror që vazhdon dhe tani. Lufta midis BS dhe Japonisë megjithëse nuk zgjati më shumë se tri javë, bëri që një numër i madh i robërve japonezësh të dërgoheshin për të punuar në projekte të ngutshme ndërtimi në Siberi dhe në Azinë Qendrore. Më 1 tetor 1945 në Port-Artur u vendos eskadra ruse për të qëndruar në ruajtje të paqes dhe sigurinë e territoreve të saja. Në 14 shkurt 1950 midis B.S dhe Republikës Popullore Kineze u mbyllën bisedimet mbi lidhjen dhe ndihmën reciproke dhe po atë vit Bashkimi Sovjetik i ktheu Republikës Kineze Port-Arturin dhe qytetin Dalnij.
Sigal