Sigal

DOSSIER/ Rrëfimi i gazetarit shqiptaro-amerikan Peter Lucas në librin “Misioni Amerikan në Shqipëri”

Enveri, bukuroshi që joshi të rinjtë e varfër

Megjithëse, si Hoxha, ai ishte një ithtar i vërtetë i komunizmit, Shehu nuk u përzje me punët e partisë. Ai e kaloi më të shumtën e kohës së tij gjatë luftës në luftime me italianët dhe gjermanët se sa në mbledhjet e partisë që zakonisht ishin të mbizotëruara nga Enver Hoxha. Shehu ishte një njeri i veprimit dhe ai ndihej më mirë në shesh-betejë se sa pas një tavoline. Hoxha nuk ishte ushtarak, megjithëse vishte petka të tilla dhe i pëlqente të luante rolin e një gjenerali. “Shehu mbante të njëjtën uniformë gjatë gjithë kohës, ditën dhe natën”, thotë Kukiçi. “Ajo ishte një uniformë e vjetër e ushtrisë italiane, krejt e ngrënë nga përdorimi. Ndryshe nga Hoxha, i cili gjithnjë vishej dhe e mbante veten shumë mirë dhe që gjithnjë përpiqej t’u bënte përshtypje njerëzve, Shehu nuk donte t’ia dinte se ç’mendonit ju për të”. Pavarësisht se Hoxha ishte komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Shqipërisë (UNÇSH), ai në të vërtetë kishte pak përvojë në luftime. Ai kishte qenë në ndeshje të kufizuara guerile me armikun, sikurse kishte qenë kur ballistët dhe gjermanët kapën gjeneralin Dejvis, por ai kurrë nuk kishte udhëhequr njerëz në beteja. Nuk ka dëshmi për trupa të udhëhequra nga ai kundër italianëve, gjermanëve apo ballistëve. Ai nuk çliroi ndonjë fshat apo qytet. Ai personalisht nuk vrau armiq në beteja, ndonëse ka urdhëruar ekzekutimin e armiqve, robërve të luftës të pretenduar si tradhtarë e spiunë.

Jetëshkrimi

Në Partinë Komuniste Franceze

Komunizmi në Shqipëri ishte i importuar. Hoxha u bë komunist në Francë. Ai kishte lindur më 16 tetor 1908 në një familje të kamur në Gjirokastër, një qytet i shkëlqyer në jug. Babai i tij ishte pronar tokash. Hoxha kreu Liceun francez të Korçës. Ai ishte një student i mirë, aq i mirë saqë fitoi një bursë shteti nga qeveria e Mbretit Zog për të studiuar në Universitetin e Monpeljesë në Francë. Ai e fliste lirshëm frëngjishten, studioi marksizmin dhe u fut në Partinë Komuniste Franceze. Si rezultat i veprimtarisë pro-komuniste dhe anti-zogiste, iu hoq bursa në vitin 1933. Hoxha shkoi në Paris në kërkim të ndonjë pune të ndiqte leksionet për drejtësi. Nuk ka dëshmi që ai të ketë gjetur diçka të tillë. Megjithatë, me “përpjekjet e tij dhe përkrahjen e disa miqve shqiptarë”, Hoxha u emërua nëpunës i konsullatës shqiptare në Bruksel.

Kjo punë shtetërore nuk do të zgjaste shumë. “Për aktivitetin e tij revolucionar, i cili ra në sy të agjentëve të Zogut, më 1936 ai u pushua nga puna me pretekstin se e kishte shndërruar konsullatën në një arsenal të literaturës marksiste”. Është i rëndësishëm fakti që Hoxha, një kritik aktiv i qeverisë së Zogut, qe në gjendje të fitonte një punë shtetërore, edhe pas humbjes së bursës së shtetit, nga regjimi që ai kishte prirjen ta kritikonte. Është e vërtetë që ai i humbi të dyja këto, por fakti që ai qe në gjendje t’i merrte ato në radhë të parë tregon që familja e tij kishte miq në rangjet e larta të qeverisë shqiptare. Pavarësisht nga perspektiva e paqartë në atë kohë, Hoxhës duket se asnjëherë nuk iu prenë fondet. Fotot e tij të bëra në Paris, Antverp, Bruksel, Monpelje dhe Bari në gjysmën e parë të viteve 1930 e paraqesin atë të veshur si ndonjë parisien boulevardier të pasur dhe të lumtur.

Në këto fotografi të Hoxhës vërehen pak shenja të komunistit të devotshëm sikurse u bë më vonë. Hoxha u kthye në Shqipëri më 1936. Ai shkoi në Korçë ku dha mësim në Lice. Mandej u përzje me punëtorët dhe ndihmoi për krijimin e grupit të parë të Partisë Komuniste. Ndaj dhe u vu nën dyshimin e policisë. Më 1940 u zhvendos në Tiranë ku hapi një dyqan për pije dhe cigare që quhej Flora. Nën maskën e dyqanxhiut, Hoxha e përdori dyqanin si një vend për veprimtarinë e tij partiake. Ai mori pjesë në demonstratën kundër pushtuesve italianë, bëri udhëtime në vend dhe bëri mbledhje organizuese. Më 1941 u bë kreu i Partisë Komuniste të Shqipërisë.

Imazhi

Hoxha e kuptonte rëndësinë e imazhit. Ai pëlqente uniformat e Aleatëve dhuruar atij. Sikurse rritej sasia e furnizimeve nga Aleatët, po ashtu rritej dhe kualiteti i uniformave që vishte Hoxha në shtabin e tij. Fotot e Hoxhës të bëra gjatë periudhës së hershme të luftës nëpër bazat ilegale në malet e Shqipërisë ndryshojnë së tepërmi nga ato të bëra më vonë. Në fotot e hershme Hoxha duket po aq i çrregullt sa edhe partizanët rrotull tij. Ai duket në to sikur e kishte bërë zakon të flinte me gjithë rroba, gjë që ka të ngjarë se e bënte vërtet. Uniformat e tij janë një përzierje e veshjeve nga ushtri të ndryshme, ashtu sikurse mbanin veshur edhe pjesa tjetër e njerëzve të tij. Ai është i pa rrojtur dhe i pakrehur. Në fotot e mëvonshme, kur lufta filloi të merrte anën e tij, Hoxha është një tjetër njeri. Ai është plot shkëlqim, tepër i ujdisur dhe i veshur mjaft mirë. Uniformat e tij janë të pastra dhe hekurosura. Prej natyre i bukur, Hoxha një e nëntëdhjetë i gjatë dukej si një gjeneral. Nën vëmendjen e oficerëve Aleatë rrotull tij, Hoxha ngrihej mbi cilindo. Qoftë i hipur mbi kalin e tij të zi rrotull fshatit të shtabit të tij në Helmës apo Odriçan, ose i fotografuar mbi një hartë lufte të Shqipërisë, udhëheqësi i Partisë Komuniste kishte një pamje tërheqëse, romantike që i joshte të rinjtë e shtypur dhe të varfër të Shqipërisë.

Kontrolli

Hoxha ishte një politikan i cili përdorte me shumë sukses instinktet e tij luftarake dhe mjeshtërinë për të fituar betejat e brendshme për udhëheqjen e Partisë Komuniste në Shqipëri. Ai mund të ishte i pamëshirshëm por edhe magjepsës, në varësi të rrethanave nëse një konkurrent duhej shkatërruar apo fituar mbi të. Ai ishte një intelektual që dukej se pëlqente t’ua hidhte kundërshtarëve të tij ose t’u jepte duart kur rrezikohej pushteti. Ai e kuptoi që në fillim se kush fitonte kontrollin e Partisë Komuniste në Shqipëri do të kontrollonte edhe ushtrinë. Dhe njeriu që kontrollonte ushtrinë do të kontrollonte vendin. Ai e donte Shqipërinë të ishte e lirë nga italianët dhe gjermanët, ashtu siç donin edhe krerët e lëvizjeve të tjera të rezistencës. Hoxha donte që komunistët të merrnin pushtetin në vend. Balli Kombëtar dhe klanet veriore të Kupit donin gjithashtu të merrnin drejtimin e vendit. Por ata donin t’i ruanin gjërat në Shqipëri ashtu siç ishin, me ata zotër të vendit dhe ndoshta rikthimin e Mbretit Zog. E, kjo donte të thoshte luftë kundër komunistëve. Balli Kombëtar qe i gatshëm të bashkëpunonte me gjermanët për të luftuar komunistët dhe ruajtur gjendjen ekzistuese. Hoxha ishte radikal. Ai nuk donte vetëm të merrte drejtimin e vendit, ai donte ta revolucionarizonte atë, ndërsa me vete kishte burra dhe gra që ishin të gatshëm të luftonin dhe të vdisnin për këtë qëllim.

ARKIVA/ Raporti sekrete i CIA-s: Ja ku ndryshonin Shehu me Hoxhën

 

Mehmeti, njeriu që s’dinte të qeshte

Mehmet Shehu, pesë vjet më i ri se Hoxha, ishte përgatitur si ushtarak. Shehu shkoi në shkollën amerikane profesionale të Tiranës të cilën e mbaroi në vitin 1932. Atje ai mësoi anglisht. Shehu kishte një damar romantik dhe shkruante poezi. Një nga këto poezi është botuar në revistën Laboremus të shkollës në dhjetor 1931. Fulci, i cili drejtonte shkollën në atë kohë, tha më vonë se dështimi i Shehut për të gjetur një punë në Ministrinë e Bujqësisë pas mbarimit të shkollës luajti një rol kyç në orientimin e tij drejt komunizmit. Ai shkoi në Itali dhe hyri në Akademinë Ushtarake të Napolit. U përjashtua nga shkolla për veprimtari komuniste dhe u kthye në Tiranë më 1936. Ishte 23 vjeç. Ndryshe nga Hoxha, i cili qëndroi në Shqipëri, Shehu vullnetarisht iu bashkua forcave Republikane në luftën civile në Spanjë. Ai u bë anëtar i Partisë Komuniste Spanjolle dhe arriti të bëhej komandant i Batalionit të 4-t të Brigadës së 12-të Ndërkombëtare Garibaldi. Pasi republikanët u mundën nga forcat fashiste të Gjeneralit Francisko Franko, Shehu u dërgua në kampet e përqendrimit të Francës dhe Italisë para se të kthehej në Shqipëri në vitin 1942. Me t’u kthyer, ai u bashkua me forcat e Hoxhës, i cili tashmë ishte në drejtimin e lëvizjes komuniste në Shqipëri. Megjithëse ishte një anëtar besnik i partisë, Shehu nuk ishte komunist organizativ. Ai nuk ishte aty kur Hoxha fillimisht formoi partinë në mbledhjet e fshehta në Korçë dhe Tiranë. Ai, si të thuash, nuk ishte në hapat e para të lëvizjes në Shqipëri dhe nuk ishte personalisht i afërt me Hoxhën. Duke munguar në këto takime të hershme, Shehu nuk kishte mosmarrëveshje me Hoxhën sikurse kishin të tjerët. Ai nuk mori pjesë as në takimin e rëndësishëm që Hoxha mbajti më vonë me anglezët në Labinot dhe as në konferencën e Përmetit. Ai ia kish lënë Hoxhës punët e partisë dhe të politikës. Ai ishte një ushtarak, të cilit i pëlqente të ishte me ushtarët e tij në terren. Domethënë ai bënte atë që dinte. Tashmë Shehu ishte jashtë portave të Tiranës duke bërë planin e sulmit ndërkohë që Hoxha, udhëheqësi i tij, ishte nja 160 km larg në Berat duke diskutuar për paradën e fitores. Edhe nëse Shehu fshihte ndonjë armiqësi ndaj Hoxhës ai nuk e shfaqi atë. Ndoshta donte që kështu të mbetej. Kukiçi, i cili besonte se Shehu duhej të kishte qenë njeriu që duhej të merrte drejtimin e vendit, kujton se ia ka thënë këtë mundësi Shehut në disa raste. “Ai mund ta kishte marrë pushtetin”, thotë Kukiçi. “Ai po bënte luftën. Ushtarët partizanë e pëlqenin Shehun. Kishte intimitet midis tij dhe luftëtarëve. Njerëzit e donin Shehun sepse ai ishte një luftëtar që po luftonte për vendin e tij. Ai kishte një nam të mirë nga lufta e Spanjës. Ai u kthye në Shqipëri si një hero. Ai ishte tepër i disiplinuar dhe shumë i fortë. Dhe gëzonte respekt. Hoxha e la atë të merrej me luftën dhe Shehu i la Hoxhës punët e politikës. Unë nuk mendoj se Hoxha kishte ndonjë plan për betejën e Tiranës. Ai ia la Shehut ta bënte atë. Unë i thashë Shehut, ‘Mehmet, ty të duan luftëtarët. Populli të do ty. Ti duhet të marrësh pushtetin. Ti duhet ta drejtosh vendin’. Ai m’u përgjigj, ‘Niko, mos bisedo me mua për gjëra të tilla. Politika është zanat i Hoxhës, jo i imi. Larg meje, Niko.”

I pamëshirshmi

Antipatia për britanikët

Shehu i mbante takimet me Kukiçin dhe oficerët e tjerë aleatë lidhur me Divizionin e Parë në shtabin e tij në një shtëpi të braktisur në verilindje të Tiranës. Shehu i drejtonte mbledhjet në gjuhën shqipe, ndonëse herë-herë fliste anglisht ose italisht. Kur Kukiçi donte të fliste me të vetëm për vetëm, Shehu e takonte atë në terren të hapur ku ata mund të bisedonin pa qenë të vëzhguar. “Atje unë do t’i thosha se ai duhej të merrte pushtetin. Ai e dinte se mund ta merrte pushtetin në vend. Ai mund ta kishte vrarë Hoxhën. Por ai nuk donte ta bënte këtë”. Ndërsa Kukiçi e çmonte së tepërmi Shehun, disa oficerë të tjerë të aleatëve, konkretisht anglezët e SOE-s, kishin një opinion tjetër. Majori Peter Kemp, i cili u takua me Shehun në pranverë të vitit 1943, shkruante 15 vjet më pas: “Komandant i Brigadës ishte Mehmet Shehu, një ushtarak i ashpër, energjik dhe i zoti, i cili do të bëhej kryeministër i Republikës Popullore shqiptare. Ndryshe nga shumica e drejtuesve partizanë, ai kishte tashmë një përvojë praktike të luftimeve të rëndësishme, pasi kishte komanduar një kompani të Brigadave Internacionale në Spanjë; ai gjithashtu ndryshe nga shumica e tyre fliste mirë anglisht. Një njeri i hidhur e fjalëpak, me ambicie të pamëshirshme, kurajë të jashtëzakonshme dhe egërsi të neveritshme – ai personalisht kishte therur shtatëdhjetë italianë pas një beteje – ai admironte cilësitë ushtarake të (Major Billi) Maklinit dhe (Major Dejvid) Smajlit dhe çmonte ndihmën që ata i jepnin atij” Smajli, në kujtimet e tij të luftës të botuara në vitin 1984, përsërit disa nga ato që shkruan Kempi: “Mehmet Shehu ishte një burrë rreth të tridhjetave, i prerë, i ashpër, i ngrysur, verdhacuk, i cili rrallë buzëqeshte, me përjashtim për fatkeqësitë e të tjerëve. Ai fliste mirë anglisht, ishte shumë i zoti dhe kishte shumë më tepër njohuri ushtarake se shumica e shqiptarëve të tjerë… Ai kishte famë për trimërinë, mungesën e mëshirës dhe egërsinë – ai mburrej se kishte therur me dorën e tij shtatëdhjetë karabinierë italianë që ishin kapur rob. Unë isha krahas tij në fillim, meqenëse si ushtarakë kishim ca gjëra të përbashkëta; por ai nuk e fshihte antipatinë për çdo gjë britanike, ndaj marrëdhëniet e mija me të u përkeqësuan”.

Hamendjet

Asnjë dokument për masakrat e Shehut

Që Shehu ishte një komandant i zoti, që kishte namin e të qenit i pamëshirshëm, që urrente anglezët dhe mund të fliste anglisht, është bukur shumë korrekte. Që ai të ketë therur shtatëdhjetë robër italianë të luftës është jo vetëm e pamundur, por edhe tej mase e dyshimtë. Nuk ka dokumente që ta provojnë këtë hamendje. Përveç Kempit, dhe Smajlit që rishkruan Kempin, nuk ka konfirmim që të ketë ndodhur një incident i tillë. Historia e Shehut i ngjan më shumë tregimit të Sterling Hajdnit për kolegët e tij serbë të udhëtimeve detare që vranë tridhjetë italianë të strukur në një shpellë. Kukiçi tallet me përrallën e Kempit për Shehun. “Unë mendoj se ajo është qesharake. Unë s’kam dëgjuar kurrë për të”, thotë ai. “Ajo ngjarje nuk mund të ketë ndodhur. Fjalët do të kishin marrë dhenë. Shqipëria është një vend i vogël. Ne do të kishim dëgjuar për të po të kishte ndodhur. Ne do ta kishim mësuar. Unë isha me italianët. Ata do të kishin thënë diçka. Gjeneral (Adolfo) Infante do të kishte thënë diçka. Qeveria italiane do të kishte thënë diçka. Tom Stefani, i cili kaloi goxha kohë me anglezët, do të kishte thënë diçka. Por ata kurrë nuk e thanë një gjë të tillë”. Një nga arsyet kryesore që Kempi nuk e pëlqente Shehun buronte nga Lufta Civile e Spanjës. Vetëm pak vite para se të mbërrinte në Shqipëri, Kempi kishte luftuar si një vullnetar në anën e Monarkistëve (fashistëve) në Spanjë, ndërsa Shehu kishte luftuar në anën tjetër me Republikanët (komunistët). Tash Kempi ishte duke luftuar me komunistët shqiptarë kundër ish shokëve të tij – fashistëve italianë dhe nazistëve. Nuk ishte e çuditshme atëherë që Shehu jo vetëm e ktheu mbrapsht mospëlqimin e Kempit, por edhe nuk i besoi kurrë atij.